Në thelb | Të Drejtat e Grave

Tri gra — asnjë pronë mbi vete

Nga - 09.06.2020

Grave në Shqipëri ende u mohohet e drejta për pronësi, megjithë përparimet ligjore.

Një zë i brishtë përgjigjet pas disa zileve në numrin e telefonit të cilin e kam thirrur. Pas shumë kërkimesh, një punonjëse e një strehëze të grave të dhunuara në Tiranë ma dha numrin e Shpresës* pasi ajo ishte pajtuar të flasë me mua. 

Takohem të nesërmen me Shpresën 53 vjeçe, nënë e tre fëmijëve — më i vogli nga ta me çrregullim të spektrit autik. Gruaja me zërin e brishtë fillon të tregojë se si është regjur nga vështirësitë nëpër të cilat ka kapërcyer gjatë jetës, qëkur e kishin braktisur prindërit biologjikë në foshnjëri.

“Kalova një jetë të vështirë dhe kur u dashurova e u martova në moshën 18-vjeçare, mendova se hallet e mia do t’i lija pas krahëve”, thotë ajo. “Nuk e dija që pikërisht aty do të niste një tjetër kalvar vuajtjesh, akoma më i vështirë se ai i së kaluarës”.

Nga fillimi i martesës e deri kur mbushi të 50-tat, ajo punonte me bashkëshortin e saj në biznesin e elektroshtëpiakeve që e kishin ngritur së bashku. Nga mëngjesi deri në darkë punonte aty dhe paralelisht rriste fëmijët, lante, gatuante dhe çonte në kurse të ndryshme zhvillimi djalin autik, i cili ish kthyer në përparësinë e saj kryesore. 

Ndërkohë, ngarkesës si nënë me kohë të plotë dhe biznesit që menaxhonte iu shtua edhe dhuna që përjetonte nga i shoqi. 

“Ai ishte i sëmurë, por nga ana tjetër kishte mjaftueshëm fuqi për të më goditur”, thotë ajo.
“Jo përditë, por kur më dhunonte, më duhet ta pranoj që dhuna e tij ishte shumë serioze — madje një herë pata marrë edhe urdhër mbrojtjeje”.

Kur vendosën të divorcohen, ajo u ballafaqua edhe me një të vërtetë të hidhur: pas 32 vitesh martesë, tre fëmijëve dhe një biznesi, ajo nuk figuronte askund në pasurinë e përbashkët familjare.

Gra të të gjitha sfondeve, moshave dhe niveleve arsimore përballen me këtë realitet.

“Vitet e fundit, para divorcit, i thoja shpesh atij, ‘Dakord, hajde ulemi, shohim të gjithë dokumentet që kemi — le të ndajmë gjithçka 50/50 dhe le të divorcohemi’”, kujton ajo.

“Pasi ndërtuam shtëpinë dhe erdhi momenti për ta regjistruar në zyrën kadastrale, i kërkoja që të shkonim bashkë nëpër institucione dhe të bashkëregjistronim gjithçka”, tregon më tej. “Sigurisht, ai nuk pranonte kurrë. ‘Jo, ti duhet të rrish në shtëpi e të kujdesesh për djalin — unë do të merrem me gjithçka. Nuk janë punët e tua këto’”.

Ligje të reja, mentalitet i vjetër

Përjashtimi i bijave, motrave dhe bashkëshorteve nga pasuria familjare nuk është i izoluar vetëm në zonat rurale, por gjendet edhe në qytete e qendra të mëdha urbane në Shqipëri. Gra të të gjitha sfondeve, moshave dhe niveleve arsimore përballen me këtë realitet. 

Para dy vitesh, noterja Elona Saliaj e bëri një studim për këtë çështje, i cili ia vërtetoi atë që kish vënë re në punën e saj të përditshme. Studimi — i shtrirë në tetë rrethe dhe 16 fshatra në Shqipëri — gjeti se në 90% të rastevem pronat dhe trashëgimitë regjistrohen vetëm në emër të burrave. 

“Gjithmonë e më tepër në punën time po përballesha me raste ku gruaja ishte kokulur dhe e mënjanuar kur vinte puna te kërkesa e të drejtës së saj bazike për të qenë bashkëpronare në çdo pronë të vënë gjatë martesës, ose trashëgimtare e pabarabartë me vëllezërit në pasurinë e familjes biologjike”, thotë ajo. 

Në aspektin ligjor, e drejta e grave për pronësi u avancua me Ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në vitin 2012, kur u bë i detyrueshëm regjistrimi për të dy bashkëshortët në përpjesëtim të barabartë të pasurisë së vënë gjatë martesës. E drejta e njëjtë njihet edhe nga Ligji për kadastrën, i vitit 2018. Megjithatë, ka ende shumë hapësirë në zbatimin e tyre. 

“Përgjegjësia u shkon fillimisht atyre njerëzve që e kanë për detyrë ta implementojnë këtë ligj: punonjësve të kadastrës, noterëve, gjyqtarëve… fatkeqësisht ata kanë të njëjtin mentalitet si bashkëshortët e këtyre grave”, thotë Saliaj. 

Një nga këto gra është edhe Teuta*. Ajo u divorcua tetë vite më parë, pas një periudhe të gjatë konfliktesh që zanafillën e kishin te varësia e ish-burrit të saj nga kumari. “Ai punonte në ndërtim dhe çdo ditë kur kthehej në shtëpi më gënjente dhe më thoshtë se ia kishin vjedhur telefonin, ose që e kishin grabitur, ose që kishte humbur portofolin”, kujton ajo.

“Që nga dita që u martova, 17 vite më parë, kisha probleme serioze me bashkëshortin”, vazhdon më tej. “Familja e tij më rrihte çdo herë që unë debatoja me tim shoq. Tetë vite më parë kërkova në polici urdhër mbrojtjeje nga vjehrra, vjehrri dhe kunati — nga burri gjithashtu”.

Menjëherë pas këtij episodi, Teuta thotë se ai i kërkoi divorcin. “Gjykata më dha të drejtën që unë të rris fëmijën tonë dhe e detyroi atë të paguante një pension qesharak ushqimor”.

Shtëpia ku kishin jetuar së bashku ishte e regjistruar në emrin e prindërve të tij, prandaj pas divorcit ajo nuk kishte të drejtë në pronësi. Ish-bashkëshorti e lejoi të vazhdonte të jetonte në njërën nga dhomat e asaj shtëpie bashkë me djalin e tyre, por nuk ia paguante shumën mujore të parave që ia kishte caktuar gjykata.

Sot Teuta ende jeton në të njëjtën shtëpi, të cilës tërmeti i nëntorit 2019 i shkaktoi dëme të mëdha.

“Pensionin ushqimor nuk e pagoi kurrë prandaj një ditë prej ditësh përmbarimi erdhi në shtëpi”, tregon ajo. “Ish-burri shkoi te një avokat dhe ai e këshilloi që të vetmen pronë që kishte, prej 280 m2, ta vendoste në emrin e prindërve në mënyrë që Përmbarimi të mos ia merrte. Dhe ai kështu bëri”.

Sot Teuta ende jeton në të njëjtën shtëpi, të cilës tërmeti i nëntorit 2019 i shkaktoi dëme të mëdha. “Çdo pikë shiu që bie jashtë, futet mbi kokat tona”, tregon ajo.

Vetëm pak metra larg është shtëpia ku jeton familja e ish-burrit, ndërkaq tregon se ata e kanë ndërtuar një vilë në tokën që ish-burri i saj ua kaloi në pronësi. “Ish-vjehrra dhe ish-vjehrri zihen me mua dhe djalin çdo ditë, dhe dy herë në javë ne përfundojmë të gjithë në komisariat; ata akuzojnë djalin tim që i kërcënon dhe i qëllon me gurë”, thotë ajo.

Histori të këtilla nuk janë të padëgjuara në Shqipëri e në shtetet tjera të Ballkanit, pavarësisht se në të gjitha prej tyre ka pasur nisma ligjore për të siguruar barazi mes grave e burrave dhe për ta luftuar diskriminimin në baza gjinore.

"Ka përmirësime të legjislacionit nga vendi në vend, por kur vjen puna te situata në praktikë, gjërat janë njësoj kudo."

Elona Saliaj, notere

Sociologu Gëzim Tushi thotë se demokratizimi i familjes është ende larg për Shqipërinë, vend i cili sipas tij jo vetëm që është “maskilist-patriarkal”, por edhe “vertikal në raportin gjinor”. “Burrat për shkaqe ideologjike, historike, kulturore, paragjykuese e diskriminuese qëndrojnë më sipër, kanë status të veçantë, janë administrues të pasurive të familjes dhe gëzojnë ekskluzivitete që gratë nuk i kanë”, thotë ai.

Fenomeni, sipas tij, është i përhapur thuajse njësoj në të gjithë Ballkanin, për aq kohë sa kemi të bëjmë me një mentalitet thuajse të njëjtë. “Burri shqiptar nuk e pranon idenë e barazisë, sidomos kur vjen puna tek ana materiale e gjërave —  këtu ka gjithmonë probleme dhe ai kërkon të ketë pjesën e luanit dhe nuk kërkon ta ndajë këtë pasuri me bashkëshorten, sepse nuk e ndien veten të sigurtë”, thotë a.

Të njëjtin mendim e ndan edhe noterja Saliaj, e cila përveç në Shqipëri, ka kryer studime për këtë çështje edhe në vende të rajonit. “Rezultatet tregojnë që dhe atje është e njëjta situatë; ka përmirësime të legjislacionit nga vendi në vend, por kur vjen puna tek mentaliteti dhe situata në praktikë, gjërat janë njësoj kudo”, thotë ajo.

Ta kërkosh të drejtën tënde

Drita*, një grua rreth 70 vjeçe, kujton se s’kishte pasur ndonjëherë probleme me motrën dhe vëllain deri në ditën kur prindërit e tyre u ndanë nga jeta dhe të treve iu desh të diskutonin rreth çështjes së trashëgimisë. 

“Në fillim gjithçka shkonte normalisht; një kompani ndërtimi në qytet erdhi dhe kërkoi truallin ku ndodhej banesa jonë, që të ndërtonin aty një pallat”, thotë ajo. “Sigurisht, duhej të binim dakord për përfitimet që do të kishim — çfarë do të përfitonte secili prej nesh. As nuk e vija në dyshim që çdo gjë do të ndahej proporcionalisht mes ne të treve”. 

Por gjërat nuk ndodhën kështu —  i vëllai e kish vendosur tashmë që trashëgimia e prindërve nuk mund të shkonte në familjet e burrave të motrave të tij. “Në çastin e parë kur dëgjova këtë argument të tijin, qesha — mendova se ishte një shaka. Më pas pashë fytyrën e time motre, në mënyrë që të kuptoja reagimet e saj: ajo uli sytë dhe nuk foli asnjë fjalë”, kujton Drita. 

Ajo thotë se ende i kujtohet çfarë i kishte thënë vëllai në bisedën e tyre të fundit, para shtatë vitesh.“Më tha, ‘S’ke asnjë vlerë. Nuk ishe në gjendje të lindësh një djalë — nuk e kuptoj pse kërkon pjesën tënde të trashëgimisë? Vajza jote do të martohet dhe burri i saj nuk meriton të ketë pjesë në pronat tona’”. 

Në atë moment, Drita thotë se e kuptoi që mentaliteti dhe diskriminimi gjinor të cilin ishte përpjekur ta luftonte gjithë jetën, kishte qenë gjithmonë aty, edhe në familjen e saj. “Vëllai nuk na kish pandehur asnjëherë të denja mua dhe motrën si trashëgimtare. U tërbova nga zemërata”, kujton ajo.

Ky mentalitet paragjykues në familjen shqiptare është akoma shumë i fortë."

Gëzim Tushi, sociolog

Pasi e diskutoi fillimisht me motrën dhe kur kuptoi se ajo po hiqte dorë nga pronat për shkak të gjërave që mendonte se njerëzit do të thonin pas shpinës së saj, Drita e mori një vendim. “Shkova të takoja një nga shoqet e mia më të mira dhe i shpjegova që kisha nevojë për ndihmë; djali i saj është avokat i famshëm në qytet. Pas atij takimi iu drejtova gjykatës për të kërkuar të drejtat e mia”, tregon ajo.

Sipas sociologut Gëzim Tushi, ky është edhe momenti më i vështirë i përballjes brenda një familjeje. 

“Është blasfemi të kërkosh pasurinë jashtë bunkerit shtëpiak dhe kjo konsiderohet alarmante sepse në përgjithësi shoqëria shqiptare një kërkesë të tillë të gruas e konsideron të pamerituar, nuk e pranon faktin që gruaja do të marrë diçka nga burimi i familjes biologjike”, thotë ai. “Ky kordon kulturor dhe ky mentalitet paragjykues në familjen shqiptare është akoma shumë i fortë”.

Betejat e munguara ligjore

Asnjëra nga gratë e divorcuara që u përjashtuan nga pasuria e përbashkët bashkëshortore nuk i janë drejtuar gjykatës për të drejtën që u takon me ligj. Shpresa, e cila po i rrit tre fëmijët e vetme, i druhet faktit që ish-bashkëshorti mund ta korruptojë sistemin gjyqësor dhe në këtë rast, ajo do të dilte më e humbur.  

“Tashmë punoj në restorant si kuzhiniere, nga mëngjesi në darkë, nga e hëna në të shtunë, sepse më duhet të paguaj faturat dhe kurset private për djalin”, shpjegon ajo. “Shpeshherë kam menduar që t’i drejtohem gjykatës dhe të kërkoj gjysmën e pasurisë që më takon me ligj, por kam frikë se ai do të korruptojë gjyqtarët dhe unë s’do të fitoj gjë”.

Ndërkaq Teuta, e cila është në një pozitë shumë të cenueshme meqenëse ende jeton në një dhomë të shtëpisë së ish-burrit, është shumë e shqetësuar dhe e pasigurt se si do të zhvillohen gjërat më tej. 

“Nëse më nxjerrin jashtë asaj dhome, do ta gjej veten në mes të katër rrugëve bashkë me djalin tim”, tregon ajo. “Aktualisht punoj vetëm disa ditë në javë duke pastruar shtëpi dhe nuk kam mjaftueshëm para për të paguar qiranë dhe për të rritur djalin; nga kjo martesë pata vetëm probleme dhe vuajtje e pas kaq shumë vitesh nuk kam ku shkoj askund”.

Nga këto tri gra, e vetmja që i është drejtuar gjykatës është 70-vjeçarja Drita. “Kisha shumë probleme shëndetësore dhe në moshën time nuk ishte dhe aq e zakonshme të shkoje në gjyq dhe të përlesheshe ligjërisht me një pjesë të familjes tënde, por unë s’do të heq dorë nga ai gjyq deri në fund të jetës time”, thotë ajo me këmbëngulje.

Gjatë viteve të fundit, gratë shqiptare i kanë vijuar përpjekjet për t’i ushtruar të drejtat që u garantohen me ligj. Megjithatë, sipas sociologut Tushi, shteti dhe shoqëria kanë ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim. 

“Gratë e sotme janë gra xhonglere, të cilat duhet të jenë edhe bashkëshorte të mira, edhe nëna të mira, edhe konkurrente, edhe profesioniste të mira”, thotë ai. “Pra, në njëfarë mënyre ato duhet të luajnë shumë role dhe të japin shumë kontribute e megjithatë pozita e tyre financiare, pozita e tyre pasurore nuk është në raport me kontributin”.

Imazhi i ballinës: Elona Elezi / K2.0.

*Emrat janë ndryshuar për t’i mbrojtur identitetet e të intervistuarave.