Pikëpamje | Demokraci

Perëndimi është më i interesuar në imazhin e Kosovës se në problemet e saj

Nga - 08.11.2018

Përpjekjet ndërkombëtare për krijimin e një pasqyrimi të imagjinuar të vetes nuk i sjellin dobi qytetarëve.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në 1999 kujtohet nga shqiptarët e Kosovës si momenti i çlirimit të tyre diçka jo e befasishme dhe si burimi i dashamirësisë të tyre ndaj SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe “Perëndimit” më përgjithësisht. Pra nuk është e vështirë të shpjegohet pse shqiptarët e Kosovës e duan Perëndimin; më e vështirë është të përcaktohet se, a e don Perëndimi Kosovën.

Kur u rrëzua Muri i Berlinit në 1989, pakkush mund ta ketë imagjinuar se 10 vjet më vonë roli i Perëndimit si superfuqi botërore do të matej në Kosovë. Përderisa sytë e botës ishin në luftërat që i gllabëruan serbët, kroatët dhe boshnjakët në gjysmën e parë të 90-ve, gjendja e vështirë e shqiptarëve të Kosovës u shpërfill në mënyrë efektive. Siç tha Christopher Hitchens, përderisa separatistët nëpër botë mburreshin me mbështetës të ndryshëm ndërkombëtarë, “me gjasë nuk kishte kauzë me më pak miq se ajo e shqiptarëve të Kosovës”.

E gjithë kjo ndryshoi shumë shpejtë dhe kur NATO e lansoi Operacionin e Forcave të Bashkuara, ngjarjet në Kosovë me të vërtetë fituan rëndësi globale. Megjithatë, ndërhyrja ishte më pak për Kosovën apo Jugosllavinë dhe më shumë për ta forcuar statusin e pakrahasueshëm të SHBA-së dhe “Perëndimit”. Sipas Gjeneral Wesley Clark, që në atë kohë ishte Komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s, operacioni ishte hiç më pak se: “…një betejë për të ardhmen e NATO-s, për kredibilitetin e Shteteve të Bashkuara si fuqi në aferat botërore”.

Shqiptarët më të arsyeshëm të Kosovës e kuptojnë këtë; sigurisht, kur ja shpjegova kështu ndërhyrjen e NATO-s një mikut shqiptar në Prishtinë para shumë vitesh, ai thjeshtë më tha “Sigurisht se e kuptojmë se nuk ishte krejtë për neve! Por në 1999 një herë në historinë tonë ne shqiptarët ishim me fat”.

Duke pasur parasysh shtypjen që e përjetuan shqiptarët e Kosovës nën regjimin e Milošević-it, sigurisht kishte pak prej tyre që i pyetën trupat e NATO-s “pse jeni këtu me të vërtetë?”, deri sa ktheheshin me nxitim në shtëpitë dhe fshatrat e tyre, kur ikën forcat serbe. Megjithatë, me të kaluar koha, motivi i interesit të Perëndimit në Kosovë është bërë dukshëm më problematik.

Problemi i imazhit të Kosovës

Për një pjesë të madhe të 200 viteve të fundit, për shumë palë të jashtme të interesit, imazhi i Kosovës ka qenë më i rëndësishëm se mirëqenia e njerëzve që jetojnë në Kosovë. Siç dihet, ‘Kosova dhe Metohija’ ka pothuajse një rezonancë mitike për disa serbë të caktuar; rëndësia e saj shkon përtej vlerave materiale apo gjeopolitike, e lidhet kryesisht me vlerën e madhe simbolike të Kosovës.

Ky simbolizëm luajti rol kyç në ringjalljen e nacionalizmit serb në fund të 80-ve dhe më pas në shpërbërjen e Jugosllavisë. Kosova është gjithashtu shumë e rëndësishme për nacionalistët shqiptarë, veçanërisht për shkak të themelimit të Lidhjes së Prizrenit në 1878.

Por prej 1999, Kosova ka fituar vlerë të rëndësishme simbolike për Perëndimin; vet ndërhyrja u paraqit më mburrje si ilustrim i fuqisë dhe dashamirësisë së Perëndimit, por rëndësisë së Kosovës nuk i erdhi fundi bashkë me fushatën ushtarake. Për gati 20 vjet, Kosova i është nënshtruar përpjekjeve më invaduese dhe ambicioze të shtetndërtimit; ky vend post-komunist, i plagosur nga varfëria dhe lufta statusi i së cilit ishte temë e mosmarrëveshjeve u transformua në një shtet demokratik, të pavarur, multietnik me treg të lirë, që u bë shembulli i suksesit për të cilin “ka nevojë planeti jonë”.

“Sigurisht”, mund të pyesni, “kjo vëmendje dhe këto synime transformuese janë diçka e mirë?” Shumë shtete të tjera sigurisht e duan vëmendjen që e ka marrë Kosova prej 1999; siç kishte thënë dikur Nelson Mandela: “Ne në Afrikë dhe Azi… e lakmojmë gatishmërinë dhe vullnetin e komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë dhe për të përkushtuar burime për rindërtimin e Kosovës”. Por përderisa kushtet për shumicën e njerëzve në Kosovë janë përmirësuar në mënyrë dramatike prej 1998, vëmendja që i është kushtuar Kosovës ka ardhur me një çmim.

“Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane”

Për të gjetur përgjigje për pyetjen e shtruar në fillim “a e don Perëndimi Kosovën?”  mund të konsideroni të shikoni përtej banaliteteve të politikave që janë zbatuar prej vitit 1999. Gjatë kësaj periudhe mund ta identifikojmë një listë që thotë shumë për marrëdhënien ndërmjet Perëndimit dhe Kosovës.

Kemi parë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin politik të Kosovës, pasi që organe të ndryshme ndërkombëtare kanë shpërfillur apo janë akuzuar për bashkëfajësi në raste të korrupsionit dhe mashtrimit elektoral. Kosova nuk është bërë anëtare e NATO-s dhe në fakt sponsorët e jashtëm kanë paralajmëruar që Kosova formalisht një shtet i pavarur të mos e ketë ushtrinë e vet.

Të pakta mbesin gjasat për anëtarësimin e Kosovës në BE, ndërsa fqinjtë e afërt të saj janë anëtarësuar ose janë afruar. Në vitet e fundit, Kosovës i është kërkuar e disa do të thonin se Kosova është detyruar të pajtohet për disa politika që rrënjësisht e dëmtojnë karakterin dhe sovranitetin e saj, nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, te themelimi i Dhomave të Specializuara.

Në arenën ndërkombëtare aktualisht po favorizohet ideja e ricaktimit të kufijve të Kosovës dhe kjo e thekson më tej natyrën sipërfaqësore të përkushtimit ndaj sovranitetit të Kosovës. Mbase këtë më së shumti e ilustron fakti se Kosova dhe Bjellorusia janë të vetmet shtete në perëndim të Rusisë që nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në BE. Përderisa po flitet se kjo do të ndryshojë, e çuditshme është kur shpreh përkushtim ndaj mirëqenies së një populli dhe njëkohësisht i mbanë larg derës tënde.

Kosova pritet ta çmojë multietninë, të ndërmarrë drejtësi tranzicionale dhe të përvetësojë standarde të qeverisjes së mirë sepse sponsorët e jashtëm të Kosovës kanë dëshirë të mendojnë se këtë e mishërojnë ata vet.

Kosova ka pranuar dashamirësi të qëndrueshme nga Perëndimi, ndërsa është kërkuar ta përmbushë një listë që me sa duket gjithnjë është duke u zgjeruar të standardeve dhe pikave të referimit, para se të trajtohet si e barabartë. Në Kosovë po përhapet ndjesia se kur përmbushen disa kritere, dalin disa të tjera; kjo u parodizua nga Jeton Neziraj në “një shfaqje me katër aktorë…”, kur një inspektor i mishit i thotë një kasapit kosovar që ai duhet t’i zbatojë standardet e BE-së që përfshihen në një udhëzues të titulluar “Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane”.

Në praktikë, është e vështirë t’i imagjinojmë fuqitë evropiane duke u pajtuar t’i zbatojnë politikat që i presin nga Kosova. Për shembull, a do ta kishte themeluar Mbretëria e Bashkuar një gjykatë speciale për t’i ndjekur penalisht trupat britaneze për krimet e kryera në Kenia? A do të pajtohej Franca për themelimin e një gjykate për Algjerinë? Italia për Etiopinë? etj. Me shumë pak gjasa…

Angazhimi bashkëkohor i Perëndimit me Kosovën dhe qasja e tij ndaj saj, e ilustron një trend historik përmes së cilit Ballkani portretizohet si zonë e dhunës, e populluar nga vendasit e paedukuar të cilëve u duhet ndihma dashamirëse nga jashtë, në mënyrë që të pjeken. Në “Inventing Ruritania”, Vesna Goldsworthy e përshkruan Ballkanin si “…shtëpi e kukullave në të cilën fuqitë ‘e rritura’ mund t’i zgjasin duart për t’i treguar vendasve se si të sillen dhe ku t’i vendosin mobiljet”.

Kompromisi

Pritjet që vendosen mbi Kosovën me sa duket janë funksion i faktit se Kosova është bërë pasqyrim i asaj se si Perëndimi dëshiron ta imagjinojë veten, sa i përket karakterit të brendshëm të tij dhe kapacitetit të tij për të ndërmarrë projekte transformuese dashamirëse. Në këtë kuptim, Kosova pritet ta çmojë multietninë, të ndërmarrë drejtësi tranzicionale dhe të përvetësojë standarde të qeverisjes së mirë që janë të përfshirë në kushtetutën e Kosovës, që është shkruar nga ndërkombëtarët sepse sponsorët e jashtëm të Kosovës kanë dëshirë të mendojnë se këtë e mishërojnë ata vet.

Prandaj Kosova e ka dëshmuar një shkyçje kurioze ndërmjet progresit real të saj dhe kërkesave transformuese që janë bërë nga akterët e jashtëm për progresin e saj prej 1999. Për ndërkombëtarët, më pak rëndësi ka ku është realisht Kosova; kryesorja është si duket, dhe si mund të portretizohet.

Në mënyrë që Kosova të ketë vlerë propagandistike, sigurisht ka nevojë, mbi të gjitha, për rend. Në kontekstin e trazirave që e karakterizuan Kosovën në të 90-at, kjo mund të duket si diçka e mirë. Megjithatë, rendi vjen me çmim; prioritizimi i rendit si mjet për ta formësuar imazhin e progresit në Kosovë kërkon bindje nga elita lokale.

Çmimi i bindjes që kërkohet nga vendasit që kanë për detyrë ruajtjen e rendit, megjithatë, është i fshehtë. Pra komuniteti ndërkombëtar dhe elita lokale janë lidhur në një marrëdhënie me varësi të ndërsjellë.

Komuniteti ndërkombëtar është dëshmuar si i gatshëm për ta toleruar korrupsionin e kryer nga elita politike në Kosovë, përderisa ata vazhdojnë t’i lartësojnë virtytet e projektit transformues të ndërkombëtarëve dhe “progresin” e arritur, duke u siguruar gjithashtu që nuk do të nis përsëri ndonjë konflikt i hapur.

Kjo e shpjegon pse elita kanë qenë të gatshëm të pranojnë masa të cilat është e qartë se nuk i pëlqejnë. Mbase kjo u ilustrua më së miri kur kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi e mbështeti themelimin e Dhomave të Specializuara dhe njëkohësisht e përshkroi si “padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet Kosovës dhe popullit të saj”.

Megjithatë, populli i Kosovës e bartë koston e këtij kompromisi. Ata ballafaqohen me korrupsion dhe efektin gërryes që e ka në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë. Udhëzohen të sillen mirë, të jenë përherë mirënjohës, pavarësisht që nuk janë materializuar premtimet e ndryshme që u janë bërë. Ata duhet t’i shohin të huajt duke e lëvduar ‘progresin’ që ua kanë mundësuar ata, progresin që e kanë të vështirë ta shohin brenda Kosovës. Ndërsa bashkimi me tokën shpresëdhënëse të BE-së duket gjithnjë e më shumë si fantazi.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.