Në thelb | LGBTQ+

Përpjekja për të kthyer një faqe

Nga - 06.08.2018

Aktivistët LGBTI në Maqedoni kanë shpresë për një të ardhme më të mirë.

Në një raport të vitit 2016, Shoqata Evropiane për lezbike, gej, biseksual, transgjinor dhe persona interseksual (ILGA Europe) kanë vlerësuar Maqedoninë si një ndër vendet më jo-miqësore në shtetet Ballkanike sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTI.

Krahas Bosnjes dhe Hercegovinës, Maqedonia është poashtu shteti i vetëm në regjion i cili nuk ka mbajtur asnjëherë paradë të krenarisë. Homoseksualiteti në Maqedoni u dekriminalizua në vitin 1996, dhe kur ligji i parë kundër diskriminimit hyri në fuqi në Maqedoni në vitin 2011, diskriminimi në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor nuk u mbuluan.

Komuniteti LGBTI në Maqedoni ende përballet me diskriminim, gjuhë të urrejtjes dhe shkelje të të drejtave të njeriut për shkak të identitetit të tyre. Një studim i vitit 2015 i kryer nga Instituti Demokratik Nacional në SHBA, zbuloi se 66 përqind e njerëzve të komunitetit LGBTI të anketuar në Maqedoni kanë qenë të ngacmuar verbalisht apo abuzuar për shkak të orientimit seksual të tyre ose identitetit gjinor.

Subversive Front, një shoqatë që synon të ketë një qasje kritike ndaj gjinisë dhe seksualitetit, ka punuar në 75 çështje të diskriminimit të komunitetit LGBTI në Maqedoni në tre vitet e fundit. Shumica e këtyre rasteve kanë qenë për gjuhën e urrejtjes dhe çështjet për krimet e urrejtjes.

Presidenti i Subversive Front, Antonio Mihajlov, ka thënë për K2.0 që këto raste janë gjerësisht të përhapura dhe përshkojnë institucionet shtetërore. “Shumë prej autorëve të krimit janë burra me bindje homofobike, por në disa raste autorët janë vetë institucionet”, ka thënë Mihajlov, duke shtuar se vetë policia shkelë të drejtat themelore.

Mihajlov beson se diskriminimi për arsye të orientimit seksual apo identitetit gjinor raportohet pak, për shkak të mos besimit të personave LGBTI ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj organizatave ekzistuese të LGBTI. “Problemi më i madh është mungesa e njohurive brenda në komunitet rreth mekanizmave që ekzistojnë për t’i mbrotur të drejtat e tyre,” thotë ai. “Është shumë e rëndësishme të kemi një komunitet të organizuar që gjithmonë vëzhgon autoritetet dhe raporton raste të abuzimit – jo vetëm si viktima, por edhe si dëshmitarë”.

Sulmet dhe mbrojtja

Aktivisti i komunitetit të LGBTI Kocho Andonovski, ishte sulmuar në Shkup para se të mbahej Marshi i Tolerancës më 2012. Sot, ai është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mbështetje të LGBTI të drejtuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni. Qendra është sulmuar me gurë gjashtë herë, por asnjë akuzë nuk është ngritur për autorët e këtyre sulmeve.

Andonovski nuk beson se ka një urrejtje të vërtetë ndaj komunitetit LGBTI në shoqërinë maqedonase, duke thënë se këto sulme janë organizuar dhe janë planifikuar mirë.  “Në videot e sulmit me gurë të Qendrës për Mbështetje të LGBTI mund të shohim qartë se sulmuesit ishin shumë mirë të organizuar”, thotë ai për K2.0. “Ata e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe si.”

Sulmi i fundit në Qendrën për Mbështetje të LGBTI ishte në përvjetorin e dytë të organizatës, i cili u festua në një ish gej bar në Shkup të quajtur Damar. Për Andonovskin, koha e sulmit është dëshmi se ka ardhur nga struktura të organizuara politike dhe synon ta frikësojë komunitetin.

“Rasti i sulmit ndaj nesh në Damar në Shkup vetëm sa na tregon prapavijën politike të dhunës,” thotë Andonovski. “Damar ishte një gej bar në Shkup për 10 vite dhe kurrë nuk u sulmua si i tillë. U sulmua vetëm një herë – kur ishim duke festuar përvjetorin e Qendrës sonë “.  

Foto: Vancho Dzambaski.

Aktualisht, është duke u implementuar një ligj kundër diskriminimit që do të përfshijë ‘orientimin seksual’ dhe ‘identitetin gjinor’, si bazë për diskriminim. Ministrja aktuale e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska ka thënë për K2.0 se pas implementimit të ligjit të ri, Ministria do të punojë për harmonizimin e të gjitha ligjeve të tjera me këtë, që të fitohet barazi për personat LGBTI në shoqëri.

“Sfidat tona më të vështira kur punojmë me këtë komunitet është t’u sigurojmë atyre qasje të barabartë në punësim, në kujdes shëndetësor dhe përfshirje në jetën sociale,” thotë Carovska për K2.0. “Këtë mund ta arrijmë vetëm nëse zvogëlojmë ose zhdukim gjuhën e urrejtjes dhe aktet e dhunës. Lufta kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes është prioritet jo vetëm i Ministrisë sime por i gjithë vendit “.

Zhdukja e gjuhës së urrejtjes do të jetë një detyrë e ndërlikuar për Ministrinë. Gjuha e urrejtjes publike ndaj komunitetit LGBTI në Maqedoni është shumë e zakonshme, përfshirë gazetarët dhe mediat. Shumë prej tyre janë paralajmëruar nga Këshilli i Etikës në Media.

Për Milenko Nedelkovski dhe Janko Iljoski, dy figura të shquara mediatike, gjërat u trajtuan edhe më seriozisht pasi aktivistët LGBTI i raportuan për gjuhë të urrejtjes. Të dy Nedelkovski dhe Iljoski u akuzuan për përhapje të urrejtjes, diskriminimit dhe intolerancës ndaj komunitetit LGBTI në internet pasi ata postuan poste homofobike në profilet e tyre në Facebook.

Përpos gjuhës së urrejtjes, në vitet e fundit janë bërë edhe më shumë krime të rënda ndaj individëve të LGBTI në Maqedoni. Në vitin 2013, aktorit Petar Stojkovic iu kishte vandalizuar shtëpia, pasi doli publikisht si gej. Një iftar për personat homoseksual ishte planifikuar të ndodhte këtë vit gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit në Tetovë, por u anulua pasi u drejtuan kërcënime drejt organizatorëve.

"Parimi kryesor i të drejtave të njeriut është se e drejta ime përfundon në pikën ku fillon e drejta juaj dhe ai kufi kurrë nuk duhet të kalohet, pavarësisht sa jeni të bindur se e drejta juaj është më e saktë se e imja".

Aktivsti LGBTI Kocho Andonovski

Nuk është hera e parë që institucionet fetare janë përfshirë në incidentet që rrethojnë të drejtat LGBTI. Sipas Antonio Mihajlov, bashkësitë fetare në Maqedoni shpesh ofrojnë mbështetje publike për lëvizjet e krahut të djathtë dhe partitë politike, veçanërisht për çështjet LGBTI.

Mihajlov tregon për një incident në të cilin figurat e Kishës Ortodokse Maqedonase dhanë fjalimin e tyre të urrejtjes mbështetur nga ish-ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski, pasi ai tha se partia e tij, VMRO-DPMNE, kurrë nuk do të lejonte homoseksualët të martoheshin dhe se partia e tyre promovon një “komb të shëndetshëm”.                                                                  

Për Andonovskin, është e rëndësishme të mose bësh fenë armik, duke siguruar që elementet homofobike të trajtohen. “Feja është një mjet shumë i fuqishëm në Ballkan dhe nuk mendoj se ne si një lëvizje duhet të shkojmë në një betejë të humbur me komunitetet fetare”, thotë ai. “Nuk kemi asgjë kundër njerëzve që besojnë dhe praktikojnë fetë e ndryshme. Kemi shumë njerëz brenda komunitetit LGBTI që janë fetarë. “

Për Andonovskin dhe aktivistët e tjerë, ankesat janë kur feja vë një kategori të caktuar njerëzish nën kërcënim dhe instrumentalizohet nga politika. Ai bën thirrje për një politikë të bazuar fuqishëm në të drejtat e njeriut për të gjithë. “Parimi kryesor i të drejtave të njeriut është se e drejta ime përfundon në pikën ku fillon e drejta juaj dhe ai kufi kurrë nuk duhet të kalohet, pavarësisht sa jeni të bindur se e drejta juaj është më e saktë se e imja”.

K2.0 u përpoq të kontaktojë Kishën Ortodokse Maqedonase dhe Komunitetin Fetar Islamik të Maqedonisë, por asnjëra nuk dha përgjigje për pyetjet tona.

Dukshmëria në marsh

Skena homoseksuale në Maqedoni është shumë e vogël. Nuk ka gej bare edhe pse në të kaluarën ka pasur disa në Shkup, si dhe disa bare gej miqësore që organizonin “netë gej” në Shkup dhe Kumanovë. Sipas aktivistëve, ishin rrethanat politike që e bënë hapësirën publike më pak të arritshme për komunitetin LGBTI.

Megjithatë, Kocho Andonovski shpjegon se komuniteti LGBTI ka bërë përpjekje të fundit për tu rifutur në hapësirën publike duke marrë pjesë në lëvizjet e mëdha sociale që synonin t’i japin fund qeverisjes të ish kryeministrit Nikola Gruevski.

“Ne, si komunitet, ishim një pjesë e dukshme e Revolucionit Shumëngjyrësh , të protestave të studentëve dhe shumë lëvizjeve të tjera që ndodhën në Maqedoni në 10 vitet e fundit”, thotë ai. “Kjo ishte mënyra jonë për të pushtuar hapësirën publike dhe për tu bërë aleatë me shumë komunitete të tjera që ishin të margjinalizuara nga regjimi i mëparshëm”.

Zorica Nikolova drejton një shtëpi të sigurt që mirëpret personat LGBTI që kanë vuajtur nga dhuna, diskrimini ose janë bërë të pastrehë si pasojë e orientimit seksual apo identitetit gjinor. “Ne sigurojmë një proces përshtatjeje për përdoruesit tanë dhe pas kësaj ata ngadalë fillojnë të kthehen në hapësira publike dhe të ndihen më të sigurt”, shpjegon ajo. “Ne gjithashtu u sigurojmë një mundësi për të shkuar në ngjarje që janë miqësore për LGBTI, kështu që njerëzit të kalojnë nëpër një proces risocializimi”.

Nikolova gjithashtu sheh një ndryshim në Maqedoni, por për të lufta për një vend të sigurt vazhdon, pasi njerëzit ende po vijnë në Shtëpinë e Sigurt duke kërkuar mbështetje.

Protestat në vitin 2014 ndihmuan aktivistët e LGBTI të rimarrin disa nga hapësirat publike në Maqedoni, por një parade krenarie ende nuk ka ndodhur. Foto: Vanço Dzambaski.

Në dhjetor 2014, aktivistët LGBTI mbajtën tri protesta çdo javë përpara Prokurorisë Publike duke protestuar për dështimin e autoriteteve për të reaguar ndaj disa krimeve të urrejtjes gjatë viteve të fundit. Për Antonio Mihajlov kjo ishte një mënyrë për komunitetin LGBTI që të merrte përsipër hapësirën publike, por një paradë do të ishte gjithashtu një fitore.

Sipas Mihajlov, një paradë ende nuk ka ndodhur në Maqedoni për shkak të mungesës së mbështetjes politike kur VMRO-DPMNE ishin në pushtet. “Tani pas ndryshimit të qeverisë në qoftë se organizojmë një paradë, besoj se do të ishte e suksesshme pasi që kemi një komunitet të organizuar dhe kemi mbështetje politike e cila nuk është vetëm deklarative, por gjithashtu po punohet për masa konkrete”, thotë Mihajlov. “Paradat ekzistojnë për shkak të së drejtës për hapësirë publike dhe pjesëmarrjes aktive në krijimin e atyre hapësirave publike”.

Ministrja Carovska thotë për K2.0 se qeveria e saj do të punojë për ta bërë Maqedoninë një vend të barabartë për të gjithë qytetarët e saj. “Kjo është arsyeja pse ne krijojmë politika për përfshirjen dhe integrimin e të gjitha komuniteteve në shoqëri, duke përfshirë komunitetin LGBTI,” tha ajo.

Ky ndryshim në retorikë e bën Andonovskin të besojë se këto janë momente historike për aktivitetin LGBTI në Maqedoni, pasi ai beson se është hera e parë që ata kanë mbështetjen e udhëheqësve politik në vend.

“Ne jemi në një pozitë shumë të çuditshme pas 10 viteve të poshtërimit publik, margjinalizimit dhe dhunës ndaj komunitetit LGBTI nga qeveria e mëparshme”, thotë ai. “Tani ne kemi mbështetjen e udhëheqjes shtetërore për herë të parë në Maqedoni dhe shpresojmë të shohim se mbështetja nga udhëheqja do të zbresë tek institucionet”.

Aktivistët LGBTI tani shohin një dritë në fund të tunelit me ligjin e ri kundër diskriminimit, por ky nuk është fundi. Qëllimi i tyre është sigurimi i politikës së bazuar në të drejtat e njeriut dhe Maqedonia si një vend më tolerant dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e saj.K

Foto kryesore: Vancho Dzambaski.