Pikëpamje | Pajtimi

Dialogu i Brukselit është i rëndësishëm, por ai duhet të ndryshojë

Nga - 24.10.2016

Përkundër disa hapave pozitive, ende mbetet rrugë e gjatë në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Historikisht, pajtimi gjithmonë ka qenë proces i vështirë, pavarësisht se kush ka qenë i përfshirë. Plagët e luftës zakonisht marrin kohë të shërohen, sidomos në rajonet të cilat gjithmonë kanë qenë të parehatshme, dhe ku fqinjët historikisht kanë pasur telashe në ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi më 1999, la shumë çështje të pazgjidhura. Shumë vjet më vonë, një proces — teknik dhe tejet politik — që synonte të zgjidhte shumë prej këtyre çështjeve nisi zyrtarisht në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësim të BE-së, rëndom i njohur si bisedimet e Brukselit, padyshim paraqet një prej proceseve më të rëndësishme bashkëkohore në Ballkanin Perëndimor. Së pari, ky proces paraqet përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si dhe për të gjetur zgjidhje për një mosmarrëveshje të kahmotshme sa i përket statusit të Kosovës, që në vetvete mbase paraqet një prej kontesteve më të mëdha territoriale në Europën e ditëve tona.

Së dyti, ai synon ta shtyjë përpara procesin e integrimeve europiane në Ballkanin Perëndimor duke zgjidhur mosëmarrëveshje të cilat tash e një kohë të gjatë e kanë bllokuar këtë proces, si dhe t’i mundësojë Serbisë dhe Kosovës të ecin përpara me agjendat e tyre të integrimit europian.

Së treti, marrëveshjet e arritura nëpërmjet procesit të bisedimeve të Brukselit pikësëpari kishin për synin të krijonin kushte më të mira të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë si dhe të kontribuonin në procesin afatgjatë të pajtimit.

Fillimi

Nisja e dialogut bazohet në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara A/RES/64/298 të 9 shtatorit, 2010. Pasi që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi mendim këshillëdhënës sa i përket Pajtueshmërisë me të Drejtën Ndërkombëtare me rastin e Deklarimit të Njëanshëm të Pavarësisë së Republikës së Kosovës — i cili u dha nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 korrik, 2010 — rezoluta A/RES/64/298 e pranoi përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës dhe e mirëpriti rolin e BE-së në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet palëve. Sipas rezolutës, “procesi i dialogut në vetvete do të ishte faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, dhe do të shërbente për promovimin e bashkëpunimit, për arritjen e progresit në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe do ta përmirësonte jetën e qytetarëve”.

Dialogu zyrtarisht nisi më mars të vitit 2011, pas një rezolute të OKB-së që ishte miratuar vitin paraprak. Faza e parë u zhvillua në formën e të ashtuquajturit dialog teknik që zgjati nga marsi i vitit 2011 deri në shkurt të vitit 2012. Pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi në vitin 2012, dialogu hyri në një fazë të re, e cila rëndom njihet si dialogu politik. Gjatë kësaj kohe, marrëveshja më e rëndësishme e arritur në vitin 2013 njihet si Marrëveshja e Parë e Parimeve të Përgjithshme për Normalizmin e Marrëdhënieve.

Faza e re e dialogut filloi në mars të vitit 2015, me tre akterë të ri të bisedimeve, që u zëvendësuan pas zgjedhjeve të vitit 2014 në të dyja shtetet — Isa Mustafa u bë Kryeministër i Kosovës, ndërsa Aleksandar Vuçiqi u zgjodh Kryeministër i Serbisë, derisa Federika Mogerini erdhi në krye të BE-së.

Një prej hapave më të rëndëisishëm të gjithë procesit ishte raundi i katërt i bisedimeve Vuçiq–Mustafa, i mbajtur më 25 gusht të vitit 2015, kur u arrit marrëveshja për katër çështje të rëndësishme të cilat e patën bllokuar procesin për një kohë të gjatë: Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe, telekomunikacioni, energjia, dhe liria e lëvizjes mbi Urën e Mitrovicës. Këto marrëveshje, sidomos ajo që ka për qëllim krijimin e Asociacionit, përveç që i polarizuan palët e përfshira në bisedimet e Brukselit, gjithashtu çuan në krizë të madhe politike në Kosovë, e cila e përshkoi gjithë skenën politike në vend, që nga momenti i nënshkrimit.

Bisedimet ende po vazhdojnë, dhe raundi i fundit i tyre përfundoi më 26 shtator, ku palët nuk arritën të gjenin zgjidhje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në lidhje me telekomunikacionin. Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova do ta merrte kodin telefonik, ndërsa një operator i telefonisë mobile nga Serbia do të niste veprimtarinë në Kosovë. Më shumë se një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes, të dyja palët nuk ia kanë dalur të gjejnë gjuhë të përbashkët në lidhje me modalitetet e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Fazat e diaogut

Në fazën e parë të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kishte gjithsej nëntë raunde. Gjatë katër raundeve të para që u zhvilluan ndërmjet marsit dhe majit të vitit 2011 u diskutuan çështje të ndryshme siç është liria e lëvizjes, librat kadastrale, doganat, njohja e diplomave universitare, dhe çështja e personave të zhdukur; megjithatë këto çështje nuk prodhuan marrëveshje definitive.

Nga raundi i pestë u arritën marrëveshje të ndryshme, duke përfshirë marrëveshjen për lëvizje të lirië dhe regjistra civilë, marrëveshje për vula doganore dhe libra kadastrale, marrëveshja për njohjen e diplomave universitare, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM) si dhe marrëveshja për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal.

Pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në viitn 2012 dialogu hyri në një fazë të re, e cila rëndom njihet si dialogu politik. Kjo fazë e dialogut kishte 23 raunde bisedimesh ndërmjet dy Kryeministrave.

Sipas ish-ndërmjetësueses së dialogut, Kethrin Eshton, edhe para dy raundeve të fundit të bisedimeve, të dy negociuesit kishin kaluar më shumë se 220 orë në bisedime të drejtpërdrejta me njëri-tjetrin.

Në të vërtetë, zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel është një prej probleme më të mëdha deri më tani, i cili e ka karakterizuar gjithë procesin. Ende nuk ka rezultate nga shumica dërmuese e fushave për të cilat u arrit marrëveshja; sipas analizave të ndryshme të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara gjatë pesë viteve e gjysmë, shumë pak marrëveshje mund të konsiderohen si të zbatuara plotësisht.

Raporte të ndryshme nxjerrin në pah fushat në të cilat ende mungon zbatimi i plotë, siç janë: vulat doganore, regjistrat civilë, zgjedhjet lokale në Kosovë dhe formimi i bordit të zbatimi. Në disa fusha është arritur përparim i konsiderueshëm, siç është liria e lëvizjes dhe njohja e diplomave, por deri më tani zbatimi i duhur nuk po ndodh, përkundër faktit se këto dy çështje janë shumë të rëndësishme në jetën e përditshme.

Këtu lindin dy pyetje me rëndësi: A po i ndihmon dialogu Kosovës dhe Serbisë për normalizm të marrëdhënieve? Dhe, a po i përmirëson procesi jetët e njerëzve në të dyja vendet, sidomos të atyre që jetojnë në Kosovë? Përgjigjia në të dyja pyetjet do të ishte: jo dhe aq! Përkundër përfshirjes në dialog për më shumë se pesë vjet, si Prishtina ashtu edhe Beogradi kanë shumë çështje të pazgjidhura ndërmjet tyre. Rasti i fundit, ai i policit nga Mitrovica të arrestuar në Serbi, është vetëm njëri prej shumë rasteve që krijon skepticizëm sa i përket rezultateve përfundimtare të dialogut.

Kur ndodhin rastet e këtilla, ngriten shumë vetulla, dhe vihet në pikëpyetje qëllimi i dialogut, dhe ajo që në fakt diskutohet atje pasi që çështjet e këtilla po lihen jashtë bisedimeve. Çka do të ndodh nëse Hashim Thaçi, presidenti i tanishëm i Kosovës, e viziton Serbinë? Njëri prej negociatorëve kyçë në këtë proces me siguri do të arrestohej, për shkak të urdhërarrestit të famshëm të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

Negociuesit

Deri më tani, ka pasur tri ekipe të bisedimit dhe tri ndërmjetësues të ndryshëm të BE-së, të përfshirë në proces: Gjithçka filloi me Edita Tahirin dhe Borko Stefanoviqin, gjatë bisedimeve të para tenkike. Kur bisedimet kaluan në fazën politike pas zgjedhjeve në Serbi në vitin 2012, Kryeministri i ri, Ivica Daçiq, vazhdoi dialogun me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçin.

Pas zgjedhjeve të vitit 2014 në të dyja shtetet, Kryeministri i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bë negociues kryesor për Beogradin, ndërsa homologu i tij Isa Mustafa e zëvendësoi Hashim Thaçin. Edhe Daçiqi edhe Thaçi mbetën pjesë e ekipeve të tyre të bisedimeve meqë të dytë shërbyen si ministra të punëve të jashtme të vendeve të tyre. Bisedimet teknike i vazhdoi Edita Tahiri nga pala kosovare, dhe Marko Gjuriq nga ekipi i Beogradit.

Sa i përket ndërmjetësimit të BE-së, procesin e nisi diplomati britanik Robert Kuper, të cilin e trashëgoi bashkëvendasja e tij Kethrin Eshton në vitin 2012. Që nga viti 2014, italiania Federica Mogerini e udhëheq ndërmjetësimin e dialogut në rolin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë.

Problemet e këtilla kanë ndodhur edhe për marrëveshjet teknike. Saherë që palët takohen në Bruksel, ato bëjnë kërkesa shtesë, duke e ndërlikuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe jetët e qytetarëve në përgjithësi.

Përpara normalizmit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë normalizim të dialogut. Ekzistojnë një sërë çështjesh të hapura të cilat po e ndërlikojnë gjithë procesin.

Në radhë të parë, ende është e paqartë nëse palët janë të barabarta në tavolinën e bisedimeve. Varësisht se kush flet (apo shkruan), dialogu nganjëherë thuhet se zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nganjëherë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Së dyti, nuk ka mekanizëm detyrues për marrëveshjet e arritura, që do të thotë se zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë do të vazhdojnë të na tregojnë rrëfime të ndryshme dhe të bëjnë me gisht në drejtim të palës tjetër sepse ajo nuk ka bërë sa duhet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Në këtë aspekt, BE-ja ka luajtur rol pasiv, meqë në të vërtetë nuk ka ndërhyrë në procesin e zbatimit.

Së treti, marrëveshjet e arritura duhet t’i definojnë më mirë çështjet dhe zbatimin. Nëse i shohim tekstet origjinale të shumicës së marrëveshjeve të Brukselit, ato më shumë duken si shënime të ngutshme të ndonjë studenti, të bëra nga ndonjë prezantim power point-i, sesa marrëveshje që kanë për qëllim t’i normalizojnë marrëdhëniet e dy vendeve që synojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian.

Së fundi, i gjithë procesi duhet të jetë më transparent për qytetarët, shoqërinë civile dhe për secilin që dëshiron të jetë i përfshirë. Raportet e fundit të publikuara nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tregojnë se përkundër faktit se temat e caktuara të dialogut e kanë përshkuar skenën politike në vend, sidomos gjatë vitit që lamë pas, qytetarët e Kosovës në masë të madhe (43 përqind) janë faktikisht të painformuar në lidhje me marrëveshjet e arritura gjatë procesit të bisedimeve.

Për më tepër, për shkak të mungesës së transparencës në bisedime, Kosova ka qenë dëshmitare e njërës prej krizave më të mëdha politike që nga shpallja e pavarësisë, dhe atë për shkak të marrëveshjes së arritur për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjeve të diskutuara në bisedime, procesi duhet të jetë sa më transparent që është e mundur.

Si përfundim, dialogu duhet të vazhdojë dhe është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, modalitetet e këtij procesi duhet të ndryshohen dhe duhet të synohet që dialogu të bëhet efektiv. Marrëveshjet e arritura duhet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, të mos krijojnë më shumë huti dhe tension politik brenda vendeve dhe palëve të bisedimeve. Nëse e shikojmë gjendjen e tanishme, jemi shumë larg prej përfundimit të bisedimeve përkundër hapave pozitivë që janë ndërmarrë.

KOMENTO