Në thelb | Punësimi

Të planifikosh një të ardhme në dobinë e grave të reja

Nga - 23.06.2021

Strategjia e lartë kombëtare do t’i nënshtrohet ripërpilimit pas dështimit pesëvjeçar.

Ishte mesi i majit, ditët e para të ngrohta që shënonin fillimin e verës, kur Vesa Galica bëri dërgesën e saj të parë ndërkombëtare. Pakoja e mbështjellë me letër dhe e zbukuruar me një fije lëmshi të pambuktë fluturoi mbi oqean drejt Floridës në ShBA. Ajo përmbante një set bikinesh të bardha dhe dy funde plazhi të thurura — një e bardhë dhe një e zezë.

Vesa kishte shpenzuar një muaj për këto tria, duke i gërshetuar syçkë pas syçke me grep në vendlindjen e saj të Vushtrrisë, ndërsa merrej edhe me orët e ngarkuara të universitetit online dhe detyrat shoqëruese. Me DHL Express s’u desh as një javë e plotë që pakoja të arrijë destinacionin.

“Vajza që e kishte bërë porosinë, më të madhen që kam pasur deri më tash, kishte parë dizajnet e mia të thurura në profilin tim të Instagramit dhe më pas më kishte shkruar aty”, kujton Vesa tek shkon në një kafene nga ndërtesa e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, ku sapo kishte kryer një nga provimet e fundit të semestrit.

Studentja 19 vjeçe e inxhinierisë kompjuterike ka nisur t’i shpërndajë aftësitë e saj për thurje para dy vjetësh, pasi fillimisht ka mësuar nga gjyshja dhe halla në mbledhje familjare. Thurja dhe qepja janë pjesë e historive të gjata e përplot nuanca të punës së grave dhe ndërlidhen ngushtë me çështjet gjinore, klasore dhe racore. Të mbyllura në hapësira shtëpiake shumicën e kohës, këto aktivitete — të cilat janë parë si rangë që duhet t’i kryejnë gratë — kanë shërbyer edhe si praktika për t’u shoqëruar, solidarizuar dhe rezistuar.

Vesa Galica ka filluar t’i shesë veshjet e saj të thurura punëtore online dhe po konsideron ta shndërrojë pasionin në një biznes të vogël kreativ. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Vesës i kujtohet që si fëmijë, ajo vështronte me kërshëri hallën kudo dhe kurdo që thurte — në kuzhinë, gjatë kohës së çajit, para gjumit — dhe nuk kuptonte se si mund të krijoheshin veshje të plota nga lëvizjet e shpejta e të shkathëta të duarve të saj. E rrëmbyer nga dëshira për të mësuar këto lëvizje ritmike “misterioze”, disa vjet më vonë, Vesa gjeti veten duke thurur gjëra të vogla sikur kuleta, kapela, shalle, kryesisht për miq dhe familjarë.

“Në fillim thurja herë pas here gjëra të vogla për shokët e shoqet dhe ishin ata që më bindën ta hap dyqanin tim online. Tash marr porosi gjatë gjithë kohës, kryesisht për bikine dhe këmisha të shkurtra”, thotë Vesa, duke shtuar që puna me thurje e mundëson të mbulojë një pjesë të madhe të shpenzimeve si studente. 

Meqë shkalla e papunësisë te të rinjtë në Kosovë është gati 50% — më e larta në rajon dhe tri herë me e lartë sesa në BE — për shumë studentë, mundësitë për të gjetur një vend pune çfarëdo gjatë ose pas studimeve janë të vogla. Për gratë e reja, perspektivat janë akoma më të zbehta kur kihet parasysh që shkalla e papunësisë për to është 61%.

Edhe pse profesioni i sa i zgjedhur, teknologjia e informimit dhe komunikimit, shihet si një ndër sektorët e paktë me perspektivë të madhe për rritjen e punësisë së të rinjve, Vesa tashmë po mendon ta rrisë dyqanin e saj online për thurje për ta shndërruar në një biznes të vogël në qoftë se ka telashe me gjetjen e një pune me pagë të mirë si inxhiniere kompjuterike.

“Po shikoj ta bëj një praktikë për coding gjatë verës dhe vitin tjetër pas diplomimit mendoj ta gjej një punë si programere”, thotë Vesa. “Por gjithashtu kam këtë ide në kokë për biznesin e thurjes si hapësirë ku gratë e tjera, qofshin më të reja ose më të vjetra, mund të punësohen, të thurin së bashku dhe të shprehin kreativitetin e tyre”.

Planet e Vesës vijnë me një jehonë mjaft subversive.

Më pak se një çerek i gjitha bizneseve të regjistruara në Kosovë janë në pronësi të grave, ndërsa sektori i teknologjisë informative është po ashtu mjaft larg nga të qenët një terren i barabartë sa i përket gjinisë, edhe pse ka pasur prani të guximshme të grave në vitet e fundit. Kur vihet në kontekstin më të gjerë shoqëror-ekonomik, ku vetëm një në 18 gra të grup-moshës 15-24 (dhe një në shtatë në përgjithësi) janë të punësuara dhe ku puna e papaguar e grave vlerësohet të jetë rreth 2.6 milardë euro, ambiciet e Vesës nisin të tingëllojnë thuajse revolucionare.

Edhe pse premtimet për vende pune të reja kanë qenë refreni i diskursit zgjedhor në dekadën e fundit dheekzistojnë disa strategji që tashmë adresojnë çështjet që lidhen me modelet strukturore të papunësisë, deri më sot ka pasur pak rezultate domethënëse.

Strategji të tepërta, rezultate të mangëta

Çështjet e pjesëmarrjes së grave si fuqi punëtore dhe shkallët e papunësisë kanë qenë pjesë kyçe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim (SKZh) 2016-2021 — një plan bashkërendues qendror që synon të vendosë “një qasje të re ndaj politikave zhvillimore” dhe të identifikojë “prioritetet më të larta të vendit”.

Kur procesi i përpilimit të SKZh-së ishte nisur nga Zyra për Planifikim Strategjik (ZPS) në vitin 2015, strategjia është parë si dokument vendimtar që do të shërbente për harmonizimin e politikave ekzistuese dhe planeve të vogla strategjike, gjë që do të nxiste koordinim kompakt ndërinstitucional dhe do të shmangte dublimin e projekteve strategjike.

E ndarë në katër fusha kryesore — kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeversja e mirë, industritë konkurruese dhe infrastruktura — strategjia ka mbuluar në mënyrë ambicioze një gamë të gjerë çështjesh, nga edukimi parashkollor deri te kapacitetet për energji të qendrueshme dhe menaxhimin e mbetjeve. Në prill të vitit 2017, ajo është ndjekur nga një udhërrëfyes i hollësishëm që liston të gjitha aktivitetet e planifikuara dhe treguesit e matshëm për secilin objektiv.

Tash, pesë vjet pas miratimit, duket se SKZh-ja ka dështuar t’i ikë avazit që dëgjohet rregullisht në diskursin e përditshëm publik: “Kemi ligje, strategji dhe rregullore shumë të mira, por sidoqoftë dështojmë kur vjen puna te implementimi i tyre”.

Meqë kornizës kohore të implementimit po i afrohet fundi, është e qartë që qeveria do të dështojë t’i arrijë caqet në shumicën prej 15 treguesve makroekonomikë. Midis atyre që identifikohen se kanë pasur një performancë veçanërisht të dobët janë pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore dhe nivelet e papunësisë te të rinjtë.

Kreu i Zyrës qeveritare për Planifikim Strategjik Vedat Sagonjeva pranon se Strategjia Kombëtare për Zhvillim nuk ka gjasë t’i arrijë caqet dhe thotë që ka mësime që duhet të merren për të ardhmen. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Vedat Sagonjeva, drejtori i ZPS-së, është një nga njerëzit e përfshirë në procesin e përpilimit dhe zbatimit të strategjisë që nga fillimi. I ulur në zyrën e tij në ndërtesën qeveritare në qendër të Prishtinës, me një poster të madh të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 pas shpine, ai përpiqet të veshë mantelin e vetëreflektimit kritik kur pyetet për rezultatet e strategjisë.

“Ne jemi akoma duke pritur vlerësimin përfundimtar; megjithatë, është e qartë se niveli i zbatimit nuk është i kënaqshëm,” thotë ai. “Gjatë hartimit të strategjisë, ne u përqëndruam në sigurimin që do të kishte buxhet të mjaftueshëm për zbatimin e saj, dhe se objektivat e saj do të ishin të integruara mirë brenda dokumenteve të tjera të planifikimit, por mekanizmat e monitorimit nuk u treguan të efektshëm”.

Disa nga arsyet kryesore për zbatimin jo të kënaqshëm të strategjisë janë të njëjtat çështje që vetë dokumenti duhej të adresonte: koordinimi i kufizuar i politikave midis institucioneve të ndryshme, mungesa e përgjegjësisë ose vlerësimi sistematik i progresit dhe mungesa e vullnetit politik.

Për më tepër, periudha pesëvjeçare e zbatimit ka qenë veçanërisht e paqëndrueshme për nga aspekti politik, me ndërrimin e pesë qeverive të ndryshme brenda këtyre viteve.

Sipas një raporti të botuar në prill 2021 nga Instituti GAP, “mjedisi i paqëndrueshëm politik” kufizoi ndjeshëm ndikimin e SPZh-së 2016-2021, duke e bërë zbatimin e politikave afatgjata pothuajse të paarritshëm për shkak të ndryshimeve të shpejta në agjendat qeveritare.

Studiuesi i lartë në GAP Blend Hyseni, i cili ndihmoi në përpilimin e raportit, shton se paqëndrueshmëria politike e bëri më të lehtë për qeveritë që të linin mënjanë strategjinë si të parëndësishme, ndërsa secila prej tyre rrihte daullet për programet e tyre. “Qeveritë e mëparshme mund të justifikojnë veten e tyre për mosarritjen e objektivave të SPZh-së duke thënë se ato nuk ishin veçanërisht në përputhje me planet dhe politikat e tyre”, thotë ai.

Por "devijimi më i madh" nga caqet e vendosura është ulja e parashikuar e papunësisë së të rinjve.

Strategjia ka dëshmuar se është posaçërisht e pamjaftueshme në adresimin e modeleve strukturore të papunësisë që i lënë gratë dhe të rinjtë në veçanti jashtë tregut të punës.

“Ne nuk kemi theksuar politikat e punësimit me masa specifike, pasi kemi konsideruar që secila shtyllë e strategjisë, të tilla si fuqia punëtore, sundimi i ligjit, sipërmarrja dhe ndërtimi i infrastrukturës ishin të ndërlidhura dhe do të kontribuonin në uljen e shkallës së papunësisë,” Sagonjeva thotë “Megjithatë, duket se kjo qasje nuk dha rezultate të dëshirueshme”.

Raporti i GAP-it shfaq se të gjashtë treguesit e strategjisë së lidhur me punën ishin në rrugën e duhur për të mos u arritur, madje edhe para ndikimeve të fundit negative ekonomike të pandemisë. Ata që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore dhe papunësinë e të rinjve janë larg nga përmbushja deri në fund të vitit.

Sipas GAP-it, nuk ka gjasa që shkalla e pjesëmarrjes së grave — e cila aktualisht është më pak se 22% — arrijë synimin prej 27% deri në fund të vitit 2021. Raporti vjen në përfundimin se kjo do të ishte “gati e pamundur” edhe pa ndikimin e fundit të pandeminë, bazuar në trendet e viteve paraardhëse.

Por “devijimi më i madh” nga caqet e vendosura është ulja e parashikuar e papunësisë së të rinjve. Qëllimi ishte të zvogëlohej kjo nga 52% në 30% gjatë periudhës pesëvjeçare, por prapëseprapë qëndron në 47%.

Veprimi në terren

Dështimi për të përmbushur objektivin e papunësisë së të rinjve nuk ka qenë për shkak të mosveprimit të plotë.

Vjosa Mullatahiri, këshilltare për promovimin e punësimit të të rinjve dhe masave aktive të tregut të punës në agjencinë gjermane të zhvillimit GIZ, thekson se mijëra të rinj kanë përfituar nga aktivitetet brenda projektit të tyre Rinia, Punësueshmëria dhe Aftësitë (YES), i cili është zhvilluar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Mullatahiri thotë se gjatë katër viteve të fundit, 8,400 të rinj — gjysma e tyre gra — kanë marrë pjesë në programe përmes YES, si për shembull në trajnime të aftësive të buta, skema të praktikës dhe punëtori të ndërmarrjes.

Një pjesë tjetër e programit YES ka punuar ngushtë me Zyrat e Punësimit të Kosovës si pjesë e aktiviteteve që synojnë rritjen e mundësive të punësimit për të rinjtë duke krijuar bashkëveprim midis punëkërkuesve, bizneseve, qendrave rinore, shkollave profesionale dhe odave ekonomike.

Zyrat e Punësimit janë përhapur në të gjithë vendin dhe janë pjesë e Agjencisë së Punësimit, agjencia qeveritare përgjegjëse për zbatimin e politikave të punësimit. Krijuar nga Ministria e atëhershme e Punës dhe Mirëqenies Sociale në 2015, agjencia tani qëndron brenda Ministrisë së ristrukturuar të Financave, Punës dhe Transfereve.

"Në këtë drejtim, duhet të ketë një koordinim më të mirë institucional të projekteve strategjike dhe të mos bëjë të njëjtat gjëra dy herë nga fillimi, duke humbur kohë, para dhe burime njerëzore."

Vjosa Mullatahiri, GIZ

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor 2020, ishin regjistruar 90,677 gra kërkuese të punës. Pothuajse gjysma e këtyre grave nuk kanë kualifikime zyrtare, por në skajin tjetër të spektrit arsimor 671 kanë përfunduar një master.

“Zyrat e Punësimit përbëjnë infrastrukturë të rëndësishme të punësimit brenda komuniteteve lokale pasi ato janë të pranishme në pothuajse çdo komunë; megjithatë duhet të ketë më shumë promovim të shërbimeve, skemave dhe aktiviteteve të tyre,” thotë Mullatahiri. “Me projektin YES kemi synuar të mbyllim mungesën e informacionit në lidhje me mundësitë e punësimit të të rinjve dhe të dinamizojmë komunikimin midis institucioneve të ndryshme lokale dhe grupeve të qytetarëve.”

Mullatahiri shton se projekti gjithashtu ofroi ndihmë për zhvillimin organizativ dhe promovimin e Agjencisë së Punësimit përmes kurseve të ndryshme të trajnimit të stafit, si një mënyrë për të siguruar qëndrueshmëri.

“Unë mendoj se për rezultate afatgjata, është thelbësore të ruhet kujtesa institucionale,” thotë ajo. “Në këtë drejtim, duhet të ketë një koordinim më të mirë institucional të projekteve strategjike dhe të mos bëjë të njëjtat gjëra dy herë nga fillimi, duke humbur kohë, para dhe burime njerëzore”.

Planifikimi për të ardhmen

Me përfundimin e Strategjisë së tanishme Kombëtare të Zhvillimit, tani po bëhet planifikimi për një strategji të re re që do të adresojë mangësitë së mëparshmes.

Një nga mënyrat me të cilat zyrtarët do të përpiqen ta bëjnë këtë është duke mbuluar një hapësirë më të gjatë kohore — 10 vjet në vend të pesë. Sipas Sagonjevës, kjo do të lidhte strategjinë me Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të KB 2030 (edhe pse Kosova nuk është ende pjesë e KB), të vendoste atë si një dokument ombrellë të planifikimit strategjik të vendit dhe të garantojë qëndrueshmërinë e prioriteteve afatgjata.

“Ne konsideruam se një periudhë më e gjatë zbatimi do të krijonte një konsensus më të gjerë shoqëror rreth përparësive kryesore dhe do të siguronte një vazhdimësi të veprimeve strategjike, duke tejkaluar mandatin katërvjeçar të një legjislature të vetme,” thotë ai.

Sidoqoftë, Hyseni konsideron se një afat i zgjatur i zbatimit të SKZh-së nuk do të përkthehej domosdoshmërisht në rezultate më të mira.

“Është praktikë e mirë të kesh një orientim dhe vizion strategjik afatgjatë, por unë mendoj se objektivat duhet të vendosen për periudha më të shkurtra në mënyrë që strategjia të shërbejë si një udhërrëfyes i detyrueshëm zhvillimi që do ta mbante qeverinë të përgjegjshme”, thotë ai. “Kam frikë se një kornizë e zgjatur e zbatimit i lë hapësirë strategjisë që të vjetrohet me kalimin e viteve, nëse objektivat nuk rivlerësohen periodikisht dhe nuk ka monitorim të vazhdueshëm, siç ka qenë rasti deri më tani”.

Procesi i hartimit të NDS 2030 ka filluar dhe dokumenti pritet të finalizohet në fund të vitit 2021.

Periudha 10-vjeçare e zbatimit të NDS 2030 lidhet gjithashtu me idenë e krijimit të një Kuadri Kombëtar për Menaxhimin Strategjik, si një mënyrë për krijimin e një strukture të qartë dhe hierarkisë së planifikimit strategjik që do të çonte në një koordinim më të mirë ndërsektorial dhe më pak dokumente të tepërta strategjike. Një vendim i qeverisë i marrë në tetor 2020 specifikon që SPZH-ja 2030 do të shërbejë si bazë mbi të cilën do të vendoset korniza.

“Gjatë procesit të zbatimit të SPZh 2012-2021, kemi vërejtur se kishte shumë dokumente strategjike të hartuara nga ministritë dhe një mungesë të planifikimit sistematik”, thotë Sagonjeva. “Kjo është gjithashtu një nga arsyet pse vendosëm që NDS të mbulonte një periudhë 10-vjeçare, në mënyrë që të shërbejë si dokumenti kryesor strategjik për vendin”.

Procesi i hartimit të NDS 2030 ka filluar me konsolidimin e ekipit dhe grupeve tematike përgjegjëse për përgatitjen e tij dhe dokumenti pritet të finalizohet në fund të vitit 2021.

Duke pasur parasysh dështimin e deritanishëm për të adresuar çështjet e vazhdueshme të papunësisë te gratë dhe të rinjtë, ka të ngjarë që këto zona të shfaqen edhe një herë me theks të veçantë në strategjinë e re.

Por gjithçka që e bën atë në planin përfundimtar do të duhet të përmbushet me veprim domethënës për t’u dhënë grave të reja si Vesa shansin më të mirë për të përmbushur ambiciet e tyre.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

 

 

 

 

 

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.