Në thelb | Ambienti

Lufta e Serbisë për lumenj – dhe mbijetesë

Nga - 20.09.2018

Qytetarët thonë se beteja për hidrocentrale veç sa ka filluar.

Në Parkun Kombëtar të Kopaonikut, ku rrjedh Lumi Samokovka në Lumin Jošanica, uji po zhduket. Përgjatë 35 kilometrave janë ndërtuar 14 hidrocentrale të vogla që e kanalizojnë pjesën më të madhe të ujit larg shtratit të tij nëpërmjet gypave për të prodhuar energji elektrike.

“Lumenjtë tanë janë në gypa”, thotë Jelena Drmanac, një aktiviste nga qyteza e vogël Jošanička Banja në Serbi. “Ne jemi një rrjet i hidrocentraleve”.

Problemet me të cilat ballafaqohen vendasit e kësaj zone janë të njohura për tërë Ballkanin Perëndimor. Ka plane për ndërtimin e 2,800 digave në rajon. Ato do të shërbejnë si bazë për rreth 1,000 hidrocentrale të vogla. Më shumë se 800 prej tyre planifikohet të ndërtohen vetëm në Serbi.

Nga ky numër i përgjithshëm, është planifikuar që 37 përqind prej tyre të ndërtohen në zona të mbrojtura. Ambientalistët thonë se ndërtimi i pendave dhe hidrocentraleve të vogla mund të ketë pasoja shkatërruese për natyrën, florën dhe faunën, si dhe ujin e pijshëm – dhe njerëzit.

Aktivistët në Ballkanin Pere[dimor thonë se lumenjtë e tyre gjithnjë e më shumë po kanalizohen nëpër gypa. Është planifikuar që më shumë se 800 hidrocentrale të ndërtohen vetëm në Serbi. Foto: Jovana Georgievski.

Investitorët, të cilët ndonjëherë kryejnë hulumtime paraprake dhe ndërtojnë pa leje, akuzohen për përdorim të të gjitha mjeteve të nevojshme – prej kërcënimeve, te përdorimi i forcës dhe manovrat delikate politike – për zbatimin e planeve të tyre.

Biznesi i hidrocentraleve është shumë fitimprurës, kryesisht për shkak se Serbia, si nënshkruese e marrëveshjes për themelimin e Komunitetit të Energjisë të përbërë nga shtetet e Evropës jug-lindore dhe BE-së, obligohet të sigurohet se deri në vitin 2020 do të marrë 27 përqind të energjisë elektrike prej burimeve të ripërtërishme; hidroenergjia shihet si forma më e lirë e prodhimit të energjisë së ripërtërishme.

Të dhënat tregojnë se prodhuesit e energjisë elektrike që janë të autorizuar për të prodhuar energji nga burimet e ripërtërishme ja shesin energjinë kompanisë së energjisë elektrike, Elektroprivreda Srbije (EPS), për një çmim të favorshëm dhe të garantuar nga shteti në vlerë 12.6 euro centë / kilovat orë. Në anën tjetër, kjo energji e ashtuquajtur e gjelbërt në fund shitet nga EPS për konsumatorët me çmim gati 2.5 herë më të lartë se energjia që prodhohet nga burimet që nuk janë të ripërtërishme. Megjithatë, me çmim mesatar 6.5 centë / kilovat orë, ky çmim që paguhet nga qytetarët prapëseprapë subvencionohet shumë.

Përpjekjet për ta ndalur ndërtimin e digave dhe centraleve të reja, edhe pas disa viteve, kanë vazhduar me intensitet të lartë nëpër gjithë rajonin, nga Valbona në Shqipëri, te Kruščica në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe Stara Planina, Privoj e Kopaoniku në Serbi. Të ballafaquar me mundësinë që të mbesin pa burim të ujit të pijshëm, qytetarët në Serbi dhe Ballkan po bëjnë përpjekje për rezistencë.

Digat në vende Smeraldi

Logjika e ndërtimit masiv të hidrocentraleve të vogla vjen nga idea e prodhimit të sa më shumë energjisë nga burimet e energjisë së ripërtërishme. Në këtë mënyrë, shpresohet se prodhimi i energjisë elektrike do të jetë sa më i qëndrueshëm për gjeneratat e ardhshme.

Megjithatë, për shkak të mënyrës së planifikimit dhe ndërtimit të tyre, plot projekte të ndërtimit të hidrocentraleve janë shndërruar në një shkatërrim sistematik të natyrës, që përfshinë shterjen e shtretërve të lumenjve dhe përçarjen e ujërave nëntokësore, dhe paraqet rrezik për zhdukjen e specieve shtazore që janë të mbrojtura rreptësisht, si dhe për shkatërrimin e vendbanimeve të njerëzve.

Ministria për Mbrojtje të Ambientit në Serbi (MEPS) pranon se përpjekjet për t’i shtuar nivelet e furnizimit me energji të ripërtërishme kanë çuar deri te disa pasoja të paparamenduara, veçanërisht në lidhje me ambientin. “Prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtërishme është me rëndësi, por energjia e tillë nuk mund të konsiderohet gjitmonë si ‘e gjelbërt’, sepse pjesa e energjisë së prodhuar nga këto burime të ripërtërishme në prodhimin total të energjisë elektrike në Serbi nuk është në përputhje me efektet e dëmshme dhe ndryshimet që ndodhin në zona të mbrojtura”, tha Ministria në një përgjigje të shkruar për K2.0.

“Dhënia e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve në zona të mbrojtura ishte një gabim.”

Ministria e Mbrojtjes së Ambientit në Serbi

Në veçanti, Ministria theksoi se zonat e mbrojtura në pjesët malore të Serbisë po rrezikohen për shkak të ndërtimit të një numri të madh të hidrocentraleve, pavarësisht faktit se Ligji për Mbrojtje të Natyrës ndalon ndërtimet e reja në zona të mbrojtura.

“Hidrocentralet e vogla i rrezikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ekosistemet e lumenjve dhe kafshët e egra që jetojnë në to, si dhe e pengojnë konservimin e përgjithshëm të zonave natyrore. Dhënia e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve në zona të mbrojtura ishte një gabim”, tha Ministria duke iu referuar vendimeve që i morri vet në të kaluarën për miratimin e zhvillimit në zona të mbrojtura, bazuar në vlerësime pozitive nga Instituti për Konservim të Natyrës së Serbisë. “Prandaj MEPS mbështet ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të reja në zona me rëndësi të madhe ekologjike”.

Ndonëse MEPS nuk e mbështet më ndërtimin e hidrocentraleve në zona të mbrojtura – dhe e ka tërhequr mbështetjen e saj për një projekt zhvillimor, vendim ky që më pas u shfuqizua nga gjykatat – deri më sot nuk kemi parë lëvizje apo hapa të mëtejmë për minimizimin e dëmeve në lokacionet ku po zhvillohen aktualisht ndërtimet, dhe për t’u siguruar se ndërtimet po kryhen në përputhje me masat e mbrojtjes së mjedisit. Kemi parë gjithashtu një mungesë të plotë të veprimeve të planifikuara për hulumtimin e efekteve afatgjate që do t’i kenë këto ndërtime në ambient.

Ratko Ristić, dekan i Fakultetit të Pylltarisë në Universitetin e Beogradit dhe anëtar i Komisionit Rishikues për Kontroll Eksperte të Dokumentimit Teknik për Projekte të Rëndësisë Kombëtare në Serbi, tha për K2.0 se edhe puna e ekipeve që kanë për detyrë monitorimin e procesit të ndërtimit të hidrocentraleve të vogla është bërë e pamundur për t’u realizuar. “Janë tepër shumë lokacione të ndërtimit dhe vetëm disa automjete dhe punëtorë që monitorojnë në teren, kështu që aktualisht është e pamundur të bëhet monitorimi i mirëfilltë i zbatimit të këtyre projekteve”, tha Ristić.

Për më tepër, sipas Ristić, duhen 5 deri në 10 vjet për ta zhvilluar një studim të mirëfilltë për ndikimin afatgjatë mjedisor, përfshirë këtu efektet në pyje dhe kafshët e egra që jetojnë afër lumenjve. Deri më tani as që është nisur ndonjë studim i tillë.

“Janë rreth 200 projekte të planifikuara ose të nisura vetëm në zona të mbrojtura.”

Ulrich Eichelmann, Riverwatch

Ulrich Eichelmann, drejtori ekzekutiv i Riverwatch, që ka bërë fushatë për mbrojtjen e lumenjve nëpër botë prej vitit 2012, pajtohet se planet e Serbisë për të ndërtuar kaq shumë hidrocentrale po kryhen pa strategji për parandalimin e dëmtimit të natyrës.

“Sipas vlerësimeve të Riverwatch, janë rreth 200 projekte të planifikuara ose të nisura vetëm në zona të mbrojtura”, tha Eichelmann për K2.0. “Këto quhen lokacione Smeraldi, e në mesin e tyre janë parqet kombëtare dhe zonat e tjera të mbrojtura”.

Eichelmann thekson se mbrojtja e mjedisit është aspekt i rëndësishëm në negociatat e Serbisë me BE-në për anëtarësim në Bashkim. “Ligjërisht, Serbia duhet ta përcjellë legjislacionin, aktet ligjore dhe vendimet gjyqësore të BE-së, dhe kjo do të thotë se duhet t’i përcjellë edhe direktivat mjedisore”, tha ai, duke iu referuar veçanërisht Direktivës së Strukturës Ujore dhe direktivave Natura 2000. “Deri sot, ata i kanë shpërfillur të gjitha këto”.

Në qershor, Riverwatch lansoi një nismë për t’i hequr 10,000 diga të panevojshme në Bashkimin Evropian, pasi të dhënat e tyre treguan se vetëm 40 përqind e lumenjve evropianë ishin në formë të mirë. Fabio Di Tullio, koordinatori i projektit të Riverwatch ‘Remove the Dams’, tha për K2.0 se heqja e digave të vjetra është mënyrë efektive për t’i përmbushur kërkesat e Direktivës së Strukturës Ujore të BE-së. “Çështjet e konservimit duhet të barazpeshohen me sasinë e prodhimit të shtuar të energjisë pas shkatërrimit të një lumi”, tha ai. “Pra ne jemi mjaft kritikë ndaj hidrocentraleve të vogla që ndërtohen në zona të mbrojtura dhe sisteme lumore që kanë vlera ekologjike, dhe prandaj nxisim heqjen e tyre”.

Sipas pretendimeve të ambientalistëve të shqetësuar, digat po e mundësojnë migrimin e peshqëve dhe ngrohjen e ujit, që do të thotë se kafshët e egra që varen nga lumi nuk mund të mbijetojnë. Në një studim të publikuar më herët gjatë vitit, EuroNatur, një organizatë që punon me mbrojtjen e mjedisit në Gjermani, përmendi se janë 113 specie të rralla të peshkut që jetojnë në lumenjtë e Ballkanit, dhe se 10 përqind prej tyre mund të zhduken nëse zbatohen projektet që aktualisht janë në fazën e planifikimit.

Ndërtim pa leje

Një nga vendbanimet e para ku filluan ndërtimet ishte Priboji, në Lumin Lim, në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Priboji është qytet me 30,000 banorë, të cilët banojnë në një grykë, nëpër të cilën rrjedh lumi për 12 kilometra.

Në ditët e fundit të shtatorit të ngrohtë dhe të lagësht të vitit 2012, qytetarët vërejtën se po bëhej ndërtim në bregun e Lumit Lim, e për këtë ata nuk kishin qenë fare të informuar. Banorët lokal thonë se punëtorët me të cilët biseduan buzë lumit shpjeguan se “gërmimet janë për hulumtime”.

“Deri atëherë nuk pati diskutime publike, as nuk ishim në dijeni se do të ndërtohej diçka”, tha për K2.0 aktivisti Saša Bjelić; prej vitit 2012, ai ka punuar duke mbledhur dokumente për ta gjetur një mënyrë për t’i ndalur ndërtimet në Lumin Lim.

“E ftuam inspektoratin lokal të qytetit, dhe ata e kryen një hetim më 1 tetor, 2012”, tha ai. “Në fund doli se nuk kishin leje ndërtimi”.

Gërmimet po kryheshin nga Geosfera, një kompani nga qyteti Čačak, me urdhër të firmës Mini Hydro Investmentes, bashkëpronari i së cilës, sipas mediave të Serbisë, ishte shoqëruesi i Aleksandar Vučić në dasmën e këtij të fundit.

Aktivistët e kanë kundërshtuar ndërtimin në Lumin Lim prej vitit 2012, por thonë se janë penguar nga parregullsitë në procese zyrtare. Foto: Saša Bjelić.

Pavarësisht faktit se inspektimi i ndërtimeve rrjedhoi në një ndalesë, vazhduan hulumtimet paraprake në lokacionin ku është planifikuar të ndërtohet penda. Gërmimet për këtë hidrocentral potencial – që morri emrin Rekovići – po mbahen 20 metra larg bregut të lumit Lim.

Të organizuar nëpërmjet Facebook grupit VoLIM – Ne dam Lim, qytetarët e pakënaqur kohë pas kohe i ndalën ndërtimet. Por ata thonë se kjo bëri që punëtorët ta thirrin policinë, të cilët erdhën dhe u munduan t’i identifikojnë ata. “Në fund u pajtuam me policinë për t’i penguar ndërtimet e atyre që nuk kishin leje, kështu që u detyruan të na lejojnë”, tha Bjelić.

Megjithatë, ndërkohë, në dhjetor 2012, të gjitha lejet relevante të ndërtimit u dhanë për lokacionin Rekovići.

Më herët, në mars 2012, ishin bërë amendamente në Planim Hapësinor të Komunës Priboj për ta përfshirë edhe ndërtimin e hidrocentralit të vogël Rekovići në bashkërrjedhjen e përruas Banjski dhe Lumit Lim, disa qindra metra larg zonës së ngushtë të qytetit. Në atë pikë ishte autorizuar një vlerësim i ndikimit mjedisor.

Ky studim i parë, i kryer në vitin 2012, kishte befasuar dhe hutuar qytetarët e Priboj, veçanërisht për shkak se në studim ishin paraqitur toponime që nuk ekzistojnë në qytet apo rrethinë: një lokacion i quajtur Crna Bara, që është pjesë e Komunës së Bogatić, Lumi Lukavica, që rrjedh nëpërmjet Komunës së Danilovgradit në Mal të Zi, si dhe disa rrugë që nuk ekzistojnë në Priboj.

“Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë për të arritur ndryshim. Ai që të akuzon është ai që të gjykon.”

Saša Blejić, aktivist

Pas disa ankesave u urdhërua një vlerësim pasues, nëpërmjet të cilit u paralajmëruan efektet e dëmshme mjedisore të ndërtimit të hidrocentralit, dhe rritja e mundshme e numrit të pacientëve të prekur nga astma, e gjithë kjo për shkak të mundësisë së shtuar për lagështi.

Megjithatë, aktivistët thonë se hapësira për ankesa të qytetarëve ishte e kufizuar dhe se ata që bënë përpjekje për t’u shprehur kundër planeve u ballafaquan me plot pengesa. “Diskutimet publike u mbajtën vetëm sa për t’i përmbushur procedurat”, tha Bjelić. “Në disa raste nuk kishte regjistrues, dhe nuk i pranonin të gjithë njerëzit, vetëm ata që kishin bërë kërkesë me shkrim; pastaj i ndërronin vendtakimet një ditë para diskutimit, pa i njoftuar qytetarët…”

Qytetarët kanë frikë se problemet ekzistuese me lagështi dhe mushkonja, që janë të zakonshme në Priboj dhe zona tjera rreth lumenjve të mëdhenj në Serbi, do të përkeqësoheshin po të ndërtohej hidrocentrali Rekovići. Gjithashtu, shumëkush është shprehur se pa kolektor të ujërave të ndotur, akumulimi në periferi të qytetit do të shndërrohej në gropa septike. “Ankesat dhe procedurat nuk prodhojnë rezultate”, beson Bjelić. “Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë për të arritur ndryshim. Ai që të akuzon është ai që të gjykon”.

Si rrjedhojë e kundërshtimit të ndërtimeve, disa aktivistë thonë se kanë marë kërcënime direkte dhe indirekte, prej thirrjeve të drejtpërdrejta nga investitorët, te paralajmërimet që vinin në formë të “këshillave miqësore”, e deri te kërcënimet për t’i shkarkuar familjarët e aktivistëve që janë të punësuar në institucione publike. Në vitin 2016, disa akuza kriminale u ngritën kundër Dragan Klisura, pronarit të kompanisë së ndërtimit Hidro Tan, për kërcënimet që supozohet se i bëri – por të gjitha u shfuqizuan më pas nga Prokuroria.

Rebelim me pak mbështetje

Deri sa vazhdon ngadalë ndërtimi i hidrocentralit Rekovići, ndërtimet tjera në Lumin Lim tashmë janë ndalur, por vetëm pas përpjekjeve të aktivistëve dhe ndërhyrjeve nga Qeveria e Malit të Zi, shtet ku planifikohet ndërtimi i 41 hidrocentraleve të vogla.

Në vitin 2014, qeveria e shtetit fqinj vuri në dyshim ndikimin ndërkufitar të hidrocentraleve Brodarevo 1 dhe 2, që planifikohet të ndërtohen në Lumin Lim. U planifikua që këto dy hidrocentrale të ndërtohen nga kompania kanadeze Reservoir Capital. Qeveria malazeze nuk ishte e kënaqur me faktin se nuk ishte informuar paraprakisht për ndërtimet e planifikuara, as për pjesëmarrje në diskutime publike, si dhe për shkak se nuk ua kishin dërguar vlerësimin e ndikimit mjedisor.

Atë vit, Gjykata Administrative në Serbi e anuloi lejen e energjisë elektrike për hidrocentralet Brodarevo 1 dhe 2, duke marrë vendim në favor të një grupi të qytetarëve dhe OJQ-ve nga Priboj, që e kundërshtuan vendimin.

“Jemi duke e përcjellur situatën, sepse nuk e dimë kurrë kur do të delë hidrocentrali i radhës.”

Saša Blejić, aktivist

Investitori kishte të drejtë për apel, por zgjedhi të mos e bëjë. Por në janar të këtij viti, Reservoir Capital konfirmoi se po tërhiqej nga projekti i ndërtimit të hidrocentraleve Brodarevo 1 dhe 2, duke shpjeguar se nuk kishin dëshirë t’i hynin projekteve afatgjate dhe të rrezikshme.

Përderisa deri tani duket se aktivistët e kanë fituar betejën, ata po thonë se do të qëndrojnë të gatshëm, veçanërisht për shkak se po vazhdon ndërtimi i hidrocentralit Rekovići. “Jemi duke e përcjellur situatën, sepse nuk e dimë kurrë kur do të dalë hidrocentrali i radhës”, thotë Bjelić. “Ndihem i obliguar të angazhohem si qytetar për të ardhmen”.

Edhe në Kopaonik po vazhdon lufta për ambientin. Nën zonën e ekskursionit Kadijevac në Lumin Samokovka po ndërtohet aktualisht hidrocentrali i 15 në Parkun Kombëtar. “Me ndërtimin e atij hidrocentrali, kanioni i Lumit Samokovka nuk do të ekzistojë më”, tha aktivistja Jelena Drmanac për K2.0.

Kopaoniku e fitoi statusin e parkut kombëtar në vitin 1981, për shkak se aty jetojnë një numër i madh i specieve endemike të bimëve, në mesin e të cilave janë Picea Omorika dhe Alpine Edelweiss. Lumi Samokovka, në të cilin aktualisht po ndërtohen hidrocentralet, e ka statusin e Rezervës Kombëtare si pjesë e Parkut Kombëtar Kopaonik.

Në hyrje të parkut kombëtar është një Sallë e Makinave, ku paguhet një taksë ekologjike kur hyn nga drejtimi i Jošanička Banja në Komunën e Raškës.

Sipas Insajder, deri në shtatë hidrocentralë të vegjël janë ndërtuar në Komunën e Raška pa zhvillim paraprak të vlerësimit të ndikimit mjedisor. Gjithashtu, u raportua se Instituti për Konservim Kombëtar të Serbisë e dha në mënyrë eksplicite një opinion negativ në lidhje me ndërtimin e hidrocentralit të vogël Županj, por ky hidrocentral u ndërtua sidoqoftë.

Në Kopaonik, hidrocentrali i parë i vogël, HP Velež, filloi operimin në pranverë 2013. “Në atë kohë isha anëtar i këshillit lokal të komunitetit dhe mund të them se askush nuk u njoftua, as nuk kishte diskutim publik në lidhje me temën”, tha Drmanac. “Gjithçka po ndodhte në heshtje, deri kur nisi të punonte Velež, e atëherë vendasit u rebeluan sepse shtrati i lumit mbeti i zbrazët, e kështu ata nuk mund t’i ujisnin fushat”.

“Të rinjtë kanë tendencë të ikin nga ky vend. Të tjerëve nuk u lënë përshypje këto ndërtime, por kryesisht ishin shikues të heshtur”.

Jelena Drmanac, aktiviste

Në dhjetor 2013, një bord i qytetarëve u themelua në Jošanička Banja i përbërë prej katër qytetarëve të interesuar me qëllim të mbikëqyrjes së zhvillimit të centraleve të energjisë elektrike në atë zonë. Si rrjedhojë e presionit publik, Instituti për Konservim Kombëtar të Serbisë vendosi të shkojë në teren për ta vlerësuar ndikimin e zhvillimeve të planifikuara tek ambienti.

Raporti i Institutit për Ruajtjen e Natyrës iu dorëzua institucioneve kompetente në vitin 2014. “Raporti u bëri thirrje institucioneve të reagojnë, por ky raport është injoruar,” tha Drmanac. Bordi i qytetarëve u shpërbë disa muaj pasi ishte vendosur, thuhet se në këmbënguljen e presidentit të Këshillit të Komunitetit në Jošanička Banja.

 

“Më vonë gjetëm se presidenti [tashmë i atëhershëm] i Këshillit të Komunitetit Jošanička Banja, Marinko Milojević, ishte pronar i hidrocentralit Klupci në Lumin Gobeljska”, vazhdoi Drmanac, duke iu referuar një prej centraleve elektrike në atë zonë. “Atëherë u shndërruam në ushtarë të hidhëruar, e hapëm një faqe në Facebook dhe filluam t’i bombardojmë përdoruesit me fotografi të lumenjve dhe ndërtimeve të vazhdueshme. Vitin e kaluar e kontaktuam një grup të quajtur Defending the Rivers of Stara Planina dhe filluam të bashkëpunojmë me komunitetet që kanë probleme të ngjashme, si në Priboj me Lumin Lim. Me përvojën tonë, ne duam t’i kundërvihemi së bashku ndërtimit të hidrocentraleve të vogla”.

Megjithatë, ata nuk fituan mbështetje më të gjërë nga qytetarët lokal. Siç tha Drmanac për K2.0, nuk kishte shenja se njerëzit ishin të gatshëm të protestojnë për shkak se Jošanička Banja i ka rreth 2,000 banorë dhe pjesa më e madhe e tyre janë të moshuar. “Të rinjtë kanë tendencë të ikin nga ky vend”, thotë ajo. “Të tjerëve nuk u lënë përshypje këto ndërtime, por kryesisht ishin shikues të heshtur”.

Njëkohësisht, disa njerëz në atë zonë u punësuan në hidrocentrale, dhe kjo kontribuoi tek zbutja e rezistencës lokale. “U hapën disa pozita të punës – pagesa të përditshme në vlerë 30 euro kanë vlerë të madhe në këto kohë, plus i kishin nga tre shujta në ditë, si dhe punëtorët u lejuan t’i shesin materialet ndërtimore”, shpjegoi Drmanac, duke shtuar se disa qytetarë ua shitën tokën e tyre investitorëve.

“Askush nuk flet për çfarë do të ndodh pas një apo dy muajve, pas një viti… doli se jemi duke luftuar kundër një investimi shumë të madh”, tha Drmanac. “Kur kryhet gjithçka, e ke nga një apo dy punëtorë në secilin hidrocentral. Si duket pasi i morrën paratë u erdhi turp të rebelohen”.

Planifikohet të ndërtohen 18 hidrocentrale afër Jošanička Banja, dhe në tërësi 53 në territorin më të gjërë të Komunës së Raškës. Drmanc thotë se grupi i saj aktualisht është duke përgatitur dokumentet për të bërë përpjekje për t’i ndalur ndërtimet e mëtejme.

As edhe një pikë ujë

Ngjashëm kanë luftuar vendasit e fshatit Temska në periferi të Parkut Kombëtar Stara Planina në Serbinë lindore që prej viteve të 90-a. Ata janë munduar t’i mbrojnë ujërat e pastër të rajonit.

Në verë, përrockat dhe lumenjtë në malet Stara Planina kanë shumë pak ujë, dhe ato do të shteren krejtësisht po të ndërtohen hidrocentralet e vogla.

Në vitin 2011, Academic Speleological Alpine Club zhvilloi hulumtime që zbuluan se uji që rrjedh poshtë maleve Stara Planina është ujë i pastër dhe i pijshëm. Një analizë e mëtejme e cënueshmërisë së ujërave në Stara Planina, e kryer një vit më vonë prej hulumtuesve të pavarur në Fakultetin e Minierave dhe Gjeologjisë, i klaisifkoi 47 përqind të ujërave nëntokësorë si mesatarisht të cënueshëm, dhe 28 si shumë të cënueshëm.

Përrockat dhe lumenjtë në Parkun Kombëtar Stara Planina përmbajnë ujë të pastër dhe të pijshëm, por studimet kanë treguar se ato janë në rrezik. Foto: Igor Dordević.

Në vitin 1983 nisi ndërtimi i digës në Lumin Visočica. Projekti u krye në 1990, duke formuar Liqenin Zavojsko – që sot është liqeni i dytë më i madh artificial në Serbi. Prej atëherë, Lumi Toplodolska (i njohur nga vendasit si Temštica), në të cilin dikur rrjedhte Visočica, ka mbetur me rrjedhje minimale ekologjike. Popullsia lokale e vidrave i ka braktisur pjesët e poshtme të lumit. Vidra evropiane, që jeton në Stara Planina, i përket specieve të rralla dhe të mbrojtura, dhe listohet në listën e kuqe të specieve të rrezikuara që përpilohet nga Unioni Ndërkombëtar për Konservimin e Natyrës (IUCN).

“Ata deshën të na e marrin lumin në vitin 1990”, tha Aleksandar Jovanović Ćuta nga fshati Temska, njëri nga nismëtarët e lëvizjes Defending the Riveres of Stara Planina, që sot kanë më shumë se 40,000 anëtarë në grupin e tyre në Facebook. Ai shpjegoi se në atë periudhë, sipërmarrësit kishin bërë përpjekje ta shponin një tunel tejpërtej malit, duke e ridrejtuar Lumin Toplodolska në një akumulim mbi fshatin Temska, për ta ndihmuar ushqimin e hidrocentraleve.

“Në atë kohë, ata bënë përpjekje për ta shpuar malin e për ta bërë një tunel shtatë kilometra të gjatë për të na lënë pa ujë, por nuk e lejuam”, tha ai. “E ruajtëm tunelin, e herë pas here kishte edhe përleshje. Në fund ata shpuan për 2 kilometra dhe u dorëzuan”.

Pas disa viteve plot me frustrime të qytetarëve lokal, ndërtimi i tunelit të Lumit Toplodolska u ndal zyrtarisht në vitin 2007.

Megjithatë, planet e Komunës së Pirotit për të ndërtuar në këtë vend u kthyen në vitin 2011 kur në planin hapësinor lokal u përfshinë 58 hidrocentrale të vogla në Qarkun e Pirotit, prej të cilave 43 ishin në zonën primare të mbrojtjes, ku ndalohet ndërtimi. Një version i këtij plani që ishte miratuar më parë parashihte ndërtimin e 58 mullinjve të vegjël të erës, që janë pjesë e traditës së kësaj zone.

“U diskutua rindërtimi i mullinjve, në mënyrë që familjet të kenë mundësi t’i bluajnë vet drithërat. Ky propozim u miratua në mënyrë unanime nga asambleistët e Pirotit”, tha Jovanović. “Megjithatë, më pas u ndryshua plani [nga Komuna dhe qeveria qendrore] ashtu që në vend të mullinjve, parashihej ndërtimi i hidrocentraleve të vogla”.

Dhënë ndryshimit nga mullinjtë në hidrocentrale, kompetenca për lëshimin e lejeve të ndërtimit u transferua nga komuna lokale tek qeveria qendrore, dhe komuna tani thotë se nuk ka pushtet për t’i parandaluar ndërtimet.

Qytetarët që jetojnë rreth Parkut Kombëtar Stara Planina i shohin rregullisht automjetet e ndërtimit. Ata po bëjnë përpjekje ta parandalojnë humbjen e lumenjve. Foto: Jovana Georgievski.

Pavarësisht kësaj, ndërtimi i hidrocentraleve të reja në këtë komunë është vonuar nga veprimet e qytetarëve dhe betejat në gjykatë.

Qytetarët theksojnë se me ndërtimin hidrocentraleve, disponueshmëria e ujit të pijshëm dhe mbijetesa e specieve të mbrojtura – si gaforrja e lumit, trofta e lumit, vidra, maca e egër dhe ariu i kaftë – po vihen në dyshim. Ata theksojnë veçanërisht faktin se janë planifikuar ndërtime masive në lumenjtë malorë që kanë pak ujë, dhe kështu prodhimi i energjisë elektrike mund të bëhet vetëm duke shterur shtratin e lumit gjatë një pjesës së vitit, kur rrjedh bora e shkrirë në Stara Planina dhe Suva Planina.

Pasi muajin e kaluar doli një lokacion i ri i ndërtimit në Lumin Rudinjska në Stara Planina, aktivistët organizuan një aksion për ‘çlirimin’ e lumit duke gërmuar një kanal anësor në mënyrë që të kthehet lumi në shtratin natyral të tij. Ndonëse policia lokale ishte në lokacion dhe i këshilloi aktivistët të mos gërmojnë, dy palët negociuan në mënyrë paqësore, dhe aktivistët e zbatuan aksionin. Nuk kishte arrestime, dhe Lumi Rudinjska vazhdon të rrjedhë.

Defending the Rivers of Stara Planina gjithashtu ka mbledhur rreth 10,000 nënshkrime për një peticion për parandalimin e ndërtimit të hidrocentraleve. Peticioni iu dërgua UNESCO-s në fillim të gushtit, dhe kërkon ta arrijë përfshirjen e organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare në këtë rast. Qytetarët gjithashtu mbajtën një protestë në Pirot më 2 shtator ku deklaruan se lufta veç sa ka filluar.

Ministria për Mbrojtje të Ambientit në Serbi thotë se i mbështeti veprimet e qytetarëve. “Jemi mirënjohës për mbështetjen nga sektori civil dhe publiku për ruajtjen dhe përmirësimin e ambientit për neve dhe gjeneratat e ardhshme”, tha Ministria për K2.0. “Ne i vlerësojmë pozitivisht përpjekjet e aktivistëve dhe shoqërisë civile që theksojnë dëmet dhe pasojat e hidrocentraleve të vogla në lidhje me ekosistemet”.

Pavarësisht kundërshtimit nga qytetarët, grupet e ambientalistëve dhe fjalët e autoriteteve, ndërtimi i hidrocentraleve në Parkun Kombëtar Stara Planina po vazhdon. Foto: Jovana Georgievski.

Por pavarësisht fjalëve, ndërtimi i hidrocentraleve në Parkun Kombëtar Stara Planina po vazhdon, në Lumin Crnovrška dhe Lumin Rakitska. Institucionet nuk po marrin përgjegjësi për t’i ndalur ato.

Duke i marrë parasysh të gjitha, lufta për lumenj në Serbi dhe në rajon pritet të vazhdojë.

“Nuk do t’ua japim as edhe një pikë uji”, tha për K2.0 aktivisti i Defending the Rivers of Stara Planina, Aleksandar Jovanović. “Kjo është luftë për mbijetesë. Nëse na e marrin ujin, krejt çka na mbetet është të ikim”.

Redaktuar nga Nidžara Ahmetašević dhe Jack Butcher.

Foto kryesore: Igor Dordević.