Më 18 nëntor 2021, tabloidi britanik “The Times” sugjeroi se Shqipëria do të ishte e gatshme të bëhej nikoqire e një qendre pritjeje për emigrantët/et që mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca (të cilët do të fluturonin nga Britania e Madhe për në Shqipëri pasi ta kalonin Kanalin Anglez). Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e mohoi menjëherë këtë duke e quajtur këtë pretendim “lajm i rremë”. Kryeministri Edi Rama i siguroi sërish qytetarët/et shqiptarë/e se “Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë”.
Pas dy vitesh erdhi 6 nëntori i vitit 2023. Rama, duke rënë në kundërshti me qëndrimin e tij të mëparshëm, nënshkroi një marrëveshje me kryeministren italiane Giorgia Meloni, marrëveshje kjo që lejonte Italinë të ndërtojë objekte të pritjes së emigrantëve/eve në Shqipëri. Teksa justifikonte këtë vendim, Rama citoi ndjenjën e detyrës dhe ndihmën vullnetare, duke pohuar se Shqipëria i ka borxh Italisë. Ai u shpreh se po që se një vend tjetër i Bashkimit Evropian (BE) do ta bënte këtë kërkesë, Shqipëria nuk do ta pranonte, por me Italinë rrethanat ishin ndryshe: “Kur Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”.
Rama nuk u konsultua me Parlamentin rreth marrëveshjes, duke shkaktuar kritika nga deputetët/et e opozitës, të cilët dërguan kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë që të shqyrtojë kushtetutshmërinë e marrëveshjes. Më 13 dhjetor, gjykata bllokoi përkohësisht ratifikimin e marrëveshjes derisa ta verifikojë nëse marrëveshja shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Megjithatë, fakti që Rama e nënshkroi marrëveshjen në radhë të parë, ngre pyetje shqetësuese për mënyrën se si ai e sheh marrëdhënien e Shqipërisë me Italinë.
Çfarë përmban marrëveshja?
Nëse marrëveshja ratifikohet, Shqipëria do të ndajë tokë, pa pagesë, për ndërtimin e dy qendrave. Ndërtimi pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2024. Njëra do të jetë pranë portit të Shëngjinit, tjetra në Gjadër. Këto qendra do të strehojnë emigrantët/et, të cilët/at autoritetet italiane i marrin në anijet italiane në ujërat jashtë BE. Italia do të kryejë të gjitha shpenzimet e përfshira: ndërtimin, transportin dhe akomodimin e emigrantëve/eve. Objektet do të kenë kapacitetin për të pritur njëkohësisht deri në 3,000 individë në muaj, që arrijnë në 36,000 persona në vit. Çështje të ndryshme, prej shqetësimeve shëndetësore deri te ato të rendit dhe sigurisë, mbesin përgjegjësi e autoriteteve italiane. Autoritetet shqiptare lejohen të ndërhyjnë vetëm në raste emergjente.
Pas zhvendosjes së tyre në këto qendra, emigrantët/et pritet të qëndrojnë për një periudhë të pacaktuar, për t’i përfunduar procedurat e identifikimit dhe aplikimin për azil, siç përcaktohet nga rregulloret italiane dhe të BE. Nëse një emigrant/e nuk ka më të drejtën e qëndrimit, ndoshta për shkak të refuzimit të kërkesës për azil, Italia do ta transferojë menjëherë atë jashtë territorit shqiptar. Destinacioni përfundimtar, në do jetë Italia apo vendi i origjinës së individit, mbetet e paqartë.
Rama pranoi se u pajtua me marrëveshjen me kërkesë të Melonit. Ai theksoi se nuk ka pasur të bëjë me kalkulime ekonomike, përkundrazi, marrëveshja buroi nga ndjenja e vëllazërisë dhe afërsisë. Teksa nënvizoi borxhin e perceptuar që Shqipëria i ka Italisë, Rama përdori termin “mikpritje” duke iu referuar asaj që ai beson se shqiptarët e pranuan nga Italia që prej ditës së parë.
Megjithatë, a ishte njëmend kështu?
“Vlora”, “Kateri i Radës” dhe trashëgimitë e së shkuarës
Historia e emigrimit të shqiptarëve/eve drejt Italisë është e njollosur me gjakun e jetëve të pafajshme që nuk morën kurrë drejtësi. Në vitin 1991, anija e mallrave “Vlora”, e mbushur sa më s’ka me shqiptarë/e, mbërriti në portin e Barit me rreth 20,000 njerëz në bord. Ata u mbyllën në një stadium për tri ditë, iu nënshtruan ujë-hedhësve, ndërkaq pakot ushqimore iu hidheshin nga helikopterët sikur të ishin kafshë që bartnin sëmundje. Përfundimisht, 17,400 individë u riatdhesuan, duke lënë rreth 2,000 në Itali. Këta ishin përfituesit e vetëm të azilit politik.
Në vitin 1997, një tjetër tragjedi ndodhi për shqiptarët që kërkonin të shkonin në Itali përmes detit. Anija “Kateri i Radës”, e ngarkuar me refugjatë/e që iknin prej trazirave civile që buronin nga kolapsi i sistemit financiar shqiptar, u fundos pasi u përplas me një korvetë italiane, veprimet e së cilës ishin të pamatura në rastin më të mirë, si dhe të qëllimshme në rastin më të keq. Shumica e 142 personave në bord vdiqën dhe jo të gjithë trupat u gjetën. Këto dy tragjedi tregojnë rreziqet që ndërmorën shqiptarët/et në kërkim të një të ardhmeje më të mirë dhe çmimin që paguan.
Çfarë do të kishin menduar shqiptarët/et e viteve të ’90-ta nëse autoritetet italiane do të kapnin njerëz që përpiqeshin të shkonin në Itali përmes detit dhe do t’i mbanin për një kohë të pacaktuar në objekte në një shtet të tretë? Se Rama nuk e pati parasysh këtë kontekst teksa po arrinte marrëveshjen e tij me Melonin, reflektohet në prirjen e tij për ta parë vetëm një aspekt të migrimit të shqiptarëve/eve në Itali dhe mosgatishmërinë për të marrë në konsideratë aspektet më pak pozitive të kësaj historie.
Mirëpritje jo aq e ngrohtë
Gjatë gjithë viteve të ’90-ta, shqiptarët/et u përshkruan vazhdimisht si burimi i të gjitha problemeve shoqërore në Itali. “Burri shqiptar” shpesh portretizohej padrejtësisht si hajdut apo përdhunues, ndërkaq “gruaja shqiptare” u degradua padrejtësisht në rolin e kujdestares apo prostitutës. Frika e një mbipopullimi të supozuar u shfrytëzua paturpësisht nga partitë politike për të siguruar vota.
Shqiptarët/et u cilësuan si mishërim i së keqes, konsideroheshin inferiorë/e, perceptoheshin si kërcënim që duhet shmangur, u refuzohej marrja me qira e apartamenteve dhe u panë si njerëz, të cilëve duhet t’u afroheshe me kujdes. Shumë shqiptarë nuk prezantoheshin me emrat e tyre të vërtetë, por me versione të italianizuara. Disa e bënë këtë për t’u ndierë të pranuar nga shoqëria (e kam bërë edhe unë gjatë viteve që kam jetuar në Itali); të tjerët e bënë këtë për të siguruar punësim ose strehim.
Në përpjekjen për një analizë retrospektive tri dekada pas imazheve famëkeqe të Vlorës, shfaqen dy fenomene të dallueshme lidhur me emigracionin e shqiptarëve/eve në Itali. Ka histori individuale të rëndësishme si ajo e Sindi Manushit, kryetares së parë të komunës italiane me origjinë shqiptare. Manushi u zhvendos në Itali me prindërit e saj 22 vite më parë, përfundoi studimet dhe u bë juriste. Kur u bë kryetare e qytetit të Pieve di Cadore, ajo bëri krenar komunitetin shqiptar dhe vetë Shqipërinë.
Pasardhësit e brezit fillestar kanë arritur suksese të rëndësishme. Disa zgjodhën të qëndronin, ndërsa të tjerë vazhduan studimet ose punësimin jashtë vendit dhe një pjesë është kthyer në Shqipëri. Ata që janë kthyer në Shqipëri kanë sjellë me vete copa të Italisë. Por, për fat të keq, ekziston një aspekt tjetër: zhvillimi i një kompleksi inferioriteti mes shqiptarëve/eve dhe Shqipërisë lidhur me italianët dhe Italinë.
Gjatë periudhës komuniste, për shqiptarët/et Italia ishte dritarja e vetme drejt botës. Shumë prej tyre përcillnin kanalet televizive italiane, shpesh duke përdorur pajisje të paligjshme satelitore. Përmes televizioneve italiane, popullsia mësoi italishten dhe aspironte të jetonte në një botë më të mirë. Rrjedhimisht, pas rënies së komunizmit, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë migroi në Itali, të motivuar nga afërsia gjeografike dhe një vizion për ta ndjekur ëndrrën amerikane në Itali — një destinacion i idealizuar për të ndërtuar një të ardhme.
Megjithatë, jeta e një emigranti/eje është e ndërlikuar. Përfshin renditjen në shkallën më të ulët të shkallës shoqërore, ballafaqimin me pengesat gjuhësore, të përjetuarit e një jete shoqërore të kufizuar, mungesën e të drejtës së votës dhe rrjedhimisht ndjenjën e inferioritetit. Kjo ndjenjë mund të manifestohet në sjellje të ndryshme: individi i cili, për shkak të dëshirës ose nevojës, e ka vështirë të integrohet dhe përfshihet në aktivitete të paligjshme, ose individi që u përmbahet ligjeve dhe angazhohet aktivisht në procesin e integrimit, duke balancuar me sukses sfidën e ruajtjes së rrënjëve të veta teksa përqafon të reja. Së fundi, ekziston fenomeni i asimilimit, ku individi, me ose pa vetëdije, heq dorë nga kultura e tij në përpjekje për ta adoptuar atë të vendit pritës, duke e konsideruar shpesh kulturën e re si superiore ndaj asaj të vendit të origjinës.
Veprimet e pavenda të Ramës
Incidentet tjera shkojnë përtej asimilimit dhe kompleksit të inferioritetit. Mes miliona turistësh që pushuan në bregdetin shqiptar verën e kaluar, shumica ishin italianë/e. Rama ngriti një paralele mes “pushtimit” turistik italian dhe zbarkimit të shqiptarëve/eve në Vlorë në vitin 1991 me një postim në Instagram ku krahason një fotografi të ngjarjes së Vlorës me pushtimin turistik italian. Ishte postim i turpshëm, nënçmues, i panevojshëm dhe i pavend. Të bësh një shaka ironike për një ngjarje tragjike për qytetarët/et shqiptarë/e është barazi si t’i pështysh në fytyrë të gjithë ata që rrezikuan jetën për ta kaluar Adriatikun.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dhe lëvdata për Italinë është po njësoj e pavend. Për Italinë, Shqipëria është fqinji që nuk ekziston, që duhet shpërfillet, stereotipizohet dhe fqinji për të cilin tregon histori dhe mite të pavërteta. Shqiptarët/et ende konsiderohen inferiorë/e. Italia është vend ku racizmi dhe diskriminimi kanë ekzistuar gjithmonë; vetëm viktimat kanë ndryshuar ndër vite.
Pas Luftës së Dytë Botërore, italianët/et që emigruan nga jugu u diskriminuan nga ata në veri. Në fund, shqiptarët/et u bënë viktima të këtij paragjykimi. Pas 11 shtatorit 2001, përqendrimi u zhvendos tek të gjithë të huajt myslimanë dhe që prej atëherë, u shtri tek kushdo që kishte një ngjyrë më të errët të lëkurës. Tash, ndonëse shqiptarët/et konsiderohen më të pranueshëm sepse janë të bardhë, ekziston ende një perceptim themelor për shqiptarët/et si “të tjerë” dhe më pak të civilizuar/a se italianët/et, si dhe një ndjenjë se Shqipëria është thjesht një rajon i pazhvilluar dhe i largët i Italisë.
Shqipëria nuk ka asnjë borxh për t’i shlyer Italisë. Nëse dëshira e qeverisë shqiptare është të shprehë mirënjohje ndaj Italisë, mënyra më e keqe për ta bërë këtë është ta ndihmojë në lojën me jetët e qenieve njerëzore që gjenden në një situatë të ngjashme, nëse jo më të keqe, me atë të cilën u përballën shumë shqiptarë/e 30 vjet më parë. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, edhe në qoftë se zbatimi përfundimtar i saj është në pikëpyetje, Rama ka nënçmuar të gjithë shqiptarët që kanë emigruar (ose kanë tentuar të emigrojnë), veçanërisht ata që kanë ikur përmes detit me varka si “Vlora” dhe “Kateri i Radës”, si dhe, ka nënçmuar vetë sovranitetin e Shqipërisë.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.