Në thelb | Media

‘E vërteta është bërë e kushtueshme’

Nga - 02.11.2018

Gazetarët nga komunitetet minoritare të Kosovës ballafaqohen me shumë pengesa.

‘Më 21 gusht 1998, kolegët tonë gazetarët Duro Slavuj dhe Ranko Perenić, u rrëmbyen këtu. Ne jemi duke i kërkuar’. Ky është mbishkrimi, i shkruar në gjuhën shqiptare dhe serbe, në pllakën përkujtimore anash një rruge afër Rahovecit.

Më 21 gusht, dy gazetarët e nisën udhëtimin e tyre nga Rahoveci për në Manastirin e Zočište-s për të folur me murgjit, të cilët së fundmi ishin liruar nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ata shkuan për një lajm, por nuk e kryen kurrë – lajmi u zhduk me gjithë ta.

Pllaka përkujtimore është vendosur vazhdimisht nga gazetarët serbë të Kosovës që janë duke i kërkuar kolegët e tyre të zhdukur tash e 20 vjet. Dega në Kosovë e Asociacionit të Gazetarëve Serb e ka vendosur këtë mbishkrim gjashtë herë për dy gazetarët e zhdukur dhe secilën herë dikush e ka hequr atë. Institucionet kompetente nuk kanë arritur ta gjejnë se kujt po i pengon ky kujtim për gazetarët e zhdukur.

Shoqatat e gazetarëve kanë bërë thirrje për të bërë më shumë në hetimin e rasteve të 15 gazetarëve që u vranë apo u zhdukën prej 1998 deri në 2005. Foto nga Asociacioni i Gazetarëve Serb.

Slavuj dhe Perenić janë dy nga 15 gazetarët — serbë dhe shqiptarë — që u vranë apo kidnapuan në Kosovë në periudhën 1995-2005. Asnjëri prej këtyre rasteve nuk është zgjidhur dhe asociacionet e gazetarëve që punojnë në Kosovë ende nuk kanë përgjigje për atë se çfarë u ndodhi kolegëve të tyre.

“Kjo e dërgon një mesazh të keq që sulmet ndaj gazetarëve janë në një mënyrë të pranueshme”, thotë Budimir Ničić, presidenti i degës në Kosovë të Asociacionit të Gazetarëve Serb.

“Asociacioni jonë ka ngulur këmbë për zgjidhjen e këtyre rasteve me vite, por ata që janë në krye të hetimeve dhe që duhet të na tregojnë se ku janë kolegët tonë dhe kush është përgjegjës për rrëmbimin dhe vrasjen e tyre, nuk veprojnë ose nuk i kanë kryer punët e tyre si duhet. Fillimisht i referohem UNMIK-ut dhe EULEX-it, por tani edhe institucioneve vendore”.

Për shkak të rasteve të gazetarëve të zhdukur, vitin e kaluar OSCE e mbajti një konferencë në të cilën u propozua themelimi i një komisioni për ta krijuar një bashkëpunim të strukturuar ndërmjet institucioneve të drejtësisë, asociacioneve të gazetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky komision do ta kishte për synim hetimin e rasteve të gazetarëve të zhdukur në periudhën 1998-2005.

“Ne kemi kolegë që janë vrarë dhe nuk i kemi kapë ata që janë përgjegjës për këto keqbërje. Kjo është arsye e mjaftueshme për  me u shqetësu sot për këto gjëra, sepse mund të ndodhin përsëri nëse sistemi i drejtësisë nuk vepron”, thotë Maja Fićović, kryeredaktore e Radio Kosovska Mitrovica.

Ndonëse dy dekada kanë kaluar prej konfliktit në Kosovë, siguria është ende një nga problemet më të mëdha të gazetarëve. Në Kosovë kemi 20 deri në 30 sulme të raportuara ndaj gazetarëve në vit dhe pjesa më e madhe e tyre mbeten të pazgjidhura. Nëse një sulmues zbulohet dhe niset procesi i gjykimit, ka tendencë që rasti të rezultojë me një gjobë relativisht të vogël apo me lirim me kusht.

Statusi i gazetarëve nuk është i rregulluar ligjërisht, për shkak se struktura ligjore e Kosovës nuk bën dallim ndërmjet sulmit ndaj një qytetarit të rregullt dhe sulmit ndaj një gazetarit që është duke kryer një punë që ka rëndësi publike.

“E vërteta është bërë e kushtueshme dhe gjithnjë e më pak kolegë kanë vullnet që ta ekspozojnë veten ndaj rrezikut duke kryer punën — që as nuk paguhet sa duhet — nga dashuria dhe entuziazmi”, thotë Fićović.

Tatjana Lazarević, redaktore në KoSSev, thotë se organizata e saj mediale vazhdimisht është nën presion, nga kërcënimet e drejtpërdrejta dhe sulmet fizike në pronën e tyre, e deri tek forma të tjera të frikësimit. Foto nga N1.

Një nga sulmet e pazgjidhura ndaj mediave është incidenti me të shtëna armësh që ndodhi në portalin KoSSev në Mitrovicën e Veriut në korrik 2015. Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre vjet prej kur u shkrepën disa plumba në muret dhe dritaret e lokalit të KoSSev, autorët e këtij krimi ende nuk janë gjetur. Gazetarët e KoSSev kanë bërë përpjekje për ta gjetur të vërtetën për këtë rast, por deri më sot nuk kishin sukses.

Dhe ky nuk është i vetmi rast i sulmit në zyret e redaksisë së KoSSev në vitet e fundit. Tatjana Lazarević, redaktore në KoSSev, e shpjegon presionin me të cilin ballafaqohen: “Na kanë djegë një veturë, e kanë kërcënuar familjen time, na kanë bërë presion administrativ nëpërmjet institucioneve, përfshirë këtu paditë, kanë bërë përpjekje për stigmatizim dhe përjashtim social duke i bërë presion lexuesve tonë, na kanë sulmuar verbalisht, na kanë lënë si organizatë jashtë ngjarjeve dhe listave të distribuimit, jemi ballafaquar me akuza të rreme, dhe [politikanët]  kanë dhënë deklarata në të cilat na kanë përshkruar si ‘armiq të shtetit’…”

Rroga e muajit të ardhshëm e pasigurt

Shumë probleme me të cilat ballafaqohen gazetarët në Kosovë janë të zakonshme pa marrë parasysh gjuhën në të cilën kryhet puna. Në shumë raste, gazetarët punojnë pa kontrata dhe ka raste në të cilat punëdhënësit nuk i paguajnë për punën e tyre. Gjatë gjithë kohës, gjykatat që merren me këto raste janë tepër të ngadalshme sa i përket zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Por një nga problemet më të mëdha, që në veçanti i prekë gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe, është pasiguria në financim.

“Shumica e gazetarëve punojnë për paga minimale dhe për shumë prej tyre nuk paguhen kontributet e pensionit; pra ata janë pjesë e ekonomisë së zezë”, thotë Ničić.

Budimir Ničić, kreu i degës në Kosovë të Asociacionit të Gazetarëve Serb, thotë se mediat në gjuhën serbe në Kosovë vazhdimisht ballafaqohen me vështirësi financiare dhe kështu e ardhmja e tyre duket e pashpresë. Foto nga Slobodno sprpski.

Ai thekson se përveç RTK2, kanali televiziv që financohet nga buxheti i Kosovës, katër mediave elektronike dhe gazetës Jedinstvo që financohet nga buxheti i Serbisë, shumica e mediave në gjuhën serbe mbështeten në financim në formë të projekteve. “Ato janë kryesisht projekte të vogla që zgjasin 3 deri në 6 muaj, më së shumti deri në një vit, dhe këta persona janë nën presion të vazhdueshëm sepse nuk e dinë se a do ta fitojnë projektin për ta vazhduar punën dhe a do të kenë mundësi të mbijetojnë”, thotë Ničić, duke shtuar se gazetarët shpeshherë nuk e dinë se a do të paguhen muajin e ardhshëm. “Me të vërtetë jam i shqetësuar për të ardhmen e mediave serbe në Kosovë”.

Burimet e tjera të të hyrave janë pothuajse inekzistente. Marketingu kryesisht mbështetet në fushata të kohëpaskohshme të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, ndërsa për shkak të situatës së vështirë ekonomike në zonat me shumicë serbe, kompanitë rrallëherë reklamojnë dhe kompanitë që kanë pronarë shqiptarë tregojnë pak interesim për të reklamuar në mediat në gjuhën serbe.

“Vetëm një numër i vogël i të rinjve duan të punojnë në fushën e gazetarisë dhe me sa duket, gazetaria është një nga profesionet që premton më së paku”, thotë Fićović. Ajo thekson se donatorët gjithnjë më shumë e shohin veten si partnerë të OJQ-ve se organizatave mediale.

Mediat në gjuhën serbe në përgjithësi kanë zyre të vogla ku punojnë disa persona dhe detyrohen t’i performojnë disa role njëkohësisht; kjo vlen si për gazetarët, ashtu edhe për kameramanët dhe montazhierët.

“Kameramanët tonë janë njëkohësisht montazhierë dhe specialistë të audios dhe ndriçimit; për ta thënë thjeshtë, janë tre në një”, thotë Ničić, që përveç rolit të saj në Asociacionin e Gazetarëve Serb, e moderon edhe emisionin e debatit Slobodno Srpski dhe është korrespondente e Zërit të Amerikës në gjuhën serbe. “Në vitet e fundit, puna jonë është vështirësuar nga fakti se nuk kemi qasje për t’i intervistuar personat që duam, thjeshtë për shkak se plot zyrtarë dhe përfaqësues, kryesisht nga komuniteti serb, nuk duan të shfaqen në mediat tona, kështu që nuk mund ta marrim as deklaratën më të thjeshtë”.

Fićović pajtohet, dhe shton se për shkak të situatës në gazetari, mediat dhe gazetarët kanë reputacion të keq në shoqëri. “Një numër i caktuar i gazetarëve janë fajtorë për këtë, ata që kanë depërtuar në autoritete lokale dhe qendrore. Kjo tregon që interesat personale të tyre janë mbi interesin publik”, thotë ajo, duke iu referuar gazetarëve që ajo thotë po i shërbejnë agjendave specifike politike.

Maja Fićović, kryeredaktore e Radio Kosovska Mitrovica, thotë se përderisa profesioni i gazetarisë nuk ka qenë kurrë në nivel më të ulët, një aspekt pozitiv është bashkëpunimi gjithnjë më i madh ndërmjet kolegëve serbë dhe shqiptarë. Foto nga Radio Kosovska Mitrovica.

Ajo beson se problematike është edhe varësia financiare, për shkak se rrezikon të ndikojë tek politikat redaksionale të disa mediave. “Mendoj se ky profesion kurrë nuk ka qenë në nivel më të ulët”, thotë Fićović. “Mirë është që nuk ka më gjuhë të urrejtjes në media, që ka më shumë tolerancë ndëretnike dhe në atë kuptim, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Bashkëpunimi mes kolegëve serbë dhe shqiptarë është me të vërtetë në një nivel të lakmueshëm”.

Për shkak të pasigurisë së madhe të financimit dhe si pasojë e numrit të vogël të personave në zyre të redaksive, mediat e gjuhës serbe në Kosovë ndonjëherë detyrohen të heqin dorë nga temat kualitative dhe interesante për t’i ndjekur ngjarjet aktuale. Ničić thotë se gazetaria është kryesisht e bazuar në transmetim të informatave nga mediat apo agjencitë e tjera, apo të lajmërimeve të partive të caktuara politike, ndërsa mungojnë hulumtimet themelore për tema të interesit publik.

Me sa duket këto media të vogla lokale dhe të pavarura shpeshherë i nxisin rastet më serioze në këtë shoqëri”, thotë Ničić, duke shtuar se për shkak të mungesës së kapacitetit, ato shpeshherë nuk kanë mundësi t’i çojnë deri në fund lajmet apo t’i vazhdojnë artikujt që janë interesant. “Mediat serbe që njëkohësisht mbulojnë më shumë se një temë nuk e kanë lluksin ta caktojnë një gazetar për një temë”, thotë Ničić.

“Organizatat ndërkombëtare thonë se synojnë ta mbrojnë lirinë e fjalës dhe të drejtat e gazetarëve, por kjo është sikur ta ndezësh një qiri me aromë të mirë në një shtëpi që do të rrëzohet nga stuhia”.

Tatjana Lazarević, KoSSev

Të gjithë personat e intervistuar nga K2.0, konsiderojnë se shoqëria nuk e kupton sa duhet profesionin e gazetarisë dhe kjo mungesë e kuptimit rrjedh veçanërisht nga qarqet politike, nëpërmjet të cilave mediat shpeshherë shihen si armiq të institucioneve, thjeshtë për shkak se e vëjnë në dyshim përgjegjësinë e tyre dhe përpiqen të kërkojnë llogari prej tyre.

“Këta persona veprojnë thuajse institucionet i kanë pronë personale”, thotë Ničić. “Ata duhet ta kuptojnë se janë të përkohshëm, por ne si gazetarë do të vazhdojmë t’i ndjekim për ta kryer punën tonë”.

Fićović pajtohet, duke thënë “ne jetojmë në një sistem të korruptuar” ku gazetarët nuk i besojnë askujt. “Institucionet duhet ta marrin seriozisht gazetarinë dhe t’i konsiderojnë gazetarët si ‘njerëz që thjeshtë janë duke kryer punët e tyre’”, thotë ajo.

Pavarësisht problemeve të shumta me të cilat përballen gazetarët çdo ditë, ata nuk ndihen të mbrojtur nga organizatat dhe institucionet lokale dhe ndërkombëtare.

“Organizatat ndërkombëtare thonë se synojnë ta mbrojnë lirinë e fjalës dhe të drejtat e gazetarëve, por kjo është sikur ta ndezësh një qiri me aromë të mirë në një shtëpi që do të rrëzohet nga stuhia”, thotë Lazarević e KoSSev.K

Foto kryesore nga Asociacioni i Gazetarëve Serb.

Ky artikull u përkrah nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura janë të Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyrojnë medoemos mendimet dhe qëndrimet e OSBE-së.