Vrasja e Xhorxh Fllojdit ishte vepër e tmerrshme, e shtyrë nga asgjë tjetër përveç ligësisë së pastër. Për mua, si dikush që është i devotshëm ndaj barazisë dhe drejtësisë shoqërore, është mjaft inkurajuese të shoh bashkëvendësit e mi të Kosovës duke e dënuar atë vepër dhe duke ngritur zërin për njerëzit e zinj. Ata nuk ngurrojnë ta përdorin fjalën “racizëm”.
Prapëseprapë, duke parë ku qëndrojmë ne — romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët — në shoqëri, nivelin e varfërisë me të cilin përballemi dhe përjashtimin që na bëhet, kam përshtypjen që shumë kosovarë janë fatkeqësisht hipokritë.
Këngëtari i njohur Rambo Amadeus së voni ka thënë: “Racizmi në Ballkan nuk mund të matet me atë se si pozicionohemi ndaj të zinjve, sepse ata nuk janë pjesë e shoqërisë sonë. Në të vërtetë matet me sjelljen tonë ndaj romëve. Sa prej tyre i njeh personalisht? Me sa prej tyre shoqërohesh?”
Njëmend, unë vetë takoj shumë kosovarë, ballkanas të tjerë dhe madje evropianë që paraqiten si mendjehapur dhe antiracistë; dhe vërtet janë, për të gjitha subjektet e kësaj bote përveç për romët. Sepse kur vjen puna te romët, ata “mbajnë një sy hapur”.
Për shumë njerëz, kjo lloj sjelljeje është thjesht e natyrshme. Është prodhim i qindra viteve të shtypjes, diskriminimit dhe përjashtimit. Për shumë njerëz, fatkeqësisht, një rom/rome thjesht nuk njehet si person i vërtetë, ngjashëm me të zinjtë gjatë periudhës së skllavërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur kishin vlerën e 3/5 të një personi.
Gjithë ato vite të mbjella me perceptime të tilla i kanë bërë këto sjellje pjesë të ADN-së sonë. Për të dyja anët. Romët, të cilët e shohin shtypjen si diçka tërësisht normale sepse ende besojmë se nëse kërkojmë diçka më shumë mund ta provokojmë “gaxhon” (termi në romishte për joromët) të na e marrë edhe atë grimën e vogël që e kemi. Për gaxhon, nëse e shtyp romin/romen, ti nuk bën ndonjë dëm.
Kjo është arsyeja përse shumë njerëz mendjehapur dhe antiracistë zakonisht kanë rezerva kur ballafaqohen me situatën ku ju duhet t’i lejojnë, ose ndoshta më mirë të thuhet, të mos i lejojnë romët të kalojnë përmes truallit të tyre; ata mezi presin të përdorin punëtorë romë për punët më të fëlliqta dhe t’i paguajnë me lëmoshë, ose shpesh me asgjë fare; apo të kalojnë pranë romëve që lypin në rrugë, t’ua shkelmojnë kutinë e të hollave dhe t’i shohin si jonjerëzorë, natyrisht me bindjen e plotë se këta romë kanë mbërritur në këtë stacion të jetës me fajin e tyre.
Prandaj gëzohem kur shoh shumë bashkëkosovarë që ngrenë zërin kundër racizmit në ShBA, duke thënë se jetët e zeza vlejnë, por prapë ndiej një parehati sepse e di se për shumë prej tyre, jetët e romëve nuk vlejnë, ose së paku jo plotësisht, ndoshta 3/5.
Dhe Kosova nuk është e vetme këtu. Sentimenti kundër romëve është i pranishëm në gjithë botën. Pra, 9 nga 10 italianë nuk pelqejnë romët; 7 nga 10 francezë; 6 nga 10 grekë. Organizatat, individët, zyrtarët publikë dhe politikanët ekstremistë vazhdojnë t’i diskriminojnë haptas romët në nivel alarmues.
Ndërsa mijëra njerëz po protestojnë në ShBA kundër diskriminimit dhe padrejtësisë racore ndaj njerëzve të zinj në Amerikë, muajin e fundit në Hungari, organizata neofashishte “Mi Hazánk Mozgalom” (Lëvizja Atdheu Ynë) dhe grupe të tjera të ekstremit të djathtë u grumbulluan në rrugët e Budapestit, si shfaqje raciste e fuqisë, për të protestuar kundër të ashtuquajturit “krim cigan”.
Histori e harruar
Brezat e rinj priren të harrojnë që romët gjithmonë kanë qënë pjesë e makinerisë së shoqërisë evropiane. Janë përdorur, ose mbase mund të them janë shfrytëzuar veçanërisht nga mbreti, nga kisha dhe nga pronarët e tokave për t’i ndërtuar shoqëritë dhe kombet evropiane. Romët gjithmonë janë parë si më të ulët se bujkrobërit dhe në disa raste janë skllavëruar ligjërisht.
Romët po ashtu janë mbajtur në kushte degraduese dhe janë përjashtuar në mënyrë që të sigurohet që joromët e gjorë të mos rebelohen shumë gjatë jetës së tyre. Kjo siguroi që, pavarësisht nga stacioni yt në jetë, gjithmonë është dikush më poshtë që mund ta bëjë punën e fëlliqtë dhe të shfrytëzohet më tej, me qëllim që të mbijetosh në një sistem të shfrytëzimit.
Madje edhe tash në shumë fshatra, romi më i mirë është ai që ende punon për vendësit, prej agimit në muzg, për çfarëdo që i japin. Vendësit e shohin si “romin më të mirë në katund”. Të tjerët që nuk duan të punojnë për ta janë “romë të këqij”. Ata shihen si të pabindur dhe/ose si tradhtarë.
Nuk konsiderohesh person i mirë nëse nuk punon si shërbëtor. Madje mund të shihesh si kriminel, meqë nuk je fare i dobishëm për qëllimin e paracaktuar dhe prandaj duhet të farohesh.
Kështu së paku ndihen disa në Hungari sot. Paralelisht me mesazhet e shumta që vijnë nga ShBA-ja se racizmi duhet të eliminohet, disa hungarezë dërguan mesazhin se “Zhdukja e Ciganëve = Zhdukja e Krimit” duke e shkruar mbi Përmendoren e viktimave rome të Holokaustit në Budapest.
A je pjesë e problemit apo e zgjidhjes?
Gaxhot në Kosovë duhet të kuptojnë që ne, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, e duam një shoqëri vërtet multietnike dhe multkulturore, ku trajtohemi si të barabartë nga shteti dhe nga shoqëria e gjerë.
Ne e duam një Kosovë që na mundëson qasje në mundësitë e njëjta si çdokujt tjetër, ku ne fuqizohemi të ushtrojmë të drejtat dhe përgjegjësitë tona.
Një Kosovë ku mund të kemi punësim të mirë, edhe publikisht, edhe privatisht, të punojmë me dinjitet që të fitojmë për familjet tona. Ku kemi qasje në infrastrukturë publike të cilësisë së mirë, ku shërbimet janë të disponueshme dhe të qasshme në nivelin lokal. Një Kosovë ku sistemi shëndetësor përmirëson jetëgjatësinë tonë. Një Kosovë ku gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane nuk shtypen dhe nuk u mungon përfaqësimi.
Ne romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët e Kosovës po mobilizohemi për t’i arritur këto qëllime dhe për t’i sjellë këto zgjidhje. Ti, gaxhoja, duhet të kuptosh se nëse nuk je pjesë e zgjidhjes, je pjesë e problemit.
Ky problem ka një emër: anticiganizëm. Përkufizohet si paragjykimi ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, apo shprehja e stereotipeve negative në hapësirën publike përmes gjuhës së urrejtjes. Është po ashtu spektër më i gjerë i shprehjeve dhe praktikave diskriminuese, përfshirë një numër shfaqjesh të fshehura apo të implikuara. Diçka që nuk ka të bëjë vetëm me gjërat që bëhen e thuhen, por edhe me gjërat që nuk bëhen e nuk thuhen.
Ngjyra e lëkurës sonë nuk na definon.
Vrasësit e Xhorxh Fllojdit duhet të vihen para përgjegjësisë. Kjo është e rëndësishme sepse do t’i tregojë botës se jeta e Xhorxhit ka pasur vlerë. Se të gjitha jetët e zeza vlejnë.
Imazhi i ballinës nga autori.