Grupi i parë i të evakuuarve afganë zbarkoi në Kosovë më 29 gusht pas evakuimit kaotik të aeroportit dhe tërheqjes së papritur të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani pas 20 vitesh luftë. E ardhmja e këtyre afganëve është e paqartë, siç është edhe situata e tyre aktuale. Por një gjë është e qartë: atyre nuk po u jipet e drejta për të lëvizur lirshëm.
Në fakt, është më e lehtë për një azilkërkues afgan që ka arritur në Kosovë përmes rrugës së vështirë ballkanike të lëvizë nëpër vend. Pasi të gjendet në Kosovë, një azilkërkues mund të kërkojë azil, me ose pa identifikim. Atyre do t’u ofrohen lehtësirat themelore, një kartë identifikimi dhe, veçanërisht, liria për të lëvizur brenda dhe jashtë kompleksit strehues për azil.
Por kjo nuk qëndron për afro 1.000 afganët e sjellë nga NATO në Kosovë si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të ofruar strehë të sigurt për mijëra të cilët frikësohen nga persekutimi pas marrjes së Afganistanit nga talebanët.
Më 16 gusht, qeveria e Kosovës miratoi një vendim që u ofron evakuuesve afganë — kryesisht aplikantëve për vizë amerikane, ish kontraktorëve të NATO-s dhe familjeve të tyre — mbrojtje të përkohshme, një formë e mbrojtjes së menjëhershme, e ndryshme nga statusi i refugjatit i njohur me Ligjin për Azil. Personat nën mbrojtje të përkohshme gëzojnë të drejta të përcaktuara qartë, të tilla si e drejta për shkollim, kujdes shëndetësor dhe liri të lëvizjes.
Vendimi i qeverisë specifikon se liria e lëvizjes mund të kufizohet nëse konsiderohet e nevojshme dhe se do të vendoset një proces verifikimi për çështjet e sigurisë kombëtare.
Që nga mbërritja, të evakuuarit janë vendosur në dy kampet e referuara si kampi Bechtel dhe kampi Liya, të vendosura në ambientet e kompanisë Bechtel Enka dhe brenda bazës ushtarake amerikane Bondsteel. Komanda ndërkombëtare e NATO-s e drejton kampin Bechtel ndërsa ShBA po e drejton kampin Liya brenda Bondsteel-it.
Deri më tani, asnjë informacion publik nuk është dhënë në lidhje me kushtet e jetesës së këtyre të evakuuarve afganë, për dallim nga vendet e tjera, përfshirë disa në rajon, ku gazetarëve u është mundësuar qasje për të folur vetë me refugjatët që po mbërrijnë.
Qeveria këmbëngul se ShBA-ja dhe NATO kanë premtuar një operacion të shpejtë me Kosovën që të funksionojë vetëm si vend tranzit.
Ministria e Punëve të Brendshme ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të K2.0 lidhur me këtë çështje, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ofroi disa detaje gjatë një konference të fundit për shtyp. Kur u pyet për lirinë e lëvizjes së të evakuuarve, Sveçla tha se lëvizja jashtë kampit do të organizohej vetëm nëse ishte e nevojshme, duke theksuar shqetësimet e dukshme rreth sigurisë.
As NATO-ja dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk i kanë dhënë qasje mediave rreth kushteve të jetesës së të evakuuarve afganë, kurse qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga organizatat ndërkombëtare që punojnë në këtë fushë.
Qeveria këmbëngul se ShBA-ja dhe NATO kanë premtuar një operacion të shpejtë me Kosovën që të funksionojë vetëm si vend tranzit. Zëdhënësi i NATO-s, Jason Salata, tha se “Kampi Bechtel është strehim i përkohshëm derisa t’i identifikojnë opsionet e mëtejshme të zhvendosjes”.
Grupi i parë prej 117 të evakuuarish afganë të ndërlidhur me NATO-n u nisën nga kampi Bechtel për në Mbretërinë e Bashkuar më 16 shtator.
Zëdhënësi i qeverisë Perparim Kryeziu tha për K2.0 se kuadri ligjor i Kosovës garanton lirinë e lëvizjes, por theksoi se gjithashtu parasheh raste specifike ku lejohen kufizimet.
“Për momentin, jemi në procesin e pajisjes së qytetarëve afganë me të gjitha dokumentet e nevojshme”, tha Kryeziu. “Për shkak të kësaj dhe duke marrë parasysh sigurinë e tyre për momentin ata janë të lirë të lëvizin brenda objekteve të tyre strehuese. Sidoqoftë, presim që ata të kenë mundësi të lëvizin lirshëm jashtë këtyre objekteve në një të ardhme të afërt pas përfundimit të dokumenteve dhe procedurave të tjera të nevojshme administrative. “
Ligji për azil specifikon rastet në të cilat liria e lëvizjes mund të kufizohet për personat nën mbrojtje ndërkombëtare. Ai gjithashtu thotë se secilit individ duhet t’i jepet e drejta të ankohet për kufizimin e lëvizjes, dhe në rastin e fëmijëve, gjithashtu thotë se ndalimi duhet të jetë vetëm masa e fundit.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Kosovë pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të K2.0 në lidhje me këtë çështje vetëm pasi të evakuuarit specifikë “të involvuar me ShBA-në” mbërritën më 13 shtator.
Ambasadori amerikan Philip Kosnett vizitoi të evakuuarit afganë në kampin Liya. Gazetarëve nuk u është dhënë qasje në këtë vend. Foto: Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Zëdhënësi i ambasadës tha se “për të siguruar shëndetin dhe sigurinë si të mysafirëve afganë ashtu edhe të mikpritësve kosovarë, Qeveria e Kosovës është deklaruar se afganët që strehohen përkohësisht në kampin Liya duhet të qëndrojnë brenda kufijve të objektit derisa ekipet ndër-agjenciale amerikane punojnë për ta përfunduar procesin për pranimin e tyre eventual në Shtetet e Bashkuara ose zhvendosjen në një vend të tretë”.
Zëdhënësi gjithashtu tha se zbatuesit e ligjit amerikan mbërritën në Kosovë për t’i kontrolluar dhe vetuar të gjithë “udhëtarët” afganë të involvuar me ShBA-në para se të lejoheshin në Shtetet e Bashkuara.
Sipas zëdhënësit të ambasadës, i cili iu referua afganëve si udhëtarë, të gjithë afganët e strehuar aktualisht në kampin Liya kanë kaluar tashmë nëpër vende të tjera të treta që prej largimit nga Afganistani, ku morën kontrollet fillestare biometrike dhe mjekësore.
Kush është përgjegjës?
Ekspertët e të drejtave të njeriut kanë vështirësi në marrjen e informatave rreth gjendjes së të evakuuarve afganë në Kosovë.
Jelena Sesar, hulumtuesja e Amnesty International për Ballkanin dhe BE-në, tha se mungesa e informacionit në lidhje me statusin e objekteve ose menaxhimin e kampeve e bën të vështirë monitorimin e çdo shkeljeje të mundshme të të drejtave të njeriut.
“Në rrethana normale, statusi i mbrojtjes së përkohshme do t’u garantonte njerëzve liri të plotë të lëvizjes në territorin e Kosovës, ushqim, veshje, qasje në shëndetësi dhe arsim dhe një sërë shërbimesh të tjera mbështetëse”, tha Sesar. “Kjo nuk duket se qëndron. Shtetasit afganë në Bechtel-Enka dhe Bondsteel nuk lejohen të dalin jashtë dhe mediat dhe organizatat humanitare nuk duket se kanë qasje brenda kampeve”.
Është e paqartë cili është roli, nëse ka ndonjë, i qeverisë së Kosovës në aktivitetet që ndodhin brenda kufijve të saj.
Ndërsa qeveria e Kosovës krijoi kornizën ligjore për mbrojtje të përkohshme, roli i madh i NATO-s dhe ShBA-së në menaxhimin e kampeve dhe procesimin e afganëve e ka bërë të paqartë rolin e qeverisë së Kosovës, nëse ka ndonjë rol, në aktivitetet që ndodhin brenda kufijve të saj.
“Nëse këto familje afgane do të qëndrojnë në Kosovë derisa t’u procesohen Vizat Speciale të Imigrantëve, gjë që mund të marrë shumë kohë për disa aplikantë, është thelbësore që autoritetet e Kosovës të marrin përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e kampeve dhe të sigurojnë që nevojat për mbrojtje të njerëzve atje janë përmbushur, siç kërkohet nga ligji”, tha Sesar.
“Kjo nënkupton liri të plotë të lëvizjes dhe qasje në shëndetësi, arsim dhe mbështetje të tjera, si dhe qasje në procedurat për azil në Kosovë”, tha ajo. “Nëse qasja aktuale nuk ndryshon, këta njerëz do t’i nënshtrohen një mbajtjeje të pacaktuar dhe ndalimi de fakto, çka do të ishte në kundërshtim me ligjin e Kosovës dhe atë ndërkombëtar”.
Pyetjet pa përgjigje
Në fillim të shtatorit Associated Press, duke cituar një burim anonim të qeverisë amerikane, raportoi se Kosova ka rënë dakord të pranojë afganë që nuk arrijnë t’i kalojnë raundet fillestare të shyqrtimit dhe t’i mbajnë ata deri në një vit, duke ngritur pyetje lidhur me arsyet e mundshme prapa kufizimeve të lirisë së lëvizjes së të evakuuarve.
Mbrojtja e përkohshme e ofruar nga Kosova kufizohet në një vit, me mundësi vazhdimi, sipas Ligjit për Azil.
Raportimi i AP-së tregon kushtet e vendosura në vendet e tjera të tranzitit si në Gjermani ose Itali, ku autoriteteve u jipet një afat dyjavor për ta përfunduar shqyrtimin dhe procesimin e evakuuarve.
Sipas burimit qeveritar me të cilin AP bisedoi, transferimi i afganëve në Kosovë të cilët nuk e kalojnë shqyrtimin fillestar është një përgjigje ndaj boshllëqeve të mundshme në siguri që mund të kenë ndodhur gjatë evakuimit kaotik nga Afganistani.
Ka një përdorim në rritje të vendeve të tranzitit gjatë procesit të azilit. Vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka propozuan legjislacion për t’i dërguar azilkërkuesit në vendet e treta derisa aplikimet e tyre janë duke u përpunuar, gjë që avokatët e të drejtave të njeriut dhe organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara e kritikuan.
Evakuimet nga aeroporti i Kabulit ishin kaotike dhe vdekjeprurëse, duke e lënë botën me imazhe të tmerrshme, të tilla si pamjet e trupave që bien nga qielli pasi njerëzit u përpoqën të kapen në pjesën e jashtme të një aeroplani ushtarak amerikan. Në kaosin e ditëve të fundit të evakuimit, dy kamikazë dhe persona të armatosur në aeroport sollën vdekjen e 60 afganëve dhe 13 trupave amerikane.
Lufta e Amerikës në Afganistan zgjati 20 vjet. Foto: Amber Clay nëpërmjet CC.
Njerëzit që hipën në aeroplanë në mes të këtij kaosi konsiderohen me fat. Por shumica e atyre që u evakuuan tashmë ishin në procesin e migrimit për në ShBA.
Të evakuuarit afganë që presin të hyjnë në ShBA dhe vendet e tjera të involvuara janë kryesisht njerëz që kishin filluar tashmë procesin e Vizës Speciale të Imigrimit, si dhe aplikantë në një program special amerikan të refugjatëve. Ata janë ish-kontraktues që kanë punuar me qeveritë ndërkombëtare si dhe me profesione të cenueshme si gazetarët, si dhe familjet e tyre.
As NATO-ja dhe as qeveria e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të K2.0 të parashtruara lidhur me raportin e AP-së.
Ambasada Amerikane në Kosovë publikoi një deklaratë duke thënë se raporte të tilla mund t’u lënë njerëzve “përshtypjen e gabuar” se ShBA-ja po dërgon në Kosovë individë të cilët i konsideron të papranueshëm. Deklarata këmbëngul se, “kjo nuk qëndron”, dhe thotë se zyrtarët amerikanë në Kosovë po ndihmojnë në procesimin e aplikantëve të cilat mund të kërkojnë dokumente shtesë për ta sqaruar “identitetin e një aplikanti, historinë e punësimit ose lidhjet tjera me Shtetet e Bashkuara”.
“Udhëtarët afganë të strehuar përkohësisht në kampin Liya janë në proces të konfirmimit të dokumenteve dhe të përshtatshmërisë së tyre për pranimin përfundimtar në Shtetet e Bashkuara ose zhvendosjen në një vend të tretë”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane për K2.0. “Asnjëri nuk është konsideruar i papranueshëm për Shtetet e Bashkuara sepse rastet e tyre janë ende në proces”.
Rreth çështjes se sa kohë mund të zgjasë procesi, zëdhënësi tha se “sipas marrëveshjes me qeverinë e Kosovës, udhëtarët afganë të involvuar me ShBA-në mund të strehohen në kampin Liya deri në një vit, gjersa rastet e tyre janë duke u procesuar për pranimin përfundimtar në Shtetet e Bashkuara apo zhvendosje në një vend të tretë. Sidoqoftë, individëve mund t’u miratohet udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara më shpejt, sapo të përfundojë procesimi i tyre”.
Çfarë do të ndodhë me refugjatët që ‘kontrollohen’ nga SHBA? A ekziston rreziku që ata të mund të mbeten pa shtetësi ose të dërgohen përsëri në Afganistan?
Më 10 shtator, ministri i Punëve të Brendshme u takua me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që mund të ofronin ndihmë, por Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrimin nuk kanë marrë ende kërkesë zyrtare për të ndihmuar.
IOM-i dhe UNHCR-ja në Kosovë mund t’i thoshin K2.0 vetëm se po e monitorojnë situatën nga afër. Burimet nga këto organizata thanë se kanë pak informacion në lidhje me të evakuuarit afganë dhe mbesin në gatishmëri duke pritur një kërkesë për ndihmë nga qeveria.
Sipas Sesarit të Amnesty International, “mungesa e qasjes në kampe për kontroll të pavarur dhe publik ngre shqetësime në lidhje me kushtet në këto objekte, si dhe përkushtimin për t’i ndihmuar vërtet afganët që iu desh të ikinin nga vendi i tyre”.
Situata nuk është më e qartë as për Jeff Crisp, ekspert ndërkombëtar i migrimit nga Qendra për Studime të Refugjatëve në Universitetin e Oksfordit. “Evakuimi i shpejtë nga Kabuli me siguri ka lënë shumë pyetje pa përgjigje”, tha Crisp përmes emailit për K2.0, duke ofruar një numër pyetjesh që mund të përdoren për t’i mbajtur institucionet përgjegjëse.
“Si u morën vendimet në lidhje me vendet e përkohshme në të cilat janë dërguar? Çfarë do të ndodhë me refugjatët të cilët ‘shqyrtohen’ nga ShBA-ja, a ekziston rreziku që ata të mbesin pa shtetësi, ose të dërgohen përsëri në Afganistan?”
Miliona të zhvendosur
Lufta e gjatë në Afganistan ka zhvendosur një numër të madh njerëzish. Vlerësimi i UNHCR është se vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021 më shumë se gjysmë milioni njerëz u zhvendosën rishtas në Afganistan, ndërsa 3 milion u zhvendosën në vitin 2020.
Afganët shpesh e kanë bërë udhëtimin e gjatë të refugjatëve për në Evropë, përgjatë Ballkanit. Pavarësisht se nuk ishte një vend kyç në rrugën e refugjatëve në Ballkan, Kosova regjistroi 31 azilkërkues afganë në gjysmën e parë të vitit 2021, ndërsa shumë të tjerë kalojnë pa u vënë re dhe pa u numëruar, duke vazhduar udhëtimin e tyre për të kërkuar azil tutje në vendet e tjera evropiane.
Pas largimit të ShBA-së nga Afganistani dhe marrjes nën kontroll të talebanëve, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatovic publikoi një këshillë, duke u kërkuar anëtarëve dhe vendeve të treta bashkëpunuese të ndalonin çdo kthim të detyruar të afganëve të cilëve u ishin refuzuar kërkesat për azil dhe ende nuk ishin deportuar, dhe u kërkoi shteteve të ofrojnë azil për afganët që detyrohen të ikin si dhe të bashkëpunojnë në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Imazhi i ballinës: K2.0.