Blogbox | Diaspora

Tronditjet: Iluzionet e një kohe të ngrirë

Nga - 03.08.2019

Kthimi në vendlindje pas 15 vitesh.

Kur vendosa ta lë Nju Jorkun dhe të kthehem në Kosovë pas 15 vitesh në Amerikë, të gjitha frikat më të mëdha i grumbullova në një ide për projekt të mundshëm artistik që dramatikisht kisha qejf ta quaja “Tronditjet”. Natyrisht se prisja ca vështërsi ri-ambientimi, ngaqë kishin pas kaluar shtatë vitë që kur kisha qenë në Kosovë për herë të fundit. Por isha i bindur se e kisha gjetur zgjidhjen perfekte se si t’i çasesha “shokut kulturor të rikthimit” — do t’i mirrja gjërat shtruar, ngadalë-ngadalë, e të shihja ku do t’më çonte krejt kjo. E, ashtu edhe bëra. 

Për më shumë se një vit me rradhë që prej kthimit tim, u zhyta në kënaqësitë që më kishin munguar gjatë kohës në ShBA. Kënaqësi të thjeshta këto. Mundësia për të shkuar në pauzë të zgjatur të drekës gjatë orarit të punës dhe takimi i shokëve për kafe të mesditës dikujt nga Ballkani mund t’i duken si çdo e martë tjetër e zakonshme, por për mua ishin luks njujorkez. 

Natyrisht, netët e mia të vona verore nga një bar në tjetrin dhe vizitat e shpeshtuara në plazhë ishin veçse menifestime të gjendjes sime qëllimisht të vetë-imponuar — një lumturi naive të cilën e përdorja për t’i ikur ballafaqimit me realitetin. Kështuqë, u mundova ta zgjas për sa më shumë që ishte e mundur atë ndjenjën e “muajit të mjaltit”.

Ajo çfarë në të vërtetë e kishte shtyrë Uliksin [...] ishte të kuptuarit se pronat e tija ishin kapluar nga shkatërrimi dhe se pasuritë e tija vazhdonin të zvogëloheshin dita ditës.

Prej të gjithë atyre frikave që kisha për kthimin, asnjë prej tyre nok doli të ishte domethënëse. Janë gjithmonë ato të cilat nuk i pret që t’marrin n’qafë. Dhe një gjë e tillë — që e kuptova vetëm pas kthimit — ishte të kuptuarit se koha përpos që ka efekt në njerëz (këtë kisha qenë i aftë ta parashikoja), por gjithashtu ka efekt edhe në gjësende. As që e kisha pritur e as që isha i gatshëm ta pranoja gjendjen e rëndë të shkatërrimit që e kishte kapluar shtëpinë dhe “pronat” e mia derisa isha larg. Derisa nuk lexova Odisenë e Homerit. 

Ajo çfarë në të vërtetë e kishte shtyrë Uliksin të kalonte detëra të stuhishme, të lufftonte me përbindësha, e të joshte hyjnesha për tu kthyer në shtëpi ishte të kuptuarit se pronat e tija ishin kapluar nga shkatërrimi dhe se pasuritë e tija vazhdonin të zvogëloheshin dita ditës: Se si kijet dhe delet dhe dhitë e majme i asgjësoheshin nga mëtonjësit që shtronin festa tek vallëzonin e ia pinin verën në atë ahengun e pafund në shtëpinë e tij, në përpjekjet e tyre për ta fituar zemrën Penelopës.

Asaj vere të parë, i kriposur me erëza të këtij ndërgjegjësimi, për nja dy muaj me rradhë i shmangesha hyrjes në shtëpinë time në Prizren, ku kisha pas kaluar një koihë goxha të gjatë të fëmirisë sime. Këtë mesiguri e bëja përshkak të frikës se dhoma ime nuk do të ishte ashtu siç e mbaja mend dhe se me të parë diçka ndryshe do të njolloseshin kujtimet e çmuara të fëmirisë sime — kujtime të cilave iu kthehesha kohë pas kohe gjatë momenteve të vështira, kujtime që më shërbyen si themel i paqes dhe stabilitetit dhe sigurisë kurdoherë që jeta në Qytetin e Madh më binte në qafë me ndonjë dredhi të re. 

“A nuk shkove me pa dhomën e vjetër?”, më tha shoku im Muja në të cilin kisha rastisur një dite në Prizren. Nuk e ndalte dot befasinë kur mori vesh se asaj fundjave unë rrija tek shtëpia e shokut tonë Burimit, në vend të shtëpisë sime. “A nuk t’morri malli? M’ka marr mue malli, e jo ma ty.”

(Derisa familja ime jeton në Prishtinë, vitet e 90-ta i kemi pas kaluar në Prizren. Ato mund të kishin qenë kohët më të vështira për prindërit e mi, por për mua ajo ishte një periudhë magjike për të cilën kam mall dhe e romantizoj. Por tani, Prizrenin e vizitonim gjithnjë e më rrallë, mbase çdo tre deri në gjashtë muaj, e madje edhe atëhere rrimë në shtëpi të kushërinjëve, tek mundohemi t’i ikim telasheve për të ndejtur në shtëpinë tonë.)

Edhe sikur të mund të udhëtoja nëpër kohë, asnjëherë nuk do të mund të kthehesha tek shtëpia e Prizrenit që kisha në mendjen time. Sepse ajo asnjëherë nuk kishte ekzistuar në realitet.

Doja që dhoma ime e fëmirisë të mbetej e ngrirë në kohë e hapësirë. Dhe, deri diku ajo edhe ishte. Kauçi i kaltërt akoma ishte aty dhe akoma anonte diagonalisht kur flija mbi të. Tavolina e shkrimit akoma ishte shumë e madhe për atë dhomë dhe klaustrofobikisht ishte e rrasur në qoshe mbrapa kauçit. Sirtarët e sipërm të dollapit, edhepse boshe, ishin akoma nën çelës, njëlloj si kur nëna ime i ruante aty dokumentet e rëndësishme të firmës. Dhe unë akoma nuk mund ta zgjasja kokën jashtë dritares nga ajo rrjeta e bezdisshme e mushkonjave. 

Por kishin ndodhur ca ndryshime të vogla. Mu desht pak kohë për ta hequr nga sytë e mi atë duvakun e idealizimit dhe ta shihja shtëpinë time në Prizren ashtu siç ishte — një monument kushtuar erozionit kohor. Një e çarë e madhe shtrihej përgjatë murit të dhomës sime sikur ndonjë tërmet i padukshëm të kishte dashur që tinëzarisht t’i shkulte dritaret dhe derën e ballkonit. Shtresat e pluhurit që mbulonin mobiliet ishin si sedimente që ruanin të dhëna mbi atë se çfarë bënte shtëpia përderisa njerëzit nuk ishin aty.

Jashtë, hardhitë kacavirreshin teposhtëze, barishtet e gjata kishin shpërthyer mes-për-mes pllakave të tokës dhe bahçja e ngushtë ishte tunel i një xhungle të pakrehur që të çonte drejt e tek barku i përbindëshit. Madje edhe mund ta dëgjoje frymëmarrjen e përbindëshit, për rreth çdo 30 sekonda kur hidrofori (pompa ujit) ulërinte dhe bërtiste përmes gypave të vjetër e të ndryshkur. 

Pjesa tjetër e shtëpisë ishte një Frankenshtajn arkitektural, sikur seleksioni natyror të ishte tallur për të krijuar një mutant nga tullat e betoni. Gjatë viteve, çdo dhomë kishte akumuluar modifikime të ndryshme dhe ishte ri-dizajnuar aq shpesh saqë do ishte një projekt hulumtimi shumë interesant për cilindo studiues të dizajnit të enterierit. E mos t’ja nisi me mobiliet që nuk përputheshin, ose me librat dhe gjësendet e grumbulluara përgjatë shkallëve, ose me banjon e ngushtë klaustrofobike. 

Por, krejtësisht kisha harruar se shumica e këtyre ndryshimeve në shtëpinë e Prizrenit në fakt kishin ndodhur gjatë fëmirisë sime. Për shembull, dhoma e errët e ndejës njëherë e një kohë kishte dritare që shikonin nga jashtë lulëzimin e drurit të çershisë; pamje e cila u mbyll me zgjerime dhe mbindërtime të improvizuara gjatë viteve të ‘90-ta. Tani, mund të ngjitesh nga dritarja për të hypur në një lloj ballkoni të pazakontë që fillon në gjysëm-kati dhe nga i cili ke çasje në njërin nga dy nën-kulmet. 

E di, e di, veç tek i them këto, tingëlloj çmendur. Me provu e me i përshkru këto xhevahirë arkitekturalë është sikur të tentoja me i zgjidh gjithë ato kablla që kalojnë përmes mureve të dhomës së ndejës. Të mbetura prej kohërave të ndryshme ato duken si arterie e vena të përbindëshit, që në fakt, në njerën kohë apo tjetrën, mbartnin ose sinjale telefoni, ose interneti, ose televizioni, ose madje edhe rrymë nga trafo prej lagjeve të ndryshme me qëllim që t’i bënim ballë reduktimeve.

Unë, në fakt, nuk e kisha kuptuar vërtetë përmasën e shkatërrimit të shtëpisë së Prizrenit deri një vit më vonë, gjatë verës së dytë pas kthimit tim. Ishte gjatë një festivali të filmit dokumentar që kisha ftuar ca shoqëri të rrinë tek unë. Gabim i madh. Disa prej tyre i kam traumatizuar përjetësisht e i kam lënë me pasoja jetësore.

Por kjo ishte gjëja që mi çeli sytë dhe më bëri të kuptoj se edhepse kisha jetuar gjatë kohës kur ishin bërë shumica e modifikimeve në shtëpinë e Prizrenit, ato ndryshime nuk ishin pas regjistruar në mendjen time. Kjo do të mund t’i atribuohej të metave thelbësore të memories, dhe mënyrës se si ajo është e ndërtuar nga fragmente të përzgjedhura nga ne. Verzioni im i shtëpisë së Prizrenit ishte në fakt i përbërë nga disa periudha kohore të ndryshme, e që të gjitha të përziera së bashku në një shtëpi ideale. Edhe sikur të mund të udhëtoja nëpër kohë, asnjëherë nuk do të mund të kthehesha tek shtëpia e Prizrenit që kisha në mendjen time. Sepse ajo asnjëherë nuk kishte ekzistuar në realitet. Edhe ajo ishte një lloj Frankenshtajni arkitektural. 

Ky tekst është pjesë e projektit kreativ të Artrit Bytyçit titulluar “Tronditjet” dhe eksploron temat si kthimi dhe riambientimi në vendlindje.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.