Letërsia e shkruar në shtetet e Ballkanit, apo që krijohet prej shkrimtarëve që vijnë nga ky rajon, po bëhet gjithnjë më e mirënjohur nëpër botë.
Aleksandar Hemon, Slavenka Drakulić, Dubravka Ugrešić, Staša Stanišić dhe Faruk Šehić, me veprat e tyre letrare që shpeshherë përfshijnë tema të luftës, ekzilit, migrimit dhe rënies së një sistemi të vlerave, tash e sa kohë kanë zënë vend të rëndësishëm në letërsinë moderne botërore.
Disa autorë shkruajnë në gjuhën amtare në shtetet e origjinës, ndërsa të shumtë shkruajnë prej vendeve të cilat i kanë shndërruar në shtëpi, në gjuhën që e kanë adoptuar pasi kanë lënë vendlindjet, qoftë si refugjatë ose si emigrantë.
Por përtej “emrave të mëdhenj”, ka shumë autorë që shkruajnë nga Ballkani ose për Ballkanin, të cilët thjesht duhet t’i lexoni.
Pa dyshim, kjo listë mund të jetë më e gjatë, por unë i kam zgjedhur shtatë të cilët është mirë t’i hulumtoni.
- Damir Karakaš (Kroaci, 1967)
Damir Karakaš është një nga fenomenet letrare më autentike në fushën e letërsisë postjugosllave.
Qysh kur e botoi librin e tregimeve “Kino Lika” më 2008, novelën “Blue Moon” dhe romanin “Remembering Forest”, Karkaš e ka ndërtuar një qasje të dallueshme dhe një model letrar që e potretizon atë si një shkrimtar që mendon thellësisht mbi librat e vet.
Nëpërmjet tyre, me gjuhën e vet, ai nuk bën kompromis me disa prej çështjeve thelbësore të këtyre zonave gjeografike, por edhe me vetë njerëzit që kanë punuar në historinë dhe sistemet politike të këtij rajoni.
Një karakteristikë specifike e këtij autori është se, duke kërkuar kronotopin e librave të vet, ka ndërtuar një botë letrare të tërë rreth rajonit të Likës (pjesë e Kroacisë prej nga ai vjen), duke e prezantuar në letërsi si teatrin qendror të dramës dhe tragjikomedisë së heronjve të tij.
Duke u nisur nga ajo botë, Karakaš shkon nga libri në libër duke përdorur forma komplekse të përhapjes së një ambienti tradicional, duke i kërkuar ato çarjet dhe zhvendosjet që drejtpërdrejt shpërbëjnë mitomaninë e një shoqërie patriarkale me ndërhyrje të lehta gjuhësore, duke sjellë personazhe dhe situata që tregojnë gjithë errësirën e shekullit 20 në stuhitë politike dhe ideologjike.
Libri i fundit i Karakaš, “The Celebration”, e riprezanton një lloj procesi klasik në letërsinë e këtyre rajoneve; më specifikisht, ai tregon se tregimet mbështetëse të fuqishme janë prapëseprapë aspekti më i rëndësishëm i letërsisë së suksesshme.
Mund t’i lexoni punimet e Karakaš në gjuhën angleze, gjermane, çeke, maqedone, sllovene dhe italiane.
- Arian Leka (Shqipëri, 1966)
Arian Leka është autor që u bë i njohur për publikun e gjerë pas procesit të demokratizimit në Shqipëri; ai përfaqëson një avangardë letrare që u shkëput nga realizmi socialist i letërsisë së kohës së Enver Hoxhës, që ishte qasja dominante.
Si shkrimtar, siç e shohim nga mënyra se si i formëson tregimet në “Shpina e burrit”, ai padyshim është rritur me letërsinë e realizmit socialist, por si autor i është larguar asaj, duke përdorur ato njohuri për ta zhvilluar një stil të tregimit i cili, mund të them, sot përbën një nga qasjet më origjinale letrare në këtë pjesë të Evropës.
Letërsia e Lekës merret pothuajse së tepërmi me marrëdhëniet me të kaluarën, nga e kaluara e mbyllur totalitare gjatë sundimit të Enver Hoxhës, liderit suprem që e drejtoi shtetin nga viti 1944 deri në 1985, deri te e tashmja që pa dyshim është përcaktuar nga e kaluara, siç përfaqësohet nga kjo plagë e dhimbshme, apo më mirë të themi nga trauma e thellë e shoqërisë.
Prej këtu buron letërsia e Lekës. “Shpina e burrit”, si dhe librat eseistikë “Eleven Acoustic Essays” dhe “Dollap” përqendrohen te ballafaqimi me tërmetet thelbësore të kulturës shqiptare. (Megjithatë, kur kemi parasysh punimet e Lekës, vështirë është të flasim për klasifikime të qarta të zhanrit, kur dimë se shkrimtari vazhdimisht i ndryshon perspektivat e zhanrit në tekstet e tij.)
Me tregimet e shumta mbi largimin dhe zbrazjen e popullsisë – që ka emigruar nga Shqipëria për më shumë se një shekull – nëpërmjet teksteve që merren me konfliktet dhe traumat e gjeneratave të ndryshme, të cilat erdhën si rrjedhojë e izolimit të shkaktuar nga regjimi i Hoxhës, si dhe me përshkrimet e Durrësit, vendlindjes së tij, dhe të detit – i cili në një moment përfaqëson rrugën drejt “një bote më të mirë” dhe në një tjetër forcën armiqësore të përshkruar nga anijet e kolonizatorëve – Leka zhytet thellë në çarjet e një kulture që ngjajnë të padukshme, por që përfaqësojnë trazirat kyçe që ia përmbysin jetën një personi.
Letërsia e Lekës është e disponueshme në gjuhën angleze, gjermane, franceze, italiane, spanjolle, rumune, bullgare dhe kroate.
- Emina Smailbegović (Bosnje e Hercegovinë, 1996)
Emina Smailbegović është shkrimtare e re dhe muzikologe nga Breza, si dhe studente magjistrature në Universitetin La Sapienza në Romë.
Është në fillimin e viteve të saj të njëzeta, por romani me të cilin debutoi më herët gjatë vitit është një vepër letrare që i ka lëvizur shumë kufijtë e themeluar të rrëfimit në letërsinë bashkëkohore të Bosnje-Hercegovinës.
“Via Appia” është një shembull i rrallë dhe i suksesshëm kur një shkrimtare i hyn letërsisë për një arsye të mirë. Befason se shkruan natyrshëm dhe lehtë, ndërsa novela është produkt i një nevoje për ta thënë një tregim me mjete artistike.
Heroi i këtij romani, Kozimo Meštrović, është protagonist jotipik i cili i kapërcen të gjitha mangësitë e prozës së gjeneratës. Kozimo tregon historinë e tij nga Gjenova; është fillimi i mijëvjeçarit të ri dhe ai i kujton ditët e trazuara të rinisë së tij në fillim të viteve ‘90 ndërsa bora papritmas e mbulon Mesdheun.
Ai ka prejardhje italiane dhe sllovene; njëra anë e familjes së tij është italiane (nga Roma) dhe me tradita familjare katolike, ndërsa tjetra është jugosllave (nga Dubrovniku) me simpati për gjyshin komunist dhe ateist.
Përzgjedhja e një personazhi specifik, të pangarkuar nga kornizat standarde të identitetit të letërsisë sonë, është një vendim jashtëzakonisht i guximshëm i Smailbegović. Ajo e kapërcen përfshirjen tipike të heroit në ngjarje të drejtpërdrejta, duke përdorur paqartësinë e identitetit të tij për ta krijuar një rrugë komplekse gjatë të cilës heroi ballafaqohet me veten dhe botën përreth.
Kështu, drama e të riut në fillim të mijëvjeçarit përshkruhet nëpërmjet pasojave më të mëdha. Autorja me sukses arrin ta përdorë këtë devijim për ta shfaqur një pikturë më bindëse të ndërrimit të mijëvjeçarit, duke ia prezantuar lexuesit një tregim me disa shtresa, mbi një kohë që e ka ndryshuar në thelb civilizimin tonë.
Nëpërmjet aventurave të Kozimos, udhëtimeve të tij në Egjipt, Venedik, Gjenovë, Dubrovnik dhe Romë, lexuesi ballafaqohet me një dramë autentike njerëzore përmes kërkimit për një rrugë vetjake.
- Stevo Grabovac (Bosnje e Hercegovinë, 1978)
Stevo Grabovac është shkrimtar nga Bosanski Brod, novela e parë e të cilit – “Mulatto Albino Mosquito” – u botua më herët gjatë vitit nga shtëpia botuese në Banja Llukë, Imprimatur.
Ky autor flet për gjeneratën e humbur që ishte ende e mitur gjatë luftërave masakruese në Jugosllavi, e prandaj edhe nuk mori pjesë drejtpërdrejt në to. Megjithatë, në procesin e rritjes, e rrethuar nga dhuna në formën e saj më brutale, kjo gjeneratë u damkos plotësisht nga ato ngjarje.
Nëse e themi kështu, nuk mund të pohojmë që kjo është diçka e panjohur për qarqet letrare në rajon, meqë plot shkrimtarë kanë bërë përpjekje për të folur mbi luftën dhe kohët e pasluftës nga një perspektivë breznie.
Megjithatë, ajo që i dallon veprat letrare të Grabovac nga shumë të tjera kreative që merren me qarqe të ngjashme tematike, është fakti që ky autor arrin ta ngrejë romanin mbi vazhdimin e përhershëm të faktografikës së njohur. Në vend të kësaj, autori përpiqet ta ndërtojë një personazh hero të cilin e përdor për ta treguar një histori unike për rritjen në qytetin kufitar të Bosanski Brod, për dhunën e luftës, por edhe për qytetet apatike dhe të dezintegruara të pasluftës, të cilat i kanë humbur të gjitha nocionet e një utopie të paarritshme të të ardhmës.
“Unë jam 27 vjeç dhe s’kam të ardhme”, thotë në një moment heroi i krijuar nga Grabovac.
Atmosfera rreth këtij romani është, mbi të gjitha, e mundimshme; e dëshmon një shpërbërje të përgjithshme ku personi ndehet aq sa të mos njihet.
Grabovac nuk e tregon këtë histori në mënyrë lineare. Edhe pse është e shkruar në veten e parë, shkon përtej trajtës së të rrëfyerit; me ndryshime të shpeshta në aranzhimin kohor, dhe duke shkuar në tri drejtime (paqe, luftë dhe pasluftë), arrihet një ndikim dinamik, duke e bërë këtë roman të lehtë për t’u lexuar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ky është një tekst pa peshë.
Përkundrazi, Grabovac demonstron një aftësi skajshmërisht të saktë për ndërtimin e rrëfenjës, duke luajtur me ironi dhe blica ëndërrimtarë, duke arritur kështu një ritëm të tekstit që është i rrjedhshëm, dhe duke e shfrytëzuar atë për t’i krijuar tmerret e skenës.
- Jasna Dimitrijević (Serbi, 1979)
Jasna Dimitrijević, në librin e parë të saj me tregime që titullohet “Recognition” demonstroi se është autore jashtëzakonisht kompetente për të trajtuar forma të tregimit.
Ky debutim me tregime ka sjellë një zhvendosje të rëndësishme në kontekstin e atyre që quhen shkrime të grave dhe në qasjen e përdorur, që dëshmon se ajo është autore që i qaset tregimit me sens të përpiktë për detaje dhe me zgjidhje kompozicionale e të menduara mirë.
Hapësira e kufizuar që e japin tregimet kërkon aftësinë e koncizitetit, por edhe aftësinë për ta dëgjuar ritmin e tregimit. Prandaj, pa shkruar tepër, me nja dy lëvizje, tregimi e merr thelbin e vet, e njëkohësisht nuk tkurret as në një anekdotë banale.
Me librin më të ri, “Fibonacci Sequence”, Dimitrijević vazhdon aty ku mbeti me librin e saj të fundit. Përsëri shohim që kjo autore posedon një vrull letrar, ngul këmbë në detajet efektive mbi të gjitha, në një çarje të vogël që i hap humnerat ekzistenciale të heronjve të saj para syve të lexuesit.
Me lëvizje të qarta, duke ndjekur kthesat e realitetit, autorja e përdor ndryshimin e regjistrave për ta demonstruar përsëri aftësinë e saj për të formësuar tregime si forma të rrëfimtarisë, gjithnjë duke lëvizur nëpërmjet personazheve të ndryshme.
Në krahasim me “Recognition”, këtu Dimitrijević e zhvillon më tej qasjen e saj. Libri i fundit i saj demonstron punën e përkushtuar të mprehjes së procesit stilistik dhe të gjetjes së zgjidhjeve më të mira për ta shprehur një tregim me sa më shumë efikasitet, deri në fund.
- Goce Smilevski (Maqedoni, 1975)
Goce Smilevski është autor i biografive specifike romaneske të personazheve historike. “Conversation With Spinoza” dhe “Freud’s Sister” janë dy prej romaneve më të mirënjohura të tij.
Në romanin e tij të fundit, “Heloise or the Return of Words”, duke përdorur një strukturë tematike, Smilevski përsëri i kthehet tregimit të grave historike që kanë mbetur në hije të burrave.
Në këtë sens, ky është një trend prozaik që ndërton një biografi romaneske të grave ndërsa merr parasysh strukturën historike të vetë personit, e kështu kërkon ta dekonstruktojë një tregim të romanticizuar dhe me një perspektivë të vetme, që është vendosur brenda një strukture, e cila përbën vetëm një jehonë të perspektivës dominante mashkullore.
Në “Heloise or the Return of the Words”, Smilevski mundohet ta ndërtojë një rrëfenjë me disa shtresa ku – përveç fatit të grave historike – unifikohen një mori elementesh të tjera, dhe kështu e bëjnë tregimin më kompleks, duke krijuar një skenë ku shpaloset jeta tragjike dhe dramatike e heroinës së tij. Këtë herë, si bazë historike për këtë roman, Smilevski ngërthen tregimin mesjetar të dashurisë së ndaluar ndërmjet Heloizës dhe Abelardit, me synimin që ta bëjë një lloj krahasimi historik me Tristanin dhe Izoltën.
Megjithatë, pa marrë parasysh zhurmën e këtij tregimi klasik francez për dashurinë, fokusi i novelës së Goce Smilevskit nuk shteret në rikonstruktimin e detajeve të njohura të saj. Me fjalë të tjera, duke kërkuar një burim historik për këtë tregim, Smilevski zbulon që letrat e Abelardit dhe Heloizës, që janë ruajtur në Bibliotekën e Parisit, mund të mos kishin qenë burim krejtësisht autentik.
Në fakt, sipas disa hulumtuesve, Abelardi është ai i cili i shkroi të gjitha letrat, përfshirë ato të Heloizës, për ta “lyer” biografinë e tij përjetësisht. Duke filluar me mungesën e zërit të Heloizës, si hetimi fillestar i novelës, autori tregon prozën autentike letrare në kërkim të zërit të humbur.
Librat e Goce Smilevskit janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, sllovene, çeke dhe hungareze.
- Stefan Bošković (Mali i Zi, 1983)
Stefan Bošković është shkrimtar, dramaturg dhe skenarist. Më 2013, novela debutuese e tij, “Slap in the Face”, e fitoi çmimin për dorëshkrimin më të mirë të pabotuar në Malin e Zi. Gjithashtu, ai ka botuar tregime dhe drama në disa revista dhe antologji.
Libri i tij me tregime, “Transparent Animals”, u botua në vitin 2017. Konceptualisht, është libër i tregimeve që ky autor e përdor për ta vazhduar zhvillimin e një qasjeje të themeluar në “Slap in the Face”.
Stili i Bošković karakterizohet nga një mënyrë e thjeshtë e tregimit, me anasjellje dhe kthesa të realitetit të tregimit. Kjo mundëson që proza e tij, e shkruar kryesisht në blice apo imazhe, ta marrë një ritëm poetik.
Regjistri tematik i tregimeve të Bošković në “Transparent Animals” ia prezanton lexuesit një postapokalips unik transicional për shkak të peizazhit dhe sensit të zhvendosjes, që janë të pranishëm në këtë libër.
Mund të themi edhe se 14 tregimet në këtë libër funksionojnë edhe si muzikë e shtypur, pasi që secili tregim me sa duket është element brenda një strukture muzikore, siç thotë Vladimir Arsenić në parathënie.
Me fjalë të tjera, Bošković e përdor “Transparent Animals” për ta prezantuar një simfoni të një kohe postapokaliptike, në ballafaqim me të cilën burri shndërrohet në një objekt a funksion. Një robot i tjetërsuar, i lirë nga emocionet dhe vetëdija.
Prandaj heronjtë e prozës së shkurtër të Bošković duket se janë krijesa nevrastenike të paramposhtura dhe të zhbalansuara që enden në transin somnambulist, të paafta për të themeluar lidhje të fuqishme, lidhjet e të cilave me realitetin janë thyer. Dhe prandaj kjo botë është brutale, e përgjakshme dhe e dhunshme.
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.