Në thelb | Politika

Formësimi i së ardhmes së Mitrovicës, nga themeli drejt kulmit

Nga - 05.09.2016

Iniciativa e re synon që t’i angazhojë qytetarët në vendimmarrje lokale.

Ura mbi lumin Ibër, i cili e ndan qytetin verior të Mitrovicës, u rihap muajin e kaluar. E bllokuar për një kohë të gjatë dhe e parë si simbol i ndarjes etnike, urën tani njerëzit teknikisht mund ta kalojnë lirshëm, megjithëse jo shumë njerëz po e bëjnë këtë gjë; lidhja e dy anëve të lumit natyrisht do të kërkojë shumë më shumë mund se një projekt rigjenerimi, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe i fokusuar në infrastrukturë, i cili u lansua tetorin e vitit të kaluar si pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në një përpjekje për ta përfshirë komunitetin lokal në vendimmarrjet të cilat kanë ndikim në qytetin e tyre, Eliza Hoxha, ish këngëtare, aktiviste sociale e, mbi të gjitha, arkitekte, sajoi një nismë e cila u quajt Negotiating the City (Negocimi i qytetit).  Faza e parë, e quajtur Facing the River (Përballë lumit), u zhvillua javën e kaluar në Muzeun e Mitrovicës. Ftesa iu dërgua studentëve, ekspertëve e aktivistëve nga veriu dhe jugu i Mitrovicës si dhe studentëve nga rajoni të cilët janë të interesuar në formësimin e vendeve.

mitro_001
Programi “Facing the River” u nda në dy sesione. Aktivitetet e mbrëmjes përfshinë prezantime dhe ligjërata me tema siç janë: “Qytetet mbi lumenj”, “Qytetet e ndara kundrejt qyteteve përfshirëse”, “Vendformësimi dhe brendimi i qyteteve mbi lumenj” si dhe “Vështrimet nga rajoni”, si dhe një vizitë në organizatën kulturore “7 arte” ku u mbajt një mbrëmje filmash me temë të arkitekturës dhe diskutime me publikun. (K2.0 gjatë ditëve në vijim do t’ju sjellë intervista dhe përmbledhje në lidhje me disa prej temave të kësaj ngjarjeje).

Atyre nuk i’u ishte dhënë mundësia as për dhënë një opinion se çka dëshirojnë të kenë tek lumi, e as si e shohin ata lumin.

Eliza Hoxha

Gjatë sesioneve ditore, u mbajt punëtoria njëjavore e cila u quajt “Vizionimi i lumit Ibër në Mitrovicë me qasje të kontributit të komunitetit”. Pjesëmarrësit u ndanë në pesë grupe për të punuar gjatë javës sa zgjati punëtoria. Pas vizitës që iu bë pjesëve të ndryshme të lumit, me këshillë të tutorëve dhe mysafirëve nga vetë komuniteti, dhe pas zhvillimit të intervistave me banorët lokalë, secili grup bëri dizajne të urës dhe të brigjeve të lumit, të cilat u prezantuan në një ekspozitë në muze të shtunën, ditën e fundit të punëtorisë.

‘Facing the River’

E gjithë ideja i lindi Eliza Hoxhës në vitin 2009 kur e parashtroi pyetjen: “Si e sheh komuniteti shqiptar dhe ai serb lumin e tyre?”

“Thjesht mendoja se çka do të mund të bëhej në brigje si hapësira të përbashkëta, si vend për pajtim të komuniteteve në të ardhmen” tha Hoxha, “si dhe për rigjenerim, zhvillim dhe krijim të mundësive të reja për komunitetet në aspektin ekonomik, si dhe në atë social e kulturor.” Duke u nisur nga bindja se lumi dhe ura kanë kapacitete të mëdha nga të cilat mund të përfitonin të dy komunitetet në të gjitha aspektet, Hoxha mori donacion nga Fondacioni Kulturor Europian (European Cultural Foundation) për të nisur zbatimin e idesë të cilën e kishte pasur pesë vite më parë.

Parimi kyç i gjithë projektit Negotiating the City është të shikohet përtej situatës së tanishme ku vendimet për Mitrovicën – qoftë në lidhje me resurset, dizajnet, qoftë në lidhje me hapjen dhe mbylljen e urës – kryesisht negociohen në Bruksel, apo merren nga komunat këndej e andej lumit, duke punuar të pavarura nga njëra-tjetra.

mitro_002

“Gjatë gjithë kohës komuniteti u përjashtua nga këto negociata, si dhe nga procesi i vendimmarrjes” thotë Hoxha. “Atyre as nuk iu ofrua mundësia për ta dhënë një mendim se çka dëshirojnë të kenë në lumë, apo si e shohin lumin.”

Andaj, vizioni i Eliza Hoxhës për këtë nismë ishte që gjërat të kthehen për së mbari, dhe të fillohet nga themeli drejt kulmit.  “Meqë ka aq shumë negociata për lumin dhe për Mitrovicën, në aq shumë forma nga lart poshtë, hajde ta bëjmë një projekt i cili do ta hapë debatin me të rinjtë të cilët kanë më pak ngarkesa emocionale, si dhe me aktivistë të urbanizmit nga veriu dhe jugu i Mitrovicës, që të diskutojmë për lumin dhe për mundësitë që ai mund t’i ofrojë qytetit” thotë ajo. “Mirëpo, që lumi të shfrytëzohet nga njerëzit, dhe që ai të bëhet vend takimi, aty duhet të ekzistojë diçka – një bankë, një pemë a një rrugë – diçka që përshtatet aty dhe që atë e bën vend”

Vendformësimi – puna me komunitete

Ajo vendosi që mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke përdorur metodologjinë e “vendformësimit”, të cilën e hasi duke punuar me urbanisten nga Nju Jorku Elena Maddison, një veterane e kësaj qasjeje.

Elena Maddison, zëvendëspresidente e Project for Public Spaces (Projekti për hapësira publike) – organizatë jofitimprurëse e cila merret me krijimin dhe mbështetjen e hapësirave publike të ndërtuara nga komunitetet – iu bashkua kësaj nisme si tutore gjatë punëtorive të javës së shkuar. “Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë këtu është vetën t’u tregojmë studentëve dhe pjesëmarrësve të punëtorisë një qasje dhe një metodologji e cila është ndryshe nga ajo që e përcjellin dhe e përdorin në shkolla” thotë ajo. “Qasja është ndryshe nga pjesa dërmuese e asaj që komunat tradicionale përdorin kur bëjnë këso intervenimesh.”

Këtë fazë të nismës Facing the River ajo e sheh si një ushtrim të dobishëm trajnimi, duke sugjeruar se ishte një demonstrim i procesit të “vendformësimit”; në fund do t’i takojë komunave të Mitrovicës t’i zhvillojnë idetë e tyre se si dëshirojnë ta shfrytëzojnë lumin dhe zonat përreth.

Madison e definon nocionin e “vendformësimit” si “punë me komunitete” duke i vënë idetë dhe ekspertizën lokale në qendër të formësimit të së ardhmes së një zone. “Në thelb, pjesa më e rëndësishme është se kjo nuk ka të bëjë vetëm me ekspertë [të jashtëm] që vinë për të zhvilluar disa plane për ju” thotë ajo. “Në të vërtetë janë njerëzit nga komuniteti të cilët janë të angazhuar në mënyrë aktive si në vizionimin e krijimin e ideve ashtu edhe në realizimin e tyre. Qëllimi i formësimit të vendeve është të krijohen vende të cilat funksionojnë për njerëzit, me njerëz të cilët do t’i shfrytëzojnë ato vende”

Nuk duhet të ketë 'ata' dhe 'ne', duke e urrejtur njëri-tjetrin gjithë kohën. Duhet të lëvizim përpara me hapa foshnjash, për të jetuar në harmoni. Nuk mund ta heqim qafe njëri-tjetrin, jemi këtu, andaj, duhet ta bëjmë më të mirën e mundshme.

Asdren Sela

 

Idetë e mbledhura dhe të zhvilluara nga komuniteti pastaj dizajnohen dhe projektohen nga arkitektë dhe planifikues urbanë, dhe në rastin e punëtorisë Facing the River, nga studentë nga rajoni të cilët ishin pjesë e saj.

mitro_003

“Përveç përfshirjes së studentëve të arkitekturës, planifikuesve e dizajnuesve urbanë, ideja fillestare ishte që gjithashtu të përfshiheshin përfaqësues organizatash joqeveritare, si nga veriu ashtu edhe nga jugu i qytetit,” thotë asistentja e projektit, Zana Bokshi.  Me dekada të ndarjes që duhen tejkaluar, si dhe në mungesë të projekteve të integrimit në Mitrovicë, ftesat të cilat u dërguan në veri të qytetit morën përgjigje të kufizuar; vetëm tre pjesëmarrës nga veriu iu përgjigjën ftesës, andaj organizatorët vendosën t’ua dërgojnë ftesën edhe studentëve nga rajoni më i gjerë.

“Kemi pasur studentë nga univeristetet Polis dhe Epoka nga Shqiptëria, studentë nga Univeristeti i Tetovës, si dhe studentë nga Prishtina dhe nga Mitrovica” thotë Bokshi, e cila vuri në pah numrin e madh të studentëve lokalë nga jugu i Mitrovicës të cilët iu përgjigjën mundësisë për t’u përfshirë në këtë nismë. “Duke pasur parasysh se ky është vendi i tyre, ata e njohin kontekstin më mirë, ata janë këtu, e ndjejnë qytetin dhe e jetojnë historinë e tij,” thotë ajo. “Megjithëse ata ishin mbase shumë të rinj për [të mbajtur mend] se si qyteti ishte i bashkuar [në të kaluarën], nga kushërinjte e tyre kanë dëgjuar se si ka qenë qyteti, çka i mungon – qytetit i cili dikur ishte qytet i rrokut dhe i xhezit.”

Rëndësia e këtij organizimi, si dhe potenciali që e ka Mitrovica, u pasqyrua nga një pjesë e mirë e pjesëmarrësve të kësaj punëtorie. Asdren Sela, student i Universitetit Polis nga Tirana, u lind në Prishtinë por ka kaluar shumë vite në Amerikë, duke e ndjekur ëndrrën dhe vizionin për t’i afruar sa më shumë shqiptarët dhe serbët e Kosovës. “Nuk duhet të ketë ‘ata’ dhe ‘ne’, duke e urrejtur njëri-tjetrin gjithë kohën” thotë ai. “Duhet të lëvizim përpara me hapa foshnjash, për të jetuar në harmoni. Nuk mund ta heqim qafe njëri-tjetrin, jemi këtu, andaj, duhet ta bëjmë më të mirën e mundshme.”

Në kërkim të së ardhmes

Faza e parë e Negotiating the City do të përmbyllet me botimin e një libri në dy gjuhët zyrtare të Kosovës – shqip e serbisht – si dhe në anglisht, ku do të përshkruhet ideja e gjithëmbarshme e kësaj iniciative, nevoja për të dhe analiza prapa saj, si dhe procesi dhe metodologjia e vendformësimit. Libri gjithashtu do të përfshijë zëra të atyre të cilët kanë qenë pjesë e kësaj nisme deri më tani, duke spjeguar arsyen e pjesëmarrjes së tyre dhe rëndësinë e një lëvizjeje të tillë në Kosovë.

Facing the River do të vazhdojë me fazën e dytë gjatë pranverës së vitit të ardhshëm, me një konferencë të titulluar Divided Cities (Qytete të ndara), me qëllim të eksplorimit të llojeve të ndryshme të ndarjeve si dhe të çështjeve që dalin nga ato ndarje. “Në Mitrovicë ekziston ndarja fizike e qytetit, si dhe ndarjet etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve,” thotë Eliza Hoxha, “derisa në qytetet tjera që ne i konsiderojmë të suksesshme, ndarjet ndodhin për shkak të statusit social e përkatësisë etnike. Disa ndarje të cilat zhvillohen shumë shpejt kanë të bëjnë me ato të grupeve të ndryshme të interesit, siç janë formacionet kulturore apo fetare.”

Në këtë konferencë do të diskutohen shembujt se si qytetet e ndara në botë, siç është Nikozia, Mostari, Jerusalemi e Berlini, janë angazhuar dhe janë ballafaquar me këto çështje për t’i zbutur dallimet.

Hoxha thotë se organizatorët janë të inkurajuar nga entuziazmi i atyre që morën pjesë javën e kaluar dhe shpreson se ky është fillim i një momentumi për ta shtyrë Mitrovicën përpara. “Varësisht nga rezultatet e këtij aktiviteti, do të shikojmë se si do të vazhdojmë në të ardhmen,” thotë ajo. “Mbase… me ndonjë projekt më të madh i cili do të kishte shtrirje më të gjerë e të prodhonte diçka më të madhe e më thelbësore për të ardhmen e qytetit.”K

Fotografitë: Eliza Hoxha.