Tamam si çdo ditë tjetër, Gëzim Kryeziu ishte zgjuar në ora shtatë të mëngjesit dhe po bëhej gati për punë. Po rregullonte pantallonat, po hekuroste këmishën e bardhë dhe po shikonte nëse këpucët kanë nevojë të pastrohen – paraprakisht edhe e kishte rruar mjekrën.
Për së paku 20 vitet e fundit ky mëngjes është përditshmëri e Gëzimit, kohë gjatë së cilës ai ka punuar si kamerier.
‘‘Kamarierit i ka hije të rruhet çdo ditë’’, thotë ai.
Edhe pse dukej si një mëngjes i zakonshëm, kjo ditë nuk ishte aspak e tillë. Një ditë më parë kishte punuar deri në orën 3 apo 4 të mëngjesit dhe nga shtrati ishte zgjuar me vetëm tre orë gjumë.
Pasi ishte përgatitur, po pinte kafe të cilën po e shoqëronte me cigare Lucky t’kuq dhe po bisedonte me gruan e tij, të cilës i thoshte se edhe sonte gjasat janë të mëdha që gjatë gjithë ditës të mbetej në punë.
Megjithëse nuk do të ishte ditë e zakonshme, Gëzimi vazhdoi me rutinën e tij; u ngjit lart në dhomat e fëmijëve të tij, i përqafoi, dhe derisa po i përshëndeste, po telefononte taksin i cili e çonte për çdo ditë në punë. Taksisti nuk u vonua shumë, sepse zakonisht nuk vonohej. Por e pazakontë ishte biseda që ata patën.
‘‘Sot po livrit diçka, po get p’e shpallin’’, i kishte thënë taksisti Gëzimit, dhe ai vetëm kishte pohuar.
Pak para orës nëntë Gëzimi kishte ardhur te restoranti ‘‘Basilico’’, që gjendej përballë kinemasë së vetme të qytetit, ‘‘Kino ABC’’. Para hyrjes së restorantit ishin mbledhur punëtorët e tjerë dhe po e prisnin menaxherin t’ua hapte derën – edhe kjo ishte e zakonshme për ta. Kuzhinieri i restorantit, Ilmia, posa e kishte parë Gëzimin i kishte thënë: ‘‘pramë ta kom uru, s’po ta uroj apet’’.
Në atë tollovi, ku njerëzit po uronin pa pasur ende diçka zyrtare për të uruar, kishte ardhur menaxheri dhe të gjithë ishin futur brenda. Rregulluan tavolinat dhe dekorimet e tyre dhe po prisnin mysafirë.
Nuk vonoi shumë dhe u fut njëri prej myshterinjve të zakonshëm. Për habi të Gëzimit, ai porositi espresso dhe një raki të shtëpisë. Ai zakonisht nuk konsumonte alkool dhe mëngjesin e kishte të rezervuar vetëm për kafe, por ai i tha Gëzimit: ‘‘Sot p’e thej rutinën’’.
Derisa në ato çaste Gëzimi po e fillonte punën, Valdete Osmani ishte në orën e katërt të punës. Ora pesë e atij mëngjesi e kishte gjetur atë duke pritur në parkingun e vendit të saj të punës, për të nisur raportim e ngjarjeve të ditës.
Gazetares së televizionit ‘‘Kohavision’’, një ditë më parë i ishte caktuar detyra që të raportonte nga komuna e Drenasit. Posa u takua me shoferin Semin, dhe kameramanin Arbenin, ata u nisën drejt qytezës që e mban emrin e njëjtë me atë të komunës. Rrugën 32-kilometërshe e kaluan për pak më shumë se 30 minuta.
Kur u futën në qendrën e Drenasit, panë pamjen e një flamuri që ishte vendosur në njërën prej ndërtesave të qytetit. Kjo pamje kishte tërhequr vëmendjen e Valdetës – flamuri me sipërfaqe të kaltër në mes të të cilit qëndronte harta e Kosovës mbi të cilën ishin vendosur gjashtë yje me ngjyrë të bardhë. Ajo i kishte thënë kameramanit që t’i merrte ato pamje, të cilat ndërkohë do t’i dërgonte në redaksi.
Duket se në Drenas, ende pa u zyrtarizuar në Kuvendin e Kosovës, flamuri shtetëror po i merrte nderimet.
Duke e lënë prapa flamurin, Valdetja vazhdoi të ecte rrugëve të Drenasit, ku po kërkonte një familje me të cilën do ta priste seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, që pritej të mbahej atë ditë. Disa persona ia kishin sugjeruar një familje, dhe ata e kishin ftuar në shtëpinë e tyre.
Pasi gjithçka ishte koordinuar, Valdetja po ndjehej më e relaksuar dhe me dy kolegët e saj hynë në një kafeteri për të parë atmosferën që mbizotëronte aty. Kur hynë brenda, Osmani pa se ishte e vetmja grua aty dhe për të kjo ishte situatë e çuditshme, por njëkohësisht edhe gazmore.
Përderisa Osmani po ndjehej më e relaksuar, në një situatë aspak të ngjashme ishte Baki Jashari, dirigjenti dhe drejtori i Filarmonisë së Kosovës. Së bashku me 120 anëtarë të tjerë të Filarmonisë në orën 10 ishin mbledhur në sallën ‘‘1 Tetori’’ në Prishtinë, ku po prisnin ta mbanin provën gjenerale.
Por aty gjërat nuk po shkonin siç ishin paraparë – temperatura në sallë ishte në minus dhe e pamundësonte mbajtjen e provave. Por Bakiu nuk brengosej vetëm për provat. Halli më i madh i tij ishte mbajtja e koncertit që parashihej për orën 7 të mbrëmjes.
Kjo papërgjegjësi e organizatorëve të koncertit e kishte acaruar Bakiun. Ai ishte i vetëdijshëm se t’u biesh instrumenteve dhe të këndosh në atë temperaturë është e pamundur, dhe iu drejtua kolegëve të tij se ishin të lirë të shkojnë në shtëpi.
Kjo nxiti reagimin e zyrtarëve të cilët ishin të angazhuar për përgatitjet teknike të aktiviteteve të asaj dite. Por Bakiu iu drejtua atyre se pa e ngrohur sallën nuk e kanë ndërmend të mbajnë provën dhe aq më pak edhe koncertin para një mase njerëzish.
Gjatë kohës kur Bakiu po përlahej me zyrtarët e shtetit, Fadil Haxholli po qëndronte me familjen e tij në shtëpinë e tyre në Hajvali të Prishtinës. Krejt vëmendjen e tyre e kishte marrë televizori – aty po shikonin se cilat ishin zhvillimet e atij momenti. Përveç informatave të zhvillimeve politike që do të ndodhnin, Fadili po priste informacione nga punëdhënësit e tij se a do të punonte atë ditë.
Fadili punonte taksist dhe për çdo muaj, një të diel pushonte dhe një punonte. Atë të diel ai kishte radhën të punonte. Zakonisht ndërrimin e pasdites e fillonte në ora 14, por atë ditë do të shkonte në punë disa orë më herët.
Kjo paradite ishte ajo e 17 shkurtit të vitit 2008.
Një javë përpara
Në fillim të muajit janar të atij viti, Filharmonia e Kosovës kishte filluar përgatitjet për organizimin e një koncerti. Po flitej gjithandej se në dy apo tre muajt e ardhshme autoritetet shtetërore do ta shpallnin pavarësinë e Kosovës, dhe Filharmonia nuk donte të mbetej jashtë këtij evenimenti.
Ata kishin përpiluar një program i cili përmbante disa vepra. Autorët dhe veprat që pritej të luheshin ishin: ‘‘Poetika dramatike e Skënderbeut’’ nga Fahri Beqiri; ‘‘Tanë Shqipnia asht’ betue’’ nga Fehim Ibrahimi; disa vepra të Lorenc Antonit, etj.
Valton Beqiri, këshilltar i ministrit të kulturës, rinisë dhe sportit, ishte zyrtari i parë shtetëror që kishte kontaktuar Filharmoninë. Në rrugë jozyrtare, ai kishte biseduar me Jasharin dhe i kishte treguar se protokolli po parashihte ta përfshinte edhe Filharmoninë. Ata kishin biseduar edhe për programin që do te luhej dhe ishin dakorduar që ai të jetë gjithpërfshirës, ashtu siç do të jetë edhe pavarësia e Kosovës.
U përfshinë veprat e Xhuzepe Verdit ‘‘Kori i të burgosurve’’; vepra e Betovenit ‘’Oda e Gëzimit’’ dhe ajo e Dvorzhakut ‘‘Bota e Re’’.
Se kur do të mbahej koncerti – që nënkuptonte edhe ditën e shpalljes së pavarësisë – Beqiri nuk kishte treguar.
Bakiu jo më herët se më 16 shkurt kishte marrë një telefonatë anonime e cila e njoftonte për ditën dhe orën e saktë se kur do ta jepnin koncertin. Personi në anën tjetër të linjës telefonike i kishte thënë ‘‘unë jam një person i angazhuar t’ju them se koncerti i pavarësisë do të mbahet nesër në orën 7 pasdite’’. Bakiu i kishte njoftuar kolegët e tij se provat që parashiheshin të mbaheshin të nesërmen në orën 10 të paraditës, do të ndërronin lokacion – ato do të mbaheshin në sallën ‘‘1 Tetori’’.
Edhe Gëzim Kryeziu kishte pasur një episod të ngjashëm. Një prej myshterinjve të përhershëm të cilin ai e shërbente çdo ditë ishte edhe zyrtar i lartë i qeverisë. Kureshtja e Gëzimit ishte se a do të shpallej pavarësia të dielën, dhe për këtë pyeti politikanin. Shkurt dhe me buzëqeshje, përgjigjja që i erdhi ishte: ‘‘me kismet’’.
Pritjes dhe llafeve të disa javëve duket se po u vinte fundi – së paku për Gëzimin, që kishte dëgjuar nga goja e një politikani se e diela e 17 shkurtit ishte rezervar për diçka speciale.
Kjo heshtje e atyre ditëve ishte e pakuptimtë për Valdete Osmanin. Ajo edhe sot nuk arrin ta kuptojë përse ishte krijuar ajo mjegullajë rreth deklaratës, që pak a shumë ishte shndërruar në sekret publik.
Dita D
Pasi doli prej kafeterive, Valdetja ishte nisur drejt fshatit Terstenik të Komunës së Drenasit, ku do të kalonte ditën me familjen Dvorani. Posa u fut në shtëpi i ranë në sy fotografitë e mëdha të pesë djemve të rinj. Ata ishin djemtë e familjes që ishin vrarë gjatë luftës. Më i riu prej tyre ishte 19-vjeçar dhe më i madhi vetëm 27 vjeç.
Gëzimi dhe hareja që po mbretëronte nëpër rrugë po përjetohej më ndryshe në shtëpinë e familjes Dvorani, të cilët edhe në atë ditë po mbanin zi. Ata kishin vendosur të mos dilnin nga shtëpia, por ta përcjellin ngjarjen nga televizori – sikur donin që në ato momente të ishin pranë pesë djemve të tyre, edhe pse tashmë ata ishin vetëm në fotografi.
Në situatë krejtësisht tjetër ishte Baki Jashari. Rreth orës 2 pasdite ai mori një telefonatë ku u informua se salla ‘‘1 Tetori’’ është ngrohur dhe tashmë janë krijuar kushtet që prova dhe koncerti të mbahen pa asnjë pengesë. I lehtësuar nga kjo, ai kishte njoftuar kolegët e tij dhe në orën 4 pasdite kishin lënë ta mbanin provën gjenerale dhe t’i testonin pajisjet e zërit.
E te restoranti ku punonte Gëzim Kryeziu njerëzit tashmë kishin filluar të festonin. Alkooli kishte kaluar çdo masë dhe muzika popullore s’po ndalej.
‘‘Gëzim, edhe ti je pjesë e gëzimit’’, myshterinjtë iu kishin drejtuar atij, dhe e kishin ftuar të ulet në tavolinën e tyre.
Por ai kishte vendosur të përkujdesej për rehatinë e mysafirëve, saqë atë ditë nuk kishte arritur ta hante drekën: ‘‘vetëm diçka sa me ia prishë’’.
Përderisa Gëzimi po shërbente raki për mysafirët dhe po shijonte tingujt e muzikës dhe festën e njerëzve, Fadil Haxholli tashmë kishte arritur te vendi i tij i punës ku po priste të merrte taksin dhe të dilte në rrugët e kryeqytetit.
Ora historike
Në orën 15:10, Kuvendi i Kosovës kishte filluar seancën e jashtëzakonshme. Në “Basilico” ishte ndalur muzika dhe sytë ishin drejtuar nga televizori. Qetësia ishte gati absolute, dhe Kryeziu tregon se përveç zërit të politikanëve ‘‘vetëm miza dëgjohej’’.
Edhe Bakiu ishte në shtëpinë e tij dhe po shikonte seancën. Haxholli ishte parkuar me taksin e tij te ‘‘Fontana’’ në lagjen Ulpiana dhe përmes radios së veturës po dëgjonte seancën.
Ndërsa te familja Dvorani, qetësia dhe vëmendja te televizori kishin fjalën e fundit në dhomën e pritjes. Osmani i ishte bashkuar familjes në përjetimin e tyre – të ndjenjave të pëziera, edhe dhimbje edhe shpresë. Momenti kur përfundoi së lexuari deklarata që shpallte Kosovën shtet ishte i paharrueshëm për të. Në atë moment Emine Dvorani filloi të qante me zë, ndërsa bashkëshorti i saj vetëm lëshoi një ofshamë.
Valdetja nuk kishte guximin të ngritej në këmbë dhe të thoshte urime apo diçka të tillë. I pari që hapi rrugën dhe iu drejtua të gjithëve me zë të ndrydhur ishte Idrizi, i cili shprehu urimin. Lotët e parë të asaj dite ai i kishte derdhur në momentin kur përqafoi fëmijën e tij të vetëm që e kishte afër, të cilit i uroi të ardhmen. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.