Rashë në dashuri me punën e autores nga Koreja e Jugut, Han Kang, pasi një shoqe e imja e mirë ma dhuroi një kopje të librit “Vegjetariania”. Pasi e lexova, doja më shumë nga proza e bukur dhe e sinqertë e Kang dhe stili çorientues, i cili shpërfaq të vërteta të thella të gjendjes njerëzore.
Libri i dytë që lexova nga Kang ishte “Veprat njerëzore”. Më copëtoi siç sa mund të të coptojë vetëm një libër i mirë dhe qava nëpër faqet e tij. Pasova me “Libri i Bardhë”, një libër me poezi, duke lexuar një ose dy poezi në ditë, teksa prisja të më bëhej kafja. Së fundmi, lexova “Mësime greke”. Arsyeja kryesore se pse më ka tërhequr Kang vazhdimisht, është ballafaqimi i drejtpërdrejtë i saj me ndjenjat që më dukeshin shumë të vështira për t’u shprehur. Leximi i punës së saj ishte katarsis.
Kur Kang fitoi çmimin Nobel 2024 për letërsi, në tetor të vitit 2024, duke u bërë gruaja e parë aziatike dhe e dyta koreano-jugore që fitoi çmimin Nobel, shoqëria më shkruanin për të më uruar sikur ta kisha fituar unë. Lajmi më gëzoi shumë. U preka po ashtu kur Kang refuzoi ta mbante ceremoninë e festimit, teksa kishte njerëz që po vdisnin në luftërat në Ukrainë dhe Palestinë, duke e dëshmuar edhe më shumë se sinqeriteti në faqe të librit, është sinqeritet që edhe ajo vetë e mishëron.
Kang, veprat e së cilës merren me historinë politike shpesh brutale të shekullit XX të Koresë së Jugut dhe pasojat e saj, është mjeshtre e rrëfimtarisë nga këndvështrime të ndryshme, një nga shumë aspektet që e bëjnë të shkruarit e saj kaq bindës. Në romanet e saj “Vegjetariana”, “Veprat njerëzore” dhe “Mësimet greke”, hasim në personazhe të ndërthurura, secili me qasje të ndryshme ndaj historisë, duke e ftuar lexuesin për ndjeshmëri.
Ndjeshmëria është ndoshta njëra nga ndjenjat dhe dhuratat më të mëdha që mund të t’i japë letërsia. Në kërkim të këtij leximi me ndjeshmëri, përpiqem t’i lidh dy vende — Korenë e Jugut dhe Ballkanin — dhe t’i lidh përvojat, madje edhe ato të dhimbshme, me shpresën se duke ndarë rrëfime, punojmë drejt shërimit nga to.
“Vegjetariania” dhe makthi që çoi në liri
“Vegjetariania” nuk është libër i lehtë për t’u lexuar. Këtë e kuptova shumë vonë, pasi e kisha marrë me vete tashmë për ta lexuar si libër të pushimeve verore. Megjithatë, nuk mund të shkëputesha. Personazhi kryesor, Yeong-hye, ndalon së ngrëni mish pas një makthi të përgjakshëm dhe të dhunshëm. Është interesant fakti se ne nuk e marrim pikëpamjen e Yeong-hye nga ajo, vetëm nga bashkëshorti i saj, kunati dhe në fund, motra e saj, In-hye.
Vendimi i Yeong-hye për të mos ngrënë mish nuk merret lehtë dhe ajo trajtohet dhunshëm nga e gjithë familja e saj, veçanërisht babai, i cili e godet atë. Duket se ai ka qenë gjithmonë i dhunshëm ndaj saj, përfshirë edhe kohën kur ajo ishte duke u rritur. Kjo e çon Yeong-hye në një situatë të vetëlëndimit dhe izolimit.
Mendoj se ky libër flet për patriarkinë më gjerësisht dhe për betejën e ekzistencës së gruas në një botë patriarkale, si dhe luftën për autonomi. Është e dhunshme dhe e vrazhdë, dhe vendimi i Yeong-hye për të mos ngrënë më mish lidhet me fëmijërinë e saj të dhunshme dhe përvojën e saj si grua. Në njëfarë mënyre, ndalja e së ushqyerit me mish është mënyra e saj për t’i këputur lidhjet me të atin dhe përfundimisht, me burrat në jetën e saj. Është përpjekje për t’u çliruar.
Këtë e bën patriarkia: e lodh shpirtin deri në humbje të vetvetes.
Liria, megjithatë, rezulton e pakapshme, pasi ajo gjithashtu përfundon duke sakrifikuar veten, në njëfarë mënyre, dhe duket se ka humbur agjencinë e saj — pas të gjithave, ne kurrë s’e dëgjojmë rrëfimin nga ana e saj. Këtë e bën patriarkia: e lodh shpirtin deri në humbje të vetvetes. Yeong-hye përpiqet të çlirohet deri në pikën kur ajo vetë thyhet. Askush nuk e mbështet dhe nuk solidarizohet me të, pos në fund, motra e saj në rolin e kujdestares. Kështu e përjetoj edhe unë patriarkinë. E than potencialin e asaj që unë, ose gratë, ose një qenie njerëzore, mund të jetë.
Reagimi i Yeong-hye, mosngrënia e mishit, përfaqëson një grua që shkon në ekstremitet, në përpjekje për ta çliruar veten. Ajo vrazhdësi dhe dhunë është pikërisht çka shumë prej nesh ndiejmë kur na bëhet boll, kur thjesht e ndiejmë të nevojshme të bërtasim. Shpesh e kam ndier këtë ndjenjë të mospërshtatjes, ose që më është dashur të heq dorë nga vetja vetëm për t’u përshtatur.
Gjatë rritjes, shpeshherë të panjohur dhe familjarë më thoshin se duhet të kisha lindur djalë, sepse flisja shumë. Kjo ishte një mënyrë e ngadaltë e e fshehtë për të vendosur kufij mbi feminitetin tim. Shumë gra në Ballkan dhe përtej kanë rrëfime gjatë rritjes, kur na kanë bërë të ndiheshim sikur duhej ta rrudhnim veten.
Në të njëzetat, midis shoqesh tregonim rrëfime ngacmimesh, rrëfime që binin si domino, njëra pas tjetrës, secila duke marrë zemër nga tregimi i tjetrës, duke u ndier më pak të vetmuara, por prapë të pasigurta dhe të zemëruara. Teksa përvoja e ngacmimit nuk i ndodh vetëm një gruaje nga Ballkani, është konteksti ai që formëson leximin tim për Kang.
Aktivistet feministe, përmes këmbënguljes së tyre, janë zërat më të qëndrueshëm të kritikës sistematike shoqërore që kemi.
Ky kontekst ndihet në palcë edhe nga gratë e rajonit, të cilat kanë protestuar kundër strukturës patriarkale dhe të dhunshme të shoqërive tona prej dekadash. Këto struktura ndikojnë në jetën tonë të përditshme në mënyrat më intime dhe aktivistet feministe, përmes këmbënguljes së tyre, janë zërat më të qëndrueshëm të kritikës sistematike shoqërore që kemi.
Kështu, “Vegjetariania” më vendosi në një pozitë në të cilin përballesha me vështirësitë e mia për vendin tim në shoqëri dhe vendimet dhe negociatat e mia ditore për t’u pajtuar me të. Ndoshta është ky tension, i kombinuar me librin, që formoi rrethanat për makthin tim, njëmend, jo figurativisht.
Pasi lexova librin, përjetova një ankth sikur të ishte fundi i botës. U zgjova e mbuluar nga djersët e ftohta, para se ta kuptoja se ndodhesha ende buzë plazhit diku në Shqipëri. Vrisja mendjen se çfarë kuptimi kishte ëndrra dhe si u ndieva, duke ardhur në përfundim se ndoshta e ëndërroja fundin e botës siç e pashë dhe përjetova atë, dhe se edhe unë kisha nevojë ta jetoja jetën sipas kushteve të mia, para se, siç është e pashmangshme, të përfundojë ose të thyhet.
“Veprat njerëzore” dhe njerëzia e tyre
“Veprat njerëzore” shënojnë një tjetër fund, fundin e njerëzimit dhe jetës njerëzore. Libri vendoset midis dhunës shtetërore gjatë kryengritjes së Gwangju në maj 1980. Studentët në Gwangju protestuan kundër vendosjes së diktaturës ushtarake nga gjenerali Chun Doo-hwan, i cili mori kontrollin e shtetit më 17 maj 1980, pas një grusht-shteti në të cilin arrestoi udhëheqësit e opozitës dhe mbylli të gjitha universitetet. Një milici qytetarësh rezistoi dhe mbajti kontrollin e Gwangju për gjashtë ditë, përpara se të shtypej dhunshëm nga tanket. Informacionet, përfshirë edhe numrin e njerëzve të vrarë gjatë kryengritjes, ende kontestohen. Vlerësohet se numri i njerëzve të vrarë varion nga 166 në 2,000, për shkak të shtypjes së qeverisë së atëhershme ndaj medieve dhe investigimeve lidhur me kryengritjen.
Libri nis me Dong-ho, nxënës i shkollës së mesme që kërkon shokun e tij, apo kufomën e shokut të tij. Ai përfundon si vullnetar, duke i ndihmuar familjet e viktimave të identifikojnë trupat e tyre. Në fakt, i gjithë libri përbëhet nga njerëz që kërkojnë diçka ose dikë: Dong-ho në kërkim të shokut, fantazma e shokut të tij në kërkim të tij, kërkimi i atyre që kanë mbijetuar për falje, harresë. Çka e bën librin të jashtëzakonshëm është se u jep zë të gjitha llojeve të dhimbjeve që lidhen me ngjarjet tragjike: zëri i të vdekurve, të atyre që mbeten për të mbajtur zi, të atyre që mbeten për t’i kujtuar me mall.
Libri gjithashtu tregon ndërlikueshmërinë e vajtimit dhe mbajtjes së zisë, në një mjedis ku vajtimi është i ndaluar dhe dhimbja mohohet. Njëra nga skenat e librit ka mbetur në mua: një dramaturg, drama e të cilit u censurua, zgjedh ta realizojë atë prapëseprapë. Për t’i shpëtuar kufizimeve të censurës, personazhet e shfaqjes janë plotësisht të heshtur. Nuk shkëmbehen fjalë, por ndjenjat, sidomos ato të humbjes së thellë, dalin.
Teksa lexoja për dhunën e tmerrshme të ushtruar ndaj njerëzve, veçanërisht studentëvve, nga qeveria e tyre, nuk mund të mos mendoja për lëvizjet studentore në Kosovë, që filluan në vitin 1981 dhe u shndërruan në rezistencë kundër shtypjes së shtuar jugosllave përgjatë viteve të të ’80-a.
Libri më bëri të ndihem sikur edhe unë po vajtoja për një humbje dhe e gjeja veten duke qarë ose duke marrë frymë thellë pas çdo kapitulli. Teksa lexoja për dhunën e tmerrshme të ushtruar ndaj njerëzve, veçanërisht studentëve, nga qeveria e tyre, nuk mund të mos mendoja për lëvizjet studentore në Kosovë, që filluan në vitin 1981 dhe u shndërruan në rezistencë kundër shtypjes së shtuar jugosllave përgjatë viteve të të ’80-a.
Protestat e studentëve në vitin 1981 nisën si protestë për kushtet e këqija të jetesës në konvikte, por shpejt u kthyen në protesta më politike. Protestuesit/et filluan të thërrisnin “Kosova Republikë” — që Kosovës t’i jepej statusi i republikës brenda sistemit shtetëror jugosllav — teksa policia jugosllave bëhej gjithnjë e më e dhunshme. Nëntë studentë u vranë në prill 1981 dhe shumë të tjerë u plagosën dhe u burgosën në ditët dhe vitet që pasuan. Prindërit e mi ishin studentë në Prishtinë në atë kohë dhe unë u rrita me historitë e kësaj dhune, si dhe me qëndrueshmërinë e studentëve.
Gjithmonë kam qenë kureshtare se si një qëndrueshmëri e tillë vazhdon. Kang, po ashtu, duket se shtjellon qëndrueshmërinë dhe guximin e atyre që qëndrojnë dhe luftojnë edhe kur vdekja duket e pashmangshme. Ndoshta magjepsja ime e fëmijërisë dhe admirimi i lëvizjeve studentore është arsyeja pse u bëra studiuese e aktivizmit dhe lëvizjeve. Megjithatë, puna shkencore, veçanërisht për një shkencëtare politike si unë, ka ende shumë punë për të bërë për t’u zhytur në frymën që mishëron lëvizjet dhe dhunën. Vepra e Kang ekspozon qëndrueshmërinë dhe brishtësinë që e mbështet gjithmonë atë, duke shpërfaqur njerëzinë që gjejmë te njëri-tjetri edhe përballë mizorive të mëdha.
Së fundi, ky libër ishte thellësisht i fuqishëm për mua sepse më vendosi edhe në Gazën sot. Nuk mund t’i shkëputja pamjet e librit nga ato që shoh në telefonin tim çdo ditë. Kryengritja e Gwangju u mbajt nën një hije sekreti dhe vetëm si rezultat i disa gazetarëve të guximshëm historia doli në sipërfaqe dhe u botua në shtypin ndërkombëtar.
Çnjerëzimi i viktimave që ndodhi atëherë, ndjek të njëjtën logjikë sot, që t'i bëjë viktimat më pak se njerëzore, për t'i bërë vuajtjet e tyre të ndihen të padukshme edhe pse ne të gjithë mund t’i shohim ato.
Në rajon, Gaza ka sjellë trauma dhe kujtime të gjenocidit, masakrave dhe spastrimit etnik në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Çnjerëzimi i viktimave që ndodhi atëherë, ndjek të njëjtën logjikë sot, që t’i bëjë viktimat më pak se njerëzore, për t’i bërë vuajtjet e tyre të ndihen të padukshme edhe pse ne të gjithë mund t’i shohim ato. Ndihet dhe duket e padukshme sepse po lejohet të ndodhë. Jemi dëshmitarë se si praktika të tilla vazhdojnë të shkaktojnë dhunë shumë kohë pas vetë ngjarjeve mizore, në formën e mohimit të vuajtjes, dhimbjes dhe padrejtësisë.
Ne, në rajon, dhe e gjithë bota, i pamë këto ngjarje në televizion, duke u bërë dëshmitarë të largët, me përgjegjësinë për ta ngritur zërin dhe për të kujtuar, një përgjegjësi që duket qartë se ende hasim në vështirësi ta mbajmë. Sot, jemi dëshmitarë përmes një mediumi tjetër, telefonave tanë, të vuajtjeve masive dhe mbi 43,000 vdekjeve në Gaza, shumë prej tyre fëmijë si Dong-ho e edhe më të rinj.
Kësaj radhe, nuk ndjekim rrëfimet e gazetarëve të huaj, të cilët nuk lejohen të hyjnë në Gaza, por të individëve që na raportojnë përmes telefonave të tyre, si dhe gazetarëve vendas, duke e bërë të gjithë shkëmbimin, shumë më personal. Jam kureshtare për të rrëfyerit që do të nevojitet për të reflektuar mbi plagët emocionale të një dëshmitari digjital të një gjenocidi. Në bazë të lotëve, mund të them që nuk jam mirë. Shumë prej nesh nuk janë mirë. Megjithatë, në çaste si kjo, jam e fascinuar nga aftësia e letërsisë, në më të mirën e vet, për ta mbushur boshllëkun që shumë pak tjetërçka mund ta mbush.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.