Në thelb | Arsimi

Tepricë universitetesh

Nga - 17.01.2019

Universitete publike të themeluara pa nevojë, në mungesë të stafit akademik dhe me cilësi që vihet në pikëpyetje.

Në vitit 2010, Hashim Thaçi si kryeministër i vendit paralajmëroi themelimin e universiteteve publike në disa qytete të Kosovës. Në javën e parë të tetorit të atij viti, Thaçi u gjend në Pejë, ku në shoqërinë e vartësve të tij u takua me qytetarë dhe u shkoi në konak bizneseve e komunalëve pejanë.             

Kur veçse kishte filluar viti akademik, ai nuk e la pa i takuar as udhëheqësit e studentët e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë, që aso kohe funksiononte në kuadër të Universitetit të Prishtinës (UP). Atyre u dha premtimin se prej tetorit 2011, fakulteti i tyre do shndërrohej në universitet. Një javë pasi vizitoi Pejën, Thaçi u gjend në Mitrovicë — edhe atje premtoi shndërrimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë të UP-se në universitet.     

Këto vizita ai po i bënte afër një muaj para votimit të mocionit të mos besimit ndaj qeverisë së tij — të nisur nga partia e tij, PDK — dhe afër dy muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet paralmentare, e që do të caktoheshin për 12 dhjetor 2010.

Thaçi u tha studentëve se do të ‘‘eleminon çdo mundësi’’ që hapja e universitetit të mos realizohej nga ndryshimet eventuale në qeveri. Brengë që s’do e kishte së paku për katër vitet e ardhshme pasi arriti t’i fitonte zgjedhjet. Ai do mbante këto premtime.   

Më 14 nëntor të 2011-ës, ministri i atëhershëm i arsimit dhe anëtar i PDK-së, Ramë Buja nënshkroi vendimin për themelimin e Universitetit Publik ‘‘Haxhi Zeka’’ në Pejë. Një vit më pas, Kuvendi ratifikoi atë vendimin. Nërsa vendimi për themelimin e universitetit të Mitrovicës nga kuvendarët u miratua në maj të 2013-ës.      

Hovin e hapjes së universiteteve publike, Thaçi e kishte nisur në Prizren në vitin 2009 me themelimin e Universitetit ‘’Ukshin Hoti’’. Gjatë mandatit të dytë të tij si kryeminstër ishin themeluar edhe: Universiteti ‘‘Kadri Zeka’’ në Gjilan (2013); Universiteti ‘‘Fehmi Agani’’ në Gjakovë (2013), si dhe; ‘‘Universiteti i Shkencave të Aplikuara’’ në Ferizaj (2015).                               

Edhe pas themelimit të tyre, PDK-ja e Thaçit vazhdoi të i përdor për fushatë zgjedhore. Nën slloganin ‘‘Misioni i Ri’’, në vitin 2014, hapjen e tyre Thaçi e cilësonte ‘‘vizion’’ për ‘‘modernizim’’ të vendit e katalizator i hapjes së vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.                   

Para studentëve të Universitetit të Prizrenit ai u zotua se: ‘‘Do të përkushtohem që ju të keni cilësinë më të lartë të arsimimit në universitetet tona publike kudo në Republikën e Kosovës. Dhe, që studimet tuaja këtu të përputhen me ofertën që ofrohet në tregun e punës përtej këtyre mureve’’.                  

Edhe pse në këtë rast premtimet për fushën e arsimit janë realizuar, ekspertët, mediat e raportet vazhdojnë të jenë skeptikë se kjo ka rritur cilësinë e arsimit të lartë që ofrohet në vend.       

Për ta hapja e këtyre universiteteve s’ka ndikuar në rritjen e cilësisë së arsimit sepse s’janë prodhuar mekanizma përcjellës të nevojshëm për ta siguruar atë. Ca prej kritikave i thekson edhe raporti “Koncept Dokumenti për Fizibilitetin e Universiteteve Publike në Kosovë 2017”, i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i hartuar vitin e kaluar por ende i pa publikuar, porse të cilin K2.0 ka arritë ta sigurojë.

Universitete ‘‘aty për aty’’ e të jashtëligjshme

Një ndër kritikat e para drejtuar këtyre universiteteve ndërlidhet me faktin që themelimi i tyre nuk është bërë në bazë të planeve apo studimeve përkatëses. Andaj, nuk dihet se si është menduar rritja e cilësisë së arsimit në këto universitete, se si programet e tyre do të stimulojnë punësimin, si do sigurohet stafi i nevojshëm akademik, apo cilat do jenë efektet (afatshkurtëra e afatgjata) në ekonomi dhe punësim.         

K2.0 ka pyetur MASHT-in se a ekzistojnë plane të tilla; por zyra për komunikim e ministrisë, këshilltari i ministrit aktual, Valmir Gashi, si dhe Departamenti për Arsimin e Lartë nuk janë përgjigjur.                 

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci, që ndër vite ka qenë i përfshirë në hartimin e strategjive për arsimin,  thotë se hapja e universiteteve publike nuk është përmendur në asnjë prej strategjive për arsimin e lartë të hartuara deri më tani.

‘‘As edhe një shkollë fillore nuk mund të hapet pa plan studimi’’, thotë ai, duke shtuar se asnjëri nuk është themeluar në bazë të një plan studimi. “Problemi është se, nuk është hapur vetëm një universitet, por gjashtë të tillë”.

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci thotë për themelimin e universiteteve publike, se me legjislacionin që është në fuqi, ato nuk mund të quhen universitete. Photo: Atdhe Mulla /K2.0

Pupovci veçon rastin e Universitetit ‘‘Kadri Zeka’’, ku sipas tij, në Gjilan ishte prezantuar një dokument si ‘‘plan formal’’ para themelimit të universitetit, por që nuk i’u është nënshtruar diskutimit publik. Një prej argumenteve të atij plani që Pupovci kujton, është se ky universitet ofron mundësi studimi për banorët e Luginës së Preshevës, por që për të, argumente të tilla nuk tegojnë asgjë rreth planeve për arsim e shkencë.  

K2.0 ka kërkuar planin e lartë cekur nga MASHT-i, por ata nuk i janë përgjigjur kërkesës.

Sidoqoftë, se gjashtë universitetet publike janë hapur ‘‘pa vlerësim paraprak’’, e ka thënë në janar 2018 edhe, ministri aktual i arsimit, Shyqeri Bytyqi. ‘‘[…] pa dashur të diskutoj pse janë hapur gjithë këto universitete nuk është bërë një vlerësim i nevojave të hapjes së universiteteve publike…dhe kur gjërat bëhen pa vlerësim ka një risk të madh që gjërat të mos funksionojnë”, thoshte ai duke insistuar se puna që bëjnë universitetet duhet të rishikohet.    

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, që merret me hulumtime mbi cilësinë e arsimit thotë se ‘‘vendimi për themelim të universiteteve tjera publike ka qenë vendim politik për të marr poena nga partitë politike’’. Sipas tij, nuk është menduar për dobinë e arsimit dhe rrjedhimisht as për nevojat për zhvillim të shoqërisë kosovare.      

‘‘Me programet në këto universitete nuk është ofruar një vlerë përtej asaj që ofron Universiteti i Prishtinës (UP)’’, ka thënë ai.

Tek shumica e universiteve të reja ofrohen po ato fakultete që veçse i ofron UP-ja.   

Jashta UP-së ekzistojnë katër fakultete të juridikut në universitetet tjera publike (Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Pejë) dhe po aq të edukimit (Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovcë). Ndërsa janë edhe dy fakultete të filologjisë, si dhe nga një i arkitekturës, arteve dhe shkencave kompjuterike që janë pjesë e këtyre gjashtë universiteteve. Gjithë kësaj ju shtohen edhe qindra programe të 22 kolegjeve private që ofrojnë mundësi të ngjajshme studimi.      

Të vetmet fakultete që nuk i ka UP-ja janë ai i Turizmit dhe Ambientit, që ofrohen në Pejë e Ferizaj; Agrobiznesit dhe Biznesit në Pejë; Gjeoshkencave e Teknologjisë Ushqimore në Mitrovicë, si dhe i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Prizren. Universiteti i Gjakovës dhe Gjilanit ofrojnë të njëjtat fakultete që veçse i ka UP-ja.       

Raporti i MASHT-it, i pa publikuar por i siguruar nga K2.0, shkruan se për themelimin e universiteteve publike nuk janë krijuar mekanizma për kontrollë, e as nuk është bërë plotësimi i kornizës ligjore, gjë që ka ndikuar negativisht në cilësinë e sistemit. Photo: Atdhe Mulla /K2.0

Për funksionalitetin e këtyre universiteteve, MASHT-i ka themeluar një grup punues i cili ka filluar punën në nëntor 2017 me qëllim që të japin një rezyme të punës së këtyre universiteteve dhe të dalin me vlerësime dhe sugjerime. Përderisa puna e grupit punues ka përfunduar në  mars 2018, raporti ende s’është publikuar (por që K2.0 ka arritur ta sigurojë atë).

Raporti 20 faqesh nisë me ‘‘domosdoshmërinë e realizimit të një reforme të plotë të arsimit të lartë’’ dhe analizimin e masivizimit të arsimit të lartë në Kosovë.  

Në nivelin bachelor në Kosovë janë të regjistruar rreth 40,000 studentë në UP ndërsa afër 28,000 në universitetet e tjera publike. Në të gjitha universitetet publike, në master janë 12 mijë studentë, dhe kësaj iu shtohen dhe 399 studentë të doktoraturës në UP. Gjithashtu janë edhe dhjetra mijëra studentë të kolegjeve private.         

Vetëm në universitetet publike janë afër 80,000 studentë dhe kjo rradhitë Kosovën të tetën në botë për nga numri i studentëve.    

‘‘Shkalla bruto e regjistrimit në arsimin e lartë është 84.23 përqind… i tejkalon të gjitha vendet evropiane përveç Greqisë, Spanjës, Bjellorusisë dhe Finlandës’’, është gjetja e raportit të publikuar në mars të 2018-ës nga koalicioni i katër organizatave joqeverirate që me arsim, punësimit dhe politika sociale, Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN).  

Raporti i ministrisë përkrahë idenë e numrit të madh të studentëve dhe qasjes në arsimin e lartë, por aty konkludohet se ky masivizim nuk ka dhënë efekte pozitive.      

‘‘Ky masivizim, mbase i rëndësishëm si politikë arsimore, nuk u zbatua në faza duke i studiuar ato. Ka gjasa që ky faktor deri diku, në vend që të sillte përmirësimin e pritshëm të saj, dërgoi në rënien drastike të cilësisë’’, thuhet në raport.

Nga ekspertët e ministrisë si pikënisje e këtij dështimi shihet mungesa e një strategjie e të detajuar që do rezultonte me krijimin e një modeli me synime afatgjata. Bile thuhet se ‘‘nuk është kryer ndonjë analizë e mundësive reale që ka vendi për punësim, zhvillim dhe orientimin e arsimit të lartë drejt përmbushjes së këtyre nevojave aktuale, apo në të ardhmen sipas nevojave të tregut’’.     

Në raport, poashtu thuhet se universitetet publike ‘‘janë zgjeruar artificialisht dhe riprodhojnë njëra-tjetrën në strukturë dhe ofertë akademike’’ dhe kanë ‘‘filiale të hapura pa kritere e jashta logjikës ekonomike, duke krijuar kështu konkurencë të panevojshme e të dëmshme’’ në sektorin e arsimit të lartë. Ndërsa oferta akademike që ofrohet shihet ‘‘si e zgjeruar pa planifikim dhe e pajustifikuar për madhësinë, popullatën dhe kërkesën e tregut kosovar’’.   

Se sistemi arsimor në Kosovë nuk është i kordinuar me ekonominë dhe nevojat e tregut, si dhe nxjerr studentë të pakualifikuar për punë e thotë edhe raporti ‘‘Përgatitja Profesionale për Tregun e Punës’’, i publikuar në maj 2017 nga Instituti Gap.  

Në anketën e realizuar me 28 biznese – të vogla, të mesme dhe të mëdha – 82 përqind e tyre kanë thënë ‘‘se kanë hasur në vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar’’. Mospërputhja e aftësive ka bërë që ‘‘në 53 përqind të kompanive të punësohen punëtorë më pak të kualifikuar’’. Ndërsa mbi 42 përqind e kompanive janë shprehur se kjo ul produktivitetin në punë. Analiza e Institutit Gap arrinë në përfundim se përpilimi i kurrikulave, në gjitha sektorët e arsimit, të bëhet, ndër tjera, edhe duke u bazuar në kërkesat e tregut të punës.  

Edhe raporti i MASHT-it flet për kualitetin e mësimit që ofrohet në universitetet e reja. ‘‘Zhvillimi i shpejtë i sistemit dhe themelimi i universiteteve publike nuk u shoqërua paralelisht edhe me zgjerimin dhe ngritjen e mekanizmave të kontrollit, plotësimin e kornizës ligjor, duke ndikuar kështu negativisht në cilësinë e sistemit’’, thuhet në raport. Aty po ashtu përmendet se mungesës së cilësisë së arsimit që po ofrohet nga gjashtë universitet po i kontribuon edhe vështirësitë menaxhuese në të cilat gjenden universitetet.

Screenshot nga raporti i KEEN-it 2017.

Vështirësitë menaxhuese e mungesa e mekanizmave për monitorim, për Qehajën ka krijuar situatë të tillë ku puna e këtyre universiteteve nuk monitorohet dhe rrjedhimisht nuk ka garanci për cilësinë që ofrojnë.  

‘‘Janë lënë pas dore këto universitete, as institucionet dhe as organizatat tjera nuk bëjnë raporte për to’’, thotë ai. “Fokusi është i drejtuar nga UP-ja, askush s’po merret me universitetet tjera, si dhe s’ka mekanizma për monitorim”.

Në raportin e MASHT-it përmenden rastet e Universitetit ‘‘Haxhi Zeka’’ në Pejë dhe atij ‘‘Ukshin Hoti’’ në Prizren, ku në ‘‘kundërshtim me dispozitën statutore për pozitën Prorektorit dhe Dekanit janë zgjedhur pedagog me thirrje të ulët akademike ‘Profesor Asistent’. Kjo në masë të theksuar ka ndikuar që menaxhimi i segmenteve universitetare dhe në veçanti menaxhimi i sigurimit të cilësisë të drejtohet nga persona pa kompetencë dhe pa përvojë të nevojshme akademike’’, thuhet aty.         

Gjithashtu, raporti përmend avancimet akademike të profesorëve në universitetet publike si pikëngecjeje tjetër. ‘‘Avancimet dhe marrja e titujve akademik, duke përjashtuar deri në një masë UP-në, rezulton të jetë nën nivelin e kushteve të kërkuara minimale, gjë që ka komprementuar këtë proces skajshmërisht’’, thuhet në raport, dhe po ashtu theksohet se si ky proces udhëhiqet pa transparencën e nevojshme institucionale dhe të shoqërisë civile.

Përveç pasqyrës së përgjithshme të raportit të MASHT-it, ka pak investigime e analiza rreth avancimeve akademike në gjashtë universitetet tjera publike. Fokusi më shumë është i drejtuar kah UP-ja, ku përkundër se veçohet UP-ja nga raporti i MASHT-it, të dhënat tregojnë se as universiteti i parë në vend nuk ka mbetur pa u prekur nga avancimet akademike të dyshimta.   

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) është marr me monitorimin e (ri)zgjedhjes e avancimeve të stafit akademik në Universitetin e Prishtinës që nga viti 2016 me arsimin e lartë. Në prill 2017, 49 kandidatë ishin rekomanduar nga komisionet vlerësuese të UP-së për të marr pozitën ‘‘Profesor Asistent’’. Për këtë rast, ORCA insistonte se 42 për qind e kandidatëve të rekomanduar nuk i plotësonin kriteret e domosdoshme për të marr këtë pozitë.     

‘‘Del se 11 raste të vlerësimit pozitiv janë kandidatë me punime në revista të dyshimta; 8 raste të vlerësimit pozitiv janë kandidatë që pjesëmarrjet në konferenca i kanë paraqitur si punime shkencore në revista shkencore ndërkombëtare; 2 raste nuk kanë fare punime’’, thuhej në reagimin e organizatës. Për këtë rast ata kishin deponuar ankesë në MASHT.

Ndërsa në shtator të 2018, nga monitorimi i 199 kandidatëve të rekomanduar nga komisonet vlerësuese të UP-së, 153 prej tyre, apo 72 përqind, i plotësonin kriteret për (ri)zjedhje e avancim. Përkundër këtij përmirësimi, ORCA në analizën e saj shprehej se ‘‘me gjithë përmirësimet e shënuara, mënyra ekzistuese e emërimit, riemërimit dhe avancimit të stafit lë shumë hapësirë për interpretime, korrupsion të formave të ndryshme, nepotizëm, klientelizëm’’.   

Gjithashtu, Organizata Admovere, që merret me hulumtimin e sektorit të arsimit të lartë në Kosovë, ka shprehur dyshime për përgatitjen akademike të disa prej profesorëve të UP-së. Organizata në shtator të vitit të kaluar ka publikuar raportin ‘‘Stafi AkademikI UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë’’, ku akuzonte 16 profesorë që në punimet e tyre shkencore kanë bërë plagjiaturë.  

Për këtë rast, Admovere ka dorëzuar dosjen e hulumtimit në rektorat – pas thirrjes publike të rektorit Demaj – duke kërkuar nga organet e UP-së që pretendimet e raportit të tyre të shqyrtohen e të merret qëndrim zyrtar dhe në rast se vërtetohet ndonjë shkelje të merren masa konform statutit të uniersitetit.      

Ndërkohë, Pupovci nga KEC-i insiston se problemet në përgjithësi që ndjekin arsimin e lartë në Kosovë, tregojnë qartë se mungojnë kapacitetet për numër kaq të madh të studentevë dhe universiteteve.   

‘‘Nga regjistrimi i popullësisë [2011] Kosova ka pasur 1,450 doktorë shkencash, prej të cilëve 350 kanë qenë në pension’’, thotë ai. ‘‘Kjo është matematikë e thjeshtë; a ke numër të mjaftueshëm të profesorëve për mbi 100 mijë studentë?’’, thotë ai, duke iu referuar 133,000 studentëve pjesë e universiteteve publike dhe private në Kosovë.      

Pupovci në anën tjetër thotë  se mungesa e stafit të nevojshëm akademik ka bërë që persona pa thirrje të duhur akademike të ju ligjërojnë studentëve dhe kështu të cënohet cilësia e arsimimit që ofrohet.   

Këtë pohim e mbështetë edhe raporti i  ORCA-s i publikuar në tetor të 2018-ës dhe që ka analizuar mbajtjen e ligjëratave nga ‘‘stafi pa titull akademik të profesorit në UP’’. Aty thuhet se janë ‘‘544 lëndë në Universitetin e Prishtinës mbahen nga 177 persona që nuk janë profesor’’. Gjetjet e raportit tregojnë se 76 prej tyre kanë vetëm gradën shkencore të masterit dhe ka prej tyre që ligjërojnë edhe në nivelin master që sipas statutit të UP-së është e ndaluar.

‘‘Praktikat ku një master i shkencës, ligjëron në nivelin baqellor, e aq më keq edhe në master dëmtojnë rëndë cilësinë e studimeve të çfarëdo niveli’’, vazhdon më tej raporti.     

Pikë tjetër ku ngecin universitetet është raporti profesor-studentë. Universiteti i Prizrenit ka një profesor të gatshëm për 141 studentë, ai i Pejës 1 për 117, Gjilanit 1 për 91, Gjakovës 1 për 74, Ferizajt 1 për 57, Universiteti i Prishtinës 1 për 53, si dhe i Mitrovicës që qëndron më të mirë, 1 profesor për 31 studentë. Mesatarja e raportit profesor-studentë në universitetet publike është 1  për 42.

Pupovci thotë se sipas standardeve ndërkombëtare një profesor duhet të jetë  për 10 studentë eventualisht 15.

Përpos këtyre, Pupovci sheh dhe një problem tjetër kyç tek universitetet e themeluara pas 2010-ës. ‘‘Për ta quajtur një institucion universitet, [Ligji për Arsimin e Lartë, neni 10] kërkon që ai t’i ketë të paktën pesë programe të ndryshme të doktoratës dhe prej secilit program të doktoratës ta ketë të paktën një të diplomuar — të paktën një doktor shkencash që ka dalur prej atij programi’’, thotë ai, duke shtuar se mungesa e programeve të doktoraturës në këto universitete do të thotë që ky kusht nuk është plotësuar. Rrjedhimisht, ato nuk do duhej të cilësoheshin si universitete por si kolegje, dhe kjo të reflektohej në diplomat e studentëve, thotë ai.   

“Nuk shoh që studentët e këtyre universiteteve duhet t’i heqin pasojat për shkak se qeveria dhe kuvendi kanë vendosur, që për vota, ta shkelin Ligjin e Arsimit të Lartë”, thotë ai.    

Një numër i madh studentësh do të ndikohej nga kjo, në raportin e MASHT-it thuhet se pothuajse 28,000 studentë janë të regjistruar në këto universitete.

Por çka më tej?       

Në bazë të analizave  nga ekspertët e MASHT-it, thuhet se situata në të cilën gjenden universitetet publike, duhet të ndryshojë. Sipas tyre, ndryshimi ‘‘reflekton shumë implikime strukturore, programore, financiare të ndërlidhura edhe me aspektet e lokacionit, pajisjet, infrastrukturën kërkimore, laboratorët etj’’.    

Sidoqoftë, eskpertët e ministrisë kanë propozuar dy modele për transformimin e këtyre universiteteve.  

Në modelin e parë propozohet që universitetet të grupohen në dy universitete: Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Dukagjinit.

Si pjesë e Universitetit të Prishtinës parashihen të jenë 19 fakultete — 13 prej fakulteteve do të jenë ato që janë ekzistuese në UP. Këto fakultete do të shtrihen në katër kampuse universitare, përfshirë në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe ai ekzistues në Prishtinë, ku edhe do jetë rektorati.  

Ndërsa, Universiteti i Dukagjinit do të shtrihet në Pejë, Prizren dhe Gjakovë dhe në këtë të fundit do vendoset rektorati. Pjesë e këtij universiteti do jenë nëntë fakultete.

Raporti i MASHT-it, nuk jep detaje të tjera se si do realizohej kjo, cilat do ishin implikimet eventuale dhe çka do ndryshohej me këtë model. Por, ajo që ekspertët e ministrisë kujdesën ta thonë, është se ky model do të siguronte vendet e punës për gjithë ata që janë të punësuar momentalisht, pagat nuk do iu prekeshin po ashtu as gradat akademike.   

''Cilësia varet — për shembull tek Shkencat Kompjuterike — nga organizimi dhe stafi akademik i departamentit përkatës dhe jo se [universiteti] a ka fakultet juridik apo jo''

Dukagjin Pupovci

‘‘Ruajtje-Profilizim-Konsolidim’’ është modeli i dytë i propozuar nga ekspertët e ministrisë në raport. Tek ky model parashihet që të bëhet profilizimi i universiteteve aktuale. Idenë e tyre, ekspertët e kanë shpërndarë nëpër disa faza dhe përgjegjësi detyrash, si për universitetet ashtu edhe për MASHT-in.  

Ky proces sipas tyre do të mundësohej nga vet universitetet duke u fokusuar në: cilësinë e mësimdhënies; ciklet dhe programet e studimit; rishikimin e programeve të studimit, qasjes në arsimin e lartë, ngarkesës mësimore; si dhe strukturën për organizimin e programeve të studimit. Ndërsa për ministrinë, do të rritej roli rregullativ i saj dhe të mbetej vetëm në kuptimin e asistencës në mënyrë që të respektohej autonomia e universiteteve.

Gjithashtu, parashihet themelimi i një task-forcë nën drejtimin e MASHT-it, dhe me në një përbërje të ministrisë së arsimit, tregtisë dhe industrisë, dhe atë të financave, institucioneve të arsimit si Agjencisë së Akreditimit dhe përfaqësues të universiteteve, si dhe shoqërisë civile. Kjo task-forcë për detyrë do kishte hartimin e dokumentit për ‘‘Profilizimin të gjithëmbarshëm dhe strategjinë për funksionimin ligjor-akademik’’.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, thotë se këto universitete janë lënë pas dore, si nga institucionet ashtu dhe nga organizatat tjera. Photo: Atdhe Mulla / K2.0

Për tu arritur profilizimi i universiteteve publike, ato do obligoheshin që të krijojnë programe me profil të qartë dhe identitet të ndryshëm nga universitetet tjera publike. Më tej, do ju kërkohej që të bënin harmonizim e programeve të studimit, të zhvillonin studime dhe kurse të specializuara. Pikë tjetër që përmendet është zhvillimi i kërkimit shkencor i fokusuar në profilizimin e universitetit dhe angazhimi i stafit me profil dhe kompetencë për programet e profilizuar. Gjithë këto veprime duhet të bëhen paralelisht me sigurimin e cilësisë së arsimimit që ofrojnë.      

‘Cilësia varet — për shembull tek Shkencat Kompjuterike — nga organizimi dhe stafi akademik i departamentit përkatës dhe jo se [universiteti] a ka fakultet juridik apo jo’’, thotë Popuvci, duke insistuar se para çfardo hapi duhet të mendohet se si të sigurohet staf i përgatitur akademik.  

Sipas tij, sigurimi i stafit vlenë edhe tek idea për ndarjen në dy universitete. Për të, e udhës do të ishte që dy apo më shumë degë të përafërta të përafroheshin në një dhe kjo do siguronte staf të mjaftueshëm akademik. Apo tek fakultetet që ofrojnë studime në nivelin bachelor dhe atë master — aty ku ka mungesë stafi — të mbylleshin studimet e nivelit të dytë.  

Për Pupovcin, shpresa e vetme mbetet Agjencia Kosovare e Akreditimit, duke rritur dhe insistuar në kriteret e akreditimit. Ato progame mësimore, ato fakultete që nuk ka mundësi të ekzistojnë — qoftë për shkak të mungesës së kuadrit apo për mos përmbushje të kushteve tjera, të mbyllen, ose tu jepet afat kohor që të riparohen ato kushte. K

Redaktuar nga: Besa Luci dhe Leurina Mehmeti.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.

Foto kryesoreNë vitin 2010, ish-kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit  në Pejë. Photo: Atdhe Mulla / K2.0.