Prej të hënës në të premten, Shqiprim Salihu e di se si do ta nisë ditën. Para orës 6 të mëngjesit, ai del nga shtëpia e tij në fshatin Balaj. Herë me taksi e herë me familjarët që kanë veturë, ai niset në drejtim të stacionit të autobusëve në Ferizaj. Salihu, punën e fillon në orën 8 të mëngjesit dhe për të arritur me kohë merr autobusin e orës 6 e gjysmë në drejtim të Prishtinës.
Kryeqyteti është vetëm 38 kilometra larg prej Ferizajt, me veturë udhëtimi zgjatë rreth gjysmë ore. Mirëpo, 22 vjeçari thotë se udhëtimi me autobus zakonisht zgjatë një orë — ndonjëherë edhe më shumë.
Prej se filloi punën si gazetar në Prishtinë para gjashtë muajve, ai vazhdimisht udhëton me të njëjtën kompani të autobusëve, por as kjo kompani e as ndonjë tjetër nuk e përdorë autostradën “Arbën Xhaferi”, e cila i lidh këto dy qytete që nga fillimi i vitit 2018, edhe pse njëra ndër investimet më të mëdha financiare nga qeveria e Kosovës me një shumë prej afro 600 milionë eurosh, ajo mbetet e pashfrytëzuar nga autobusët.
14 kompani të autobusëve nga ora 6 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes udhëtojnë nga Ferizaj në Prishtinë dhe anasjelltas, ku brenda këtyre 14 orëve realizojnë përafërsisht 60 udhëtime, të gjitha duke i shfrytëzuar rrugët më të vogla që kanë ekzistuar më herët.
Salihu beson se udhëtimi i tij do të lehtësohej po të bëhej kah autostrada, si dhe do shkurtohej kohëzgjatja e tij. ‘‘Me veturë [në autostradë] udhëtimi zgjatë rreth 25 minuta, me autobus nuk e di saktë, por besoj se do zvogëlohej diçka’’, thotë ai.
Udhëtari Shqiprim Salihu beson se udhëtimi i tij ditor do të lehtësohej po të bëhej kah autostrada Prishtinë-Ferizaj, si dhe do shkurtohej kohëzgjatja e tij. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Ai thekson se nëse kalojnë kah autostrada, autobusët nuk kanë nevojë të ndalen gjatë rrugës, si dhe do t’u iknin kolonave të veturave që zakonisht hasen në magjistralen që lidhë dy qytetet.
‘‘Sidomos gjatë mbrëmjes ka vonesa, mund të ndodhë që udhëtimi të zgjatë deri në 1 orë e 30 minuta’’, thotë Salihu. “Ndonjëherë e mendoj se çdo ditë të jetës sime, disa orë i kam kaluar në autobus. Pasi ekziston një mundësi e tillë [autostrada] pse të mos shfrytëzohet?”
Edhe Albenita Duraku e di mirë ndjenjën e kalimit të shumë orëve në autobus çdo javë. Ajo është në përfundim të studimeve në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega matematikë. Që kur u regjistrua në universitet, ajo jeton në Prishtinë. Mirëpo, përgjatë kësaj kohe, ajo vazhdimisht udhëton — së paku gjatë vikendeve — në shtëpinë e saj në fshatin Krushë e Vogël. Pasi kalon vikendin tek familja e saj, Duraku për çdo të dielë kthehet në Prishtinë, që të hënën t’ia nisë ligjëratave të fakultetit.
‘‘Zakonisht në ora 3 apo 4 të pasdites [të dielën] dal tek stacioni i fshatit dhe shkoj në Prizren me autobus,” tregon Duraku.
Prej aty rrugëtimi i saj vazhdon për në Suharekë, Shtimje, pastaj në Lipjan dhe për të arritur në destinacionin e fundit, Prishtinën. Ky udhëtim i zgjatë diç më shumë se 2 orë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 2,326 autobusë janë regjistruar në Kosovë në vitin 2018, mirëpo aktualisht asnjë prej tyre nuk përdorë asnjërën prej autostradave. Foto Atdhe Mulla/ K2.0.
Edhe autostrada “Ibrahim Rugova”, e lëshuar në qarkullim në vitin 2013, e cila e lidh Prishtinën me Prizrenin dhe me kufirin e Shqipërisë, njëjtë si autostrada “Arbën Xhaferi”, mbetet e pashfrytëzuar nga autobusët ndër-urban pa marrë parasysh shpenzimin e madh nga buxheti i shtetit. Çmimi final për ndërtimin e saj kurrë nuk është bërë publik — mos-zbulimi i tij është si pasojë e një mosmarrëveshje ligjore të vazhdueshme në mes të OJQ-ës Lëvizja FOL dhe qeverisë — por media të ndryshme kanë sugjeruar se shuma mund të jetë afro 1 miliardë euro.
Edhe Duraku njëjtë si Salihu, beson se udhëtimi i përjavshëm i saj do duhej të ishte më i shkurtër. “Sa e di, udhëtimi zgjatë 1 orë e 20 minuta,” thotë ajo, duke iu referuar një linje të mundshme me autobus në autostradë.
Ajo gjithashtu beson se udhëtimi do të ishte më i sigurtë dhe më i rehatshëm nëse do të përdorej autostrada “Ibrahim Rugova”.
Kah rrugët e vjetra
Rregullimin e linjave brenda qytetit e bëjnë komunat përkatëse, ndërsa udhëtimet nga një qytet në tjetrin, janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT). Ministria jep licensa për kompanitë, rregullon oraret e nisjeve dhe kthimit [linjat] të autobusëve, përcakton rrugët që do përdoren, si dhe vendndalimet se ku autobusët mund të marrin udhëtarë.
Nazim Gashi, shef i Divizionit për Zhvillimin e Politikave dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, departamenti i Transportit Tokësor, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) konfirmon se asnjë linjë ndër-urbane nuk kalon nga autostrada “Arbën Xhaferi” apo “Rruga e Kombit” që njihet ndryshe si autostrada “Ibrahim Rugova”.
‘‘Në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ jemi në procedurë të analizimit të linjave dhe orareve, duke marrë parasysh edhe linjat aktuale që kemi në relacionin Prizren-Suharekë- Prishtinë” tha Gashi, duke shtuar se MIT-ja “ka shpallur linjat që përshkohen në relacionin Ferizaj-Prishtinë dhe anasjelltas”, mirëpo nuk ka pasur “të interesuar” nga operatorët e transportit ndër-urban.
Mirëpo, Gashi nuk ka dhënë detaje të tjera se kur është shpallur ky konkurs apo se pse nuk ka aplikuar asnjë kompani.
Nebi Haliti është pronar i kompanisë së transportit ‘‘Ballkani’’ dhe për gati tri dekada është shofer autobusi. Në biznesin familjar, tash e disa vite me të punojnë edhe dy djemtë e tij. Ata me autobusin e tyre përshkojnë linjat nga Ferizaj në fshatrat përreth, në drejtim të Gjilanit, Kamenicës dhe Prishtinës. Dy herë në ditë udhëtojnë për në destinacionin e fundit dhe rrugëtimin e bëjnë, siç e quajnë, ‘‘kah rruga e vjetër’’.
Haliti thotë se deri më tash nuk ka qenë në dijeni të konkursit të MIT-së për linjat kah autostrada në Prishtinë, por sipas tij, edhe po ta dinte nuk do të aplikonte, duke sugjeruar se autostrada nuk do ta zvogëlonte kohëzgjatjen e udhëtimit. “Nuk mund të shkojë më herët, sepse autobusi nuk mund të vozitet 150 km në orë’’, thotë ai.
Shqetësimi i tij për këtë ide, të cilën ai e quan si “të mbrapshtë” është se nëse autobusët do ta përdornin autostradën, do t’i linin të bllokuar shumicën e atyre që jetojnë në fshatra më të vogla.
Duhet të iu shkojmë fshatrave për rreth dhe t’u ofrojmë mundësi udhëtimi të gjithëve’’, thotë ai, duke insistuar se kjo është e drejtë e gjithsecilit. ‘‘Duhet të marrim udhëtarë nëpër fshatrat Babush, Banullë, Llugaxhi e Smallushë. Si mund t’i marrim ata nëse udhëtojmë kah autostrada?’’
Për Halitin, autostradat janë ndërtuar në atë mënyrë që nuk mund të shfrytëzohen nga autobusët pasi as vendndalime për udhëtarë nuk ka.
‘‘Nuk është paraparë ndonjë vendndalje meqenëse autostradat tona janë të tipit të mbyllur dhe nuk lejohet ndërtimi i vendndaljeve për transport ndërurban’’, thotë Xhemë Veseli, Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Kaltërina Misini është njëra nga udhëtaret që me shumë gjasë do të ngelej pa transport nëse autobusët do të kalonin kah autostrada, që është alternativa e vetme e saj për të udhëtuar për në vendin e punës. Ajo udhëton me të njëjtin autobus çdo mëngjes si Salihu. Pas 30 minutave rrugëtim, autobusi arrin në fshatin Gumnasellë.
24 vjeçarja pesë ditë të javës udhëton në drejtim të Prishtinës, itinerarin e njëjtë tash e gjashtë vite e ndjekë, prej se filloi studimet në Universitetin e Prishtinës dhe tani në vitet e fundit si gazetare.
Fshati i saj nuk ka qasje në autostradë dhe autobusët po të shkonin andej ajo nuk e di se si do udhëtonte.
“Meqënëse transportin e bëj përmes autobusit tash e gjashtë vite, padyshim që do të më paraqiste problem. Nëse veç vendosin diçka të tillë, do më duhej me gjetë alternativë tjetër [të udhëtimit]”, thotë ajo.
Por Misini dhe fshati i saj nuk janë të vetmit që do të prekeshin nëse autobusët do shkonin kah autostrada. Janë së paku edhe shtatë fshatra të tjerë ndërmjet Ferizajt dhe Prishtinës që do mbeteshin jashtë këtyre linjave dhe shume të tjerë në relacion Prizren-Prishtinë, me shumicën e këtyre autobusëve që për momentin udhëtojnë përmes qytetit të Suharekës.
Granit Zenelaj është student i Shkencave Kompjuterike dhe vjen nga fshati Gjinoc i Komunës së Suharekës. Të hënën, të mërkurën dhe të premten ai përshkon rrugën prej Gjinocit në drejtim të Prishtinës dhe anasjelltas.
Nëse autobusi do të udhëtonte kah autostrada, Zenelaj nuk do mund të udhëtonte me kompanitë e autobusëve që nisen nga Prizreni. Fshati Gjinoc është mes Prizrenit dhe Suharekës dhe nuk ka qasje në ‘‘Rrugën e Kombit’’ Kjo do t’i vështirësonte udhëtimin. ‘‘E vetmja mundësi do ishte të ndërroja dy autobusë’’, thotë ai. Atij do t’i duhej që nga Gjinoci të shkonte në Prizren apo në Suharekë dhe prej aty të merrte autobusin për në Prishtinë.
Sidoqoftë, në rast se do kishte probleme për udhëtarët që nuk kanë qasje në autostrada e vë në mëdyshje edhe Salihun. ‘‘Në rast se njerëzit s’do kishin mundësi udhëtimi, jam kundër kësaj [udhëtimit kah autostrada]’’, thotë ai.
Megjithatë, ai beson se ka mundësi të tjera, si realizimi i linjave nëpër autostradë dhe në të njëjtën kohë të kishte udhëtime të autobusëve nga ‘‘rruga e vjetër’’ duke sugjeruar se ka mjaft kërkesa të mjaftueshme për t’i bërë të dy rrugët të zbatueshme. “Ka numër të mjaftueshëm të udhëtarëve, edhe po të limitohej numri vetëm tek studentët’’, thotë ai.
Ai vazhdon të tregojë se qysh në stacionin e qytetit, autobusi është gati i mbushur me udhëtarë, mirëpo edhe shumë të tjerë hipin në vend-ndalimet e fshtarave në magjistralen Ferizaj-Prishtinë. ‘‘Për çdo ditë ka njerëz që mbesin në këmbë’’, thotë ai.
Nuk dihet numri i saktë i udhëtarëve që për momentin përdorin autobusët nga Prishtina në Ferizaj ose Prizren, sepse MIT-ja ende duhet të marrë informacionin prej kompanive të autobusëve që kërkohet me ligj Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Numri i saktë i udhëtarëve që udhëtojnë në këtë relacion nuk dihet edhe pse sipas Ligjit për Transportin Rrugor theksohen detyrimet e operatorëve për transportimin e udhëtarëve që të paraqesin të dhënat sa i përket kilometrazhës, udhëtimeve dhe udhëtarëve brenda një viti kalendarik.
Kur u pyet nga K2.0 për të dhënat, MIT-ja u përgjigj se ende nuk i ka marrë të dhënat nga operatorët transportues të viteve 2017 dhe 2018. “Megjithatë ne kemi njoftuar të gjithë operatorët që të dorëzojnë këto të dhëna dhe në momentin që i marrim do të informoheni, gjithashtu edhe Inspektorati i MIT-së, do të kërkojë në teren që [operatorët] t’i dorëzojnë këto raporte’’, thuhet në përgjigjen e ministrisë”
Rreth 70 përqind e udhëtarëve, sipas Halitit, janë që hipin nga stacioni i Ferizajt, duke shtuar se ka mjaftueshëm udhëtarë që do iu përshtatej linja e tillë.
Por, Haliti merak ka prishjen e konkurencës mes kompanive.
‘‘Nëse dikush e merr atë linjë [kah autostrada] ne tjerët do mbeteshim pa udhëtarë’’, thotë ai. Kjo sipas tij do të shkaktonte konflikte mes kompanive.
Në të kaluarën ka pasur raste të konflikteve mes pronarëve të kompanive si rezultat i konkurrencës për udhëtarë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Në të kaluarën ka pasur përleshje fizike mes pronarëve të kompanive të autobusëve në qytete të ndryshme si rezultat i konkurrencës për udhëtarë dhe marrjes së linjave më të mira. Në dhjetor të vitit 2017, pronarë të kompanive në Malishevë ishin rrahur ndërmjet vete pasi njëra kompani akuzohej se po iu merrte udhëtarët kompanisë tjetër. Përleshje fizike mes pronarëve të kompanive të autobusëve janë shënuar edhe në Prishtinë, Ferizaj e Rahovec.
Përpos konflikteve mes kompanive edhe zyrtarë të komunave nuk mbeten pa u përfshirë. Naser Korça, drejtor i urbanizmit në Komunën e Gjilanit ishte sulmuar fizikisht për herë të dytë nga pronarët e një kompanie të autobusëve, pasi akuzonin drejtorin se ka lëshuar një linjë për një kompani tjetër pa të drejtë.
Duket qartë se çështja e linjave të autobusëve është një çështje e diskutueshme dhe që shumë njerëz kanë ndjenja të forta për të. Detyra e zyrtarëve është të gjejnë një zgjidhje se si të nxjerrin më të mirën nga investimet infrastrukturore miliona euroshe dhe të sjellin transport efikas për udhëtarët, në të njëjtën kohë duke mos e izoluar numrin e konsiderueshëm të njerëzve që jetojnë jashtë qendrave të mëdha urbane.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.