Në thelb | Feminizmi

Tërheqja e të drejtave për abort?

Nga - 17.06.2019

Ballafaqimi me konservatorët e rajonit për t’i mbrojtur të drejtat e grave.

Në Rrugën “Praga”, në qendër të Zagrebit, një grup i vogël i grave qëndrojnë me fustana dhe fanella të bardha të ngjyrosura me ngjyrë gjaku. Gjaku në teshat e tyre të bardha ka për qëllim të na i kujtojë shumë gratë që në të kaluarën janë detyruar të performojnë aborte me varëse të teshave. Trembëdhjetë prej tyre qëndrojnë me grushta të ngritur lart para turmës së njerëzve që po demonstrojnë mbështetjen e tyre për ndalimin e abortit duke marshuar në Marshin për Jetë.

Fyerjet ndaj aktivisteve mund të dëgjohen nga turma: “Gra çetnike”, “kurva serbe”, “lezbike”, “vrasëse të fëmijëve”, përderisa turma këndon këngë të Marko Perković Thompson, një këngëtar i njohur për gjuhën nacionaliste.

Pasi konservatorët në Kroaci filluan të organizojnë Marshe për Jetë kundër abortit, feministët në Zagreb filluan të organizojnë kundërprotesta për ta mbrojtur atë që ata besojnë është liri themelore për çdo grua. Foto: Jadran Boban, nga Ženska mreža Croatia.

Megjithatë, 13 gratë vazhdojnë të qëndrojnë vendosmërisht para tyre. Në një moment, si për t’i shpëtuar, vjen policia. Por gratë e din çfarë po i pret, kështu që ulen në tokë. Policët afrohen, i ngrisin gratë një nga një dhe i fusin në vetura të policisë. Ato nuk rezistojnë, por as nuk i ulin grushtat.

Rezultati i kësaj proteste, e cila u mbajt më 25 maj dhe u quajt “Liria e Zgjedhjes”, ishte një raport policor kundër aktivisteve për shkelje të paqës dhe rendit publik për shkak se tubimi i tyre nuk ishte raportuar paraprakisht. Megjithatë, feministet të cilat morrën pjesë në kundërprotestë besojnë se ato u arrestuan për shkak se qëndruan kundër mbështetësve të grupit “Marshi për Jetë”.

Në të njejtën mënyrë, aktivistët ishin organizuar matanë Kroacisë atë ditë, duke dalur në rrugë dhe luftuar për të drejtën për të marrë vendime për trupat e tyre.

E gjithë kjo po ndodh në Kroaci, një shtet i cili është anëtar i Bashkimit Evropian, dhe duhet të jetë model për tjerët në rajon.

Tradita në Jugosllavi

Gjatë historisë, Ballkani ka qenë një vend ku patriarkia ka qëndruar si pengesë për realizimin e disa të drejtave të njeriut dhe ka bërë që të imponohen politika që manipulojnë me trupat e grave.

Një periudhë e ndriçuar ndodhi në kohën e Jugosllavisë, kur sistemi e promovoi barazinë e grave dhe respektin për të drejtat e të gjithë njerëzve. Në këtë frymë, e drejta për të abortuar u rregullua ligjërisht në 1952, por prap se prap mbeti vetëm procedurë mjekësore brenda sistemit shëndetësor.

Një lëvizje e fortë feministe në Jugosllavi ndihmoi që e drejta për të abortuar të bëhet kategori kushtetuese në 1974; dispozita të ngjashme kushtetuese ekzistuan në vetëm tri shtete tjera në botë në atë kohë.

Në 1978 hyri në fuqi Ligji për Masa të Shëndetësisë për Realizimin e të Drejtave për Vendimmarrje të Lirë për Lindje, dhe kështu u definuan dhe qartësuan më tej këto të drejta. Në shumicën e shteteve që rrjedhën nga shpërbërja e Jugosllavisë, në mënyrë efektive ky legjislacion është ende në fuqi. Megjithatë, zërat e atyre që besojnë që ky ligj duhet të ndryshohet, në dëm të grave, po ngriten gjithnjë më shumë.

Nëse ndalohet aborti atëherë shfuqizohet e drejta e grave për vendimmarrje, dhe kjo konsiderohet si manifestim i drejtpërdrejtë i urrejtjes ndaj tyre.

Ky ligj përcakton se mbarimi i shtatzënisë mund të performohet deri në fund të javës së 10 nga dita e ngjizjes, dhe se pas kësaj periudhe mund të kryhet vetëm me miratim të një komisionit. Megjithatë, së fundmi në shumicën e shteteve post-jugosllave, mjekët e kanë shfrytëzuar të drejtën për të refuzuar performimin e abortit nëse i kundërshton vlerat e tyre personale dhe morale. Njëkohësisht janë ngritur zërat e tyre që janë kundër zgjidhjeve të tilla ligjore, që kërkojnë ndalim të plotë.

Nga një këndvështrim feminist që lidhet me të drejtat e njeriut, nëse ndalohet aborti atëherë shfuqizohet e drejta e grave për vendimmarrje, dhe kjo konsiderohet si manifestim i drejtpërdrejtë i urrejtjes ndaj tyre. Kjo mizogjini është paraqitur në punimin e ekranizuar të shkrimtares Margaret Atwood, “The Handmaid’s Tale”, që ilustron përfundimin distopian të plot viteve të urrejtjes dhe përbën një paraqitje të kondensuar të të gjitha shembujve të ndalimit të të drejtave të grave, me theks mbi të drejtat e riprodhimit.

Seriali televiziv u bë pjesë e luftës për të drejtën për vendimmarrje të lirë matanë botës, e ashtu edhe në rajon. Në Kroaci, ku zërat e atyre që e kundërshtojnë abortin aktualisht janë më të zëshëm, vitin e kaluar feministët organizuan një performancë të titulluar “Handmaids Standing Up for Istanbul Convention Ratification” (Shërbëtoret Ngriten për Ratifikimin e Konventës së Stambollit), duke paralajmëruar për rritjen e ndikimit të zërave neokonservatorë, dhe dhunës institucionale ndaj të cilës ekspozohen gratë.

Konventa e Stambollit, dokument që erdhi nga Këshilli i Evropës në 2011 dhe mbështetet nga feministët matanë botës, në mënyrë eksplicite dënon dhunën ndaj grave. Grupet ultra-konservatore në Kroaci, të cilat kanë mbështetje të madhe në qeveri dhe kishë, ishin kundër ratifikimit të konventës, dhe madje organizuan nënshkrimin e një peticioni. Grupet feministe reaguan duke bërë përpjekje më të mëdha në thirrjen e tyre për ratifikim, dhe pas presionit nga BE, Kroacia e ratifikoi Konventën në 2018.

Lufta për të drejtën e grave për të pasur kontroll mbi trupat e tyre po ndodh edhe në shtete tjera të rajonit, ku zërat konservatorë gjithashtu mund të dëgjohen më shpesh në media, si dhe në shkolla dhe institucione të shëndetësisë.

Leonida Molliqaj thotë se pavarësisht rregullave ligjore që kanë qenë në fuqi me dekada, mbarimi i shtatzënisë ende lidhet gjerësisht me moralet dhe nderin e një gruaje.

Në Kosovë, gazetarja hulumtuese që merret me të drejtat e grave Leonida Molliqaj thotë që si në shoqëritë tjera patriarkale në rajon, amësia konsiderohet të jetë virtyti kryesor i grave. Njëkohësisht, ajo thotë se gratë po mohohen krejtësisht si qenie seksuale, siç është rasti me të drejtat e tyre për të marrë vendime për të drejtat e tyre për t’u riprodhuar.

Mungesa e hapësirës në publik ku mund të diskutohet për të drejtat e grave ka bërë që një numër i madh i grave të mos i nënshtrohen kontrolleve të rregullta gjinekologjike. Arsyet për këtë përfshijnë stigmën ekzistuese, si dhe varfërinë. Gratë pa punë dhe ato që jetojnë në zona rurale janë viktima të posaçme në këtë aspekt.

Sa i përket aspektit juridik, dispozitat kryesore të ligjit që ishte në fuqi në Jugosllavi u përcjellën në mënyrë efektive në legjislacionin e Kosovës, si ato që i referohen të drejtës së grave për të abortuar deri në javën e 10 të shtatzënisë. Pas kësaj periudhe, aborti lejohet në raste të dhunës, incestit dhe komplikimeve që mund ta dëmtojnë shëndetin e grave apo ndikojnë tek vetusi, nëse merret miratim i detyrueshëm nga një komision special.

Megjithatë, në praktikë sendet shkojnë më ndryshe.

Molliqaj thotë se pavarësisht rregullave ligjore që kanë qenë në fuqi me dekada, mbarimi i shtatzënisë ende lidhet gjerësisht me moralet dhe nderin e një gruaje.

Ato që presin për konsultime në lidhje me abortin në klinikat e Prishtinës mund të ballafaqohen me postera moralizues që e përulin abortin si “shkatërruesi më i madh i botës”. Foto nga Preportr.

“Megjithatë, fakti që aborti ende konsiderohet si ndërhyrje e pamoralshme nuk ndikon që gratë të mos e performojnë atë, por i detyron ato të gjejnë mënyra ta bëjnë me fshehtësi të madhe, e kjo ua rrezikon jetën në mënyrë të drejtpërdrejtë”, paralajmëron Molliqaj, e cila gjithashtu i thekson rastet në të cilat pilulat kontraceptive merren pa konsultim paraprak me mjekun, dhe abortët performohen në klinika të palicensuara.

Qasja negative ndaj grave dhe abortit është e dukshme edhe në arenën publike. Gratë që shkojnë në spitalet e Prishtinës për abort ballafaqohen me postera në të cilët shkruan “Shkatërruesi më i madh i botës është dështimi – aborti” dhe “Krim i bërë me duart e vetë nënës…”.

Në përgjithësi, historia e shëndetësisë seksuale dhe riprodhuese në shoqërinë e Kosovës është temë e mbyllur prapa dyerve, e këtë e dëshmon mungesa e edukimit të detyrueshëm seksual.

Lufta feministe

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka mësuar se është e mundur të tkurren drastikisht të drejtat e grave “brenda natës”. Në 2013, një ligj i ri u prezantua që praktikisht e pamundësoi realizimin e procedurës së sigurtë dhe të qasshme për mbarim të shtatzënisë, posaçërisht duke i detyruar gratë të presin për miratime komisionale për një periudhë të gjatë kohore; në disa raste, kjo shkaktoi ndërlikime shëndetësore.

Lufta e feministeve së fundmi ka çuar te disa masa ligjore, që e shfuqizojnë konsultimin e detyrueshëm si dhe pritjen për miratim për abort. Këto ndryshime ua mundësojnë grave kryerjen e abortit deri në fund të javës së 12 të shtatzënisë, jo siç ishte më parë, deri në fund të javës së 10; pas kësaj periudhe mund të performohet aborti në rrethana të posaçme ku mund të ketë ndikim në shëndetin e gruas apo fëmijës, apo nëse shtatzënia është rrjedhojë e përdhunimit. Gjithashtu, është e mundshme të performohet aborti më vonë nëse gruaja ballafaqohet me kushte të vështira të jetesës.

Në këto raste speciale duhet të mbledhet një komision me doktorë dhe punëtorë socialë si anëtarë. Gratë kanë të drejtë të ankohen për vendimin e komisionit. Me dispozitat e reja, është e mundshme të kryhet aborti edhe në qendra të shëndetësisë.

Deri sa ishte në fuqi ligji kufizues, kishte reduktim në numrin e aborteve të kryera brenda klinikave shtetërore, por në Kosovë dhe Serbinë jugore u shtua numri i grave që shkuan jashtë vendit për të performuar procedura mjekësore për këtë qëllim.

Diksursi zyrtar politik - që shpeshherë është afër ideve të Kishës Ortodokse Serbe - e promovon “rritjen e natalitetit”.

Ligji kufizues në Maqedoninë e Veriut morri mbështetje nga disa zyrtarë të lartë në Serbi. Presidenti Aleksandar Vučić e theksoi “modelin maqedon” si shembull pozitiv, dhe tha se don që gratë në Serbi ta dëgjojnë tingullin e rrahjes së zemrës së fëmijës.

Ndonëse nuk ka ndalesë mbi abortin në Serbi, diksursi zyrtar politik – që shpeshherë është afër ideve të Kishës Ortodokse Serbe, veçanërisht sa i përket abortit – e promovon “rritjen e natalitetit”. Vitin e kaluar qeveria e publikoi një thirrje të hapur për sllogane që inkurajojnë rritjen e natalitetit; për disa javë, Ministria e Kulturës i morri 1,002 sugjerime.

Njëkohësisht, për më shumë se dy dekada, Kisha Ortodokse Serbe ka dërguar mesazhe publike me synim për të krijuar një atmosferë që do të çonte deri te ndalimi i publikimit të informatave për shëndetin riprodhues. Nën këtë ndikim, në vitin 2017 u tërhoq një pako marrëveshje për edukimin seksual, edhe pse ishte miratuar paraprakisht nga qeveria.

Jelena Višnjić, një nga themelueset e qendrës kulturore feministe BeFem, thotë që personalitetet e kishës nuk ngurrojnë t’i përgojojnë publikisht gratë që nuk pajtohen me ta, si dhe bëjnë përpjekje që t’ua mohojnë të drejtat për të zgjedhur për trupin e tyre.

“Kjo është paradigmë e një trajtimi konservator dhe nacionalist, por edhe matrica e vlerave që përdoret nga e djathta ekstreme, e zakonshme në qarqe të ndryshme shoqërore”, thotë Višnjić.

Ajo e thekson faktin që çështja e abortit së fundmi është kthyer në parlamente të plot vendeve, dhe thotë se kjo është konfirmim i faktit që po jetojmë në shoqëri që janë thellësisht tradicionale dhe konservatore.

“Në rastin e Serbisë, kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e militarizmit, nacionalizmit, luftërave, dhe ndikimit gjithnjë më të madh të kishës”, thotë ajo, dhe shton se debati i ringjallur në lidhje me abortin nuk po ndikon vetëm në rajonin e Ballkanit. “Në Evropë, kjo është rrjedhojë e fuqizimit të ideologjive të krahut të djathtë dhe pranisë së partive konservatore në parlamente”.

Rrëfenjat problematike

Višnjić i thekson idetë konservatore në lidhje me të drejtat e grave në mesin e anëtarëve të partisë politike Dveri, një organizatë ultrakonservatore në Serbi që në programin e saj politik e ka një seksion të titulluar “Gratë do ta shpëtojnë Serbinë”.

Disa nga pasojat e përhapjes së ideve të tilla janë të dukshme.

Në sistemin shëndetësor të Serbisë, gjatë vizitave tek gjinokologët gratë fertile inkurajohen shumë për të bërë fëmijë. Mjekët shpeshherë japin këshilla të pakërkuara për atë se si gratë mund ta përmirësojnë shëndetin e tyre nëpërmjet shtatzënisë.

Edhe pse, në aspektin juridik, aborti në Serbi ende është pjesë e sistemit shëndetësor. Kur bëhet për “arsye jomjekësore”, procedura duhet të paguhet. Në klinika shtetërore, çmimet për këto shërbime janë 150 deri në 200 euro, varësisht nga anestezioni që përdoret, ndërsa në klinika private, kushton prej 200 deri në 400 euro, varësisht nga metoda.

Rrëfenjat problematike që janë të fokusuara tek gratë në Serbi janë theksuar në vërejtjet e dhëna në vitin 2019 nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Kundër Grave (CEDAW).

“Çështja e amësisë është vendim personal i secilës grua individuale.”

Jelena Višnjić, BeFem

Višnjić shpjegon se Komiteti e rekomandoi zbatimin e të gjitha masave të domosdoshme kundër diskursit antigjinor dhe ndikimit negativ që e ka në arritjet e shtetit në fushën e të drejtave të njeriut.

“Ata vërejtën promovimin e ideve ultrakonservatore në lidhje me familjen tradicionale, ku gratë shihen parimisht si nëna, që degjeneroi më tej me fushatën kombëtare për inkurajimin e rritjes së natalitetit dhe miratimin e Ligjit për Mbështetje Financiare për Familje me Fëmijë”, thotë Višnjić, duke iu referuar ligjit të vitit 2009 që u ndryshua në 2017 dhe përsëri në 2018.

Ky ligj e rriti mbështetjen financiare për prindër, instrument kryesor i politikave pro-lindje që kritikohen shumë nga organizatat feministe në Serbi.

Ajo shton se fushatat për lindje as nuk duhet të ekzistojnë, “sepse çështja e amësisë është vendim personal i secilës grua individuale”.

Ndikimi nga shtetet në afërsi është transferuar edhe tek Bosnja dhe Hercegovina. Megjithatë, si për plot çështje tjera, Bosnja ka shumë dallime të brendshme sa i përket abortit, dhe jo vetëm sa i përket pozicionimit politik.

Të drejtat e grave dallojnë varësisht nga vendet, qoftë në Republika Srpska apo në Federatën e Bosnes dhe Hercegovinës me 10 kantonet autonome të saj, në të cilat udhëheqin akterë të ndryshëm politikë.

Një asociacion që është i afërt me kishën Katolike në Bosnje dhe Hercegovinë ka qenë i zëshëm në fushatën kundër abortit. Foto: Mlado sunce.

Dallimet janë të mëdha, nga çështja e të drejtës për mbarim të shtatzënisë te fertilizimi me ndihmë mjekësore – gratë nga Republika Srpska kanë të drejtë për më shumë procedura të fertilizimit me ndihmë mjekësore pa pagesë në krahasim me ato nga Federata; ka dallime edhe sa i përket pagesës për amësi, pra përfitimet e amësisë dallojnë nga kantoni në kanton, për shkak se kjo është çështje që është rregulluar lokalisht.

Në pjesën e shtetit ku është në pushtet Komuniteti Demokratik Kroat (HDZ), një parti e krahut të djathtë që shpeshherë zbaton politika të ngjashme me ato që zbatohen nga partia partnere e saj në Kroaci, kishte përpjekje për ta imponuar ndalim të krejtësishëm të abortit.

Në Široki Brijeg, Mostar dhe Čitluk, plot billborde me slloganin “Mos heq dorë nga unë, nënë” u vendosën nga aktivistët e shoqatës Mlado Sunce, që është shumë e afërt me kishën Katolike, ndërsa lutje u mbajtën para spitaleve pas vendosjes së billbordeve.

Stigmatizimi i grave

Legjislacioni që rregullon abortin në Bosnje dhe Hercegovinë ka mbetur i pandryshuar prej kohës së Jugosllavisë, por zërat konservatorë po bëhen më të fortë. Në Sarajevë, abortet mund të performohen vetëm në klinika të rralla private dhe në institucionin publik të Qendrës Klinike Universitare. Në secilin rast, këto shërbime paguhen.

Në klinika private, rregullat dallojnë përgjatë këti sektori. Disa klinika as nuk e vënë në pyetje kohëzgjatësinë e shtatzënisë, ndërsa gratë duhet të paguajnë 250 euro për procedurën. Në institucione publike, çmimet dallojnë nga 80 deri në 130 euro.

Njëkohësisht, ka filluar të dominojë diskursi në të cilin amësia është shenjtëria dhe obligimi më i madh, e kjo po shoqërohet me ton mizogjinist për çdo temë që flet drejtpërdrejt për gratë dhe të drejtat e trupat e tyre.

Selma Badžić nga Qendra për të Drejtat e Grave të Zenicës (Centar za ženska prava Zenica) thotë që nëse një grua është person publik i angazhuar politikisht, person i ri dhe i arsimuar, atëherë ajo shpeshherë përçmohet si nënë e keqe; gratë e tilla i nënshtrohen edhe shqyrtimit për atë se kush kujdeset për fëmijët e saj dhe pse ajo nuk e lind më shumë se një fëmijë.

“Këtu dëmtohët thellësisht intimiteti, si dhe e drejta e gruas për të zgjedhur për vete, por edhe mundësia fizike e saj për të mbetur shtatzënë”, thotë Badžić.

Ajo thekson se raportet në media shpeshherë shoqërohen me një ortek të komenteve në portale mediale dhe përmbajtje që ndahen në rrjete sociale, “gjë që kontribuon në përhapjen e qëndrimeve konservatore, stereotipike dhe gjuhës së urrejtjes kundër grave në të gjitha aspektet e jetës”.

“Konteksti dhe potenciali për të eskaluar situata përkeqësohen nga politikat pro-jetë në shtetet fqinje.”

Selma Badžić, Qendra për të Drejtat e Grave të Zenicës

Një sulm special mbi të drejtat riprodhuese në Bosnje dhe Hercegovinë shihet në masivitetin e titujve sensacional në media “për frikën nga nataliteti i ulët”, e gjithashtu ka pretendime që aborti është shkaktar i natalitetit të ulët.

Duken si një tjetër përpjekje për t’i fajësuar gratë për gjendjen aktuale në vend; historia tregon që përpjekjet e tilla shkojnë dorë për dore me shkeljen e të drejtave themelore të grave për liri, zgjedhje dhe kontroll mbi trupat dhe jetët e tyre.

“Konteksti dhe potenciali për të eskaluar situata përkeqësohen nga politikat pro-jetë në shtetet fqinje”, paralajmëron Badžić, i cili shton se edukimi në shkolla për të drejtat seksuale dhe riprodhuese, dhe për seksualitetin, mbetet si tabu.

Ajo e sheh këtë lloj qëndrimi si diçka që shkon kundër Synimeve globale për Zhvillim të Qëndrueshëm, një dokument i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e kanë nënshkruar shtetet anëtare – përfshirë këtu Bosnjen dhe Hercegovinën – dhe i obligon ato të punojnë për ta eliminuar pabarazinë ndërmjet sekseve, mes tjerash.

“Në vend të kësaj, fëmijët kanë klasa dhe mësime religjioze, e pak hapësirë mbetet për inkurajimin e zhvillimit të një mendësie kritike apo zhvillimit të qëndrimeve personale”, thotë Badžić.

“Ngjarjet, datat dhe tubimet religjioze përdoren për të përhapur pretendime që burrat duhet t’i kthehen rolit të ‘kreut të familjes’ dhe gratë duhet të rrinë ‘në vendin e vet’ – në shtëpi, për të pastruar, gatuar, për të lindur fëmijë dhe për t’u kujdesur për ta”.

Përgjigja ndaj sulmit kundër të drejtave të grave

Megjithatë, skenat si ato në Rrugën Pragë në Zagreb, që me sa duket po bëhen më të zakonshme, tregojnë se fushata më drastike kundër të drejtave të grave për abort në rajon me sa duket po ndodhin në shtetin më të ri të BE-së, në Kroaci.

Si në vende tjera, struktura ligjore që rregullon abortin thjesht u transferua nga Jugosllavia dhe mbetet e pandryshuar. Megjithatë, rrjedhat konservatore nën ndikimin e kishës për një kohë të gjatë janë fokusuar në kundërshtimin e të drejtës së grave për të marrë vendime të pavarura.

Paola Zore nga Platforma Kundër Shkeljes së të Drejtave Riprodhuese (Obrani Pravo Na Izbor) – që përbëhet nga një grup i aktivistëve të fushës së të drejtave riprodhuese – pretendon se “sulmet” ndaj grave dhe trupave të tyre janë intensifikuar në pesë gjashtë vitet e fundit. Ajo beson se kjo po ndodh për shkak të paraqitjes së grupeve të reja të lidhura ndërkombëtarisht që po përdorin strategji të reja në përpjekje për ta ndaluar abortin.

“Edhe pse, sipas sondazheve të opinionit publik, më shumë se 60% të qytetarëve e mbështesin abortin e ligjshëm, ky numër ishte pak më i lartë në vitet e 90-a.”

Paola Zore, Platforma Kundër Shkeljes së të Drejtave Riprodhuese

Zore thotë se Marshi për Jetë, që është organizuar për vitin e katërt radhazi, si dhe lutjet para spitaleve, kanë kontribuar në stigmatizimin e shtuar në lidhje me abortin.

“Edhe pse, sipas sondazheve të opinionit publik, më shumë se 60 përqind të qytetarëve e mbështesin abortin e ligjshëm, ky numër ishte pak më i lartë në vitet e 90-a”, thotë ajo, dhe shton se qasja në abort në Kroaci është gjithnjë më e vështirë, ndërsa gjithnjë më shumë gra që duan ta performojnë atë po e bëjnë në shtete fqinje.

Diskursi publik në Kroaci sa i përket abortit po bëhet gjithnjë më agresiv ndaj grave. Mediat gjithnjë më shumë po fokusohen në çështjen e abortit duke thënë se jeta nis me konceptim, duke thënë se “aborti është vrasje”, dhe duke i targetuar gratë dhe stafin mjekësor që performojnë aborte.

Përveç faktit që ky diskurs krejtësisht i përjashton gratë dhe të drejtën e tyre për të marrë vendime në lidhje me mbarimin e shtatzënisë, ka grupe që ofrojnë mbështetje për gratë shtatzënë me kusht që ta vazhdojnë shtatzëninë e tyre.

Zore shpjegon se si abortet në Kroaci kushtojnë nga 200 deri në 400 euro, ndërsa çmimet po rriten me kalimin e viteve, dhe ka dallime ndërmjet spitaleve, “gjë që krijon mundësinë që ato të fillojnë të sillen si subjekte të tregut, duke e caktuar vet çmimin”.

Ky çmim relativisht i lartë ndikon në vendimmarrjen e grave për abort, por mbase shqetësim më i madh është fakti se stafi mjekësor po e shfrytëzojnë gjithnjë më shumë të drejtën për kundërshtim të ndërgjegjshëm; sipas disa hulumtimeve, deri në 60 përqind të mjekëve e bëjnë këtë, ndërsa në pesë spitale të anketuara, të gjithë mjekët e punësuar e përdorën të drejtën për kundërshtim të ndërgjegjshëm, dhe abortet nuk performohen aty.

Aktivistët kroatë kanë frikë se ligji i ri mund të sjell pengesa për performimin e abortit.

Aktivistët e kësaj fushe gjithashtu thonë se njohin mjekë të cilët performojnë aborte private për të hyra shtesë, veprim ky i jashtëligjshëm.

“Numri i mjekëve që e përdori ntë drejtën e tyre për kundërshtim të ndërgjegjshëm është rritur në vitet e fundit, dhe presim të vazhdojë të rritet”, thotë Zore. “Stafi mjekësor po e përdorin të drejtën për kundështim të ndërgjegjshëm jo vetëm në raste ku kërkohet aborti, por edhe nër aste të disa procedurave që lidhen me fertilizim me ndihmë mjekësore, dhe disa procedura diagnostike gjatë shtatzënisë”.

Ajo thotë se shembuj tjerë ku objektet mjekësore e shkelin të drejtën për abort në Kroaci përfshijnë padisponueshmërinë e abortit medikamentoz, ngarkimi me pagesë për shërbime që duhet të jenë pa pagesë, manipulimi i informatave në lidhje me abortin, dhe refuzimi për të kryer abort pas javës së 10 edhe në raste ku shtatzënia është pasojë e përdhunimit apo kur ka keqformime serioze të fetusit që janë të mospërputhshme me jetën.

Në vitet e fundit, grupet pro-jetë e kanë kundërshtuar kushtetutshmërinë e ligjit që rregullon abortin, e kjo ka rezultuar me një situatë ku në vitin 2017 Gjykata Kushtetuese e ka vendosur një afat kohor prej dy vitesh për ta miratuar një ligj të ri; ky afat kohor ka mbaruar së fundmi.

Aktivistët kroatë kanë frikë se ligji i ri mund të sjell pengesa për performimin e abortit. Njëkohësisht, ata presin fushata më të fuqishme për t’i bërë presion grave, stafit mjekësor dhe publikut, dhe presin keqësim të mëtejmë të kushteve për realizimin e të drejtës për abort për shkak të zbatimit të së drejtës për kundërshtim të ndërgjegjshëm dhe rritjes së çmimeve të abortit.

Aktivistët që janë pro zgjedhjës së lirë i kanë intensifikuar veprimet e tyre tashmë që po ballafaqohen me presion gjithnjë më të madh kundër abortit në Kroaci. Foto: Jadran Boba, nga Ženska mreža Croatia.

Por përderisa grupet që janë pro jetës e kanë dërguar propozimin e tyre te parlamenti kroat si pjesë e lobimit për legjislacion më të rreptë për abortin, grupet feministe nuk po rrin pasive duke pritur.

Përveç që i dërguan në parlament propozimet e tyre për ligjin e ri të abortit, grupet feministe si Autonomna ženska kuća (Shtëpia e Grave Autonome) – që e organizuan kundërprotestën e 25 majit “Liria e Zgjedhjes” – gjithsahtu i kanë nisur disa fushata që kërkojnë lirinë e të gjitha grave për të zgjedhur.

Një tjetër grup i cili ka marrë pjesë në fushatë është Crveni otpor (Rezistenca e Kuqe), që i ka bërë thirrje të gjithë atyre që i mbështesin të veshen me të kuqe në ditët e Marsheve për Jetë – të frymëzuara nga SHBA – për organizimin e tyre “Marshi për Liri”.

Kundërprotesta e parë “Marshi për Liri” në Kroaci u organizua në vitin 2018 në Rijekë, por prej atëherë janë organizuar plot tjera.

Marinela Matejčić, anëtare e nismës Gradanke i gradani Rijeke (Qytetarët e Rijekës), thotë që organizatorët e Marhist për Liri në Kroaci duan t’i mbledhin aleatët dhe ta theksojnë marrëdhënien ndërmjet sulmeve ndaj të drejtave riprodhuese dhe proceseve tjera shoqërore, si fuqizimi i fashizmit dhe revizionizmit historik, dhe sulmeve ndaj aseteve publike.

“Në anën tjetër, Qytetarët e Rijekës, si nismë që përfshinë plot individë dhe anëtarë të sektorit civil, i njeh sulmet e vazhdueshme ndaj të drejtave të grave si aspekt të rëndësishëm të luftës, por gjithashtu brenda kontekstit më të gjërë të shkeljës së të drejtave të njeriut në këtë vend”, thotë Matejčić.

Përfundimisht, përderisa shtetet e rajonit kanë tendencë të kenë mungesë të unitetit mbi çështje politike, sa i përket jetëve dhe të drejtave të grave, kanë shumë të përbashkëta.K

Foto kryesore: Jadran Boban, nga Ženska mreža Croatia.