Gjerë e gjatë | Të drejtat e punëtorëve

Shqipëria e Eltonit, minatorit nga Bulqiza

Nga - 24.06.2021

Minatori Debreshi shkundi paradigmën e sindikalizmit dhe zgjedhjeve në Shqipëri.

Këtë vit, në një ditë janari, dhoma e ndejës në shtëpinë e Anjeza dhe Elton Debreshit ishte mbushur plot mysafirë. Bashkëshorti i Anjezës, Eltoni kishte mbledhur kolegë minatorë, babain dhe një profesor nga Tirana. Në atë rrëmujë zërash, asaj i ra në vesh një muhabet që i tërhoqi vëmendjen. Po flitej për mundësinë që Eltoni të kandidonte për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në zgjedhjet e 25 prillit. Anjeza s’po u besonte veshëve; jo se s’kishte besim në bashkëshortin e saj, por se kishte frikë për të.          

“Mirë për minierë [përfshirjen në sindikatë të minatorëve], por për deputet? Këta [politikanët] janë të rrezikshëm”, ishte mendimi që menjëherë i erdhi Anjezës. Ama s’e nxori asnjë fjalë në atë moment dhe ishte e habitur që Eltoni s’ia kishte përmendur se po e konsideronte kandidimin.        

Atë natë, para gjumit ajo ia kujtoi Eltonit përgjegjësitë që kishin ndaj katër fëmijëve të tyre, vitin praprak kur ai kishte mbetur rreth shtatë muaj pa punë dhe rëndesën e kahmotshme financiare të familjes. Minatori 31-vjeçar nga Bulqiza ishte i bindur për vendimin e tij dhe krejt çka e brengoste ishte se a do t’i dilte për zot punës. Ai i kuptonte mirë brengat e Anjezës për sigurinë e tij dhe për vështirësitë ekonomike, përfshirë kredinë prej 5 mijë eurove që ende s’kishin larë.  

“Çdo ditë kur nisem për punë përqafoj gruan dhe fëmijët, pasi do hyj në galeri [të minierës] dhe mund të mos i shoh kurrë më. Jo vetëm unë, qindra minatorë të tjerë”, thotë Eltoni, teksa shton se nuk u frikësohet emrave të përveçëm, sidomos duke ditur që përballet me rrezik të përditshëm në punën tij në galeri.   

Me qëllim që të përmirësojë të drejtat e minatorëve, më 22 nëntor 2020, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB), kishte shpallur nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për Statusin e Minatorëve në Shqipëri. Sindikata nga Bulqiza këmbëngulte se minatorët janë “zvarritur e mashtruar për 30 vite nga partitë e sindikatat e vjetra” dhe nëpërmjet statusit kërkonin siguri dhe garantim të të drejtave të tyre. Kërkesat e minatorëve të SMBB-së ishin: njohja juridike e profesionit të minatorit, dëmshpërblime për aksidentet dhe vdekjet në vendin e punës, paga dhe pensione më të larta për minatorët dhe mbi të gjitha, siguri në vendin e punës.  

Qyteti i Bulqizës është i ndërtuar përreth minierës së kromit, gjë që e bën punën në minierë një prej mundësive të vetme për punësim të banorëve aty. Foto: Kosta Koçi.

Prej nëntorit 2019, Eltoni ishte zgjedhur në krye të SMBB-së dhe kishte marrë përsipër t’i dilte zot peticionit. Anipse i dinte vështirësitë e këtij angazhimi, ai shpresonte se me përpjekjet e tyre do arrinin diçka. Një vit më vonë, minatorët qëndruan pranë shtandeve të peticionit për Statusin e Minatorit në Bulqizë, Dibër, Martaneshë, Klos, Kamëz dhe qytete tjera minerare e Tiranë. Deri në janar 2021, ata arritën të mbledhnin rreth 11,000 nënshkrime nga qytetarët. 

‘‘S’e prisnim këtë mbështetje’’, kujton Eltoni. 

Përkrahja e qytetarëve dhe gatishmëria e tyre për të nënshkruar peticionin ngjalli një dëshirë të re tek minatorët sindikalistë: ta bënin kandidat për deputet dikë nga rradhët e tyre. Nisur nga përvoja e themelimit të SMBB-së, Eltoni e dinte mirë se rruga do ishte e vështirë, por përkundër kësaj e pranoi vendimin e minatorëve dhe përkrahësve tjerë. 

Ai u bë kandidati i minatorëve bulqizakë për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. 

 

Përpjekje të reja për ta ndërruar të vjetrën

Në vitin 2007, gjendja e rëndë ekonomike e familjes e kishte shtyrë Eltonin 16-vjeçar të braktiste shkollën dhe të nisej për në Greqi. Përgjatë tri viteve në Athinë, ai punoi në sektorin e ndërtimtarisë, por shpejt mbeti pa punë. Gjatë krizës globale ekonomike, shteti grek u kaplua nga vështirësitë ekonomike, si pasojë e së cilës qindra-mijëra njerëz humbën vendet e punës dhe sidomos sektorët e ndërtimtarisë dhe montimit u goditën rëndë. Në vitin 2010 Eltoni u kthye në vendlindje dhe po atë vit u njoftua me Anjezën. 

‘‘Nuk ke çka punon tjetër pos minator në Bulqizë’’, thotë ai. ‘‘E dinë gjithë bulqizakët këtë. S’kemi mundësi tjera, prandaj edhe detyrohemi të braktisim shkollën si fëmijë’’.   

Qyteza verilindore e Shqipërisë është e ndërtuar tërësisht përreth minierës së kromit. Në fshatin e atëhershëm, kromi nisi të nxirrej gjatë pushtimit fashist italian, rreth fundit të viteve ‘30-a, ku nga sipërfaqja e tokës, kromi merrej dhe dërgohej në Itali. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, diku në vitin 1948, miniera nisi punën nën qeverinë komuniste shqiptare. Në dekadat pasuese, kërkimet dhe nxjerrja e kromit u përparuan dhe kromi nxirrej me bollëk.  

Me t’u rrëzuar regjimi komunist shqiptar në fillim të ‘90-ve dhe me fillimin e tranzicionit demokratik si dhe reformave ekonomike të tregut të lirë, minierat në Shqipëri u vendosën nën menaxhimin e kompanive private, pasi qeveritë shqiptare nisën t’i japin pasuritë publike me koncesione, pra në shfrytëzim kompanive për periudha të caktuara kohore. 

Elton Debreshi filloi punën si minator në vitin 2010 dhe shpejt pak kësaj filloi angazhimin për barazi dhe drejtësi për punëtorët bulqizakë. Foto: Kosta Koçi

"Linja e helikopterit [të emergjencës] Tiranë-Bulqizë u pat bë si ajo e furgonit”, thotë Eltoni.

Minierat në Shqipëri vazhdojnë të jenë të begatshme edhe sot. Nga to nxirren mijëra tonë krom për vit dhe të njëjtat punësojnë rreth mijëra minatorë. Eltoni nisi punën në minierë në vitin 2010 këtë përvojë pune që do e përballte me gjymtime e lëndime të kolegëve minatorëve, e në raste edhe me vdekjen e tyre.  

“Linja e helikopterit [të emergjencës] Tiranë-Bulqizë u pat bë si ajo e furgonit”, thotë Eltoni kur kujton gjithë përvojën e tij si minator. 

Pas tri vjetësh punë nëpër galeri të Bulqizës që ishin nën pronësi të biznismenëve të ndryshëm, në prill 2014, Eltoni u punësua si minator në kompaninë Albchrome. Kompania, pjesë e Balfin Group, kishte marrë nën menaxhim shumicën e galerive të kromit në Bulqizë. Balfin Group është një ndër konglomeratet më të mëdha të investimeve private në Evropën Juglindore.

Atëbotë, në Bulqizë ishin përhapur llafe se kompania Albchrome, nën pronësi të biznismenit Samir Mane, do investonte në minierë për kushte më të mira në vendin e punës, do rriste sigurinë dhe pagat e minatorëve, si dhe do të shtonte përfitime tjera për minatorët. Eltoni duke shpresuar në vërtetësinë e këtyre llafeve ndërroi vendin e punës shpresë që shpejt iu kthye në zhgënjim.  

Pronari i “Balfin Group”, Samir Mane që konsiderohet si një ndër personat më të pasur në Shqipëri shumë shpejt u vë në qendër të kritikave dhe revoltës së punëtorëve, posaqërisht të aktivistëve politikë dhe sindikalistëve, të cilët pretendonin se pasuria e Manes ishte rritur në shpinë të të drejtave të punëtorëve. Shumë nga ta filluan ta quanin oligark.   

Ndër vite, minatorët kohë pas kohe protestonin për mungesën e kushteve të punës apo edhe trajtimin e papërshtatshëm, por mobilizimi i tyre u konsolidua kur ata e organizuan kundërshtimin të tyre edhe ndaj sindikatave të vjetra. Sipas Eltonit dhe disa minatorëve tjerë, ato sindikata rrallëherë kishin qëndruar përkrah minatorëve. 

Në fakt, sindikatat vazhdimisht kritikohen në Shqipëri për dështimin e tyre në mbrojtjen e punëtorëve. Gazetari Besar Likmeta nga BIRN thotë se ‘‘sindikatat e vjetra’’ duhet të shihen përmes trionomit politikë-histori-ekonomi.

‘‘Organizimi sindikal në Shqipëri ka një problem [kyç] se është trashëgimtar i sindikatave të komunizmit [regjimit të Enver Hoxhës]”, thotë ai, përderisa shton se ato u shërbenin vetëm intersave të burokratëve të regjimit. ‘‘Ato edhe kur u kthyen, pas rrëzimit të regjimit të Hoxhës, vazhduan të përfitonin nga pushteti zyrtar. Këto sindikata u korruptuan shumë shpejt [nga sistemi i ri politik]”.  

Reporteri.al, pjesë e organizatës mediale BIRN, ku punon Likmeta, ndër vite ka bërë hulumtime ku shpërfaqej numri i madh i vdekjeve të punëtorëve apo lëndimeve, të cilat nuk hetohen fare, apo edhe nëse arrijnë të hetohen e shkojnë në gjykatë, shpesh minatorëve u lihet faji për vdekjet a lëndimet e tyre. Likmeta beson se ndarja e sindikatave mes partive politike, korruptimi i një numri të tyre, si dhe dështimi i sistemit të drejtësisë janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në lindjen e sindikatave të reja.

Nisur nga aksidentet ku minatorë nga Bulqiza vdiqën apo mbetën të lënduar për tërë jetën e tyre, nga pagat e ulëta të minatorëve, apo nga heshtja e politikanëve dhe sindikalistëve, Eltoni dhe rreth 30 minatorë tjerë, në vitin 2019 vendosën të themelonin sindikatën e re të minatorëve në Bulqizë. Si marrëdhënia e punës, ashtu edhe organizimi i sindikatave në Shqipëri është i rregulluar përmes Kodit të Punës së Shqipërisë, ku për themelim të sindikatës duhet edhe aprovimi nga gjykata. 

Me gati gjysmën e nënshkrimeve në letër të minatorëve nën kontratë me kompaninë AlbChrome, minatorët bulqizakë iu drejtuan Gjykatës së Tiranës, për t’iu aprovuar të drejtën për themelimin e sindikatës së tyre. Procedurat juridike kërkonin që një person të merrte përsipër dorëzimin e kërkesës dhe këtë punë, për hise e mori Beqir Duqiri, minator prej vitit 2007 dhe pjesë e galerive të menaxhuara nga Albchrome prej kur kompania mori në menaxhim shumicën e minierës së Bulqizës më 2014.   

Edhe Beqiri u zhgënjye shpejt duke thënë se investimet e kompanisë “vetëm rritën vëllimin e punës dhe nuk përfituan minatorët, por kompania’’.

Beqir Duriqi punon në miniera qe 14 vite, përvojë që e shtyu të avokojë për përmirësim të kushteve të punës për minatorët. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Ç’është e vërteta, kompania investoi vetëm në rritjen e thellësisë së pusit [të minierës] dhe këtë e bëri për profitin e vet”, thotë Beqiri, i cili ngjashëm me Eltonin, kishte besuar se me ardhjen e kompanisë AlbChrome njëmend do ndryshonin kushtet e punës dhe do rriteshin përfitimet për minatorët. Edhe ai u zhgënjye shpejt duke thënë se investimet e kompanisë “vetëm rritën vëllimin e punës dhe nuk përfituan minatorët, por kompania’’.   

Si gjyshi e babai i Beqirit, ashtu edhe gjyshi e babai i Eltonit punuan në minierën e Bulqizës. Kryetarin e SMBB-së edhe më fort e revolton fakti se babai i tij sot, anipse në moshë të pensionit, u desh të kthehet në minierë, pasi pensioni i minatorit nuk i plotëson as kërkesat minimale të jetesës. Andaj, ai edhe është përpjekur dhe ka insistuar që të çojë përpara miratimin e Statusit të Minatorit ku, ndër tjera, kërkohet edhe rritja e pensionit, njohja e sëmundjes profesionale, si dhe ulja e moshës së pensionimit. 

“Ajo që i ndodhi gjyshit e babait tim s’mund të lejoja të na ndodhte edhe neve brezit të tretë”, thotë Eltoni, teksa rrëfen se gjyshi i tij kishte punuar në minierë që kur miniera e kromit të Bulqizës nisi të nxirrte kromin “vertikalisht”, babai i tij kishte punuar për mbi tri dekada e viteve të fundit edhe njëri prej vëllezërve të tij.    

“Minatorët dalin të sëmurë rëndë, prandaj duhet bërë diçka”, thotë Eltoni. 

Përputhja e mendimeve ndaj AlbChrome dhe historive të minatorëve bulqizakë i lidhi edhe më shumë Eltonin dhe Beqirin. Aspirata e tyre për sindikatë të re u legalizua me 15 tetor 2019 me vendim të Gjykatës së Tiranës. Pas një muaji, Eltoni me minatorë tjerë në një tubim të bulqizakëve e shpallën themelimin e sindikatës së re.

Fillimisht, u krijua Këshilli Sindikal, ku Eltoni u zgjodh në krye të sindikatës, ndërsa Beqiri u vendos financier i SMBB-së. Këto poste shumë shpejt u shkaktuan telashe që të dyve.

Pas pak ditësh, Eltoni thotë që u thirr në zyret e Albchrome në Bulqizë, ku iu kërkua të tregonte arsyen e themelimit të sindikatës, të cilën kompania nuk ia njihte pasi tanimë ishin nën kontratë me sindikatën, Federata e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë. Njëkohësisht, Eltoni thotë se iu kërkua të paraqitej në zyret qendrore të AlbChrome në Tiranë.

Sipas tij, në zyrën e Tiranës dëgjoi gati të njëjtat llafe, porse aty iu përmenden edhe ‘‘disa ankesa për mungesat në punë’’. Debreshi i pranoi disa nga mungesat, duke thënë se e kishte njërin prej fëmijëve të sëmurë dhe se me kohë i kishte njoftuar eprorët e minierës, si dhe të njëjtën e dëshmonin raportet mjekësore të kontrollave të fëmijës.  

Në 23 nëntor 2019, Eltoni thotë se u njoftua nga AlbChrome se ishte pushuar nga puna pasi s’kishte respektuar orarin e punës. Kjo bëri që sindikalistët e rinj të minierës së Bulqizës t’i nxisnin minatorët të hynin në grevë dhe shumica e tyre e pranuan thirrjen. Në ditën e dytë të bojkotit të punës prej minatorëve, kompania e thirri në intervistë edhe Beqirin. Atij iu bë i ditur vendimi se ishte pushuar nga puna teksa në pak javë u pushuan edhe dy minatorë tjerë, pjesë e Këshillit Sindikal të SMBB-së, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta. (K2.0 i është drejtuar me pyetje AlbChrome, por këta të fundit nuk janë përgjigjur).

Me 26 nëntor 2020, institucioni i pavarur shtetëror Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjeti se minatorët Beqir Duriqi dhe Behar Gjimi janë ‘‘shkarkuar nga puna pikërisht për shkak të angazhimit sindikal’. Por pas ankesës nga Albchrome, KMD rrëzoi vendimin në fjalë.   

Katër minatorët nuk punojnë në galeritë e Albchrome që prej shkarkimit nga puna në fund të 2019-ës; ndërsa shtatë muaj pas shkarkimit, Eltoni filloi të angazhohej me punë nëpër galeri private më të vogla

Përplasjet e SMBB-së me menaxhmentin, sindikatën e vjetër, si dhe qeverinë shqiptare vazhduan edhe përgjatë vitit pandemik 2020. Fillimisht, sindikalistët i kërkonin qeverisë të ndalonte punën në galeritë e Bulqizës për shkak të rrezikut nga përhapja e Covid-19, si dhe kërkonin që kompania dhe qeveria t’i kompenzoninn financiarisht minatorët. Edhe pse Shqipëria ishte pjesërisht në karantinë, minatorët vazhduan punën nëpër miniera.   

I vetmi reagim i qeverisë shqiptare ishte anulimi i ‘‘rentës minerare’’ për kompanitë e minierave në Shqipëri një qira mujore që kompanitë minerare ia paguajnë qeverisë shqiptare.

Politika të tilla që favorizojnë kompanitë karshi punëtorëve, posaqërisht trajtimi i butë i biznismenëve e kompanive që kanë në përdorim pronat dhe kompanitë shtetërore, publike e shoqërore, kanë qenë pjesë edhe e revoltave të punëtorëve në Shqipëri. 

Gazetari Likmeta përmend metodën ekonomike të përdorur shpesh nën qeverisjet e kryeministrit Edi Rama, atë të Partneriteti Publiko-Privat (PPP).

Në kuadër të PPP-ve qeveria nënshkruan kontrata me kompani private, ku jep nën shfrytëzim a menaxhim asete, pasuri publike apo shërbime publike, me kontrata afatgjate, tek kompani private nëse ato investojnë shuma të caktuara financiare qoftë në infrastrukturë, pajisje, kryerje të shërbimeve e tjera.  Mirëpo, kjo qasje shpeshherë është kritikuar nga aktivistë, gazetarë apo ekspertë ekonomikë, sipas të cilëve kontratat shpesh nuk respektohen nga privatët.  

‘‘Konsesionet, privatizimet dhe rritja e partive politike janë të ndërlidhura’’, thotë Likmeta, i cili mendon që abuzimet me privatizime, koncensione dhe falimentime të kompanive shtetërore, publike dhe shoqërore po ashtu kanë kontribuuar në lindjen e sindikatave të reja. 

Viteve të fundit, janë shpeshtuar zërat që kërkojnë që punëtorët të jenë në qendër e jo vetëm përfitimi i kompanive private. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përtej PPP-ve, kryeministri Rama shpeshherë është përmendur edhe për retorikën e ashpër ndaj punëtorëve ne Shqipëri. Në vitet e para të mandatit të parë, 2013-2017, ai iu ishte referuar shqiptarëve si “demebelë” dhe kishte thënë se ‘‘ka vende pune në Shqipëri, por nuk ka profesionistë’’. Pastaj në një vizitë zyrtate në Itali në vitin 2015, Rama u kishte thënë biznismenëve italianë të vinin e të investonin pasi ‘‘në Shqipëri nuk ka sindikata’’. Rishtazi, në një takim me një pronar të një fabrike të fasonerisë në Shkodër, Rama tha se punëtorët në Shqipëri mund të zëvendësoheshin me fuqi të lirë punëtore nga vende tjera. 

“Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huajt nga Bangladeshi nga Afganistani, nga India. I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se u futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the, të thashë”, ishte deklarata e Ramës që bëri bujë sa i përket nëpërkëmbjes së punëtorëve. 

Përkundër këtyre, në zgjedhjet parlamentare të fund-prillit 2021, Partia Socialiste e udhëhequr nga Rama, fitoi vota mjaftueshëm sa për të qeverisur e vetme për herë të dytë. Kështu, ai është i pari në Shqipërinë e pas viteve ’90 që do t’i shijojë tri mandate rresht në krye të qeverisë. 

Megjithatë, fushata e zgjedhjeve të prillit 2021 ishte pak më ndryshe nga të zakonshmet.



Në ballë të zgjedhjeve

Më 14 janar 2021, SMBB-ja e udhëhequr nga Eltoni dorëzoi peticionin për njohjen e Statusit të Minatorit tek institucionet qeveritare shqiptare, por peticioni u shpërfill. Pavarësisht kësaj, minatorët sindikalistë ishin të ngazëllyer nga përkrahja me nënshkrime dhe nga fjalët që dëgjuan prej qytetarëve gjatë mbledhjes së nënshkrimeve.  

Minatori Luli Alla, pjesë e Këshillit Sindikal të SMBB-së, po ashtu mori pjesë në mbledhjen në shtëpi të Eltonit, ku u diskutua për atë se sindikata duhej të dilte me një kandidat për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. 

“I binte Eltonit [të kandidonte]. Njeri i fjalës dhe i zotit është Eltoni — e njoh si fëmijë”, thotë Luli,  minatori 38-vjeçar, që është një ndër themeluesit e SMBB-së. Që nga dita e parë ai ishte angazhuar për fushatën zgjedhore “Përpjekja e përbashkët” e Elton Debreshit, për të cilën thotë se ‘‘kërkonin besën dhe jo votën’’. “Kemi qenë në 150 fshatra dhe na dhanë besën shumëkush”. 

“Besa” që Eltoni e kërkonte nga bulqizakët, sipas fushatës së tij, kishte për qëllim që tek ta të përçonte besim e përkushtim. Por përdorimi i këtij nocioni nuk është se nuk u kritikua për kuptimin që aibart, posaqërisht për lidhjen e ngushtë me “burrërinë” shtypëse.

Sidoqoftë ka njëfarë pajtueshmërie në atë që kandidimi i Eltonit për deputet në Qarkun e Dibrës që përfshin Bulqizën, Dibrën, Matin dhe Peshkopinë solli risi në skenën politike shqiptare. “Përpjekja e përbashkët” ishte një ndër platformat e ralla politike që në qendër kishte çështjet dhe problemet e punëtorëve, çka s’kishte ndodhur përgjatë tri dekadave në Shqipërinë pluraliste. Prej viteve ‘90-ta Shqipëria qeveriset me rotacione, nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Socialiste në kombinim me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).

Mandatin e parë Rama e mori nën programin Rilindja dhe qeverisi së bashku me LSI-në e Ilir Metës dikur kundështarë të ashpër e në atë mandat e Rama e bëri Metën President të Shqipërisë. Përgjatë periudhës 2013-2017, Rama premtoi se do shkulte korrupsionin nga institucionet shtetërore, do reformonte sistemin e drejtësisë, do zhvillonte ekonominë në Shqipëri dhe se do niste projekte dhe investime për drejtësi e barazi sociale; madje premtoi se do miratonte Statusin e Minatorit në mandatin e parë si kryeministër.

Shumë nga premtimet e Rilindjes së Ramës shihen si të parealizuara. Duke e akuzuar LSI-në se i kishte sabotuar projektet e Rilindjes, mandatin e dytë e kërkoi duke thënë se i duhej ‘‘timoni i vetëm’.

Ashtu edhe e fitoi mandatin e dytë 2017-2020, por kësaj radhe kundërshtitë ndaj qeverisjes së tij u shpeshtuan, posaqërisht lidhur me rënien e të drejtave civile, tendencat për të penguar lirinë e shprehjes, si dhe favorizimin e “korporatave përmes ujdive jotransparente prapa dyerve të mbyllura dhe dhënies së koncesioneve të pazakonta”. Këto kundërshti filluan të artikuloheshin e manifestoheshin edhe përmes protestave në rrugë. Studentë, punëtorë të fasonerive, naftëtarë, minatorë, feministë e gjimnazistë dilnin shpesh në rrugë duke kundërshtuar qeverisjen e Ramës. Po ashtu, përgjatë këtyre viteve, sindikata të reja iu shtuan atyre të minatorëve. Ndër to ishin sindikatat e ‘‘call-center’’, naftëtarëve dhe fasonerive.  

Luli Alla është një prej shumë minatorëve të Bulqizës që iu bashkuan pëpjekjeve për sigurim të të drejtave të minatorëve si dhe fushatës së Eltonit që pati të njëjtën çështje në fokus. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

"Gjithë Qarku i Dibrës do të përfitonte nga Statusi i Minatorit’’, thotë Alla.

Në mesin e protestuesve e grevistëve, i shpeshtë ishte edhe minatori Luli, i cili përveç angazhimit sindikal, ishte aktiv edhe në fushatën e Eltonit. Luli vazhdonte punën në minierë dhe kur ishte në turnin e parë dhe pasi përfundonte gërmimet në minierë, pasdite niste fushatën për kryesindikalistin Eltonin duke shpërndarë fletushka, duke udhëtuar nëpër fshatra të thella të Qarkut të Dibrës, apo duke biseduar me dibranët se cila është rëndësia e zgjedhjes së minatorit deputet.

“Gjithë Qarku i Dibrës do të përfitonte nga Statusi i Minatorit’’, thotë Luli, i cili shton se miratimi i Statusit të Minatorit do vlente për gjithë Shqipërinë, pasi nga aty do mund të nisnin lëvizje tjera të punëtorëve anembanë vendit.

Pjesë e fushatës të Elton Debreshit ishte edhe Bora Mema. Aktivistja nga Organizata Politike (OP), lëvizje e majtë me baza vullnetare, ishte njoftuar me Debreshin në vitin 2019, kur minatori përmes një gazetari nga Bulqiza kërkoi mundësi takimi me aktivistët nga Tirana. Eltoni kishte parë nëpër paraqitje televizive aktivistët e OP-së dhe i kishte bërë përshtypje se ‘‘i binin gjitha partive’’. Pasi u takua me aktivistët nga Tirana, minatori u tha se donte të takonte profesorin Arlind Qori për të cilin nuk e dinte se ishte pjesë e OP-së dhe i cili ishte në konak të Anjezës dhe Eltonit në janar të këtij viti kur Eltoni kishte vendosur të kandidonte. 

Këtu nisi marrëdhënia mes Debreshit dhe OP-së.    

“Unë më shumë isha aktive në çështjet e arsimit, por pas kësaj nisa të interesohem për problemet e punëtorëve”, kujton Mema takimin me minatorin takim që ia shtoi angazhimin në ngritjen e zërit për punëtorët.

Organizata e themeluar rreth shtatë vite më parë ka organizuar protesta, fushata dhe peticione të shumta. Aktivistët e OP-së ishin ndër organizatorët e protestave të studentëve përgjatë dhjetorit 2018, ku mijëra studentë bllokuan Tiranën duke kërkuar, ndër tjera, përgjysmim të tarifave të studimit, përmirësim të kushteve të jetesë, përfaqësim më të madh të studentëve në vendimmarrje dhe vetting për pedagogët dhe drejtuesit e universiteteve publike. OP-ja organizoi edhe uzurpime të ambienteve të fakulteteve, kundërshtoi ashpër Ligjin për Arsimin e Lartë, i cili sipas tyre favorizonte universitetet private karshi universiteteve publike; apo fushata ku bëhej thirrje të bojkotoheshin biznese të caktuara, apo oligarkët siç u thonë ata, pasi këto biznese shtypin punëtorët.

Në përpjekje për t’i dalë në ndihmë fushatës së Debreshit, disa prej aktivistëve të OP-së u zhvendosën me banim për një muaj në Bulqizë, përfshirë edhe Meman.

‘‘Nuk është se dikush pret të marrësh banesë me qira në Bulqizë’’, kujton Mema për banesën e lirë që morën me qira në Bulqizë dhjetra aktivistë të OP-së, duke shtuar që pjesa më e madhe e fushatës së Eltonit ishte ndërtuar në pjesëmarrje vullnetare.

Kandidimi i Debreshit nën parullën ‘‘Le të flasë Dibra që të dëgjojë Tirana’’, arriti të depërtojë edhe ndërkombëtarisht e u dëgjua dhe përkrah nëpër disa shtete evropiane. Bashkimi Sindikal Ndërkombëtar i përbërë nga 40 sindikata e unione evropiane e pa fitoren eventuale të minatorit nga Bulqiza si një mundësi për të nisur një përfaqësim të ri politik edhe nëpër shtetet evropiane. Pastaj edhe parti politike e politikanë evropianë lëshuan deklarata mbështetëse, vizituan Bulqizën dhe sindikalistët apo mbajtën diskutime së bashku me Elton Debreshin.

‘‘Shumë i lumtur të them se në Shqipëri po formohet një lëvizje e re dhe ndryshe. Këtu është Elton Debreshi, i Minatorëve të Bashkuar të Sindikatës së Bulqizës (SMBB) të Shqipërisë. Shikoni videon e tyre dhe mbështesni luftën e tyre përkrah International Progressive”, shkruajti në Twitter Jani Varufakis, ish-ministër i jashtëm i Greqisë dhe tash në krye të partisë së majtë parlamentare greke MeRA25, the European Realistic Disobedience Front [Fronti Evropian i Mosnënshtrimit Realist].

Në përkrahje Eltonit i doli edhe Inva Halili, anëtare e Die Linke (E Majta), partia socialiste demokratike në Gjermani. Ajo ishte 15 vjeçe kur u largua nga Shqipëria për në Austri e më pas në Berlin, ku vazhdon të jetojë edhe sot. Në Gjermani u ishte bashkuar marsheve anti-fashiste që organizoheshin nga studentë apo edhe organizata politike atje. Në vitin 2019 ajo vitizoi vendlindjen Peshkopinë pas 17 vitesh pa qenë në Shqipëri.

Sipas Halilit, kandidimi i Eltonit është i rrallë pasi ai nuk është pjesë e “pazareve politike’’, qoftë të PS-së në njërën anë, apo PD-së e LSI-së në anën tjetër. Për të, përkrahja që i vinte minatorit lidhej me angazhimin sindikal të dy viteve të fundit të Debreshit.

‘‘Është sindikata më e njohur në Shqipëri dhe kjo i shtoi mbështetjen’’, thotë Halili. 

‘‘[Dhe] programi i fushatës kishte për qëllim përmirësimin e të drejtave shoqërore dhe sociale”.

Eltoni, përkrahje i kishte ardhur edhe nga Kosova, gjë që e kishte çuditur paksa.‘‘Babait [minator] i pëlqente tej mase përkrahja që vinte nga Kosova’’, thotë duke buzëqeshur Elton, teksa kujton vizitat dhe përkrahjet përgjatë prillit nga sindikalistë të minierës së Trepçës, KEK-ut e KEDS, apo sindikalistëve shqiptarë nga Zvicra.

Mirëpo, përtej mbështetjes nga jashtë, për Alfred Bushin nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror, kandidimi i Debreshit ishte një domosdoshmëri historike dhe ‘‘vendim kolektiv e personal për ta ndërprerë historinë si përsëritje e shtypjes dhe shfrytëzimit të të shumtëve nga dora e një pakicë’’. Ai thotë se interesat jetësore e politike të Debreshit janë të lidhura ngushtë me ato të shtresës nga ai vjen, një shtresë e shfrytëzuar për kohë të gjatë.

‘‘Ai nuk shfrytëzohet dhe nuk vuan vetëm si minator, por edhe si banor i një fshati, të cilit duan t’i marrin pyllin dhe lumenjtë; ai e vuan mbi kurrizin e tij edhe mungesën e infrastrukturës bazë, si rrugët, ujin apo dritat; ai është shfrytëzuar edhe si punëtor krahu; ai vuan dhe si bujk, të cilit nuk i ofrohet asnjë asistencë nga shteti; ai e vuan mbi vete mungesën e një spitali ku ofrohen shërbimet thelbësore; e ka pësuar personalisht pamundësinë ekonomike për t’u arsimuar”, thotë Bushi. 

Ai u quajt edhe “Lula i Shqipërisë” apo edhe sfidues i oligarkisë në Shqipëri.

Veçori kësaj here ishte edhe mbulimi mediatik që mori Eltoni, gjë që sipas minatorëve të Bulqizës dhe aktivistëve të OP-së nuk ndodhte më parë. Përgjatë fushatës elektorale, ai ishte pjesë e gati secilit televizion me frekuencë nacionale në Shqipëri. Eltoni u quajt edhe “Lula i Shqipërisë” [ish-presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, që vinte nga klasa punëtore e angazhimi sindikal për shumë vite], apo edhe sfidues i oligarkisë në Shqipëri nga mediat ndërkombëtare.

Zgjedhjet përfunduan dhe Eltoni mori 580 vota në Qarkun e Dibrës. Këto vota nuk i mjaftuan për t’u bërë deputet; një kandidati të pavarur i duhen mbi 1 për qind e votave të nivelit nacional. Këtë sistem të mbledhjes së votave Debreshi e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, pasi e sheh si diskriminues ndaj kandidatëve të pavarur dhe sipas tij, kjo është e rregulluar asisoji që t’u pamundësojë të pavarurve hyrjen në Kuvend.

Edhe pse aktivistët që punuan nga afër në fushatën e Debreshit, fillimisht ishin të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve, ata shumë shpejt nisën ta shohin situatën me një sy tjetër — si pjesë të një rrugëtimi të ri politik në Shqipëri.

Duke këmbëngulur se do të vazhdojnë përpjekjet për ndryshime politike e sociale në Shqipëri, Eltoni thotë: ‘‘Nuk pritet druri me një të rënë të sëpatës’’. 

 

Imazhi i ballinës: Kosta Koçi