Sot, opozita ka organizuar protestë paqësore me titullin “Manifestim për Republikën,” që kërkon nga qeveria të dëgjoj zërin e qytetarëve si dhe të mbroj Republikën. Protesta është po ashtu pjesë e bllokimit tre-mujor të parlamentit, mbase që opozita ka kërkuar nga qeveria të tërhjek nënshkrimin e Kosovës nga dy marrëveshje. Njëra është me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, së cilës opozita i referohet me ‘Zajednica’ (fjala serbe për “asociacion”). Marrëveshja tjetër ka të bëj me demarkacionin e kufirit më Malin e Zi. Protestat e tyre kanë përfshi vezë, filikaqa dhe gaz lotsjellës, dhe dy herëkanë esklauar në përleshje ndërmjet aktivistëve të opozitës dhe policisë së Kosovës.
Se a e cëngojnë këto marrëveshje sovrenitetin e Kosovës ka qenë temë e debatit të nxehtë dhe polarizues gjatë muajve të fundit. Por, duke zgjedhur të mobilizojnë përkrahje për mbrojtjen e Republikës së Kosovës në ditën që shënon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, po ashtu flet për një agjendë politike populliste që nuk synon të përforcoj themelin e Republikës, por vetëm sa dobëson edhe më shumë vlerat e saj tashmë të brishta.
Në njërën anë, qysh nga deklarimi i pavarësisë së Kosovë në vitin 2008, Republika ka dështuar të konsolidohet në një shtet që funksionon i themeluar në sundimin e ligjit, dhe të ofrojë perspektiva ekonomike dhe mirëqenie sociale. Ky vit filloi me imazhe dhe raporte të qindra mijëra kosovarëve në kërkim të një rrugë zgjidhje jashtë vendit përmes kalimit të parregullt nga Serbia në Hungari, në drejtim të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian – këto qytetarë kërkonin një mënyrë për të dalë nga varfëria, mundësitë e pamjaftueshme për punë dhe mobiliteti i njollosur social.
Për më tepër, përgjatë gjithë procesit të dialogut me Serbinë, qeverisë i ka munguar çfarëdo transparence, mbase në asnjë pikë nuk ka patur një dialog më të gjerë me opozitën ose qytetarët e Kosovës. Qeverisja e saj shumë shpesh ka qenë e bazuar në një qasje dhe sjellje arrogante duke i shërbyer vetëm vetes. Dhe në fakt, disa po i shohin të gjithë këto zhvillime të bllokimit të vazhdueshëm politik përbrenda vetë interesave të elitës qeverisëse politike; argumenti është që partitë në pushtet, si dhe disa pjesë të opozitës (si AAK dhe Nisma) janë të brengosur vetëm te “shpëtimi i prapanicës së tyre.” Ky mendim sygjeron që çështja në fakt qëndron në interesat e tyre personal për të zvarritur themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të hetojë individë, për të cilët supozohet të kenë kryer krime lufte gjatë 1998-99.
Në tërësi, Republika është zaptuar politikisht dhe ekonomikisht nga ushtrimi i pushtetit të vetëshpallur në të gjitha fushat e jetës; një qeverisje e bazuar në interesa privat dhe ‘fisnor’, dhe jo në principet e së mirës së përbashkët. Për më tepër, e tëra kjo situatë ka krijuar një gjendje të apatisë tek shumë qytetarë.
Në anën tjetër, është pikërisht këtu që “Manifestimit për Republikën” dhe diskursi i tij popullist tenton të fitoj momentum dhe përkrahje popullore. Thirrja e opozitës flet për dhe thërret vetëm një grup etnik, shumicën, e cila shihet qartë edhe nga banderolat e tyre me flamurin e shtetit të Shqipërisë në prapavijë. Përderisa banderola e madhe u vu dje në Grand Hotel, anëtarë të Vetëvendosjes qëndruan duke e shikuar, që i ngjasontë një akti të “shpalosjes së flamurit’.
Gjuha e përdorur për të iu bërë thirrje njerzëve për këtë “manifestim” tregon qartë së kë e konsiderojnë ata qytetar dhe kë jo. Sipas tyre, “do të marrin pjesë jo vetëm qytetarë nga e gjithë Kosova por edhe nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata shqiptare”. Edhe pse iu bëhët thirrje njerëzve pavarësisht përkatësisë së tyre politike, manifestimi përshkruhet si përpjekje që synon të “mbron të mirën e përbashkët, mbron kombin shqiptar, nga copëtimi dhe varfërimi i mëtejshëm”.
Përderisa thërrasin “të gjithë qytetarët” ata supozojnë se vetëm shqiptarët janë shtetas të Republikës; dhe përderisa e bazojnë në të mirën e përbashkët, dështojnë të shohin se e mira e përbashkët nuk është njëjës, dhe nuk definohet në bazë te etnisë. Për më tepër, duke e vendosur përbrenda festimeve të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë sugjerohet që Republika është vend i shqiptarëve, dhe jo shtet i qytetarëve. Kjo nuk duhet të kuptohet vetëm përbrenda kontekstit që Kosova nuk është 100 përqind shtet etnik ose komb shqiptar – gjë që nuk është – por po ashtu përgjatë asaj se të qenurit qytetar ka të bëjë me të gjithë personat që njihen si anëtarë të një shtetit. Kjo po ashtu do të thotë që përbrenda një grupi etnik, qytetarët ekzistojnë edhe si individ.
Kjo është se pse ky manifestim është gjithçka, veç se protestë për Republikën. Derisa shumë gjatë kësaj jave kanë shprehur shqetësimet nëse manifestimi do të jetë me të vërtetë paqësor dhe i lirë nga konfliktet fizike, kuptimet populliste dhe mesazhet që i bart janë më të frikshme dhe rrezikshme dhe me to ata kërcënojnë thelbin e Republikës.
Nëse sot është dita për mbrojtjen e Republikës, atëherë duhet të ketë më shumë diskutime së çfarë Republike ne dëshirojmë. Demokraci? Apo diktaturë? Një Republikë që respekton të gjitha dallimet? Apo një që imponon unitet të vetëm një grupi? Një Republikë që i takon të gjithë qytetarëve, kushdo apo kudo që janë? Apo një që i takon vetëm një grupi të përzgjedhur? (Republika) e Kosovës apo republika e Kosovës?
Para disa dite, operatori mobil Vala i ndërmarrjes publike të Telekomit të Kosovës, lancoi një reklamë që uron shqiptarët për Ditën e Flamurit të 28 nëntorit. Reklama paraqet reperin Kosovar, Gold AG, i cili nëpërmjet muzikës së tij viteve të fundit ka përfaqësuar zërin komercial të nacionalizmit, patriarkatit, seksizmit, dhe mizogjinisë. Në 2014, kënga e tij “Shqiptar” shkaktoi neveri, mbase në videoklip ai mban një shkop bejzbolli përderisa ec para një rreshti të meshkujve që i kanë kokat e mbështjellura me qese të zeza të plastikës; në bluza kanë të shënuara fjalë sikur ‘kriminel’, ‘rrenc’, ‘tradhtar’, ‘atesit’, ‘shpiun’ dhe ‘peder’.
Përmes teksteve të këngëve ai ngjall intolerancë, urrejtje dhe dhunë, duke e shndërruar fenë në një mjet politik. Në paraqitjen e tij të fundit për reklamën e Vales, ai i jep shtytje deklamimeve populliste të 28 Nëntorit. Vala dëshiron të përdorë një lloj forme “moderne” të shprehjes, siç është muzika rap, për të apeluar te një audiencë sa më e madhe. Por këtë e bën në mënyrë të gabuar. Muzika rap e ka origjinën e saj në të qenit përgjigje ndaj diskriminimit, pabarazisë, korrupsionit dhe njohjes që diversiteti i përvojave është esencial për shoqërinë. Në rastin e Vales, muzika rap është duke u përdorur si mjet kapitalist dhe popullist propagande, pa të menduar apo kuptuar të mëtejshëm.
Gold AG është paradigmë e një shoqërie të hutuar, por deklamimet e tij (tekstet e këngëve) janë të paramenduara me ‘nocionin’ e tij për shoqërinë. Ndërkohë, shprehjet e tjera brenda sferës publike ngrisin pyetjen nëse është duke u kuptuar ajo çka është duke u komunikuar. Unë besoj që i tillë ishte rasti pas kualifikimit të Shqipërisë për Kampionatin Evropian, pasi që luajti edhe kundër Serbisë. Shumë nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë morën ditë të lirë nga shkolla për të festuar fitoren, dhe disa prej tyre ecnin në qendër të Prishtinës duke mbajtur flamuj shqiptarë dhe brohoritur thirrje “Shqipëri etnike”; brenda konceptit të Republikës, veprimet e tilla lehtësisht mund të kalojnë si fashizëm.
Një shembull tjetër që më bëri përshtypje rishtazi është edicioni i javës së kaluar të TEDxPrishtina, një ngjarje që organizohet përbrenda frymës zyrtare të TedTalks me mision që të promovoj “ide që vlejnë të shpërndahen”. Në këtë drejtim, ajo mbështet organizatorë të pavarur që të krijojnë një ngjarje Ted përbrenda komuniteteve të tyre. Tema e edicionit të sivjetshëm të TEDxPrishtina ishte “Rilindja,” duke ju referuar Lëvizjes së Rilindjes Shqiptare të fund viteve 1800 dhe fillimit të viteve 1900, që po ashtu njihet edhe si Ringjallja Kombëtare Shqipare, që çoi te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Një pjesë thelbësore e Rilindjes shqiptare ishte edhe ringjallja letrare me qëllim të mbrojtjes së gjuhës shqipe përderisa po ashtu ka shërbyer si platformë për të mobilizuar përreth çështjes shqiptare, që në atë kohë kishte të bëj me realizimin e identitetit përbrenda konceptit të shekullit 19 të komb-shtetit. Në atë koha, gjuha shqipe ishte themeli mbi të cilën aktivistët dhe shkrimarët e rilindjes shqiptare punuan që të ndërtojne organizimin kulturor dhe arsimor.
Organizatorët e këtij edicioni të TEDxPrishtina e hapën ngjarjen me një poet Kosovar që recitoi disa vargje nga “Poezi për Atdheun” të shkrimtarit të mirënjohur rilindas, Gjergj Fishta. Poezia në tërësi flet për rëndësine e ruajtjes së gjuhës shqipe brenda një realiteti politik që synoi që ta zhduk kulturalisht. Por, recituesi në TEDxPrishtina përdori vetëm disa vargje të poezisë, në të cilat Fishta mallkon çdo shqiptar që përbuzë gjuhën e tyre apo çdo shqiptar që e flet gjuhën e huaj dhe len të vetën pas dore. Të shkoqitura nga konteksti i tyre, vargjet mund të tingëllojnë problematike sepse supozojnë njohuri mbi domethënien e tyre origjinale; dhe kur plasohen si fragmente përbrenda hapjes së TEDxPrishtina, në kontekstin e sotëm politik, ato mund të përforcojnë një keqinterpretim të qëllimit të vet ngjarjes.
Përbrenda këtyre manifestimeve, është po ashtu e rëndësishme të kuptojmë se pse është e rëndësishme për shqiptarët në Kosovë të festojnë 28 nëntorin. Dhe kjo ka të bëj me idenë dhe konceptin e Kosovës si ‘shtet i posalindur,’ ose i Kosovës si ‘shtet i ri’, që tenton të fshij çfarëdo historie të Kosovës të para luftës – thuajse se viti 1999 është atëherë kur e gjitha filloi. Është e rëndësishme të festohet duke iu referuar një pjese domethënëse të trashigimisë politike, kulturore dhe shoqërore, që është më e gjatë se vetëm këto 16 vitet e fundit. Dhe deri në një masë, po ashtu shërben për të kritikuar një qëndrim kolonial që është krijuar karshi Kosovës – një në të cilin “ne po ndërtojmë” apo “ne po krijojmë” Kosovën,thuajse kjo sapo ka filluar. Prandaj, është e rëndësishme – sepse ti po ashtu bën pohim për historinë, dijeninë, dhe përvojën tënde, ku të gjitha këto rrjedhin nga një kohë më e gjatë. Dhe për ta afruar këtë me një përvoje më të afërme, është dekada e viteve 1990-ta, mu përpara vitit 1999.
Si pjesë e gjeneratës që është rritur në atë kohë, jam rritur me emrin Republikë. Nuk kam pasur më shumë se gjashtë vjeç kur kujtoi brohoritjet dhe thirjet “Kosova Republikë”. Në atë kohë, shumica e popullatës shqiptare së Kosovës kërkonin të drejta dhe trajtim politik, shoqëror dhe ekonomik të barabartë brenda ish-Jugosllavisë. Deri në fillim të viteve 90-ta, kur shpërthyen lufrat në ish-Jugosllavi dhe retorika dhe aspirata nacionaliste u bë mjet dhe shkak “legjitim” për shtetin shtypës të Millosheviqit, narrativa e nocionit të shqiptarëve të Kosovës për republikën ishte baraz me atë të demokracisë, shtetit, barazisë, drejtave të njeriut, qasjen në arsim dhe qytetarinë e përgjithshme.
Por manifestimi i sotëm është i bazuar në gjak dhe tokë. Kështu që ku do ta pozicionoja veten në të gjithë këtë? Në njërën anë, unë pajtohem që qeveria e tanishme ka dështuar të ofrojë çfarëdo ndjenje të perspektivës kosovare. Në anën tjetër, ndërkombëtarisht si kosovarë në vazhdimësi jemi të refuzuar nga pjesëmarrja e barabartë dhe reprezantimi, pikërisht për shkak të faktit që jemi kosovarë. Por, përpjekja për të treguar që Republika është e definuar në bazë të etnisë, se ajo që jam sot është për shkak të “Shqiptarisë”, ose siç kanë deklaruar disa pjesëtarë të Vetvendosjes, “të ju tregojmë se çka është me qenë shqiptar”, është duke më zhveshur nga çfarëdo lloj përvoje tjetër, pos asaj që bazohet në “Shqiptari”. Nuk e kuptoj definicionin e tyre e “Shqiptarisë”, që ata përpiqen ta definojnë duke u bazuar në gjak dhe tokë. Unë e kuptoj “Shqiptarinë” time duke u bazuar në traditën qytetare të aktivizmit, të luftës për të drejtat e njeriut, të betejës së vazhdueshme për të siguruar që si shoqëri flasim kundër pabarazisë shoqërore, pavarësisht etnisë; që të flasim kundër pabarazisë shoqërore sepse është e padrejtë dhe diskrimiuese.
Këtë javë, udhëhoqa një punëtori në kuadër të një konference për të drejtat e komunitetit rom për organizata të shoqërisë civile që punojnë në këtë drejtim. Në fillim të prezentimit një pjesëmarrëse më ndërpreu duke thënë se përderisa puna jonë si media në fushën e të drejtave të njeriut në çështje si të drejtat e komunitetit LGBT apo të drejtave të grave mund të jenë të rëndësishme, komuniteti rom në Kosovë ballafaqohet me probleme shumë më serioze.
Përderisa e kuptoj atë pozicion, problemi po ashtu qëndron në faktin që si “Kosova 2.0” ne asnjëhere, për shembull, nuk do të prodhonim një numër të revistës vetëm për komunitetin Rom, njejtë se si nuk do e prodhonim një vetëm për shqiptarët, apo serbet, apo turqit. Dhe kjo ka të bej me faktin se jemi të vendosur mbi nocionin që Republika premton të përkujdeset për të drejtat, premton të mbroj qytetarët përderisa nuk diskriminon në baza të përkatësisë etnike. Për mua, kjo është Republika e Kosovës që duhet të aspirojmë. Dhe është një që shpresoj që “R-ja” e saj në Republikë do ta përmbush kuptimin e që nuk do jetë nevoja që vazhdimisht të ceket që jemi republikë, por që mënyra se si funksionon shteti e garanton atë në vetvete.
Pra përderisa qeveria e Kosovës e injoron faktin që shumica e Republikës po bëhet shënues ekskluziv i përvojës së shtetit – dhe përbrenda saj duke përjashtuar përvoja ‘të të tjerëve’, çfarëdo qofshin ato – dhe përderisa opozita po përjashton njerëzit në bazë të identitetit etnik – sikurse për “t’u bërë i barabartë, për të qenë të dinjiteshëm, për t’u zhvilluar, për të patur një tē ardhme në siguri e paqe” i takon vetëm shumicës – le të jetë ky një shënim për që të dyja. Pra, nëse interesi i tyre sinqerisht qëndron tek Republika.
Ky artikull u shkrua fillimisht në anglisht.