Katër vjet më parë, më 2013, dukej sikur Shqipëria kishte përjetuar një revolucion shumëngjyrës: ra në gjumë e kaltër dhe u zgjua ngjyrë vjollcë. Pas dy dekadash në fokus, Sali Berisha, udhëheqësi i vjetër i Partisë Demokratike, u mund nga Edi Rama, “artisti socialist” (siç e kishin etiketuar edhe në shtëpi, por edhe jashtë vendit, në shumë vende evropiane).
Katër vjet më vonë, më 2017, fitorja e dytë e Ramës duket më e zbehtë. Deklaratat e fituesve janë gjakftohta, humbësit nuk po i kundërshtojnë rezultatet, dhe populli shqiptar po e njeh vetëm një lider të padiskutueshëm. Pos rënies drastike në daljet në zgjedhje – gjë që tregon shumë për demokracinë — kjo fitore e heshtur dhe e pritshme mesiguri e shënon kulmin e “epokës së Ramës”.
Por pas ngritjes, pëson rënia …
Të votosh apo të mos votosh?
Meqë Shqipëria është Republikë Parlamentare, shqiptarët nuk e zgjedhin presidentin, ata votojnë për përfaqësues të tyre në parlament. Sistemi zgjedhor shqiptar bazohet në përfaqësime proporcionale rajonale: vendi është i ndarë në 12 zona zgjedhore, dhe të 140 ulëset në dispozicion shpërndahen në mënyrë proporcionale për partitë që e kalojnë pragun prej 3 përqind për secilën zonë zgjedhore.
Kjo shpjegon se si Partia Socialiste fitoi shumicë absolute të ulëseve (74), përderisa në nivel nacional qëndron me 48 përqind të votave. Po ashtu e bën më të qartë se pse është e dhimbshme që listat e kandidatëve përpilohen nga sekretarët e partive, sepse në këtë mënyrë sistemi politik i zgjedh politikanët, ndërsa qytetarët nuk kanë mundësi të tregojnë se kush do të donin ta përfaqësonte zërin e tyre.
Duke e marrë parasysh ligjin e zgjedhjeve të Shqipërisë, dhe duke e parë se si politikanët në Shqipëri i shfrytëzojnë këto regulla për të qëndruar në pushtet pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, dalja më e ulët në historinë e zgjedhjeve në demokracinë e Shqipërisë (43 përqind) nuk është befasuese. Madje mund të konsiderohet si simptomë e rritjes së vetëdijes demokratike.
Por pavarësisht këtyre problemeve strukturore, kjo rënie në daljet në zgjedhje mbetet e jashtëzakonshme. Krahasuar me daljet në vitin 2013 (53 përqind), 160,000 qytetarë shqiptarë kanë zgjedhur të rrinë në shtëpi: mbi 3.4 milionë kanë pasur të drejtë vote, por vetëm 1.57 milionë kanë shkuar në vendvotime. Pse? Shumë arsye mund të jepen me një shpjegim: kësaj here qytetarët shqiptarë nuk kanë pasur opcione të vërteta politike. Pa konkurrencë nuk ka dalje.
Duket sikur ka ndodhur para mijëra vitesh, por muajve të fundit, Partia Demokratike madje ka kërcënuar me mospjesëmarrje në zgjedhje. Lulzim Basha, udhëheqësi i partisë, ishte arsyetuar: pse të marr pjesë në një garë që nuk mund ta fitoj?
Për t’iu shmangur humbjeve të caktuara, Partia Demokratike nuk kishte ofruar ndonjë platformë politike alternative. Përkundrazi, zgjodhi të luajë me mbajtjen e “protestave” në bulevardin kryesor në Tiranë, duke ngritur një tendë gjigante përballë Zyres së Kryeministrit.
Ngërçi u prish më 18 maj, pak pas një marrëveshjeje gjysëmpublike midis dy udhëheqësve. Në këmbim me pjesëmarrje të humbësve në fitoren e tij të sigurtë, Rama i dha Bashës garanca, duke përfshirë ristrukturime thelbësore të qeverisë (ministrat e Partisë Demokratike janë emëruar dhe do t’i mbajnë pozitat deri në shtator), si dhe një shtyerje njëjavore të zgjedhjeve, asokohe të caktuara për 25 qershor.
Përderisa qeveritë evropiane dhe institucionet e BE-së e duartrokitën këtë “kthim të demokracisë”, populli shqiptar e pat një vizion të qartë se çka duhet pritur nga legjislatura e ardhshme: demokratët dhe socialistët duke e ndarë fuqinë në qeverinë e “unitetit kombëtar” të bekuar nga BE-ja.
Në këtë skenar, vitet në vijim pothuajse patjetër do të pengoheshin nga zbatimi i reformave të drejtësisë, të aprovuara një vit më parë e që janë qenësore për hapjen e negociatave për bashkim në BE, për ta ndarë sistemin e drejtësisë nga politika. Po ashtu, ky skenar do ta nxjerrte nga qeveria Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), parti mike kjo që gjatë tetë viteve të fundit ka qeverisur edhe me Berishën, edhe me Ramën.
Nuk është e rastësishme që lideri i saj, Ilir Meta, aleati i çuditshëm i të dyja partive, është emëruar nga parlamenti aktual si President i Republikës së Shqipërisë. Katër vjet më parë, Meta ishte thelbësor për fitoren e koalicionit socialist (PS bashkë me LSI-në). Katër vjet më vonë, është ai – kreu i shtetit, nga ekzili i tij i artë dhe i sigurtë – që do t’ia japë Ramës detyrën për ta krijuar qeverinë e re. Shqiptarët që nuk kanë votuar siguritsht kanë refuzuar t’i japin legjitimitet këtij ridistribuimi të parashikueshëm të fuqisë.
Fitore e padiskutueshme (për liderin)
Nëse parashikimet për një koalicion të madh i kanë larguar njerëzit nga qendrat e votimeve, fitorja e Ramës i ka tejkaluar pritjet e Partisë Socialiste. Duke fituar 8 ulëse në vitin 2013 (prej 66 në 74), partia fitoi shumicën absolute. Kësaj radhe nuk ka nevojë për koalicione, dhe madje as Partia Demokratike, apo LSI-ja, nuk do të jenë thelbësore. Nëse Rama do, ai do ta udhëheqë qeverinë e përbërë vetëm nga partia e tij.
Duhet pranuar që një mundësi e tillë është diçka krejtësisht e re për Shqipërinë. Për më shumë, qeveria e re do ta themelohej në shtator, ndërsa vera mund të sjellë zgjuarsi.
Një ditë pas zgjedhjeve, Rama deklaroi që Partia Socialiste nuk do të kërkojë ndihmë nga askush; për më tepër, pak nga pak, retorika e fitores ia hapi rrugën “fjalimeve të përgjegjësisë”.
A duhet ai ta udhëheqë shtetin vetë? Ose, përballë masave të rrepta që cilado qeveri e Shqipërisë do të duhej t’i ndërmerrte gjatë katër viteve të ardhshme, për të bërë hapa përpara karshi integrimeve evropiane, a nuk do të ishte më mirë sikur ta ndante fuqinë dhe përgjegjësinë? Cila peshë është më mirë të mbahet? Lodhja e një martese të kombinuar? Apo lodhja e vetmisë? Ky dyshim është legjitim dhe vazhdon të jetë i hapur.
Pos tjerash, një përgjigje përfundimtare nuk kërkohet tani. Gjatë katër viteve të mandatit të tij parlamentar, nëse ka nevojë, një lider i padiskutueshëm do ta ketë mundësinë ta ndryshojë mendjen, duke krijuar shumica të reja.
Para dy vjetësh, K2.0 e pat publikuar një analizë në lidhje me dy vitet e para të mandatit të Ramës. Në lidhje me “politikat e Ramës”, ato dyshime, paqartësi dhe kritika vazhdojnë të mbesin. Është edhe më e rëndësishme të kihen parasysh tani që lidershipi i tij është i padiskutueshëm.
Duhet theksuar që ky sukses elektoral ka dalë nga kredibiliteti që Rama e ka akumuluar gjatë këtyre katër viteve të rënda, në një arenë jashtëzakonisht të vështirë politike: madje edhe duke e lënë anash kreditin e mbledhur nga media ndërkombëtare (për ta dhënë një shembull, edicioni i fundit i “Bienales së Venedikut” ishte nikoqir i punimeve të Ramës, dhe televizioni shtetëror italian prodhoi këtë intervistë të padurueshme).
Është fakt që “para Ramës” Shqipëria nuk ishte shtet kandidat për BE, reforma e gjyqësorit ishte shumë larg, fermerët e Lazaratit kultivonin kanabis në ajër të hapur, evazioni fiskal në fatura të rrymës ishte më i lartë, ndërsa ai i universiteteve private dhe administratave komunale ishte mbi çdo numër të arsyeshëm.
Natyrisht, kritikët sugjerojnë që në vitin 2017 të gjitha këto përparime kanë qenë rezultat i kohës ose i presionit ndërkombëtar, e jo rezultat i politikave të ndërgjegjësuara. Por megjithatë, Rama, e jo dikush tjetër, kishte qenë në fuqi, madje edhe duke e mbijetuar koalicionin e trazuar me LSI-në. Tani, Rama, dhe jo dikush tjetër, po kënaqet me frytet e këmbënguljes së tij.
Humbje problematike (për vendin)
Në anën tjetër të lumit, Lulzim Basha mesiguri po qan, duke e shikuar ujin rrjedhës të së ardhmes përgjithmonë të humbur. Humbja e tij personale ishte shumë e madhe. Kurrë më parë, në historinë e saj të shkurtër demokratike, e djathta shqiptare nuk ka pasur rezultate më të këqia, duke dalë me 28 përqind në nivel kombëtar, dhe duke shkuar nga 49 në 43 ulëse në parlament.
Duke i pranuar përgjegjësitë e veta, Basha dha dorëheqje nga posti i udhëheqësit në Partinë Demokratike, mënjëherë pas numërimit. Në muajt e ardhshëm, gara e re për lider të partisë do ta përcaktojë fatin e tij. Në krahun tjetër, ai është pasardhësi i zgjedhur i Berishës, dhe mund të konfirmohet si lider përsëri, pavarësisht faktit që ai gjithnjë ka pasur rezultate të dobëta në zgjedhje (dy vite më parë, zgjedhjet lokale e dëshmuan paaftësinë e tij). Në anën tjetër, kjo garë e brendshme mund të jetë moment i mirë jo vetëm për të afërmit e Partisë Demokratike, por për tërë vendin, për shëndetin e “demokracisë” së Shqipërisë.
Nëse populli shqiptar dëshiron t’i fshijë thonjëzat nga fjala “demokraci” në katër vitet e ardhshme, një alternativë e fuqishme duhet ta nxjerrë fuqinë e Ramës nga vetmia. Në mënyrë që të bëhen qytetarë të një shteti evropian, populli shqiptar ka nevojë të madhe për një zgjedhje të vërtetë, një garë për fuqi të bazuar jo vetëm në interesa fraksioniste, por në vlera dhe programe të ndryshme politike.
Nëse kjo nuk ndodh, në afat të gjatë, fitorja e Ramës do të bëhet lajm i keq edhe për përkrahësit e tij. Dhe shumica e abstenuesve të votimeve do të bëhet edhe më e madhe.
Ky artikull është prodhuar dhe publikuar në partneritet në mes K2.0 dhe OBC Transeuropa.
Fotografia kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.