Biseda | Muzikë

The Bloody Foreigners: Çdokujt ia ngucim mizën mbas veshit

Nga - 23.09.2020

Me ironi therëse, ashtu si në këngë, grupi flet për muzikën e vet dhe shoqërinë kosovare.

Në vitin 1998, Fatos Dërguti e Fatos Bejta kishin vendosur të largoheshin nga Kosova. Me pak marka në xhep, dy 17-vjeçarët fillimisht arritën në Hungari, për ta vazhduar rrugën me ndihmën e rrjeteve ilegale për në destinacionin e tyre: Anglinë. Në shtetin britanik atyre iu aprovua kërkesa për qëndrim bazuar në rrethanat e tyre jetësore si pasojë e represionit të regjimit serb në Kosovë gjatë asaj dekade.  

Dy shokët nga Vushtrria do ta vazhdonin shkollimin atje, si dhe do të mbanin kontakte të vazhdueshme me njëri-tjetrin.

Prej gati një viti para tyre, në Londër po qëndronte edhe Ard Kelmendi — i larguar nga Prishtina për po të njëjtat arsye. Dy Fatosët do ta takonin Ardin nëpër mbledhitë e komunitetit shqiptar në Londër, ku pasioni i të treve për muzikën u bë shkas që të krijonin shoqëri mes vete.

Me t’u rehatuar paksa, djelmoshat do të nisnin të merreshin nga pak me muzikë, në fillim vetëm për e me njëri-tjetrin. E vite më pas do të nisnin edhe ta regjistronin muzikën e tyre, si dhe të performonin nëpër pub-at me pronarë e myshterinj shqiptarë në Londër.

“Gati çdo të premte me Fatosin kena knu”, kujton Fatos Dërguti fundjavat e asaj kohe. Fillimisht këndonin këngë shqipe të të tjerëve, dhe meqë shpeshherë atje “i ngucnin” se ishin “gjak i huaj”, filluan ta quanin veten The Bloody Foreigners. 

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Vetëm pas disa viteve, më 2010, ata do ta mbanin koncertin e parë në Kosovë, ku muzika e tyre tashmë kishte filluar të dëgjohej. Veçori i kishin tekstet satirike të mbështjellura me humor e shpoti. Në pesë vitet e ardhshme, për çdo vit do ta mbanin së paku nga një koncert në Kosovë, e më pas do të ktheheshin kohë pas kohe nëpër koncerte e festivale. 

Disa prej këngëve i kanë publikuar në albumin e vitit 2015 “Oh, Oh, Oh / Jadec” — me 17 këngë origjinale të prodhuara ndër vite. E tash janë duke punuar në një këngë të re, “Baba Jonë”, ku i kujtojnë e interpretojnë amanetet që i kanë marrë në ditët kur u larguan nga Kosova para më shumë se 20 vjetësh.

K2.0 ka biseduar “tu u nguc” me anëtarët e Bloody Foreigners për Rita Orën e Dua Lipën, për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, për disa nga tekstet e këngëve të tyre, e mbi të gjitha për Kosovën. Ata janë përgjigjur në stilin e tyre të zakonshëm.

K2.0: Intervistën mundemi me e nisë me atë që jeni të shkolluar, bile keni edhe doktoratura. S’po besoj që është aq e rëndësishme për qëllimet e kësaj interviste, ama pasi e keni përmendur vazhdimisht, gati në çdo intervistë tuajën në mediat në Kosovë, thashë ta përfundojmë këtë pjesë që në fillim.  

Ard Kelmendi: Unë jam njeri pa shkollë.    

Fatos Dërguti: Ata [gazetarët] kanë pasë qejf ashtu; na s’e kemi përdorë këtë por është përdorë prej mediave. 

"Më thojshin: 'Çka po bën tu punu k’tu, me nji kompani farmaceutike, n’ven se me shku me ba pare?'"

Fatos Dërguti

Fatos Bejta: Kemi shkollë, po shkolla s’ka të bëjë kurrgjë me muzikën që e bajmë. Krejt kjo puna e shkollës ka qenë e inskenuar ashtu. Na patën thirrë në një televizion me folë vetëm për doktoratura, te Besim Dina, edhe nuk pranum vetëm për ashtu: Vijmë vetëm nëse mundemi me i lujtë dy a tri këngë. 

Në Kosovë nuk vijmë me e reklamu shkollimin tonë, por me e shpërnda muzikën tonë. Më falni që po e them, por gati 90% të intervistave që i kemi ba kanë qenë shumë të liga, të papërgatitura, me skenar të caktuar prej intervistuesit të ligë, dhe që nuk ka ditë si me i nxjerrë disa sende ma interesante për neve. 

Dalim në Angli. Kah 15 tetori i vitit 2018, Iggy Pop lëshoi në Radio BBC këngën tuaj “Katunare”. Si e morët vesh, edhe a ju është rritë mendja?

Bejta: S’mundesh me na pytë a na është rritë mendja, se unë gjithmonë e kam t’madhe. Unë jam rritë duke u mburrë me sendet që i bëj edhe jam rritë duke i ba sendet që i du. Sidoqoftë, më kujtohet se kam qenë në punë kur më thanë a e njeh këtë këngë, edhe e pashë që është e jona.

Kelmendi: Unë kur iu tregova kolegëve të mi, ata mendojshin që nesër jap dorëheqje prej punës.

Dërguti: Mu më thojshin: “Çka po bën tu punu k’tu, me nji kompani farmaceutike, n’ven se me shku me ba pare?”

Bejta: Na muzikën gjithmonë e kemi ba me e prekë dikë. Fakti që Iggy Pop është prekë prej muzikës sonë ka qenë njëfarë ndjenje e mirë. Ka qenë një njohje që na ka ba me u ndi shumë mirë — kjo është puna jonë që e kemi ba për 20 vjet.

Mendja nuk na është rritë, ama na e ka validu punën që e kemi ba për shumë vite. E kemi ditë që jemi okej me muzikë, edhe dikush e ka vërtetu që kjo është muzikë e mirë. Po edhe më shumë, është ajo kur njerëzit më çojnë video ku fëmijët e tyre janë duke kcy me muzikën tonë. Ajo më kënaq më së shumti. Tani njerëz që, çka po di, bajnë seks me muzikë tonën, ose edhe marrin me muzikë tonën. Muzika jonë është duke iu flejtë shumë njerëzve, shumë shtresave, edhe kjo është e mira. 

Pas këtij momenti historik për juve, a keni me qenë ju krenaria e shqiptarëve, a ende mbeten Dua Lipa e Rita Ora? Si dhe nëse e arrini këtë, a keni me e harru shqipen dhe a keni me na “përfaqësu denjësisht në arenën ndërkombëtare”? Shkurt, kur po bëheni edhe ju ambasadorë të Kosovës? 

Bejta: Unë s’kam bothë me dalë nëpër intervista e koncerte si Rita e Dua, me njerëz si ti të poshtër, apo për gig-a tërë natën tani me u çu apet të nesërmen, apet e apet. 

Dërguti: Me i marrë gjithë ato droga, gjithë ato rakia…

"Njohim shumë njerëz në Kosovë, çojmë edhe pare në Kosovë."

Ard Kelmendi

Bejta: A e din çfarë presioni është? Na bajmë muzikë me e kënaqë veten. Krejt është një ikje prej jetës së përditshme, njëfarë pushimi prej jetës së përditshme. Nëse gjen diçka që të kënaqë, ky është fati ma i madh për neve. Kemi gjetë diçka të përbashkët, kur shkojmë në Kosovë e bajmë atë, kënaqemi dhe kthehemi me plot energji, e mezi presim ta bajmë apet. Kjo është ajo që na kënaqë. Sot me ma dhanë dikush një record deal (kontratë me kompani produksioni), unë s’e marr. S’po besoj.

Le t’i përfolim disa prej këngëve tuaja. Te kënga “Po pe merr bre”, ndër tjera, thoni: “Djali i mirë/ Po punon/ I shpisë t’mirë/ Po ngjinon/ Me to s’ka/ Edhe po mson/ Shokë boll ka/ Pare çon…”. Pastaj vazhdon me “Po pe merr bre”. S’di pse krejt kjo po më lidhet me juve: me shkolla jeni mirë, ma merr mendja edhe që çoni pare në shpi. A ju kanë zënë t’shpisë që p’e merrni a qysh është puna?

Bejta: Kadale — ma s’pari, na kurrë s’e kemi marrë. Mundesh mos me e besu, po ajo është punë e jotja. E dyta, na mësojshim e dikush tjetër kish shumë vakt, për shembull në Vushtrri, e thojshin “krejt djalë i mirë, anej-knej, po p’e merr bre”. 

Qe një natë, t’kallxoj, me Fatosin (Dërgutin) kemi qenë në një vend në Londër me shqiptarë dhe krejt pijshim birra. Unë e kisha marrë një Guinness. Njëri kqyrke çka po pi edhe konstatoi që unë jam drogirash, qato po e pi birrën e zezë. 

Njerëzit e padijshëm nuk kqyrin me marrë vesh se çka po ndodh dhe kur nuk munden me ia shpjegu vetes çka po ndodh, ose thojnë “veç Zoti e di”, ose thojnë “ky është drogirash”. Për shembull, kur shqiptarët bajnë pare me punën e vështirë që e bajnë, thojnë: “Ka shitë drogë, me drogë i ka ba paret”. 

Dërguti: “Me miell i ka ba”, thojnë.

Kelmendi: Thjesht është observim social i një mentaliteti që na rrethon. Na thjesht njohim shumë njerëz në Kosovë, çojmë edhe pare në Kosovë, njohim edhe njerëz që e marrin, edhe që s’e marrin.  

Dërguti: Pasi ia nisëm me i shkru kangët edhe me këndu për do tabuja, njerëzit nisën me mendu që na po i bajmë ato sende. Tani ia nisëm me tregu që s’i bajmë këto sene se na shkojmë në shkollë.

Bejta: E kemi kry doktoraturën që njerëzit mos me e marrë vesh që p’e marrim përditë.

Kelmendi: Ky është kamuflazhi jonë ma i mirë. 

A i keni çu pare ndokujt në Kosovë për me shku n’deti? Ose, thënë më mirë, kur e di që p’e merrni, a e keni lënë dikë të Kosovës pa shku n’deti?   

Dërguti: S’është që kena çu shumë: ato që na teprojshin prej drogës i kemi çu në Kosovë. Pak, s’janë shumë. 

"Ky është ai eksplorimi e ekspozimi i njëfarë shtrese mashkullore që e kemi, ku nuk jemi të sigurt në vete edhe duhet me shtu pak ma shumë që me qenë ma të rëndësishëm."

Fatos Bejta

Kelmendi: Ama garant dikush ka shku n’deti me ato pare.

Unë e mbaj n’mend, edhe para luftës në Kosovë ka qenë njëfarë fascinimi me shku n’deti. Ka qenë krejt puna që kur të shkojmë n’deti gjithçka ka me qenë mirë, kemi me i lanë hallet e problemet. 

Kur kanë shku në Ulqin, kjo sidomos para luftës, ka qenë njëfarë xhehneti për shqiptarët e Kosovës. Edhe hala është kjo. 

Bejta: Puna e detit është se ato dy javë kanë qenë ma të rëndësishmet në vit. Merr borxh edhe shkon n’deti, aty e bën një personalitet të vetin edhe “ky ka me u kanë xhehneti”. 

Ky është njëfarë eksplorimi dhe ekspozimi i kategorisë sonë, sidomos neve si meshkuj, por këtu duhet me e ditë që shqiptarët nuk janë shumë të ndryshëm prej kombeve tjera. Ky është ai eksplorimi e ekspozimi i njëfarë shtrese mashkullore që e kemi, ku nuk jemi të sigurt në vete edhe gjithmonë duhet me shtu pak ma shumë që me qenë ma të rëndësishëm — ky është kulminacioni i një mashkulli. 

Po kënga ‘‘Nuk po du banane’’?

Bejta: Unë nuk e di qysh ka ardhë kjo kangë. Kur ka dalë kanga nuk e kemi pasë as idenë ma të vogël se çka po thuhet. Tani erdh Dritëro [Nikçi] me nejt edhe tha “që dy ditë është tu m’nejt n’kry kjo kangë”. Edhe thashë “okej ia paskam dalë, masi paskam arritë me e torturu dikë”. Po teksti nuk ka ndonjë domethënie, thjesht është konglomerim i fjalëve.

Dërguti: Tani rrushi është i shqiptarëve diqysh: e han bukën me rrush, e prish iftarin me rrush, ka sa t’dush rrush. Banane han dimrit aty-këtu për vit t’ri, ose kur sëmuhesh ta bjen dikush naj banane. Nuk hahen shpesh bananet te na.

Edhe tekstet e këngëve tjera janë diskutu shpeshherë, si i shkruani ato?

Bejta: Kangët tona vijnë prej bisedave që i dëgjojmë në taksi, në rrugë, prej njerëzve që kanë opinione edhe që janë ma të mençurit. T’kallxojnë për Amerikën, s’di a i ke ni. 

Dërguti: Është forum i jashtëzakonshëm [në taksi], ndërrohet muhabeti vazhdimisht. Dikush zbret, tani në Novosellë hyp dikush tjetër edhe ta ndërron krejt. 

Unë nuk vozis edhe që 22 vjet jam vazhdimisht me transport publik. Hallakama që ndodh aty… I love it. Tash në pandemi shumë keq, se gjithmonë dëgjon diçka — çfarë muhabete, çfarë sende. Dallimi mes metros në Londër edhe kombit në Kosovë është që këtu flasin anglisht. Thjeshtësia, budallakinat…krejt të njëjta janë. 

Tekstet e këngëve tuaja janë plot me simbolika të cilat lehtësisht munden me u keqkuptu. Ka pasë akuza se tekstet i keni seksiste, homofobike apo edhe me racizëm kulturor.

Bejta: Gjithmonë kemi pasë qejf me u kapë me tabu…

Çdo njeri, pa marrë parasysh se çka është, e ka mizën mbas veshit edhe na kemi qejf me ia ngucë mizën. Kështu, përmes këngës edhe përmes satirës me ua qitë atë shpirtin përnjëmend që e kanë. Te “Shabani” për shembull, Shabani e qet homofobinë, atë macho-izmin e njerëzve. Tani te “Pek Pek Pek” luhet vazhdimisht me hipokritë: jemi myslimanë të mëdhenj, a përmbas i qijmë *****, kërkush nuk na sheh. Këndej tuten prej zotit, andej bajnë çkamos…

Dërguti: Bash aty është: a po tuten prej zotit a ma shumë prej shoqërisë? 

Foto nga The Bloody Foreigners.

Tash e disa dekada s’jetoni në Kosovë, po tekstet e këngëve tuaja e japin përshtypjen se e njihni mirë mënyrën si jetojnë njerëzit këtu. 

Dërguti: Unë ndoshta edhe për atë arsye jam shok me Fatosin. Të dytë e kemi non-stop kasetën duke regjistru. Kur kalojmë rrugës, veç e kqyrim njëri-tjetrin edhe, “A e pe?”. Pastaj krejt ma vonë e diskutojmë. 

Bejta: Qe për shembull te kanga “N’deti”: “N’tavolinën numër 8/ e sheh ti ni femën t’nxehtë/ i afrohesh i kallxon/ qe 13 vite jashtë punon/ e hangër kokrrën çika e mirë/ e kem nxanë se kem punu mirë/ qe dy javë po ja myt minin”. Kryhet kanga edhe nuk dihet kush kujt… a kur të kthehet n’shpi është n’borxh deri n’fyt. Ka shku n’deti me e mbizotëru dikë, ama s’e din që ajo çika ka shku n’deti me u kënaqë. Shkojnë n’deti edhe paraqiten si dikush tjetër.

Dërguti: M’kujtohet sa njeri u paraqitke si italian a kroat, a na i njihshim. Tani një rast tjetër, po shkojmë bashkë në Londër me aeroplan, edhe njëfarë tipi po m’kallxon që një valixhe me cigare Marlboro e ka shti në të zezë. Edhe kur aterum, ia kishin ndalë atij cigaret…kur e pamë që kishin qenë Ronhill. Edhe unë i thashë: “Mirë që t’i paskan nxanë veç Ronhill-at e t’shpëtun Malboro-t”.

Njëjtë e ke edhe n’Londër, krejt popullata në kredi deri n’fyt. Mundesh me tri a katër kredit-karta me i marrë 20 mijë funta edhe me e shëtitë botën me ato pare. Njëjtë është edhe n’Kosovë: kallxojnë çka kanë, jo çka bajnë e çka dojnë.

Mos po bëhet edhe muzika njësoj?

Bejta: Na kemi muzikantë shumë të mirë, disa prej tyre i kemi edhe shokë. Ka shumë talente për muzikë në Kosovë, interesante është kjo. Tash ata që bajnë rep, s’po përmendi emra, janë mërzitë shumë prej asaj muzike, po thojnë “po m’vjen me kajt kur po hi në skenë me knu ksi sene”. Ama kur të paguan dikush 5,000 euro me këndu për një orë, s’ki çare. Edhe mu me m’pagu aq mirë, me arushën kcej.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.

Imazhi i ballinës i shkëputur nga video e këngës “Le të m’shkelë kerri”.