“Të gjithë i përkasim një historie të përbashkët, një kulture të përbashkët, një civilizimi të përbashkët. Ne jemi njerëzit qe jemi vëllezër të asaj strukture. Mos harroni se Turqia është Kosovë, dhe Kosova është Turqi”. Këto ishin fjalët e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Prizren – vendi me komunitetin më të madh turk në Kosovë – gjatë një vizite zyrtare në Kosovë në tetor 2013.
Në historinë më të re, marrëdhëniet në mes të shtetit të Kosovës dhe Turqisë kanë qenë të afërta, madje edhe miqësore. Turqia jo vetëm që ishte prej shteteve të para që ka njohur pavarësinë e Kosovës në 2008, por lidhjet e fuqishme ekonomike, kulturore dhe personale krijuan një ‘marrëdhënie të veçantë’ në mes të dy vendeve. Derisa kosovarët po vuajnë prej izolimit, për shkak të kufizimeve të rrepta të vizave nga Bashkimi Evropian, Turqia në anën tjetër ka hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës që prej vitit 2009.
Vlerësohet gjithashtu se në Kosovë jetojnë më shumë se 18,000 qytetarë të komunitetit turk. “Marrëdhëniet tona bëhen të veçanta prej kontaktit personal në mes të njerëzve – kjo na bënë [neve] kaq të afërt”, tha për K2.0 ambasadorja turke në Kosovë, Kivilim Kilic. “Shumë kosovarë jetojnë në Turqi dhe [ka] shumë martesa të përziera, jo vetëm në Turqi, por edhe në Kosovë”.
Ndikim i padëshiruar
Megjithatë, pavarësisht afërsisë historike, zhvillimet e brendshme të kësaj vere në Turqi zbuluan një marrëdhënie më të ndërlikuar në mes të Kosovës dhe aleatit të saj të Evropës jug-lindore.
Shenjat e tensionimit u manifestuan papritmas pas reagimit të një gazetari kosovar në lidhje me puçin e dështuar në Turqi në korrik. Një koment satirik nga gazetari kosovar Berat Buzhala në faqen e tij në Facebook, ku u bë “thirrje” të gjithë kosovarëve që ishin në pushime në Turqi në atë kohë që “të radhiten” me puçistët kundër Presidentit Erdogan, u prit ashpër nga ambasadorja Kilic e cila ftoi organet e drejtësisë, që të marrin masa ligjore ndaj gazetarit kosovar. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, më vonë tha se nuk e sheh këtë si çështje të prokurorisë.
Megjithatë, vërejtjet e Kilic nuk u pritën mirë në Prishtinë. Ato nxitën një reagim të flaktë prej shumë akterëve të shoqëris civile, të cilët dënuan reagimin e saj duke e etiketuar si patronizues. Disa ditë më vonë, ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, e quajti deklaratën e Kilic “kërkesë të papranueshme”, dhe tha se beson që ky “keqkuptim” do të tejkalohej.
Sidoqoftë, Kilic ende nuk ka ndryshuar mendjen, dhe mendon se gazetari pati qëllime të këqija me komentin e tij, ose që nuk pati konotacion satirik. “Jam ambasadore e Turqisë dhe ky puç ndodhi në Turqi ku ranë 240 dëshmorë atë natë – më shumë se 2000 persona u lënduan, kështu që nuk është hajgare”, tha ajo. “Është diçka serioze dhe nuk është çështje me të cilën mund të bëhet hajgare”.
Enver Robelli, kolumnist i mirënjohur i gazetës së përditshme kosovare Koha Ditore dhe kontribues i rregullt në media ndërkombëtare, tha për K2.0 se ambasadorja turke kalkuloi gabimisht reagimin që do të rezultonte pas deklaratës së saj. “Ndoshta nga reagimi i opinionit tonë ambasadorja turke ka kuptuar se kosovarët kanë respekt për Turqinë, por nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë lirinë e shtypit për huqet e diplomacisë turke”, tha ai.
Robelli mendon gjithashtu që qasja e Kilic për këtë çështje tregon diçka më shumë se një kërkesë të thjeshtë nga një ambasadore. “Kërkesa skandaloze e ambasadores tregon se Turqia e sheh veten në pozicion aq të fuqishëm politik dhe ekonomik në Kosovë, saqë nuk ngurron të merret edhe me “redaktimin” e mediave”, tha ai.
Çështja osmane
Interesi ekonomik i Turqisë në Kosovë sigurisht se është i madh. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë vitit 2015 Turqia eksportoi mbi 240 milion dollarë të mira në Kosovë, ndërsa eksportet e Kosovës në Turqi ishin në vlerë prej vetëm 8 milion dollarë.
Sa i përket investitorëve të jashtëm të Kosovës, Turqia është e treta, e përpara e ka vetëm Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar (MB). Kompanitë Turke kanë fituar tendere për disa nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Kosovë në vitet e fundit.
Ndërtimi i autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, që vlerësohet të ketë kushtuar më shumë se 800 milion euro, u përfundua nga kompania turke Enka, në konsorcium me kompaninë amerikane Bechtel. Një autostradë tjetër që do të lidh Kosovën me Maqedoninë po ndërtohet nga konsorciumi Bechtel-Enka me një kosto të vlerësuar deri në 600 milion euro. Kompania turke Limak-Calik gjithashtu ka fituar tender për privatizimin e kompanisë së distrubimit dhe furnizimit të energjisë elektrike (KEDS), ndërsa Limak, në konsorcium me Aeroport de Lyon nga Franca, e ka kontratën për menaxhimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 20 vitet e ardhshme.
Përderisa niveli i lartë i investimeve turke natyrisht se është mirëpritur prej disave, tjerë e konsiderojnë formë të të ashtuquajturit neo-Osmanizmit – term të cilin ambasadorja turke në Kosovë e konsideron si “jo serioz”.
Përmendjet e së kaluarës osmane të Kosovë megjithatë kanë qenë pikë e vazhdueshme e mospajtimit në mes të Prishtinës dhe Ankarasë. Enver Hoxhaj ka zbuluar se gjatë një vizite në Turqi si ministër i arsimit, homologu i tij kërkoi që të ndryshohet portretizimi i osmanëve në libra shkollor si ‘pushtues të egër’. “Gjatë vizitës së parë zyrtare të cilën e bëra në 2008 në Turqi, çështja e ndryshimit të librave shkollor të historisë, dhe përmbajtjeve specifike që i referohen të kaluarës osmane të Kosovës dhe Shqipërisë… u përmend”, tha ai për BIRN në 2010.
Përveç që mësojnë për osmanët si ‘okupatorë’, nxënësit në Kosovë mësojnë se gjatë epokës së Perandorisë Osmane, mijëra patriotë dhe mësues shqiptar etnik u dëbuan ose burgosën për shpërndarje të librave dhe gazetave në mbështetje të pavarësisë së shqiptarëve.
Kritikët e Presidentit Erdogan e akuzojnë atë për tendencë dhe përpjekje për restaurim të epokës së Perandorisë Osmane me Republikën moderne të Turqisë, duke u munduar që të krijojë një imazh të rinovuar për Perandorinë Osmane në Kosovë duke kërkuar nga autoritetet kosovarë që t’i shmangen termave “të pavend” si “okupatorë”.
Në një kolumne për Koha Ditore në gusht, Robelli shkroi: “Turqit janë krenarë për historinë e tyre dhe kjo është e drejtë e tyre që duhet respektuar, por politikanët e Ankarasë duhet ta kenë parasysh se shumica e shqiptarëve në Ballkan nuk mund të jenë krenar për historinë turke duke pështyrë e injoruar historinë shqiptare”.
Ambasadorja turke Kivilim Kilic beson se përmendjet e qasjes neo-osmaniste në politikë të jashtme “nuk janë serioze”. Fotografija: Fikret Ahmeti / K2.0.
Ambasadorja Kilic beson se kritikat e tilla janë të pavenda, dhe se Turqia duhet të vazhdojë që të kërkojë rishikimin e librave shkollor për të prezantuar një imazh më të këndshëm të Perandorisë Osmane. “Ne jemi përfaqësuesit e kulturës turke dhe osmane”, tha ajo. “Jemi krenar për historinë tonë, jemi krenar për paraardhësit tonë dhe jemi krenar me Perandorinë Osmane”.
Për Kilic, rishkrimi i librave shkollor nuk është përpjekje për ta ndryshuar historinë, por për t’i mbjellur farat e paqës për gjeneratat e reja, duke përdorur fjalë që janë sa më të “zgjuara” që është e mundur. “Bashkëpunimi po shkon mjaft mirë”, tha ajo. “Librat shkollor në të dy vendet po ripunohen, dhe po shkon mirë”.
Masa të rrepta kundër gulenistëve
Një fushë në lidhje me të cilën Kilic tregohet më kujdesshme është ajo e kërkesave të Ankarasë për t’i mbyllur më shumë se 2000 shkolla ‘guleniste’ që operojnë nëpër botë. Këto shkolla – duke i përfshirë këtu edhe disa shkolla fillore e të mesme në Kosovë – i përkasin një rrjetit të arsimit dhe mediave, pronar i së cilit është predikuesi i pasur islamik, Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit prej viti 2011 është etiketuar zyrtarisht nga autoritetet Turke si “Organizata Terroriste Guleniste” (FETO).
Erdogan më parë ka bërë presion që shkollat guleniste në rajon të mbyllen, sidomos gjatë një vizite shtetërore në Shqipëri vitin e kaluar. Megjithatë, meqë Erdogan akuzon vazhdimisht Gulenin për organizimin e tentim puçit, tani përsëri është kthyer fokusi në këtë çështje në muajt e fundit. Në gusht, Ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikola Poposki tha se shteti i tij mbështetë qeverinë e zgjedhur në Ankara, dhe aludoi se ishte gatshëm që t’i përmbush kërkesat e Erdogan. “Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë në Ankara që t’i ndihmojmë ata që t’i arrijnë synimet e tyre, sigurisht në përputhje me ligjet tona”, reagoi ai, kur u pyet nëse qeveria do t’i mbyllë shkollat dhe organizatat që janë të lidhura me Gulen në Maqedoni.
E pashmangshme ishte edhe përfshirja e Kosovës në masat e rrepta anti-Guleniste të Ankarasë. Në shtator, ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusgolu aludoi se i kishte bërë presion qeverisë së Kosovës për t’i mbyllur shkollat Guleniste në republikën e Kosovës: “Diskutuam puçin terrorist, FETO dhe bashkëpunimin tonë rrënjësor”, shkroi ai në Twitter pas një takimi me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj.
Kilic nuk pranoi që të ipte hollësi për kërkesat e mbylljes së shkollave gyleniste, ose për atë se i bëri presion autoriteteve kosovare, por ajo pranoi se kjo çështje po diskutohet shumë. “Këto janë procese, dhe këto diskutime për të gjetur zgjidhje do të vazhdojnë”, tha ajo.
Rrëshqitjet Gjeopolitike
Përderisa për të ushtruar ndikimin e tij në shtete tjera për t’i mbyllur shkollat Guleniste ai mbështetet në marrëdhëniet bilaterale të Turqisë, pas përpjekjes për puç, Erdogan nuk humbi kohë, dhe filloi t’i ndjekë individët dhe organizatat të cilat ai i konsideron si armiq brenda Turqisë.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga BE dhe SHBA për t’i ruajtur parimet demokratike dhe për t’u përkushtuar për liri të shprehjes dhe fjalës, regjimi i Erdoganit ndërmorri fushatë të madhe të hakmarrjes kundër kundërshtarëve të tij. Dhjetëra media u spastruan; u mbyllën radio stacione, kanale televizive, dhe shtëpii botuese të cilat u pretendua se ishin të lidhura me Gulen. Shumë gazetarët u arrestuan, pavarësisht faktit se Human Rights Watch e përshkroi si “mungesë të dëshmive për rolin ose pjesëmarrjen e tyre në përpjekjen e dhunshme për ta rrëzuar qeverinë”.
Meqë rruga e Kosovës ka kahje të integrimit evropian, marrëdhëniet e së ardhmës me Turqinë mund të varen nga zhvillimet gjeopolitike, dhe nga kahja që e merr tani Ankaraja. Paralajmërimet që Turqia mund ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme edhe një vit, dhe aludimet nga Erdogan se po konsideron rikthimin e dënimit kapital me vdekje, kanë shkaktuar shumë shqetësim në Perendim; BE paralajmëroi që kjo e fundit do t’i ipte fund ëndrrës së Turqisë për integrim evropian. Presidenti turk i ka acaruar gjithashtu marrëdhëniet delikate duke aluduar se Perendimi i mbështeti puçistët e verës.
Përderisa reagimi i brendshëm i Erdogan, bashëk me faktin se vizita e tij e parë pas puçit ishte në Moskë, është interpretuar nga disa njerëz si largim nga rruga e integrimit evropian, rrugë që e ka ndarë me Kosovën për më shumë se një dekadë, Kilic është e vendosur që “e ardhmja e Kosovës dhe Turqisë është në Bashkimin Evropian”. Turqia ka “marrëdhënie multidimensionale” me shtetet tjera, shpjegoi ajo, duke përfshirë Rusinë, me të cilën ka një marrëdhënie të vendosur e të kahmotshme.
Robelli sidoqoftë paralajmëron se nëse Turqia vendosë që t’i forcojë lidhjet me Rusinë dhe ta braktisë Perendimin, Kosova duhet të jetë absolutisht e qartë për drejtimin e saj të politikës së jashtme. “Një Turqi me lidhje të ngushta me Rusinë dhe me raporte te acaruara me Perëndimin nuk do të ishte partnere e mirë as për Kosovën, e cila si shtet është jetësisht e varur nga Perëndimi”, tha Robelli.
Pavarësisht faktit se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë po duken me të tensionuara se para verës, Kilic nguli këmbë se marrëdhëniet bilaterale të së ardhmës do të jenë të mira. “Ka shumë fusha në të cilat duhet të zgjerohemi, dhe ta intensifikojmë bashkëpunimin, por jemi shumë të lumtur me marrëdhëniet që i kemi në secilën fushë”, deklaroi ajo, duke theksuar se Turqia vazhdon që të jetë mbështetëse besnike dhe e përkushtuar e republikës së Kosovës, dhe e anëtarësimit të saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
“Ne do të vazhdojmë [ta mbështesim Kosovën] dhe jemi krenar për këtë. Jemi krenar sepse unë gjithmonë e kualifikoj marrëdhënien si vëllazërore”.K