S`fundmi | COVID-19

Shqipëria lufton për të ndalur valën e dytë

Nga - 06.08.2020

Mungojnë kapacitetet spitalore dhe punëtorët shëndetësorë.

Shqipëria duhet të shmangë me çdo kusht rritjen e numrit të pacientëve me COVID-19 të cilët kanë nevojë për t’u shtruar në spital, thonë ekspertët, duke i bërë thirrje popullatës të mbajnë distancën fizike dhe të vendosin maska në ambiente të mbyllura. Sëmundja mund ta dërrmojë sistemin e dobët shëndetësor të Shqipërisë. 

“Deri më tani, sistemi shëndetësor ka mbajtur peshën e sëmundjes pa kapitulluar, dhe kjo është për t’u lavdëruar”, thotë Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik nga Tirana. 

Zyrtarisht, Shqipëria ka 500 shtretër për pacientët me COVID-19. Aktualisht, në dy spitalet e Tiranës — Spitalin e Sëmundjeve Infektive dhe atë Shefqet Ndroqi — janë të shtrirë 120 pacientë. 

Shqipëria ka numër të ulët të shtretërve në raport me popullatën e vet — tre shtretër janë në dispozicion për çdo 1000 banorë.

Frika nga vala e dytë 

Në kohën e shkrimit, në Shqipëri janë 5,750 raste dhe 176 vdekje. 

Duke iu referuar burimeve zyrtare të qeverisë, Alimehmeti thotë se ka një rritje prej 10% të rasteve të reja në bazë javore.

Doktorët dhe ekspertët shëndetësorë frikësohen se do të ketë një valë të dytë, e cila mund të vijë në vjeshtë dhe të bëhet më vdekjeprurëse nga përhapja e gripit sezonal, ndërkohë qeveria  ende është duke gjetur mënyra për të reaguar.

Shqipëria radhitet e 74-ta në botë për nga rastet e konfirmuara dhe e 54-ta për nga rastet aktive në 100,000 banorë.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Shqipëria radhitet e 74-ta në botë sa u përket rasteve të konfirmuara dhe e 54-ta për raste aktive në 100,000 banorë, që është pozitë shumë më e mirë se e disa prej vendeve në rajon, përfshirë Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën apo Serbinë.

Pas rasteve të para të konfirmuara në fund të marsit, kryeministri Edi Rama shpalli “gjendje të fatkeqësisë natyrore” që mbaroi më 23 qershor. 

Megjithatë, për shkak të rritjes së numrit të njerëzve të infektuar në të gjithë rajonin, më 14 qershor qeveria mori vendimin për t’i bërë maskat e detyrueshme në ambiente të mbyllura, derisa kafenetë dhe baret janë të mbyllura që prej 20 qershorit.

Gjatë izolimit, një numër grupesh për të drejtat e njeriut tërhoqën vërejtjen për disa vendime të qeverisë dhe retorikën luftarake, si dhe për manipulimin dhe monopolizimin e informatave nga ana e kryeministrit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga organizata OBC Transeuropa, disa nga vendimet e qeverisë u paraqitën për herë të parë në faqen e Ramës në Facebook, dhe vetëm më vonë në media. Në të njëjtën kohë, qeveria u bë armiqësore ndaj mediave, duke e gjobitur televizionin Ora News për mosrespektim të distancës sociale gjatë transmetimit të programeve të lajmeve. Ky veprim u cilësua nga shoqëria civile si i panevojshëm dhe politikisht i motivuar, gjë që pas një jave çoi në tërheqjen e tij nga Inspektorati. 

Ora News është kanal privat që shpesh është kritik ndaj qeverisë dhe i cili u sekuestrua nga prokurorët të hënën, më 3 gusht. Qeveria pretendon se televizioni Ora News është pjesë e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme të pronarit të saj, Ylli Ndoqi, i cili thotë se sekuestrimi është i motivuar politikisht. Prokurorët pretendojnë se Ndoqi është diler ndërkombëtar i drogës. 

Plotësimi i boshllëkut të kapaciteteve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në korrik njoftoi se 300 doktorë, infermierë dhe teknikë do të shtoheshin në sistemin shëndetësor si përgjigje ndaj strategjisë afat-mesme për COVID-19.

“Po përgatitemi për vjeshtë dhe dimër, që sigurisht do të jenë të vështirë”, tha ministrja.

“Do të fuqizojmë aftësitë tona sa u përket burimeve njerëzore, me epidemiologë dhe punëtorë në Qendrat Lokale të Kujdesit Shëndetësor, jo vetëm në Tiranë ku janë dyfishuar ekipet, por në të gjitha rajonet gjithashtu”.

Sipas të dhënave të fundit, mungojnë rreth 330 mjekë të përgjithshëm dhe 250 specialistë.

Më përgjithësi, për dekada sektori i shëndetësisë në Shqipëri ka pasur mungesë të stafit mjekësor. Sipas të dhënave të fundit, mungojnë rreth 330 mjekë të përgjithshëm dhe 250 specialistë. 

Për ta plotësuar këtë mungesë, qeveria mori vendim për thirrjen e disa prej punëtorëve shëndetësorë të pensionuar, por gjithashtu punësoi studentë dhe stazhierë.

Megjithatë, epidemiologë si Alimehmeti tërheqin vërejtjen se vala e parë ende nuk ka kaluar. 

“Situata e tanishme është vazhdimësi e valës së parë, e cila u shtyp përmes mbylljes hermetike nga qeveria, në mars dhe maj”, thotë Alimehmeti. 

“Ky izolim shërbeu vetëm për fitim të kohës, në mënyrë që të rriteshin kapacitetet spitalore dhe laboratorike si dhe vetëdija, por mbyllja thjesht vonoi fillimin e valës dhe nuk e zhduku atë”. 

Turizmi rajonal

Derisa qeveria dhe zyrtarët shëndetësorë, si dhe e gjithë popullata po bëjnë përpjekje për ta luftuar pandeminë, eksodi i njerëzve — përfshirë punëtorët shëndetësorë — nga vendi drejt perëndimit po vazhdon. 

Për momentin, mungesa e stafit mjekësor është një çështje të cilën qeveria nuk mund ta zgjidhë. Derisa statistikat zyrtare tregojnë numrin e shtretërve në dispozicion nëpër spitale, publiku nuk ka informacion të mjaftueshëm rreth niveleve të stafit mjekësor.

Në ndërkohë, qeveria po përpiqet të adresojë pasojat ekonomike të izolimit. Vendi hapi kufijtë për turistët ndërkombëtarë.

Më 1 qershor, Shqipëria hapi kufirin tokësor me Kosovën me shpresën për të tërhequr turistët, derisa aeroporti u hap për fluturimet ndërkombëtare më 22 qershor.

Në të njëjtën kohë, kufijtë e BE-së mbeten të mbyllur për qytetarët e Shqipërisë, derisa qytetarët e shumicës së shteteve perëndimore ndalohet të udhëtojnë në vend. 

Megjithatë, qeveria e Shqipërisë përgatiti një protokoll për t’u ndjekur në zonat turistike, duke paraqitur pikat e shëndetit dhe rregullin që të gjithë njerëzit që shkojnë në plazh duhet të kalojnë në kontrolle të temperaturës. 

Protokolli po ashtu obligon që të gjitha çadrat në plazhe të jenë në distancë prej së paku 3.5 metrash dhe vrojtuesit e plazhit janë udhëzuar të monitorojnë zbatimin e masave. 

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka numër më të ulët të rasteve me COVID-19. Doktorët dhe zyrtarët po kërkojnë nga qytetarët dhe turistët të ndjekin masat në mënyrë që numri të mbahet i ulët. 

Imazhi i ballinës: Elona Elezi.