Në njërën nga klasat në kampusin e RIT Kosovë afër Gërmisë, një grup të rriturish, prej të rinjve e te mosha e mesme, janë mbledhur në rreth. Të udhëhequr nga një numër i vogël udhëheqësish, janë zhytur në një ritual të çuditshëm.
Rregullat janë të paqarta. Një nga një, pjesëmarrësit e thërrasin njëri-tjetrin, duke u munduar të mos qeshin. Ata që dështojnë, njëri pas tjetrit, fillojnë të kërcejnë e të vallëzojnë, derisa të gjithë marrin radhën dhe kërcejnë si të çmendur në rreth.
Vazhdojnë skena më të çuditshme, duke përfshirë sesione vizatimi, kërcime para-prapa sipër një vije në tokë si përgjigjje ndaj pyetjeve të parapëlqimeve, dhe gjithë grupi duke ecur njëri pas tjetrit në rreth, me qëllim që të shkruajnë mesazhe të përzemërta në fletët e ngjitura te shpina e tjetrit.
Pas gjysmë ore ushtrimesh të ndërprera nga biseda e diskutime, të gjithë ulen dhe bëjnë një fytyrë më serioze, ndërsa njëra grua prej grupit – e cila del se është trajnerja – u flet disa individëve që i kanë udhëhequr proceset e ndryshme. Kështu fillojnë pyetjet.
Metodat e arsimit joformal duken shumë të ndryshme prej klasës tradicionale. Foto: Sindre Langmoen / K2.0.
Kjo ishte një orë nga një ditë trajnimi për “Supermësuesit” e ardhshëm të TOKA-s, një organizatë që synon t’i fuqizojë të rinjtë nëpërmjet mësimit joformal dhe mësimit përmes vullnetarizmit. Kur të përfundojë trajnimi, këta mësimdhënës mund të bëhen mbikëqyrës të grupeve të caktuara vullnetare nëpër Kosovë, vetë të udhëhequr nga mentorë të rinj të TOKA-s.
“Supervullnetarët” kalojnë nëpër një kurrikulë specifike njëvjeçare, duke filluar me ndërtimin e ekipit dhe zhvillimin personal, që kështu pjesëmarrësit të përafrohen. Pastaj shkojnë në bashkësi, flasin me njerëz, i vlerësojnë nevojat, dhe i konceptojnë projektet konkrete që mund t’i bëjnë për të mirën e bashkësisë. Pasi e përfundojnë projektin, e përmbyllin duke i festuar arritjet – element i rëndësishëm ky, sepse të kuptuarit se kanë arritur diçka, ua shton mësimin.
Edona Begaj është arsimtare e edukatës fizike në një shkollë private në Ferizaj. Ajo po udhëhiqte një grup gjatë ditës së trajnimit të “Supermësuesve” duke ndihmuar për ta drejtuar një grup kolegësh nëpër aktiviteteve të ndryshme.
Kjo formë e të mësuarit joformal shpesh i bën pjesëmarrësit të mësojnë më shumë sesa në shkollë, sipas Begajt. “Do të jetë më interesante… dhe në fund do të thonë ‘oh prit, gjatë kësaj kohe që jemi kënaqur, paskemi mësuar shumë’”, thotë ajo.
Shkëmbimet dhe natyra shoqërore e aktiviteteve gjithashtu i bëjnë studentët të mësojnë rreth bashkëpunimit me njëri-tjetrin dhe të jenë më të durueshëm, u ndihmojnë të kujdesen për diskutimin, çiltërsinë dhe aftësitë më të mira shoqërore.
Florent Kuçi, që do t’i mbushë 22 vjet, po trajnohet për t’u bërë “Supermentor”. Ai ka filluar si kampist kur ishte 19 vjeçar në njërën nga kampet e TOKA-s për të rinjtë, sa për ta thyer monotoninë, por shpejt u përfshi i tëri. Brenda dy vjetësh, kaloi nga kampist në këshilltar të ri dhe pastaj këshilltar të lartë. Bashkë me Fjollën, ai mendon ta fillojë klubin e “Supervullnetarëve” në qytetin e tij, në Suharekë.
Florent Kuçi thotë se ka përfituar shumë prej shkathtësive shoqërore që i ka mësuar si pjesëmarrës në aktivitetet e TOKA-s dhe se tani dëshiron t’ia kalojë këtë përvojë brezave të ardhshëm. Foto: Sindre Langmoen / K2.0.
Florenti tregon edhe se sa edukuese ishte përvoja dhe sa shumë mund të mësohej prej saj – qoftë aftësi të nevojshme kur kërkon punë, qoftë aftësi praktike për tani ose më vonë në jetë. Aktivitetet e ndryshme, madje edhe lojërat, e kanë ndihmuar që t’i përballojë stresin, afatet e ngushta e oraret e ngjeshura, thotë ai.
Ai beson se kampet e kanë bërë shumë më të vëmendshëm dhe e kanë ndihmuar të mendojë në mënyrë më kritike. Shton edhe se ka qenë introvert, por përmes kampeve, ka mësuar t’i shprehë zëshëm mendimet dhe ta tejkalojë frikën e të qenit i gjykuar që e bënte të mos fliste.
Një aspekt qendror i aktiviteteve të TOKA-s, që pjesëmarrësve u mungon në mjediset e tjera, është socializimi i duhur. Ajo që i pëlqen Florentit është që ta shohë ndryshimin nëpër të cilin kalojnë kampistët prej ditës së parë te e fundit.
“Ditën e parë kemi fëmijë që nuk kanë qenë kurrë fizikisht afër dikujt,” thotë Florenti. “Prandaj, ata as nuk do ta zgjasin dorën. Por gjatë kampit shohin sa afër njëri-tjetrit janë njerëzit, si i përqafojmë të gjithë, dhe ditën e fundit ikin duke qarë dhe duke i përqafuar të gjithë. Dhe për mua, ky është sukses”.
Shkathtësitë e buta për ta zhvilluar veten
Por mësimi joformal si ai që praktikohet në TOKA nuk është thjesht një koncept hipi për adoleshentët ambiciozë – është një qasje që mund të integrohet dhe të aplikohet nëpër të gjitha sferat e jetës.
Haxhere Zylfiu është hulumtuese në arsimin joformal në Institutin Pedagogjik të Kosovës. Puna e saj është e orientuar drejt hulumtimit dhe promovimit të asaj që ajo e quan mësim tërëjetësor.
Zylfiu beson se arsimi formal – i cili ka hierarki hap pas hapi për të kaluar nga një nivel në tjetrin, dhe ka një lloj akreditimi zyrtar – është vetëm pjesë e asaj që nevojitet jo vetëm që të gjesh punë të mirë dhe të performosh mirë, por edhe të funksionosh dhe të kontribuosh në shoqëri, e të jetosh jetë të mirë.
Ajo shpjegon se vendet e tjera e kanë kuptuar këtë. Për shembull, në Gjermani, bizneset dhe kompanitë investojnë shuma të mëdha parash në zhvillimin e punonjësve dhe jo vetëm në aftësitë që lidhen drejtpërdrejt me profesionin e tyre. “Nëse punonjësi është kuzhinier [punëdhënësi ofron trajnim] jo vetëm për gatimin, por edhe për shkathtësitë e buta, si të komunikojë me klientët, si të sillet me kolegët, e kështu me radhë,” thotë ajo.
Zhvillimi i këtyre shkathtësive të buta normalisht duhet të fillojë në moshë të re, në shkolla dhe universitete, por sistemi i arsimit në Kosovë ka qenë më shumë i përqendruar thjesht në transmetimin e njohurisë. Ndërkohë, është e rrallë që punëdhënësit në Kosovë t’i japin rëndësi zhvillimit të shkathtësive të tilla te punonjësit e tyre, pasi nuk shihen si investim që sjell fitim ose ndonjë kthim konkret.
Me shkallën e papunësisë në rritje, fuqia punëtore është e bollshme dhe e lirë, prandaj tregu i punës është konkurrues. Nëse punonjësit nuk punojnë mjaft mirë, ndoshta sepse nuk i kanë shkathtësitë e buta që kërkohen për të punuar me efikasitet në një mjedis pune, është më e lehtë që vetëm t’i zëvendësojnë pas një periudhë provuese 3-mujore sesa t’i trajnojnë, shpjegon Zylfiu.
Ajo beson edhe se ka mungesë mirëkuptimi se pse duhet që vazhdimisht ta zhvillojmë vetveten, pse diplomimi prej një shkolle a universiteti me një diplomë nuk duhet parë si qëllimi përfundimtar. Zylfiu thotë se do të kishte reagime në Kosovë nëse do të avokohej më tej mësimi joformal “te dikush që e ka kryer për shembull, maturën [provimet e shkollës së mesme], ka familje, ka fëmijë, nëse provon t’i shpjegosh rreth mundësive për mësimin tërëjetësor, për shkathtësitë e buta”.
Ky koncept, megjithatë, ndodhet në ADN-në e TOKA-s.
Si vazhdimësi e programit “Supervullnetarët”, kampet e TOKA-s zakonisht mbledhin rreth 40 pjesëmarrës nga e gjithë Kosova për një javë në Gërmi. Aty mësojnë për aftësitë e krijimit të grupeve dhe të mendimit kritik, ndonjëherë aftësitë e zgjidhjes së problemeve dhe të menaxhimit të projekteve – pastaj ka kampe tematike ku mësojnë gjëra si aftësitë për mbijetesë.
“Nuk synojmë të prodhojmë profesionistë, synojmë të nxjerrim njerëz të njerëzishëm që mund të bëhen pastaj profesionistë të njerëzishëm”, thotë Renea Behluli, menaxhere e projektit në TOKA, e përfshirë gati prej vetë fillimit të organizatës.
Njëra nga ndërmarrjet thelbësore të TOKA-s janë kampet për të rinjtë, të cilët mësojnë aftësitë e zgjidhjes së problemeve dhe të mendimit kritik përmes aktiviteteve interesante. Foto e TOKA-s.
Behluli menaxhon një tjetër element kyç të punës së TOKA-s – programin e komunikimit. Këto janë programe që zakonisht kanë si objektiv fëmijët dhe të rinjtë prej shtresave të pafavorizuara që kanë shumë potencial.
Projekti i paradokohshëm Fuqizimi i Vajzave është një shembull, ku TOKA shkoi në katër komuna të ndryshme dhe i trajnoi rreth 350 vajza nga shkollat e mesme rurale gjatë periudhës katërmujore.
Pas punës me vajzat në zhvillimin e tyre personal, mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve, vazhduan me trajnimet për shkrimin e CV-së dhe të letrës së motivimit, sjelljen në intervistë dhe paraqitjen para audiencës. Më në fund, pjesëmarrëseve iu dha mundësia për t’i eksploruar talentet dhe interesat, dhe për të kuptuar ku janë të mira.
“Kompenenta themelore ishte krijimi i aftësive elastike dhe a dini, vajzat në vendet rurale janë zakonisht të pafavorizuara dhe mësohen ta mbyllin gojën e të binden dhe jo të jenë të pavarura e të punojnë për veten”, thotë ajo.
Renea Behluli, menaxhere e projektit në TOKA, thotë se aktivitetet e tyre janë ashtu të dizajnuara që të rinjtë të mendojnë se thjesht po luajnë lojëra, por ata në të vërtetë njëkohësisht mësojnë shumë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Behluli shpjegon se parimi themelor i TOKA-s është t’i fuqizojë fëmijët dhe të rinjtë që të jenë versioni më i mirë i vetes, dhe t’i mësojë si të kontribuojnë në bashkësi me shkathtësitë e mësuara. Elementi më i rëndësishëm është krijimi i një ambienti të sigurt që ata të shprehen lirshëm, pa u gjykuar a nënvlerësuar. Kjo është diçka që mungon në vendin tonë, thotë ajo.
“Të rinjtë, madje dhe të rriturit, duhet ta bëjnë dhe ta ndjejnë, që të mund ta mësojnë dhe ta aplikojnë,” thotë Behluli, duke shpjeguar pse mësimi praktik është po aq i rëndësishëm përveç mësimit teorik.
Megjithatë, këto forma të mësimit funksionojnë më së miri duke e komplementuar njëra-tjetrën. Përtej vullnetarizmit dhe shkathtësive praktike, ushtrimet e thjeshta që i bëjnë janë të rëndësishme për ta ngritur energjinë në klasë dhe lojërat mund të përdoren për ta rritur përqendrimin dhe fokusin te fëmijët.
“Ata mendojnë se janë lojëra, mendojnë se po luajnë, por mësojnë dhe e kanë mundësinë të jenë më të hapur ndaj përvojave dhe të mësojnë prej tyre,” thotë Behluli.
‘Jepja së pari dorës’
Edhe pse metodat e mësimit me duar të përveshura janë larg prej të qenit të zakonshme brenda sistemit shkollor të Kosovës, ka një numër institucionesh parashkollore që po e zgjedhin një qasje alternative në arsim.
Shkollat Montessori – prej të cilave ka shumë përfaqësuese në Kosovë – e ndjekin një metodë arsimi të zhvilluar në shekullin XX nga një doktor italian dhe një edukatore e quajtur Maria Montessori, e cila bazohej në vrojtimin e saj shkencor dhe punën me fëmijët. Metoda Montessori ka gëzuar sukses të gjerë me mbase dhjetëra qindra shkolla në gjithë botën.
Është një sistem që e vendos fëmijën në qendër të metodologjisë dhe i ndjek dy parime themelore. Së pari, që individët ta formojnë veten e tyre psikologjike dhe të zhvillohen duke ndërvepruar me mjedisin. Së dyti, se fëmijët, sidomos ata nën 6 vjeçarë, kanë një shteg të lindur të zhvillimit psikologjik dhe prandaj kur u jep lirinë fëmijëve të veprojnë lirshëm dhe të zhvillohen me ritmin e tyre, kjo sjell zhvillim optimal.
Montessori School of Kosova zë disa kate në bazën e një ndërtese të lartë në lagjen Kalabria në Prishtinë. Fare nuk vihet re nga nga jashtë, por sapo hyn brenda, gjendesh në një hapësirë të rehatshme dhe komode, ku gjithçka është ndërtuar me kujdes për klientelën e saj parësore.
Gjithçka në Montessori School of Kosova krijohet me zhvillimin e fëmijës në qendër. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Fëmijët e kanë një kuzhinë dhe një lavaman të vogël, me përmasa për fëmijë, ku e shërbejnë vetë ushqimin dhe i lajnë gotat e enët e porcelanit – nuk ka enë të plastikës këtu: ata duhet të mësojnë si të jenë të kujdesshëm. Në dhomë gjenden tavolina të vogla, të rrumbullakëta me karrige të vogla, disa bimë në një kënd, drita e diellit dhe materialet e mësimit të rregulluara nëpër krejt dhomën.
Parashkollimi për 3-6 vjeçarët ka gjithsej 30 fëmijë, të shpërndarë në grupe më të vogla dhe një grup më të madh, të më të rriturve. Edhe pse shumica e fëmijëve janë vendas, shkolla është dygjuhëshe – shumica e mësimit bëhet në gjuhën angleze, prandaj fëmijët rriten duke i ditur të dyja gjuhët.
Adelina Tahiri është mësuesja kryesore në Montessori School of Kosova, dhe ka tre vjet që punon aty. Ajo shpjegon se sistemi Montessori i jep rëndësi mësimit nëpërmjet bërjes. “Maria Montessori ka thënë: nëse dëshiron t’i japësh diçka mendjes, së pari jepja dorës,” citon ajo.
“Në vend që të predikosh dhe t’i tregosh fëmijës se duhet të mësojë dhe si duhet të mësojë, në metodologjinë Montessori ti e ndjek fëmijën, gjëja më e rëndësishme është të përgatisësh një mjedis që i stimulon ata të mësojnë sa ma shumë”, shpjegon Tahiri.
Adelina Tahiri, mësuesja kryesore në Montessori School of Kosova, thotë se pjesë thelbësore e filozofisë së shkollës është besimi në mësimin përmes bërjes. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Klasat janë fizikisht të ndara në pesë fusha kryesore. Në këndin e shkathtësive praktike jetësore, fëmijët mund t’i lidhin lidhëset, të punojnë me patentë dhe me pulla, t’i derdhin lëngjet dhe të bashkëveprojnë me objekte. Në këndin shqisor janë materialet e zhvilluara për t’i ndihmuar t’i përforcojnë pesë shqisat dhe t’u ndihmojnë të koncentrohen.
Në një anë të dhomës është këndi i matematikës, ku ka shumë materiale të ndryshme që i ndihmojnë fëmijët t’i kuptojnë numrat ose matematikën abstrakte, siç janë thyesat. Është edhe një kënd kulturor, ku mësojnë për botën në të cilën jetojnë, si dhe këndi i gjuhës. Përveç këtyre, kanë art, sport, muzikë dhe aktivitete të vallëzimit, që fëmijët përherë të kenë gjëra të reja për të provuar.
Shumica e aktiviteteve zhvillohen mbi bazën një me një, me mësimdhënësin që ia paraqet një material të ri fëmijës dhe e udhëheq në hulumtimin e tij. Herë të tjera, një fëmijë më i madh e mëson një më të vogël si t’i bëjë gjërat.
Prandaj, Montessori ka grupe me mosha të ndryshme, shpjegon Tahiri. “Që fëmijët të mësojnë nga njëri-tjetri – fëmija i vogël mëson nga më të mëdhenjtë, por gjithashtu të mëdhenjtë mësojnë si të jenë mentorë, të kujdesen për dikë, që kur të rriten, ta kanë instinktin e të përkujdesurit për dikë dhe t’i mësojnë diçka dikujt.”
Mësimdhënësit te Montessori School of Kosova sigurohen që fëmijët të jenë, si minimum, në hap me kurrikulën thelbësore në kohën kur hyjnë në klasë të parë. Photo: Atdhe Mulla / K2.0.
Për çdo fëmijë, mësimdhënësit e kanë zhvilluar një plan javor individual se si do të punojnë me të. Çdo ditë, Tahiri paraqet një material të ri te secili fëmijë në klasë, ndërkohë që ua respekton ritmin e të nxënit. Ajo shpjegon se ndonjëherë kanë 4-vjeçarë që mund të lexojnë e të shkruajnë, e ndonjëherë jo – por kjo s’është e rëndësishme, pasi ata nuk e ndjekin kriterin e moshës në mësimin e tyre.
Ajo e krahason këtë mënyrë mësimi me shkollimin formal, ku të gjithë e bëjnë mësimin e njëjtë të njëjtën ditë dhe ditën tjetër vazhdojnë me një temë më ndryshe, edhe nëse disa prej fëmijëve janë më të avancuar se të tjerët ose të tjerët ende kanë problem me temën e kaluar.
Tahiri e di kurrikulën e shkollës së rregullt dhe sigurohet që ata të gjithë kanë mësuar ç’u duhet të dijnë kur hyjnë në sistemin e shkollës formale, duke u ofruar mundësi që të mësojnë edhe më shumë nëse munden. Megjithatë, ajo insiston se “materialet Montessori e bëjnë fëmijën më të përgatitur sesa mund të supozosh që një 5 vjeçar të jetë kur hyn në klasë të parë”.
Fëmijët në Kosovë zakonisht nuk janë të mësuar me lirinë te Montessori, thotë ajo. Ata priren të kenë vështirësi në përshtatje dhe të kuptuarit e kufizimeve të lirisë së tyre në fillim, kur hyjnë në shkollë. Ata mund të ecin lirshëm, të zgjedhin me çka duan të punojnë, ta përdorin dyshemenë ose tavolinat. Por magjia e Montessori-t funksionon me të gjithë, insiston Tahiri.
Nuk ka shumë gjasa që shkollat e tilla të bëhen normë në Kosovë së shpejti; në vende me traditë më të gjatë të qasjeve alternative ndaj arsimit, shkollat e specializuara si Montessori School of Kosova janë ende përjashtim para se standard.
Por, ka mësime që mund të mësohen prej metodave të ndryshme arsimore e që mund të transferohen te mjediset e kryerrymës për t’i ndihmuar me përmirësimin dhe pasurimin e cilësisë së arsimit për të gjithë.
Ka nevojë që të informohen njerëzit rreth mundësive, shanseve dhe nevojës për ndryshim, thotë Zylfiu nga Instituti Pedagogjik i Kosovës. Nuk është diçka që mund t’u imponohet njerëzve.
“Varet nga vullneti yt për të mësuar, për ta ndryshuar dhe përgatitur veten – që ta gjesh një punë, ose për vete, për jetën e përditshme, për familjen”, thotë ajo, duke shtuar se njerëzit kanë nevojë të binden për nevojën e të mësuarit vazhdimisht, përtej shkollës e universitetit dhe në çdo moshë.
Zylfiu beson se dobitë shtesë të ndryshimit të mënyrës se si njerëzit mendojnë për arsimin mund të jenë të mëdha për një vend si Kosova, ku në veçanti një numër i madh i të rinjve e shohin të ardhmen e tyre tjetërkund. Ajo e merr djalin e saj si shembull, duke shpjeguar se kur e ka pyetur pse dëshiron të shkojë jashtë, i ka thënë se nuk e di pse apo ç’do të gjejë atje, por e di me saktësi se çka ka për të në Kosovë – asnjë shans të vërtetë për zhvillimin e tij.
“Ka potencial, ka shumë njerëz, shumë energji të njerëzve,” thotë Zylfiu. “Vetëm duhet ta zgjosh këtë motivim dhe këtë energji te njerëzit.” K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0
Kthehu prapa tek Monografia