Udhës për në Qendrën për Azil në Magure të Lipjanit, nuk ishte e rrallë që në biseda të shkurtra me disa prej banorëve përreth, të dëgjoje shprehje të solidaritetit, si “kam jetuar vetë në një shtet tjetër për kohë të gjatë, prandaj bashkëndiej me migrantët’, ose ‘’ata kanë ardhur këtu sepse janë në halle, e kanë vendin e vetë në luftë”.
Me valë të mëdha të emigracionit, që nga vitet e ‘70-ta, shumë kosovarë e njohin mirë përvojën e të qenit migrant, qoftë në rrafsh krejt personal duke qenë vetë të tillë apo përmes të afërmeve dhe rrethit të tyre që në kërkim të jetës më të sigurt, më të dinjitetshme kanë ikur nga Kosova në drejtim të vendeve që mbase nga larg janë dukur se mund ta ofrojnë këtë jetë.
Këto tregime, ngjashëm me ato që i ndanë banorët e Magures, përziejnë në vete mall, dhimbje e shpeshherë ndjenjën e të qenit të huaj, të përjashtuar. Përtej thjesht përjetimeve personale, këto biseda që shpeshherë kalohen si llafe të vogla, janë tregues i mënyrës se si trajtohen e priten migrantët nëpër vendet që për ta, dikur ishin shpresë e vetme për një jetë më të mirë, për një shtëpi të re pa luftë. Gjithkund tjetër, por sidomos në kontekstin tonë këto tregime duhet të lexohen e kuptohen si thirrje e rikujtim për përpjekje të njëmendëta që të mos riprodhojmë dhimbjen dhe përjashtimin me të cilin janë përballur e përballen njerëz që i njohim, duam, por ta ndërprejmë atë e t’i çelim udhë një narrative të re për migrantët, pikërisht duke e udhëhequr vetë këtë ndryshim.
Ndërkohë që përvojat e kosovarëve si migrantë nuk shkoqiten nga jeta jonë e përditshme, tash kosovarët po testohen për nikoqirinë e tyre ndaj atyre që vijnë në Kosovë, në kërkim të një jete më të mirë e për t’u çliruar nga luftërat, përndjekja politike, konfliktet e varfëria nëpër vendet e tyre te origjinës. Teksa nuk mund të zhbëhen përjetimet e dikurshme të kosovarëve si migrantë e refugjatë, përpjekja e përbashkët mund të jetë dritare e re drejt pranimit, që të paktën njerëzit që kërkojnë strehë në Kosovë, të mos jetojnë me përvoja e kujtime të ngjashme.
Viteve të fundit, në Kosovë është rritur numri i azilkërkuesve. Aplikuesit për azil kanë të drejtë të trajtohen dinjitetshëm dhe përkitazi me ligjet dhe parimet e të drejtave të njeriut. Më specifikisht, në Kosovë, të drejtat e azilkërkuesve garantohen përmes ligjit për azil, i cili qëndron në harmonizim me direktiva të njëpasnjëshme që në thelb mëtojnë të mbrojnë migrantët dhe aplikuesit për azil nga shkelja e të drejtave të njeriut. Sidoqoftë, duket që institucionet që bartin përgjegjësinë kryesore për t’u siguruar që aplikuesit për azil gëzojnë të drejtat e tyre, përfshirë këtu, Policia e Kosovës, Qendrat për Azil dhe institucione të tjera, ky fluks i ka gjetur midis sfidave paraprake e të rejave.
Qendra në Magure është aktive prej vitit 2009, ndërsa në kuadër të saj, nga viti 2018 funksionojnë edhe dy objekte të tjera, njëri në Shipol të Mitrovicës dhe e tjetri Vranidoll të Prishtinës.
Sipas Fitim Zariqit, Drejtor i kësaj Qendre, momentalisht aty strehohen rreth 100 azilkërkues. Vendet nga të cilat vijnë aplikuesit janë kryesisht Afganistani, Siria, Maroku, Palestina, Libia dhe vende tjera në luftë, konflikt, apo varfëri. Prej intervistave me azilkërkuesit në Kosovë, Zariqi thotë që ‘’Kosova përdoret kryesisht vetëm si vend tranzit për të kaluar në vendet si Gjermania”.
Teksa banorët me të cilët më ra të flas, i shohin aplikuesit për azil si bashkëfshatarë me të cilët bashkëjetojnë si me këdo tjetër në fshat, vendstrehimi i këtyre të fundit pa dyshim që nuk ngjan fare me atë të banorëve të tjerë të fshatit Magure. Qendra për Azil të bie në sy menjëherë për muret të saj të larta, kamerat e sigurisë dhe hekurin, nga i cili përthekohet ndërtesa në të gjitha anët.
Ata që cilësohen si bashkëfshatarë nga disa banorë të Magures, jo rrallë po shihen si të huaj e të padëshirueshëm nga të tjerët në Kosovë, përfshirë këtu edhe mediat që në vend se të bartin ndjenjën e solidaritetit, po e bëjnë të kundërtën.
Në nëntor të vitit 2020 është publikuar një video ku shihen një grup migrantësh tek nxirren jashtë nga një kafiteri në Prishtinë. Lajmi, i cili përveç dhënies së origjinës së migrantëve nuk dha ndonjë shpjegim tjetër, nxiti një mori komentesh që shpërfaqnin paragjykime e urrejtje karshi tyre. Pati edhe përmbajtje mediale ku teksa ofrohen statistika të azilkërkuesve në Kosovë, shpejt këto statistika përcillen me lajme për incidente gjoja të shkaktuara nga ta nëpër qytet, që në thelb inkurajojnë mospranim tek shoqëria.
Kështu, Kosova rrezikon të bëhet pjesë e narrativave anti-migrantë, të cilat mund të duken paradoksale qoftë nëse kujtojmë përvojat e kosovarëve në të kaluarën e po ashtu nëse shohim gatishmërinë e tyre për t’u larguar nga Kosova, drejt shteteve Perëndimore. Në këtë drejtim, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në vitin 2020 në anketa e realizuar tregoi që teksa vitet kalojnë, rritet edhe numri i kosovarëve që janë të gatshëm të lëshojnë Kosovën. Saktësisht, sipas krahasimeve të GLPS, në vitin 2020 gatishmëria për të migurar është rritur për 30%, me ç’rast, mbi 48% e të anketuarve kanë shprehur dëshirë për t’u larguar nga Kosova.
Me gjysmën e popullsisë që do ta lëshojë Kosovën, është koha të reflektojmë se si trajtohen ata që Kosovën e shfrytëzojnë si udhë drejt kërkimit të jetës më të mirë. I quajtur shpeshherë si vend i “mikpritjes” është koha ta ushqejmë këtë perceptim me vepra. E kjo nuk ka ndodhur gjithnjë. Shoqëria në Kosovë në raste të ndryshme është lëshuar në gjuhë të urrejtjes e tendenca përjashtuese ndaj migrantëve. Lajme të njëpasnjëshme duket sikur mezi presin që të emërojnë migrantët si fajtorë për incidente të ndryshme që ndodhin në vend.
Tani, përtej premtimeve të institucioneve, puna mbase duhet të përqendrohet në vetëdijen qytetare për të drejtat e migrantëve, si dhe në rolin që mediat bartin në reduktimin e gjuhës së urrejtjes ndaj tyre, përmes raportimit të drejtë e me perspektivë të të drejtave të njeriut. Kjo, jo vetëm se gjysma e popullsisë në Kosovë dëshirojnë ta lënë vendin apo sepse e kemi përjetuar dhe e përjetojmë të qenët migrantë vet, por sepse migrantët meritojnë mbrojtje dhe u takon të gëzojnë të drejtat e tyre kudo qofshin ata.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.