E diela e fundit e shtatorit çeli me një vërshim lajmesh e raportimesh nga veriu i Kosovës. Gjendja e tensionuar prej kohësh në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë përshkallëzoi në një sulm të armatosur drejt Policisë së Kosovës (PK), që përfundoi me fatalitet.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra, një tjetër zyrtar policor u plagos dhe një u lëndua nga një grup prej rreth 30 personash të armatosur në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Sipas njoftimit të parë të Policisë, gjithçka ka nisur kur njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare kishte vërejtur se në urën e fshatit Banjskë ishin vendosur dy kamionë pa targa, duke bllokuar hyrjen për në fshat.
Me të marrë këtë informatë, tri njësi nga Stacioni Policor në Zveçan janë nisur në drejtim të vendndodhjes së kamionëve, ku kanë hasur në rezistencë nga grupi i armatosur, që ka shtënë drejt policisë me armë zjarri, granata dore dhe zollë.
Pasi u raportua se dyshohej që grupi ishte tërhequr në Manastirin e Banjskës, këtë e konfirmoi përmes një njoftimi, Dioqeza e Rashkës—Prizrenit. Pos që dënuan sulmin ndaj PK, në këtë njoftim urgjent, Dioqeza lajmëroi se një grup personash të armatosur e maskuar e me automjet të blinduar kanë thyer portën e manastirit, ku ndodheshin edhe një grup pelegrinësh nga Novi Sadi dhe prifti.
PK e rrethoi perimetrin e Manastirit teksa gjuajtjet me armë vazhduan përgjatë ditës. Komunikatat e PK, lëshuar në mbrëmjen e së dielës, konfirmuan se nga grupi sulmues janë vrarë tre persona dhe janë arrestuar dy të tjerë. Ndërkohë, edhe një zyrtar tjetër policor u lëndua.
Ndonëse PK nuk e ka konfirmuar, mediet kanë raportuar se pjesa tjetër e grupit është arratisur. Ndërkaq, gjatë kontrollit, PK ka njoftuar se janë arrestuar edhe katër persona të dyshuar për lidhje me sulmin. Gjatë arrestimit PK kanë gjetur radiolidhje, si dhe janë identifikuar një sasi e konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
Përgjatë të dielës, udhëheqësit/et shtetëror/e dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dolën me deklarata të njëpasnjëshme duke dënuar sulmin ndaj PK.
Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi u krye nga “një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, presidentja, Vjosa Osmani e quajti “sulm të orkestruar, planifikuar dhe ekzekutuar” ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj të kryer nga bandat kriminale, të organizuara nga Serbia.
Ambasadori i i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë i quajti po ashtu, “sulme të orkestruara”, teksa përfaqësuesi i lartë i BE, Josep Borrell, e cilësoi si “sulm të shëmtuar dhe qyqar terrorist ndaj Policisë së Kosovës”. Ndërkohë, ndërmjetësuesi i BE në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajčák, duke dënuar sulmin, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut menjëherë.
Presidenti i Serbisë, Alekandar Vučić, në një konferencë për medie të dielën mbrëma, e fajësoi kryeministrin Kurti për “kaosin” e krijuar në Kosovë teksa pretendoi se sulmi u krye nga serbët lokalë që “nuk kanë dashur ta durojnë terrorin e Kurtit”.
Sipas PK, gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi janë gjetur “arsenal armësh”. Pos armëve ushtarake si granata, mitralozë e kallashnikovë, PK thotë se kanë gjetur edhe uniforma dhe pajisje logjistike. Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, personat e arrestuar janë në mbajtje 48 orëshe dhe janë ngarkuar me vepra penale për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Ndërkohë, i gjithë zhvillimi po përcillet nga një zbrazëti informacionesh rreth asaj se si hynë armët brenda territorit të Kosovës e kush janë pjesëtarët e grupit sulmues.
E hëna, 25 shtator, u shpall ditë zie në Kosovë në nderim të rreshterit Bunjaku.
Ngjarja e së dielës vjen në një kontekst të tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës, që u shpeshtuan sidomos nga nëntori i vitit 2022.
Tensionet shpeshtohen, dialogu në vend numëro
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vend numëro që prej ngjarjeve të dhunshme në protestat në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në maj të këtij viti, ku mbetën të lënduar ushtarë të KFOR dhe u sulmuan vazhdimisht gazetarët që po raportonin nga andej.
Protestave u paraprinë zgjedhjet lokale të mbajtura me 23 prill në tri komunat e mësipërme dhe Mitrovicë të Veriut. Në këto zgjedhje, të cilat u bojkotuan gjerësisht nga serbët lokalë, votuan rreth 3% e 45,095 qytetarëve me të drejtë vote. Lista Serbe (Srpska Lista), partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njëherit e përkrahur nga qeveria e Serbisë, që qeverisi në këto komuna prej vitit 2013, nuk garoi.
Më 23 prill 2023, votuesit serbë e shqiptarë mund të zgjidhnin kryesisht midis kandidatëve nga partitë shqiptare. Nga 10 kandidatë për kryetarë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.
Një ditë pasi katër kryetarët e sapozgjedhur mbajtën ceremoninë e betimit për detyrën e re, më 26 maj, për shkak të protestuesve serbë, ata hynë në objektet e komunave nën përcjellje të PK. Policia hasi në rezistencë nga qytetarët serbë. Pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.
Hyrja e kryetarëve në këto objekte me asistim të policisë u dënua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët e fajësuan qeverinë e Kosovës për moskoordinim me ta. Ata e cilësuan këtë hyrje si “hyrje me forcë” dhe i kërkuan qeverisë të mos e tensionojë situatën. Kurti, më 27 maj kishte thënë se janë të vetëdijshëm dhe i kuptojnë shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por që çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të qeverisë.
Retorika e komunitetit ndërkombëtar ndau debatin e përgjithshëm publik rreth zhvillimeve në Kosovë në dy tabore. Njëri ishte kritik ndaj qeverisë Kurti për veprime të pakoordinuara më komunitetin ndërkombëtar dhe kryeneçësi në mosrealizimin e kërkesave të tyre, që do të çonte në prishje të raporteve, sidomos me ShBA. Tjetri tabor ishte kritik ndaj komunitetit ndërkombëtar për kritikë të njëanshme ndaj qeverisë së Kosovës përderisa nuk përdornin të njëjtën gjuhë të ashpër apo paralajmërime për sanksione ndaj Serbisë.
Protestat vazhduan edhe për disa javë. Më 29 maj dhjetëra pjesëtarë të KFOR u lënduan në Zveçan. Pasi KFOR kërkoi nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe në drejtim të pjesëtarëve të KFOR hodhën gurë, shok-bomba, koktej molotovi. U dëgjuan edhe të shtëna. Ndërkohë, gjatë protestave, që zgjatën disa javë, u sulmuan dhjetëra gazetarë dhe u vandalizuan veturat e tyre.
Për zhvillimet e muajit maj në këto komuna, BE përgjegjësinë ia ngarkoi Kosovës, respektivisht vendimit të qeverisë për t’i çuar kryetarët në objekte të komunave. Si zgjidhje, BE kërkoi që kryetarët ta vazhdojnë punën nga objekte alternative dhe kthimin në dialog.
Duke konstatuar se Qeveria e Kosovës nuk po i përfill këto kërkesa, në fund të qershorit, BE vendosi masa ndëshkuese ndaj saj. U pezullua përkohësisht puna për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe prania e përfaqësuesve të Kosovës në organizimet e nivelit të lartë. U pezulluan edhe vizitat bilaterale.
Ngjarjet morën kthesë të papritur kur më 14 qershor tre zyrtarë të PK, sipas qeverisë së Kosovës, “u kidnapuan brenda territorit të Kosovës”. PK tha se dyshohet se ata janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në Leposaviq, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Qeveria e Serbisë pretendoi se zyrtarët policorë janë arrestuar brenda territorit të Serbisë. Autoritetet serbe i ngarkuan tre policët me vepra penale për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse. Atyre iu shqiptua masa e paraburgimit më 16 qershor, por u liruan nga autoritetet e Serbisë më 26 qershor. Zhvillimi me policë u cilësua nga komuniteti ndërkombëtar si incident teksa pasi u liruan, nuk u përfol më.
Më 10 korrik, i dërguari i posaçëm për dialogun Lajčák, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Bratisllavë arritën marrëveshje për shtensionim të situatës në veri.
Marrëveshja parashihte tërheqjen e menjëhershme të 25% të policëve nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në fund të verës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës tërhoqi 25% të forcës policore menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, ndërkohë më 4 gusht tërhoqi edhe 25% pas vlerësimit të situatës mes policisë së Kosovës dhe EULEX dhe KFOR, siç kërkohej në marrëveshje.
Që prej marsit, kur ranë dakord për Planin Evropian dhe Plani për Zbatimin e tij, njohur si Marrëveshja e Ohrit, që përfshiu planin për themelim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kurti e Vučić janë takuar dy herë në kuadër të dialogut. Të dy takimet, pa rezultate.
Takimi i fundit, më 14 shtator, ishte i pasuksesshëm dhe në një intervistë për “The Guardian”, Kurti tha se bisedimet me Serbinë kanë arritur në rrugë pa krye pasi, sipas tij, i dërguari special i BE për dialog ka humbur neutralitetin.
Gjatë këtij takimi, edhe Kurti edhe BE paraqitën propozime për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kurti paraqiti një “udhërrëfyes të sekuencuar” që përmbante 19 veprime që adresonin nenet e Planit Evropian. Themelimi i “instrumentit për vetëmenaxhim” për serbët e Kosovës, pra themelimi i Asociacionit, vinte në gjashtë pikat e fundit, ndonëse propozimi parashihte hapat për themelimin e tij në mes veprimeve tjera që adresonin aspektet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, si njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Ndërkohë, propozimi i BE, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, i cili u refuzua nga Kurti por u pranua nga Vučić përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton procesin negocious për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Shefi i politikës së jashtme të BE, Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE për dialog, Lajčák, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, ndërsa Vučić në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.