E udhëhoqën të njëjtën ushtri guerile, por ngaherë mendohej se nuk kishin raporte aq të shëndosha me shoqi-shoqin. Tani që i udhëheqin institucionet e vendit, raportet mes dy liderëve kryesorë politikë të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt — përkatësisht ish-Drejtorit Politik i UÇK-së dhe ish-Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit — duket se akoma janë të rrëmbyeshme.
Përplasjet ndërmjet këtyre dy figurave kanë qenë të shpeshta në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Në një libër të botuar në 1999, “Rrëfimi për luftën dhe lirinë”, që doli në formën e një intervisteje me gazetarin e ndjerë, Bardh Hamzajn, Ramush Haradinaj shprehej: “Unë e respektoj [Thaçin] si ushtar dhe epror të UÇK-së, por nuk jam i kënaqur me punën e tij në veprimtarin politike; kam disa vërejtje në lidhje me aftësinë e tij për ta bashkuar [skenën politike të Kosovës] dhe nuk më kanë pëlqyer pozicionet e tanishme [të tij]”. Ai gjithashtu i kritikoi shokët e Thaçit nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe më vonë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Azem Sylën dhe Xhavit Halitin, duke thënë se ata “kanë menduar se në Kosovë gjithçka duhet të shkojë sipas mendimit të tyre”.
Marrëdhëniet e tyre u tendosën tutje më 2001 me krijimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një epokë kur plot simpatizantë të UÇK-së mendonin se të bashkoheshe me PDK-në ishte de rigueur. AAK-ja drejtohej nga Haradinaj, deri asokohe gjeneralmajor dhe zëvendëskomandant në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës (TMK), si dhe ishte partia e dytë që doli nga lufta e UÇK-së pas, PDK-së së udhëhequr nga Hashim Thaçi.
Një hap asodore u pa në sytë e militantëve të PDK-së si diversion ndaj kohezionit të atij që quhej “krahu i luftës”, i cili po ballafaqohej me “krahun e paqes”, që mishërohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Ibrahim Rugovës. Shumë nga militantët e “krahut të luftës” e akuzuan LDK-në për ngurrim në momente kyçe historike, përfshirë këtu refuzimin për ta nisur luftën e armatosur kur Kosova nuk përfitoi nga Marrëveshja e Dayton-it më 1995. Shumë prej tyre madje e akuzuan Rugovën për tradhti, për takimin e tij me Milošević-in në kulmin e luftës në Kosovë.

Thaçi ishte një nga nënshkruesit e nismës që themeloi Trupat e Mbrojtjes të Kosovës, në të cilën Haradinaj shërbeu si zëvendëskomandant. Megjithatë, ai u tërhoq nga karriera ushtarake dhe themeloi një parti të re dhe kësisoj mbështetësit e Thaçit zunë ta shohin atë si kundërshtar. Foto: Creative Commons.
Militantët e PDK-së e panë krijimin e një partie të re që doli nga kuadrot e UÇK-së dhe TMK-së – si dhe nga aglomerati i partive që rridhnin nga organizatat ilegale të viteve ‘80 – si një dobësim të radhëve të krahut të luftës.
Në vitin 2002, me formimin e një qeverie të koalicionit të gjerë ku përfshiheshin të gjitha partitë parlamentare, u ul paksa tensioni ndërmjet Haradinajt dhe Thaçit. Megjithëkëtë, pas zgjedhjeve të vitit 2004 arriti kulmi i përplasjes ndërmjet dy liderëve, dy partive dhe rrjedhimisht ndërmjet militantëve të të dy palëve.
Pas zgjedhjeve, Ramush Haradinaj kishte pranuar të hynte në një koalicion qeveritar vetëm me LDK-në e Rugovës dhe ta linte në opozitë PDK-në e Thaçit. U ringjallën akuzat se Haradinaj e kishte ‘tradhtuar UÇK-në’, madje dhanë dorëheqje edhe zyrtarë të lartë të AAK-së, si sekretari i partisë, Rexhep Selimi, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sot deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Mospajtimi e arriti kulmin në marsin e vitit 2005 gjatë përvjetorit të gjashtë të Epopesë së Prekazit, përvjetorit të masakrës ndaj Adem Jasharit dhe familjes së tij – Bajramit dhe Krishtlindjes së “krahut të luftës”. Tekqë kryeministri i atëhershëm i Kosovës dhe kreu i koalicionit zhurmëmadh, Ramush Haradinaj, po e mbante panegjirikun e tij, shumë persona nga turma zunë të fishkëllenin.
Haradinaj, i cili njihet për stilin e drejtpërdrejt dhe ekstravagant të komunikimit me publikun, as nuk e shpërfilli publikun e padurueshëm, as nuk veproi sikur nuk kish dëgjuar gjë: “Mshelne, komandantë të Bllacës. Q***** nanën!”, u tha ai. Bllaca ishte kamp refugjatësh në kufirin Kosovë-Maqedoni për strehimin e shqiptarëve të dëbuar dhe me këtë deklaratë Haradinaj deshi t’ua kujtonte kritikëve të tij nga “krahu i luftës” se kush luftoi dhe kush iku kampeve të refugjatëve.
Me arrestimin e Haradinajt nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në vitin 2005 dhe gjykimin e tij në Hagë që zgjati deri më 2013, u ul edhe intensiteti i përplasjeve ndërmjet dy ‘partive të UÇK-së’. Frustrimi i militantëve të PDK-së u pakësua nga fundi i dhjetëvjeçarit të fundit, veçanërisht me fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 2007-s – kur Hashim Thaçi erdhi në pushtet si kryeministër – me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe me faktin se shpallja u lexua nga Thaçi vetë. Me sa dukej ata zunë të besonin se më në fund “e drejta kishte fituar”.

Hashim Thaçi dikur e mirëpriti me tepih të kuq Ramush Haradinajn gjatë kthimit të tij në Kosovë, por që nga atëherë raportet e tyre janë mërkëmbur shumë herë. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Kur Haradinaj u shfajësua për herë të dytë nga tribunali i Hagës në nëntorin e 2012-s, kryeministri Thaçi e mirëpriti atë me tepih të kuq në Aeroportin e Prishtinës. Fill më pas, pavarësisht faktit se partia e tij ishte në opozitë, Haradinaj nisi t’i thurrte lavde Qeverisë së Thaçit. Kjo bëri që shumë analistë të vlerësonin se Thaçi ia kishte bërë një premtim të rremë Haradinajt se do ta merrte në koalicion dhe do t’ia lëshonte kolltukun e Kryeministrit.
Kur njëri ishte në pushtet e tjetri në opozitë
Në vitet që pasuan nisi opozitarizmi i fuqishëm i Haradinajt ndaj Thaçit dhe PDK-së. Pas zgjedhjeve të vitit 2014, ai ishte një nga liderët më aktivë në krijimin e “bllokut LVAN” (i përbërë nga LDK-ja, Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma), me partitë e këtij koalicioni që ngulën këmbë se asnjëra nuk do të pajtohej që të hynte në koalicion me partinë më të votuar në zgjedhje, PDK-në, dhe se në vend të kësaj do ta formonin qeverinë me Haradinajn si kryeministër.
Haradinaj pretendonte se Thaçi sërishmi ia kishte ofruar postin e kryeministrit, por se ai nuk e kishte pranuar. Sidoqoftë, në dhjetor, LDK-ja “e theu besën” dhe iu bashkua PDK-së në koalicionin qeveritar, me kryetarin e saj, Isa Mustafën që u zgjodh si kryeministër. Në shkurt 2016, në Kuvend, LDK do të votonte për zgjedhjen e Thaçit si President të Kosovës.
Krejt çka pasoi në dy vitet pas formimit të kësaj qeverie ishte vetëm protesta, protesta dhe protesta. Tani ishte radha e Haradinajt për ta akuzuar PDK-në dhe Thaçin për “tradhëti të vlerave të luftës”. Në janar 2015, pjesa e mbetur e LVAN-it, minus LDK-në dhe tashmë e njohur si VAN (Vetëvendosja, AAK-ja, Nisma), nisi protesta kundër qeverisë PDK-LDK si rrjedhojë e një deklarate që e kishte dhënë një ministër serb i Qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jablanović-i.
Protestat nuk u ndalën me kaq. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në verën e 2015-s, filluan protestat e bllokut VAN kundër qeverisë – si në Kuvend ashtu edhe në rrugë.
Në janar dhe shkurt të vitit 2016 protestat e arritën kulmin, si nga masoviteti, poashtu dhe për nga metodat – gurë dhe koktej Molotovi nga protestuesit, dhunë dhe arrestime nga Policia. Në Kuvend, deputetët e tri partive parlamentare hodhën gaz lotsjellës dhe e bënë të pamundshme zhvillimin e gati secilës seancë të Kuvendit.
E, pa dyshim se Haradinaj ishte ndër liderët më aktivë në krejt këtë ballafaqim. Përpos hedhjes së gazit lotsjellës pati raste tjera të sjelljeve agresive të ish-komandantit të UÇK-së: shtyrja fizike me sigurimin e Kuvendit, ofendimet si “Kapi këta horra, kryetar [Kadri Veseli], e çu nga këtu” ose kur e quajti kryeministrin “Isë qeni”.
Gjersa fliste për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për Hashim Thaçin tha: “s’ka mujt’ Sulltani me e ndërru kufinin, e le mo ky djali i Burojës”. Buroja, vendlindja e Thaçit, është fshat në rajonin e Drenicës. Gjithë këto veprime rrjedhimisht çuan deri tek një averzion dhe irritim ndaj Haradinajt në mesin e militantëve të partive në pushtet, posaçërisht atyre të PDK-së.
Por, as kjo situatë nuk zgjati shumë. Në maj 2016, ishte e qartë se VAN ishte përçarë. Vetëvendosja doli nga blloku për shkak të mospajtimeve me dy partitë e tjera dhe kështu i erdhi fundi një viti e gjysmë të intensitetit të opozitarizmit aktiv.
Gjuha e Haradinajt u zbut dhe në maj 2017, në mbrëmjen e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, AAK-ja e Haradinajt e zyrtarizoi koalicionin me PDK-në dhe Nismën, partinë e tretë të dalë nga UÇK-ja (e themeluar pas ndarjes nga PDK-ja më 2014).

Haradinaj dikur si pjesë e opozitës ishte një nga kritikët më të mëdhenj të PDK-së së Thaçit e në fund u bë kryeministër i koalicionit qeverisës që përfshin PDK-në dhe u inaugurua nga President Thaçi. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Ishte hera e parë që të gjithë komandantët e dikurshëm të UÇK-së ishin bërë bashkë dhe kishin hyrë në koalicion. “Krahu i luftës” ishte i bashkuar kundër “krahut të paqes” – koalicionit mes LDK-së së Mustafës dhe AKR-së së Behgjet Pacollit. Dukej se ndasive të vjetra ndërmjet ish-komandantëve u kishte ardhur fundi.
Asgjëmangut, Haradinaj nuk bëri drejtpërdrejt koalicion me kundërshtarin e vjetër, Thaçin, qyshe tani ai ishte President i vendit dhe jo lider i PDK-së. Sidoqoftë, sipas disa deputetëve të koalicionit, Thaçi ishte “kumbari” i koalicionit ‘PAN’ (PDK-AAK-Nisma).
Përplasje edhe kur janë në koalicion
Koalicioni PAN doli si fitues i zgjedhjeve dhe Haradinaj u zgjodh kryeministër në shtator 2017. Por, fakti që ai tani ishte një lider institucional, përkrah Thaçit, nuk nënkuptonte se konflikteve të tyre të kahmotshme u kishte ardhë fundi.
Rishtazi, në një situatë të përmbysur, Haradinaj e ka ‘uzurpuar’ pozitën e bajraktarit të rezistencës ndaj Presidentit Thaçi dhe ideve të tij. Ndërkohë që partitë opozitare kanë kaluar një pjesë të madhe të mandatit duke e sulmuar njëra-tjetrën, partitë që e përbëjnë koalicionin qeveritar kanë shërbyer si opozitë ndaj njëra-tjetrës. Kosova ka funksionuar ipso facto me dy skena paralele politike që nuk merren me njëra-tjetrën por luftojnë mes vete – qeveria me qeverinë, opozita me opozitën.
Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Me të filluar mandatin e tij si Kryeministër, Haradinaj u ftua në Presidencë nga vetë Thaçi. Të dy ishin të kujdesshëm të mos hapnin tema të ndjeshme politike, si Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi që në atë kohë akoma s’ishte miratuar në Kuvend. Ata u fokusuan në tema mbi të cilat që të dytë pajtoheshin, siç ishte arritja e liberalizimit të vizave nga BE-ja.
Një pikë tjetër që me sa dukej i bashkoi dy kundërshtarët e dikurshëm ishte neveria e tyre për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihet si “Gjykata Speciale”. Kjo gjykatë e ka për detyrë gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga UÇK-ja dhe është e bazuar në një raport të përpiluar nga Dick Marty, në të cilin lakohej emri i Thaçit. Gjithashtu është thënë se vëllai i Haradinajt, Dauti, mund të përballet me një padi.
Pavarësisht mundësisë që vetë të përballej me ndonjë padi, Thaçi ishte figura kyçe në miratimin e ndryshimeve kushtetuese që ishin të nevojshme për ta krijuar gjykatën në vitin 2015. Megjithëkëtë, gjatë prezantimit të një raporti për perceptimin publik të Gjykatës Speciale në tetor 2017, President Thaçi ndryshoi qëndrimin e tij dhe filloi ta sulmonte vlefshmërinë e Gjykatës. “Kosova e mbajti fjalën, e themeloi gjykatën”, pati thënë Presidenti Thaçi. “Bashkësia ndërkombëtare nuk i përmbushi asnjë nga premtimet [e saj]. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euro-atlantik”.