Pranë Lumit Sava, i cili e ndan qendrën nga Zagrebi i Ri — një zonë e dominuar me ndërtesa të banimit dhe rrokaqiej — do të ndërtohet një shëtitore dhe zyra e apartamente luksoze.
“Nëse dikush në Zagreb dëshiron ta ndërtojë një rrokaqiell 200-katësh, le ta ndërtojnë — ndoshta një ditë unë do ta kem një zyrë aty”, kishte thënë kryetari i qytetit, Milan Bandić. Ai është mendja prapa idesë së projektit që shumë po e quajnë “Manhattan i Zagrebit”.
Bandić, i cili e ka drejtuar kryeqytetin kroat prej vitit 2000, beson se me realizimin e këtij projekti, Zagrebi do të hyjë në shoqërinë e lartë të kryeqyteteve perëndimore evropiane.
Atë po e kundërshtojnë plot nisma civile, organizata joqeveritare dhe ekspertë. Të gjithë këta kanë paralajmëruar se ky është projekt jotransparent dhe i shtrenjtë, i cili nuk sjell asgjë për banorët e kryeqytetit kroat.
Zhvillim i paplanifikuar
Për ta zbatuar projektin “Manhattan i Zagrebit”, kryeqytetit do t’i duhet t’i ricaktojë 110 hektarë tokë buzë lumit Sava, ku gjinden aktualisht Hipodromi i qytetit dhe Velesajam (zona e panaireve). Kjo e fundit është hapësirë me rëndësi të veçantë, dhe ka shembuj të jashtëzakonshëm të zgjidhjeve arkitekturale për pavijonë dhe “arkitekturë moderne” që janë të mbrojtura nga Ministria e Kulturës e Kroacisë.
Tihomir Jukić, profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Zagreb dhe president i Odës Kroate të Arkitektëve në Komitetin Rajonal të Zagrebit, është pjesë e komunitetit të ekspertëve që po përgatisin një projekt për zhvillimin e Velesajam në vitet e ardhshme. Ai thekson se gjatë planifikimit të dizajnit të hapësirës Velesajam, gjithmonë e kishin në mendje ta bëjnë të qasshme për të gjithë qytetarët.
“Synimi është transformimi urban dhe ekonomik i një kompleksi të shpërfillur dhe të mbyllur në një “zonë inovative urbane” dhe hapja e kësaj hapësire me një koncept të ri ekonomik dhe tipare të reja. Kështu bëhet tërheqëse si për qytetarët, ashtu edhe për investitorët”, shpjegon Jukić.
Zona rreth Velesajamit në Zagreb mund të shndërrohet në “Manhattan të Zagrebit” pavarësisht paralajmërimeve nga ekspertët dhe urbanistët. Foto: Sara Salamon.
Më specifikisht, kjo do të thotë se hapësira prapë se prapë do të përdorej për mbajtjen e aktiviteteve bashkëkohore dhe panaireve, por do të përfshinte edhe hotele dhe një qendër të kongreseve.
Ndonëse si pjesë e projektit “Manhattan i Zagrebit” janë përmendur edhe zyrat dhe sallat e kongreseve, Jukić mendon se kjo nuk është mundësi të qëndrueshme për zhvillimin e kësaj hapësire. Sipas tij, kjo zonë, përfshirë këtu Velesajam dhe Hipodromin, duhet të bashkohet me Liqenin Bundek (një lokacion matanë rrugës nga Hipodromi) dhe të transformohet në “Parkun e Shekullit 21” ku do të kishte qenë në dispozicion e gjithë infrastruktura e nevojshme publike.
“Mund të mësojmë diçka nga Manhattan, por në një mënyrë krejt tjetër — jo duke ndërtuar mega rrokaqiej, por duke e ruajtur zemrën e gjelbërt të qendrës, Parkun Qendror”, shton Jukić, i cili thekson se pak qytete kanë vend për aktivitete rekreative, për not dhe për rrezitje, të gjitha këto në qendër të një ambienti urban.
Sipas Iva Marčetić nga shoqata Pravo na Grad (e Drejta për Qytetin) që avokon kundër privatizimit dhe shfrytëzimit të tepërt të hapësirave publike, një ndërtim i tillë i paplanifikuar krijon enklava shoqërore që mundësojnë zhvillimin e pabarabartë.
“Nuk ka vazhdimësi në zhvillimin e qytetit. Pronat e mbetura të qytetit i shiten atij ofruesi që kryetarit i duket më interesant”, thotë Marčetić. “Kjo pjesë e Zagrebit veçohet si entitet i ndarë që nuk na përket më neve që jetojmë këtu dhe punojmë në qytet, sepse ne nuk do të jemi ata që do të blejnë apartamente luksoze në “Manhattan të Zagrebit”.
Ajo beson se projekti është problematik gjithashtu për shkak të lidhjeve të trafikut në qytet. Në qershor 2019, një gropë e madhe u shfaq në pjesën e këmbësorëve në Urën e Savës, vetëm dy vjet pasi ajo urë ishte renovuar. Në atë kohë ekspertët paralajmëruan se urat e Zagrebit janë në gjendje tepër të keqe, dhe se ato duhet të mbyllen dhe të renovohen. Ndërtimi i rrokaqiejve dhe ndërtesave me apartamente luksoze do të ishte barrë e re për atë zonë.
“Urat tona po shkatërrohen, Zagrebi i Ri nuk e ka asnjë spital. Po të kishte tërmet dhe po t’u ndodhte diçka urave, banorët e Zagrebit të Ri nuk do të kishin qasje në qytet dhe në shërbime shëndetësore”, paralajmëron Marčetić, e cila shton se ndërtimi i “Manhattan” pritet të vazhdojë pa marrë parasysh mosfunksionimit të këtyre aspekteve të planifikimit urban.
Mungesa e transparencës
Projekti “Manhattan i Zagrebit” vjen me plot ndryshime të Planit të Përgjithshëm Urban (PPU), i cili kundërshtohet nga shoqatat e ekspertëv pasi që do ta mundësonte ndërtimin e garazhave nëntokësore në lokacionet më të vlerësuara në qendër (që do të thotë se trafiku i automjeteve do të intensifikohej në qendër) dhe ndërtimin më të dendur nën majën e malit Slijeme.
Sipas arkitektit Jukić, problemi kryesor që lidhet me projektin “Manhattan i Zagrebit” dhe ndryshimet e PPU-së është mungesa e transparencës në zbatimin e projekteve të qytetit.
“Kur e propozojnë një projekt të madh si ky, cili konsiderohet të jetë i rëndësishëm për qytetin, administrata e qytetit të Zagrebit duhet të komunikojë me publikun, dhe posaçërisht me ekspertët, në një mënyrë krejt tjetër”, thotë ai.
Projekti “Manhattan i Zagrebit” dhe ndryshimet e PPU-së janë futur nga dera e pasme.
“Tek në qershor e morëm vesh që ishin kryer ndryshimet e PPU 2017, që ishte përgatitur një tekst i ri dhe që do të votohej në Asamblenë e Qytetit në korrik”, shpjegon Marčetić.
“Atëherë e kuptuam që ishin panifikuar disa ndryshime të mëdha për zonën rreth Velesajamit dhe Hipodromit, si dhe disa ndryshime të PPU-së të cilat nuk ishin diskutuar publikisht, edhe pse kjo kërkohej nga ligji”.
Në fakt, publiku e mori vesh për projektin tek kur Milan Bandić u lëvdua që kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Emiratet e Bashkuara Arabe në mars të vitit 2019 në Dubai. Ai e nënshkroi memorandumin me biznesmenin e Emirateve, Mohamed Alabbar, i cili ishte në krye të kompanisë Eagle Hills.
Kjo kompani njihet në Ballkan për mbështetjen e ndërtimit të projektit multi-milion dollarësh “Belgrade Waterfront” në kryeqytetin e Serbisë.
Publiku e mori vesh për projektin “Zagreb Manhattan” pasi Milan Bandić, kryetari i Zagrebit, e vizitoi Dubain në 2019. Foto: Profili i Milan Bandić në Instagram.
Nga fillimi, “Belgrade Waterfront” u reklamua si projekt i zhvillimit që do të mundësonte që kryeqyteti i Serbisë të bëhej “Dubai i Ballkanit”. Edhe ky projekt do t’i përfshinte disa ndërtesa me apartamente luksoze, një qendër tregtare, një zonë parkimi dhe një ndërtesë të lartë 150 metra.
20,000 njerëz do të punësoheshin për ndërtimin e tij, si dhe 3.2 miliardë dollarë do të investoheshin nga Eagle Hills për këtë projekt. Qeveria serbe e mbështeti projektin përzemërsisht, duke thënë se zbatimi i tij ka rëndësi kombëtare, krijon vende pune dhe mundëson rritjen e PBB-së, si dhe rritjen e turizmit.
Megjithatë, disa ekspertë dhe aktivistë të sektorit civil janë mobilizuar kundër tij nga fillimi. Ata e konsideruan projektin jotransparent dhe problematik sa u përket financave.
“Modeli ‘Belgrade Waterfront’ u prezantua para publikut, ndërsa struktura ekzistuese e planifikimit hapësinor iu përshtat dizajnit të saj”, kujton Iva Čukić. Ajo është arkitekte në Ministrinë e Hapësirës, një shoqatë që merret me çështje të zhvillimit të qytetit, politika urbane dhe transformim.
Grupet e interesit publik dorëzuan nisma dhe ankesa për shkak të ndryshimeve të PPU-së. Kur zgjidhjet procedurale dolën të jenë dështim, u organizuan protesta masive nën slloganin “Ne da(vi)mo Beograd” (Mos e Mbytni Beogradin). Një bibë e madhe e verdhë e gomës që mbushet me ajër u bë simbol i rezistencës anembanë dhe jashtë Serbisë. Ndërkohë, protestat në Beograd i mblodhën mijëra qytetarë.
Protestat masive ndodhën pas ngjarjeve të natës së 25 prillit të vitit 2016, kur një grup prej rreth tridhjetë burrave të armatosur dhe me maska përdorën buldozerë për t’i rrëzuar disa ndërtesa në Rrugën Hercegovačka, një pjesë e lagjes Savamala. Ata i ndalën dhe i mbajtën kalimtarët, dhe ua morën telefonat mobilë. Policia e Beogradit nuk shkoi në vendngjarje pavarësisht se kishte thirrje.
Autorët e krimit kurrë nuk dolën para drejtësisë.
Përtej ekspertizës dhe syve të publikut
“Belgrade Waterfront” ka bërë progres të shpejtë. Tani është një shëtitore që shkon përgjatë lumit Sava. Drita e diellit reflekton në dritaret e ndërtesave me apartamente luksoze. Megjithatë, nuk është as afër përfundimit. Besohet se janë shpenzuar shumë më shumë para se që ishte lajmëruar fillimisht.
“Një investim prej tre miliardë dollarësh u premtua gjatë një periudhe katër vjeçare”, shpjegon Iva Čukić, e cila shton se kontrata e nënshkruar në vitin 2015 thotë se do të jetë një periudhë 30 vjeçare e ndërtimit, si dhe do të ketë një kredi për Serbinë në vlerë rreth 300 milion euro. Megjithatë, shteti është përgjegjës për investim në infrastrukturë dhe përgatitje të terrenit.
Në fillim të vitit 2019, revista javore NIN u mundua ta kalkulonte shumën që e kishte shpenzuar Serbia në atë projekt deri në atë pikë. Erdhi në përfundim që shuma arrinte shifrën 3.9 miliardë dinarë serbe, apo gati 33 milionë euro, për blerjen e tokës dhe pasurive të patundshme që janë të domosdoshme për ta zbatuar projektin. Kjo është shuma e shpenzuar vetëm për vitin 2018.
Sipas artikullit të NIN, i publikuar në portalin N1, “shteti po blen kompani private me para të taksapaguesve, e pastaj po i dorëzon pasuritë e patundshme të tyre pa kompensim në mënyrë që të zgjerohet projekti Belgrade Waterfront”.
“Duhet të ceket se Eagle Hills Company i ka përdorur disa prona të mëdha të patundshme, përfshirë këtu ndërtesën Geozavod, për shembull”, kujton Čukić, e cila shton se investimi në infrastrukturë gjithashtu përfshin zhvendosjen e stacionit hekurudhor dhe atij të autobusëve, dhe rindërtimin e tyre në lokacione të reja. “Këto janë të gjitha ndërtimet që duhet të kryhen në mënyrë që ‘Belgrade Waterfront’ të bëhet funksional”, thotë ajo.
Me sa duket, modus operandi i Bandić është i ngjashëm: shtytja e projektit pa pëlqimin e profesionistëve, si dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të fshehta pa zbuluar koston e vërtetë të projektit dhe kushtet e zbatimit të tij.
Përmbajtjet e memorandumit të nënshkruar nga kryetari në Dubai u mbajtën sekrete. Më në fund, gazetarja e televizionit RTL, Danka Derifaj, i mori ato pasi luftoi për disa muaj me administratën e qytetit. Në fund, nën presionin publik, zyra e kryetarit u zbut dhe memorandumi u publikua; deri në atë pikë, memorandumi ishte i klasifikuar si fshehtësi profesionale nga autoritetet e qytetit.
Sipas memorandumit, Bandić është zotuar t’i përgatisë të gjitha dokumentet për kompaninë brenda tetë muajve. Kjo e shpjegon nxitimin e tij për ta kryer votimin për ndryshimet e PPU-së.
Organizatat joqeveritare besojnë se kjo është arsyeja pse kryetari e organizoi një diskutim publik gjatë verës, nga 1 gushti deri më 14 gusht. Në këtë kohë Zagrebi është i zbrazët, për shkak se shumica e njerëzve janë në pushime.
Megjithatë, nismat si Pravo na Grad (E Drejta për Qytetin) ose Zelena akcija (Aksioni i Gjelbër), kujton Marčetić, përgatitën një seri ankesash që u shpërndanë ndërmjet aktivistëve të shoqërisë civile dhe nismave të tjera. Më pas edhe shoqatat arkitekturale i përgatitën ankesat e tyre.
Për shumë arkitektë në Kroaci, Velesajam në Zagreb është model i arkitekturës moderne. Ata paralajmërojnë për dëmet që mund t’i shkaktojë “Manhattan i Zagrebit”. Foto: Sara Salamon.
“Administrata e qytetit i mori 31,000 ankesa. “Ky është numri më i madh i ankesave që janë dorëzuar ndonjëherë për një Plan të Përgjithshëm Urban!” thotë Marčetić.
Megjithatë, asnjë ankesë prej qytetarëve nuk u pranua. Vetëm 17 ankesa nga shërbimet e qytetit u miratuan. “Gjithashtu, ankesat nga shoqatat profesionale u refuzuan. Kjo tregon përsëri që diskutimi publik ishte farsë”, shton ajo.
Transaksionet politike
Edhe pse struktura e nismave civile lokale në Zagreb është mjaft e përparuar në nivelin e lagjeve, dhe gjithashtu ka organizata qendrore të shoqërisë civile të cilat janë të angazhuara në luftën kundër këtij projekti, me gjasë vendimi për zbatimin e tij do të bëhet në nivelin politik.
Fakti që Bandić ka arritur të mbetet në pushtet për gjashtë mandate pavarësisht aferave të shumta me të cilat ka qenë i lidhur (në tetor 2014, Bandić u arrestua për akuza të korrupsionit dhe keqpërdorim të detyrës, por u lirua pasi pagoi para për dorëzani) flet shumë për zgjuarsinë e tij në politikë.
Gjatë zgjedhjeve të fundit, Bandić fitoi në rundin e dytë, ndonëse me një mazhorancë shumë të vogël (51.79% të votave). Kur e kuptoi që i duhej një mazhorancë në Asamblenë e Qytetit në vitin 2017, ai e krijoi një koalicion me partinë Pavarësi për Kroacinë (Neovisni za Hrvatsku), parti e krahut të djathtë e përqendruar rreth kandidatëve Bruna Esih dhe Zlatko Hasanbegović. Të dy kanë bërë thirrje për heqjen e të gjitha simboleve nga regjimi jugosllav dhe spastrimin e të gjithë atyre që ishin aktivë në pozita të larta në Kroaci gjatë asaj periudhe.
Ata ia dhanë Bandićit numrat që i duheshin në Asamblenë e Qytetit, ndërsa ai i lejoi ta ndryshojnë emrin e një prej shesheve qendrore të qytetit nga Marshal Tito në Sheshi i Republikës në vitin 2017.
Ndërkohë, ky koalicion është shpërbërë, por Bandić arriti të gjejë aleatë të rinj.
Bandić e ka një mazhorancë relative në Asamblenë e Qytetit, dhe e ka fituar vetëm një mandat gjatë zgjedhjeve parlamentare. Sot ai e ka një klub parlamentar me rreth 15 deputetë brenda Parlamentit Kroat. Pikërisht nga ky klub varet mazhoranca parlamentare e qeverisë së Andrej Plenković (anëtar i partisë qeverisëse HDZ).
“Kompromisi është i qartë: HDZ duhet ta mbështetë Bandićin në Zagreb për ta pasur mbështetjen e pesëmbëdhjetë deputetëve të tij në qeveri, pjesë e së cilës nuk është zyrtarisht partia e Bandić”, thotë analisti politik Davor Gjenero. “Për HDZ-në, kostoja e marrëveshjes është shumë e lartë — nën hijen e Bandić, ata nuk mund ta realizojnë organizimin e qytetit, dhe janë vazhdimisht në një marrëdhënie klienteliste me të dhe me autoritetet e qytetit”, konkludon ai.
Shtatë anëtarët e HDZ-së në Asamblenë e Qytetit po i ndihmojnë Bandićit ta formojë një mazhorancë. Ndërsa 12 deputetët e tij po e mbështesin HDZ-në që të mbetet në pushtet në nivel shtetëror.
Prej vitit 2017, Bandić ka përjetuar kundërshtimin e një grupi të ri në Asamblenë e Qytetit, të quajtur “Zagrebi është i Joni” (Zagreb je naš). Në maj 2017, vetëm disa muaj pasi u themelua, grupi fitoi 8% të votave.
Gjenero beson se sa më shumë që rrin në pushtet Bandić, aq më vështirë të largohet. Interesat politike që po ia mundësojnë atij të rizgjedhet po lëshojnë rrënjë të thella. Rënia nga pushteti apo mbijetesa e tij në pushtet do të varen para së gjithash nga zhvillimet në nivelin kombëtar.
“Edhe pse Kryeministri Plenković është i vetëdijshëm se Bandić është një partner i shtrenjtë dhe i mundimshëm i cili gjithashtu e kompromenton shumë atë, bashkëpunimi është e vetmja zgjidhje”, thotë Gjenero si pjesë e analizës së tij, dhe shton se e vetmja alternativë është lajmërimi i zgjedhjeve të reja.
“Ndonëse presidenca e Bashkimit Evropian është në vazhdim e sipër, kryeministri nuk mund ta lejojë rrezikun e zgjedhjeve të reja”, deklaron ai.
Votimi për Planin e Përgjithshëm të Urbanizimit të Zagrebit pritet të kryhet në shkurt të këtij viti. Atëherë do të merret vendimi final për “Manhattan të Zagrebit”. Foto: Sara Salamon.
Në fillim të vitit 2020, Kroacia e mori përsipër presidencën e BE-së për gjashtë muaj.
Duke i pasur parasysh këto kalkulime, anëtarët e HDZ-së në parlamentin lokal me gjasë do ta mbështesin PPU-në. Ndërsa deputetët e Bandićit në parlamentin kombëtar do të votojnë për buxhetin në nivel shtetëror.
Në fund të nëntorit, Bandić e bëri një hap drejt zbatimit të projektit. Ministria e Ndërtimit e dha një opinion pozitiv për ndryshimet e PPU-së së Zagrebit, të cilat e parashohin ndërtimin e “Manhattan të Zagrebit”.
“Jemi siguruar që gjithçka është në përputhje me ligjin. Por politikat e qytetit nuk e drejtojnë zhvillimin e qytetit dhe PPU-në. Kjo bëhet në nivelin kombëtar”, thotë Predrag Štomar. Štomar është ministër i ndërtimit, zëvendës kryeministër dhe anëtar i Partisë së Popullit Kroat, që është pjesë e koalicionit qeverisës bashkë me HDZ-në.
“Gjatë diskutimit publik erdhën mijëra ankesa, ndërsa u mbetet anëtarëve të këshillit në kuvend të vendosin a t’i marrin parasysh ato. Personalisht, unë nuk do të votoja kurrë për një dokument përmbajtjet e të cilit morën kaq shumë vërejtje nga ekspertët dhe publiku”, tha Štromar për të përditshmën Jutarnji list.
Hapi i radhës është votimi mbi këtë dokument në Asamblenë e Qytetit, që pritet të ndodhë në shkurt.
Gjatë rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 5 janar, Zoran Milanović (kandidat i partisë opozitare të qendrës së majtë SDP) e arriti një fitore befasuese. Tani Bandić e ka humbur mbështetjen e rëndësishme që ishte e mishëruar nga ish-presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarović. Ajo këndoi për të në ndejën e ditëlindjes së tij sivjet.
Sipas analizës së portalit kroat Telegram, disfata e saj mund të shpjegohet nga humbja e madhe e votave në qytetin e Zagrebit dhe Qarkun e Zagrebit. Kjo mund t’i atribohet afërsisë së tepërt me kryetarin. Pa marrë parasysh se a del të jetë e saktë kjo analizë, rezultatet e zgjedhjeve definitivisht do të ndikojnë në pozitën e kryetarit të Zagrebit në skenën politike kroate, si dhe në “Manhattan të Zagrebit”.K
Foto kryesore: Sara Salamon.