Ëndrra e Xhemajl Jasharit ishte të bëhej mjek për t’i shërbyer pacientët pa dallim. Rritur në një lagje pranë stacionit të autobusëve në Ferizaj, njomaku qysh në fëmijëri e kishte ushqyer vullnetin për t’i shërbyer komunitetit e vendosmërinë për ta përqafuar prejardhjen e vet gjithnjë.
Përkatësinë etnike e racore nuk e mohoi asnjëherë, as në vitet e para të pasluftës, kur ishte fillorist e organet e rendit dhe të sigurisë raportonin për raste të dhunës verbale e fizike ndaj pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, sidomos komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nga komuniteti shqiptar. Nuk u zmbraps as kur në shkollë a rrugë flitej me përbuzje për komunitetin që ai i takonte.
“Asnjëherë nuk e kam mohu identitetin tem”, thotë Jashari, tash 31-vjeçar, baba i një djali. “Edhe kur na kanë pyetur në klasë për identitetin për regjistrime të ndryshme për nevoja të shkollës, gjithnjë jam ngritur në këmbë dhe kam thënë se unë jam rom. Por na e dimë që ka fëmijë që fyhen për shkak të etnisë e ngjyrës nëpër shkollat e tyre. Dhe kjo është e dhimbshme, sepse janë të vegjël dhe ndikon në shumë aspekte të formimit të tyre të pastajmë”.
Pas luftës familja e tij e shiti shtëpinë e vjetër për t’u zhvendosur në të renë në lagjen multietnike “Sallahane” në periferi të Ferizajt.
“Unë e kam dashtë shkollën”, thotë burri me syze, ulur në tarracën e kafiterisë “Deutschland”. Për Jasharin, liria ishte mundësi për t’i dhënë krah ëndrrës së tij të madhe. Vështirësitë ekonomike ishin të shumta, derisa familja shtatë-anëtarëshe mbijetonte vetëm me pagën e ulët të babait, i cili ishte nëpunës civil në administratën komunale. Në shkollë të mesme, Jashari përvoli mëngët e mantelit të bardhë teksa kreu praktikën e obligueshme në institucione publike të shëndetësisë. Kështu nisi ta prekte ëndrrën për t’u shërbyer qytetarëve.
“Ama unë dojsha me u ba mjek”, përsërit Jashari, i cili në vitin 2013 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Mirëpo, sherri i mungesës së kushteve financiare hoqi dorë prej shkollimit universitar. Por jo edhe prej mantelit të bardhë. Teksa rrëfen për sprovat materiale, herë pas here përpihet ose ngreh një tym të cigares. Menjëherë, mbështet duçin e cigares në harkun e shpuzores dhe mbledh forcën duke kthyer buzëqeshjen e lehtë.
“Kështu e ka jeta”, mundohet ta kapërcejë këtë pjesë Jashari, që edhe prej sprovave më të mëdha mundohet të nxjerrë anën e mirë. Fytyrëqeshur flet në pjesën më të madhe të bashkëbisedimit. Kjo energji nuk e ka lënë të dorëzohet edhe gjatë 11 viteve të përpjekjeve të pareshtura për t’u bërë pjesë e sistemit publik të shëndetësisë.
Që prej vitit 2012, kur përfundoi shkollën e mesme të mjekësisë, Jashari ka punuar në klinika private e në institucione publike lokale të shëndetësisë me kontrata të përkohshme, këto të fundit kryesisht të ndërmjetësuara nga organizatat joqeveritare. Në shëndetësinë publike punoi disa herë edhe vullnetarisht, me shpresë se kjo përvojë, ndër tjera, do t’ia lehtësonte pranimin meritor pas shpalljes së konkurseve për vende të lira pune.
Por, konkurset hapeshin e mbylleshin e Jashari nuk figuronte asnjëherë në listën e të pranuarve. Nuk u pranua as në spitalin rajonal të Ferizajit e as në qendrat lokale të mjekësisë familjare në Ferizaj. Tek pas 11 vitesh të gjata, atij iu hapën dyert.
Prej janarit 2023 punon si infermier në urgjencën e Spitalit të Gjilanit.
Xhemajl Jashari, për 11 vjet provoi të bëhej pjesë e sistemit publik të shëndetësisë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Ndryshe nga Jashari, të cilit, megjithëse pas një dekade, iu jetësua një hise e ëndrrës së tij, Egzoni, në mes të të njëzetave, nuk iu bë kurrë ëndrra për të qenë arkitekt.
“Baba e nana m’kallxojnë se edhe kur nuk kam pas lodra, merrsha tulla e gurë n’oborr e marojsha diçka”, thotë Egzoni, i ulur në njërën prej kafeneve në qendër të Ferizajit me shikimin kah ndërtesat e larta të banimit kolektiv, në qytetin që viteve të fundit po përjeton hov ndërtimesh. “A po i sheh qysh po i marojnë ndërtesat pa naj plan që bie në sy. Si qibrita përpjetë me do tarraca t’vogla për dy vetë”.
Në vitin 2009 Egzoni ia ktheu shpinën shkollës në klasën e dhjetë e edhe ëndrrës së tij për t’u bërë arkitekt. Nuk ia kishte dalë të regjistrohej në gjimnaz pasi nuk i kishte plotësuar kriteret e vlerësimit.
“Notat e lodhta se ku munesh me mësu kur sharrën e druve edhe n’andërr e pasha. Në teknikë nuk m’u shkojke”, thotë ai. “E lashë kejt e nisa m’i ndihmu babës edhe ma shumë. Secili fëmijë kapak. Dikush me kolicë n’pazar, dikush me lemenka, sa me rrnu diqysh”.
Egzoni herë pas here punonte edhe si hamall. Ndonjë të shtunë, kur është dita e pazarit në Ferizaj, me karrocë ua bartte pazarixhnjve produktet për dy a tri euro deri te makinat e parkuara apo deri në shtëpitë e tyre nëpër lagje të ndryshme të qytetit.
Egzoni, i cili refuzon të flasë me identitet të vërtetë pasi nuk e ka lejuar punëdhënësi, punon si kamarier qe tri vjet. Ditën në njërën prej kafeneve të qytetit, natën në njërën prej sallave të mëdha të dasmave dhe ahengjeve në periferi. “Në punën e rregullt e kam rrogën 350 euro pa bakshishe”, thotë ai. “Natën n’salla t’dasmave sillet 40-45 euro, pa bakshishe a se me ba me t’qëllu naj dasmaxhi merakli i rakisë e m’i nejtë gati mirë, e mrrij edhe 60 a 70 euroshin”.
Për Egzonin, puna si kamarier, me gjithë kushtet jo të mira, është më e sigurt se punët e tjera që i ka bërë më herët.
“A e di që si fëmijë i shkollës fillore kam shku m’i ndihmu babës me pre dru me motor-sharrë”, kujton ai. “Leje që fëmijë sa troha e puna e ranë, po shumë lehtë ka mujtë me t’shku dora a krahu. Tash, e di që nuk m’i bajnë hesap të drejtat e punës, por bile pagat janë deri diku t’mira dhe nuk m’pret nana në ethe a po i kthehet djali shnosh e mirë te shpija”.
Egzoni është i vetmi i punësuar me orar të plotë në familjen e tij tetë-anëtarëshe. Deri para pesë vitesh, familja e tij ishte pjesë e skemave sociale të financuara nga shteti, përmes së cilave ndihmohen familjet me asnjë anëtar të punësuar. Sot, babai dhe vëllai i vogël i Egzonit punojnë me motor-sharrë, teksa dy motrat e mëdha punojnë kohë pas kohe në mirëmbajtje të shtëpive.
Egzoni nuk ka kontratë pune, anipse punon qe tri vjet. E drejta e tij në kontratë sipas Ligjit të Punës vazhdon të shkelet, siç ndodh gjerësisht në sektorin e gastronomisë në Kosovë.
Migrimi ka shkaktuar mungesë të fuqisë punëtore në Kosovë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Sa fragjil është sektori në të cilin punon Egzoni e dëshmon edhe refuzimi i secilit prej të intervistuarve të identifikohen nga frika se mund ta humbin vendin e punës. Bile, një pronar kafiterie, që po ashtu s’dëshiroi të identifikohet, ndonëse punëson punëtorë/e nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përpiqet ta mbajë larg syrit të medies këtë informatë nga droja se mund të humbë klientelën për shkak të qëndrimeve të përgjithshme përjashtuese ndaj këtyre komuniteteve.
“Nuk të kisha preferu me trajtu fare këtë temë, sepse vetëm sa vështirësohet integrimi i këtyre punëkërkuesve”, thotë pronari i kësaj kafiterie. “E dini qysh jemi na shqiptarët: mund të jemi të kënaqur me shërbimin që na e bën kamarieri a kamarierja dhe nuk e bajnë të madhe racën e tyne, por kur bahet e madhe në media, mandej të ikin prej kafiqit pse e ki një punëtor rom a ashkali”.
Punë të keqpaguara
Kohëve të fundit është e pamundur të kalosh përskaj lokaleve në cilindo qytet të Kosovës, pa parë së paku një letër të bardhë ku shkruan “Kërkojmë punëtor/e”. Mungesa e fuqisë punëtore lidhet kryesisht me migrimin. Ndër arsyet e migrimit të të rinjve nga Kosova shpesh përmenden edhe kushtet e këqija të punës si: orari i tejzgjatur, mungesa e kontratës, paga e ulët dhe e parregullt. Kjo ka krijuar boshllëk në tregun e punës.
Ky boshllëk po i bën bizneset që gjithnjë e më shumë të punësojnë të rinj e të reja nga komunitetet rom, ashkali dhe egjitptian. Kjo po e ndërron strukturën e punësimit të këtyre komuniteteve.
Komunitetet rom, ashkali e egjiptian, tradicionalisht janë paragjykuar e margjinalizuar në shoqëri e në tregun e punës. Teksa Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) nuk ka të dhëna mbi punësimin e komuniteve rom, ashkali dhe egjiptian, sipas organizatës për të drejtat e këtyre komuniteteve “Roma Versitas Kosova”, papunësia shkon deri në 40%. Sipas ASK, shkalla e papunësisë në nivel vendi ishtej 16.6% për tre-mujorin e parë të vitit 2022. Por, të dhënat që mbledh ASK në nivel vendi nuk janë të agreguara sipas etnisë së popullsisë. Të dhëna të sakta vështirësohen meqë sektorin e gastronomisë dhe tregtisë në Kosovë e karakterizon informaliteti.
Kamarierët e pronarët e disa bizneseve të gastronomisë, të intervistuar për këtë artikull, nuk kanë dashur të flasin publikisht me arsyetime të ndryshme, por privatisht e kanë pranuar se ndryshimi i raportit të punëdhënësve me punëtorët nga komunitetet joshumicë është nxitur kryesisht shkaku i mungesës së fuqisë punëtore.
Edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, thotë se ka vërejtur rritjen e numrit të punëtorëve nga komunitetet joshumicë.
“Krejt kjo po vjen si mungesë e fuqisë punëtore. Dhe kjo përfshirje e tyre në tregun e punës vetëm do të rritet dhe është shumë normale”, thotë Azemi, i kënaqur që brenda një periudhe relativisht të shkurtër bizneset po e ndryshojnë qasjen ndaj punëkërkuesve pa dallim.
Danush Ademi, nënkryetar i Ferizajit nga radhët e komuniteteve, thotë se përfshirja më e madhe e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian është vërejtur në qendra tregtare e gastronomi, por sipas tij, kushtet e punës janë të pakënaqshme.
“Nuk mund të themi se punësimi i tyre s’është fakt”, thotë Ademi. “Por po e shoh që paga e tyre është shumë e vogël. Nuk e di për të tjerët, por me këta që po diskutoj për çdo ditë, një pagë prej 230 a 250 eurosh për një pastrues është me të vërtetë katastrofë. Edhe ushqimin e pagun vetë, edhe rrugën e pagun vetë”.
Sipas Ademit, që për 12 vjet ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, një numër i konsiderueshëm i të rinjve të komuniteteve joshumicë janë punësuar në biznese private me ndërmjetësimin e komunës. “Por ne nuk mund të ndikojmë për pagën. Kur e sheh se punëtori po ia kryen punën, rritja pagën se paga e mirë të jep kurajo”, thotë ai. “Na vetë jemi kryefamiljarë. Nëse e ke një pagë 250 euro, ki shku në punë veç pse s’ki çare, por nëse e ke 500 euro, atëherë ndryshe shkon, shkon me vullnet”.
Paga mesatare e të intervistuarve në sektorin e gastronomisë dhe tregtisë sillej rreth 250 deri në 350 euro, nën pagën mesatare në nivel vendi, e cila sipas të dhënave të ASK për vitin 2022, ishte 401 euro.
Për shkak të praktikave raciste në shoqërinë kosovare, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian shihen si forcë e lirë punëtore, e cila shpesh akomodohet në punë që keqpaguhen, janë angazhime afatshkurtëra, janë të pasigurta, diskriminuese dhe me informalitet të lartë.
Ndërkohë, përveç migrimit të fuqisë punëtore, sipas Jasharit, njëherësh anëtar i Komitetit Komunal për Komunitete, që synon promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve, vende të reja pune po hapen për komunitetet joshumicë sepse në mungesë të punësimit dhe për shkak të kushteve të vështira, ata/ato nuk kanë mundësi të zgjedhin e kërkojnë trajtim më të barabartë dhe u duhet të pajtohen me çfarëdo pune që u ofrohet. “Ka dikush prej tonëve nuk e zgjedh fort dhe me rëndësi me pasë një pagë me siguru ushqimin për familjen”, thotë Jashari.
Biznese të shumta anekënd Kosovës kërkojnë punëtorë/e. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Sipas tij, në Ferizaj gjithnjë ka pasur qytetarë nga komuniteti rom që kanë punuar në institucione dhe që kanë punuar punë krahu, megjithatë po vihet re një rritje në numrin e atyre që po marrin pjesë në sektore tjera të industrisë. “Kur rri me ta thonë: ‘Jo kam me shku me fshi një kafiq, jo kam me punu kamarier, jo në banak, jo ndihmës-kuzhinier’”, thotë Jashari.
Punësimi i ulët vjen edhe për shkak të nivelit të ulët të shkollimit, për shkak të gjendjes së rënduar financiare.
Etleva Zeneli, menaxhere e projekteve te Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) në Prishtinë, thotë se shkollimi si e drejtë bazike dhe si i detyrueshëm në Kosovë në ciklin fillor, mbetet i paqasshëm për një pjesë të konsiderueshme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Ndërkohë, Jashari, infermieri ferizajas në Spitalin e Gjilanit, thotë se prindërit romë shpesh i ndalin fëmijët nga shkolla që t’u bëhen krah pune.
“Ta zëmë, unë kam pasur babën e mixhallarët të shkolluar e artista. Baba na nxitke me mësu duke na thanë se kam me ju ble qebapa sa herë merrni pesëshe. Dhe ti normal që si fëmijë do me hangër qebapa”, qeshet Jashari. “Fëmija rom nuk i ka as 50 cent me ble një çips, derisa fëmija tjetër ble ushqim 2-3 euro. Fëmija nihet keq se nuk e kupton gjendjen ekonomike të familjes. Duhen fushata vetëdijësuese”.
Egzoni shpesh është ndier në siklet në shkollë fillore pasi nuk kishte asnjë cent në xhep, derisa shokët e shoqet e klasës hanin e pinin te dyqanet para shkollës në kohën e pushimit të gjatë.
“A e di qysh thonë ‘këqyr me sy e s’është për ty’, qashtu edhe unë veç këqyrsha”, thotë ai. “Veç gjithë ka pasë një shok a një shoqe që më ka dhanë diçka sa mos me u nda prej tyne”.
Ndërkohë, Zeneli konsideron se përveç kampanjave vetëdijësuese për arsimin, duhet të ofrohen sa më shumë kampanja vetëdijësuese mbi çështjet gjinore. Sipas saj tregu i punës në Kosovë mbetet i pasigurt, diskriminues dhe përjashtues për grupe të caktuara shoqërore siç janë gratë, komuniteti LGBT+ dhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Shifra e ulët prej 17% e punësimit te gratë në Kosovë, sipas Zenelit, vjen për shkak të pabarazive strukturore dhe normave sociale që depërtojnë në tregun e punës. Sipas një hulumtimi të bërë nga QKSGj, për gjendjen ekonomike të grave, kjo shifër ulet në 8% për gratë e komuniteteve rom ashkali dhe egjiptian.
Sipas Zenelit, gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane janë ndër kategoritë më të diskriminuara shoqërore, gjendja e së cilave kushtëzohet nga racizmi dhe seksizmi në Kosovë. “Këto gra përjetojnë diskriminim të dyfishtë, vetëm për faktin se i përkasin komunitetit pakicë dhe se janë gra. Ato janë në pozita dukshëm më të ndjeshme në krahasim me gratë e komunitetit shumicë dhe në krahasim me burrat e vetë komuniteteve pakicë”, thotë ajo.
Në një treg të punës përgjithësisht të pasigurt, qytetarët, e sidomos gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen me vështirësi të dyfishta për shkak të paragjykimit, stigmatizimit e diskriminimit — racizmit, që sipas tyre është aq i thellë, saqë edhe është institucionalizuar.
Edhe institucionet përjashtuese
Florimi, emër i ndryshuar me kërkesë të tij për shkak të frikës se mund ta largojnë nga puna, para gjashtë muajsh ka nisur punën në një kompani për prodhimin e orendive në Ferizaj. I riu rom në fillim të njëzetave nga Dubrava e Ferizajit nisi punën me ujdi për pagë prej 250 eurosh. Por disa herë i është vonuar paga, pa ndonjë shpjegim të qëndrueshëm.
“Leje që po i jep rrogë t’vogël, por edhe po ia vonon veç pse nuk është shqiptar”, thotë babai i tij sharraxhi, duke kërkuar gjithashtu të mos i publikohet identiteti nga frika se mund t’ia largojnë djalin nga puna. “I kam thanë me duru sa ta merr zanatin mirë se qysh janë kah mbesin pa punëtorë, ma vonë ka me lutë edhe nëse do ky me ia lanë.
Florimi tregon se si shpesh në ambient të punës i drejtohen edhe me termin poshtërues e nënçmues “magjup”. “Kanihere shefat nuk më trajtojnë qysh i trajtojnë kolegët shqiptarë veç pse s’jam si ata”, thotë Florimi.
Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vuajnë nga diskriminimi dhe racizmi sistematik në Kosovë, çka shpesh ua kushtëzon edhe përfshirjen e barabartë në shoqëri dhe mundësitë për punë.
Kushtrim Bekteshi, profesor i sociologjisë në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë, kur flet për sjelljet e përgjithshme ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjipitan, thotë se duhet pranuar se ka racizëm dhe se rastet e racizmit nuk janë thjesht raste të izoluara.
“Jemi dëshmitarë edhe për gjuhën pezhorative, të cilën e përdorim në raport me ta dhe kjo pastaj iu jep kuptim edhe veprimeve të shoqërisë në raport me komunitetin rom”, thotë Bekteshi, duke shpjeguar se kjo ka bërë që romët të mos ndihen e as të trajtohen si pjesëtarë të shoqërisë kosovare. “Pra, jo vetëm që nuk janë trajtuar si të barabartë, por ka pasur edhe përjashtim, e për fat të keq ende ka, apriori vetëm për faktin se i kanë takuar këtij komuniteti”.
Sociologu, Kushtrim Bekteshi, thotë se rastet e racizmit në Kosovë nuk janë të izoluara. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Kjo më pas ka ndikuar në përjashtimin e këtyre komuniteteve nga tregu i punës anipse mund të kenë qenë të kualifikuar. Ndonëse në vitet e hershme të pasluftës, pak prej këtyre komuniteteve mbaronin shkollimin universitar andaj edhe mund të kenë qenë të pakualifikuar për punë në institucione lokale e qendrore, ky numër ka kohë që është rritur. Por, përfaqësimi i tyre nuk është përmirësuar.
Sipas një raporti të organizatës Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE), në vitin 2019 në nivel vendi ishin gjithsej 277 romë, ashkali dhe egjiptianë të punësuar në komuna, 123 në shërbimin civil dhe publik, 95 në arsim, 35 në administratë dhe 24 në shëndetësi. Ky numër përbën vetëm 0.35% të gjithsej 79,000 nëpunësve në administratën publike, arsim dhe në shëndetësi.
Sipas shifrave zyrtare të ASK, ashkalinjtë përbëjnë 0.9 përqind të popullsisë së Kosovës, egjiptianët 0.7 përqind dhe romët 0.5 përqind — të tri komunitetet kanë përfaqësues në qeveri. Kosova garanton mbrojtje dhe të drejta për komuntietet joshumicë. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët gëzojnë masa afirmative dhe ulëse të rezervuara në kuvend për përfaqësim në institucione përfaqësuese qëndrore dhe lokale.
Por, gjersa komunitetet kanë përfaqësim adekuat në mekanizmat e mbrojtjes së komuniteteve dhe pjesëmarrjes në nivel qendror, asnjëri komunitet nuk është i përfaqësuar mirë në shërbimin civil komunal. Komuna e Ferizajit për shembull, madje nuk e ka përmbushur as pragun e kërkuar minimal për përfaqësimin e secilit komunitet në shërbimin civil në raport me përqindjen e tyre si banorë të asaj komune.
Deputeti Erxhan Galushi thotë se politikat qeveritare për krijimin e vendeve të punës nuk janë të duhura për komunitetin rom. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Erxhan Galushi, deputet në Kuvendin e Kosovës nga komuniteti rom, thotë se romët janë “familjarizuar” me atë që e përshkruan si betejë për t’u punësuar për shkak të ndikimeve politike e stigmatizimeve shoqërore.
“Mund të them që e kanë shumë të vështirë, edhe përkundër asaj që një numër i konsiderushëm i të rinjve nga radhët e komunitetit rom i plotësojnë kriteret e nevojshme për një punësim të caktuar”, thotë Galushi. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa iniciativa për të krijuar vende të reja të punës, si “Superpuna” për të rinjt që nuk kanë qenë më herët të punësuar dhe “Qeveria për familjet” ku synohej që të punësohej një nga anëtarët e familjes. Por Galushi thotë se këto politika për krijimin e vendeve të punës janë të mirë, por jo edhe për komunitetin rom.
“Këtë e kam thënë edhe në Kuvendin Kosovës; nevoja për punësim të komuniteteve joshumicë, konkretisht për komunitetin rom duhet të jetë prioritet për shkak të padrejtësive të shumta që i janë bërë këtij komunuteti në aspektin e punësimit që nga paslufta”, thotë Galushi.
Jashari, i cili rregullisht udhëton me makinë Ferizaj-Gjilan dhe anajslletas, është i bindur se mungesa e përkrahjes politike ia ka stërzgjatur procesin e punësimit të rregullt në institucione publike.
“Dalke dikush nga lista që kishte njerëz më të fortë në politikë”, thotë ai. Në një rast, një drejtor spitali e kishte bindur të mos dorëzonte ankesën ligjore për mospranimin e tij në një konkurs me pretendimin se “pas dy javësh do të ketë përsëri konkurs”, por që kurrë nuk do të shpallej. Në ato raste i kishte shkuar mendja se këto padrejtësi po i bëheshin edhe për shkak të etnisë e racës.
Jashari asnjëherë nuk e ka mohuar etninë në formularët e aplikimit në konkurset për infermier në shëndetësinë publike.
“Unë gjithnjë e kam shpreh veten se kush jam dhe nuk e kam fshehur identitetin, por me të thanë të drejtën kam pasur edhe momente dëshpërimi kur e disha që jam më i mirë, kur e disha që e meritoj atë vend dhe nuk mund të mrrija qëllimin, edhe problemi ishte se ashiqare u diskriminojsha, u bëjsha nervoz me familjen ‘pse nuk po mundem me depërtu, pse ka ndodhur qështu?’”, kujton ai përpjekjet 11-vjeçare për t’u bërë pjesë e sistemit publik të shëndetësisë.
Xhemajl Jashari është i bindur se mungesa e përkrahjes politike ia ka stërzgjatur procesin e punësimit të rregullt në institucione publike. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Aq larg ka shkuar zhgënjimi prej refuzimeve të njëpasnjëshme, sa nëpër mendje i ka shkuar ta mbajë për vete etninë e tij. “Nganjëherë thojsha të mos e deklaroj veten kush jam e nashta kam ma shumë sukses, knena thojsha qysh me u deklaru ndryshe kur nuk jam. Mirëpo normal ka pasur momente dëshpërimi, ato ishin momente pesë-minutëshe dhe prapë nuk jam dorëzuar”.
Sociologu Bekteshi, thotë se duhet të punohet në dy rrafshe për përshpejtimin e integrimit të komuniteteve të margjinalizuara në shoqëri. “Integrimi në rrafshin institucional është i nevojshëm, por i pamjaftueshëm”, thotë ai. Sipas tij, integrimi në rrafshin social, ku njerëzit punojnë dhe mësojnë bashkë, është një proces më i ngadalshëm dhe më i vështirë, por më i suksesshëm.
Sipas tij, krijimi i më shumë mundësive për punësim për romët do të rezultojë me reflektim të mëvonshëm pozitiv të shumicës shqiptare në raport me komunitetin. Së pari, punëkërkuesit nga komunitetet joshumicë do të bëhen pjesë e tregut të punës dhe shoqëria do të mësohet me punën e tyre si diçka të zakonshme, edhe pse, sipas Bekteshit, deri tani është “parë si e jashtëzakonshme”.
Sipas tij, kjo do të ketë edhe implikime tjera afatgjate, sepse kjo do t’iu hapë rrugë edhe për integrim në sfera sociale deri në integrimin e plotë, ku njerëzit do të trajtohen sipas asaj që ata përfaqësojnë, të zhveshur nga ngarkesat e prejardhjes së racës (në këtë rast), gjinisë, etnisë e të tjera. “Kjo e bën një popull shoqëri”, thotë ai.
Migrimi si kundërpërgjigje ndaj diskriminimit
Midis pabarazive strukturore, nëse nuk përmirësohen kushtet e punës dhe mirëqenia në përgjithësi, migrimi nëpër vendet evropiane mund të bëhet e në plot raste është bërë shpresa e vetme edhe midis komuniteteve rom, ashkali dhe egjipitan.
Në “Sallahane”, në një të shtunë meskorriku, ka gjallëri në rrugën kryesore, “Ejup Statovci”, ku janë kafenetë e marketet. Trafiku shpesh vështirësohet në rrugën e ngushtë për shkak të makinave, kryesisht me targa të shteteve perëndimore.
“Nuk ki shpi që nuk e ka një motër, një vëlla a dikë prej familjes që nuk është jashtë e që nuk e ndihmon familjen”, thotë Jashari, derisa flet për ndikimin e remitencave në mesin e komunitetit të tij si ndihmë e madhe ekonomike për familjet. Gjatë kohës sa kishte punuar për 250 euro pagë si infermier, edhe atij i kishte shkuar ndërmend t’ia kthente shpinën Kosovës. “Me 200 e 250 euro, as shpenzimet e rrugës dhe ushqimit nuk mbuloheshin, por nuk kam dashtë me i lanë prindërit vetë”.
Ndër vite, fenomeni i migrimit i ka prekur dukshëm këto komunitete. Megjithëse numri i saktë nuk dihet, vlerësohet se më shumë se 100,000 romë, ashkali dhe egjiptianë nga Kosova jetojnë në Evropën Perëndimore dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Eksodi i parë në shkallë të gjerë ndodhi gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Që nga përfundimi i luftës, migrimi i detyrueshëm vazhdoi me fluks më të vogël, i cili u rrit pas dhunës në mars të vitit 2004. Në këtë periudhë pati trazira në mes komunitetit shqiptar dhe serb pas mbytjes tragjike të tre fëmijëve në lumin Ibër në Mitrovicë. Mediet, raportuan pa bazë se fëmijët u mbytën për shkak se një grup serbësh i kishin ndjekur ata. Trazirat që përshkallëzuan në gjithë Kosovën rezultuan në 19 të vdekur, qindra të plagosur, shtëpi të djegura e rreth 4,000 të zhvendosur. Pos shtëpive të serbëve lokalë, u sulmuan edhe ato të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, çka çoi në një fluks të ri migrimi. Ndërkohë, migrimi kulmoi gjatë viteve 2014/2015 kur rreth 10,000 romë, ashkali dhe egjiptianë u larguan nga Kosova për pak muaj.
Në përgjithësi, vetëm gjatë periudhës 2012-2015 më shumë se 130,000 persona u larguan nga Kosova aplikuan për azil në Evropën Perëndimore kryesisht për shkaqe ekonomike.
Jusuf Azemi, kryesindikalisti i punëtorëve në sektorin privat parasheh rritjen e mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0
Jusuf Azemi, kryesindikalisti i punëtorëve të sektorit privat, thotë se punëkërkuesit e punëtorët pa dallim etnie e race trupin e kanë në Kosovë, por mendjen e kanë se si të dalin në shtetet perëndimore.
“Mungesa e fuqisë punëtore do të rritet sepse 50% e kanë mendjen si të dilet jashtë sepse nuk po trajtohet si duhet punëtori. Edhe 24 vjet pas lufte nuk kemi mujtë dhe nuk kemi dashtë që punëtorët të krijojnë një bazë elementare sociale”, thotë Azemi, teksa mendon se pas heqjes së regjimit të vizave shumë pronarë biznesesh rrezikojnë t’ua vënë drynin bizneseve të tyre.
“Gjendja është hala më e rëndë sesa mediat e reklamojnë. Kam bindje se 90% kanë mungesë të kuadrit të kualifikuar të punës dhe shumë kompanive u duhen punëtorë të kualifikuar dhe realisht humbësit më të mëdhenj do të jenë pronarët e kompanive sepse nuk do të ketë kush të bëjë qarkullimin e makinerive të mëdha”, thotë ai. “Krejt këtë sikur e kemi bërë me paramendim, sepse qëllimi ka qenë si t’i skallvërojnë këta punëtorë që donin mirëqenie të qëndrueshme për familjen e tyre në të gjitha aspektet: ekonomike, sociale, arsimore e në shumë fusha tjera”.
Sipas Azemit, është një numër i madh i atyre që po e presin janarin kur parashihet të hiqet regjimi i vizave për Kosovën. “Jo që nuk e dojnë Kosovën, por do të shkojnë për një jetë më të mirë, për një punësim më të mirë, sepse për tri a katër euro në ditë nuk punohet. Prandaj kompanitë duhet të jenë të vetëdijëshme sepse janari do të vjen”.
Te njëjtën e përsërit edhe Jashari.
“Edhe te komunitetet si te shumica e popullsisë së Kosovës, shumica e kanë mendjen qysh me dalë jashtë me punu e me ba një jetë më të mirë”.
Imazhi i Ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenueshme në tregun e punës”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC ose BIRN Kosovo.
Pse kjo klauzolë?