Në thelb | Krime Lufte

“Turpi nuk është i joni”

Nga - 14.04.2025

Ramadan Nishori rrëfen për jetën si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. 

Në shtatorin e vitit 1998, Ramadan Nishori, atëkohë 21-vjeçar, u arrestua në vendlindjen e tij, në Drenas dhe u dërgua në një stacion policor lokal. Teksa ishte duke qëndruar në radhën e gjatë të të arrestuarve të tjerë shqiptarë, duke pritur për t’u marrë në pyetje, dy zyrtarë policorë serbë e kapën dhe e futën në një tualet, ku njëri nga zyrtarët e policisë e përdhunoi.

Po atë ditë, Nishori, si shumë shqiptarë tjerë, që dyshoheshin për aktivitet politik, u arrestua nën akuzat për veprimtari terroriste. Në prag të përfundimit të luftës në qershor 1999, atë e transferuan në Serbi përpara se të lirohej nga qeveria jugosllave në vitin 2001, kur Beogradi miratoi një projekt-ligj për amnistim të disa qindra shqiptarëve të burgosur.

Më shumë se dy dekada më vonë, Nishori u bë burri i parë i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që e rrëfen publikisht përvojën e tij.

Në një ngjarje publike dy-orëshe, të mbajtur sot, më 14 prill 2025, në Kino Armata në Prishtinë, Nishori tregoi përjetimin e tij të përdhunimit nga zyrtari serb i policisë, si dhe rrugëtimin e gjatë të traumës, heshtjes dhe shërimit.

I ulur pranë psikologes së tij prej shumë vitesh, Selvije Izeti, ai foli për jetën që kishte ndërtuar nën hijen e traumës, në këtë ngjarje të organizuar nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT), me rastin e Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

“Jam burrë babë, që mundohet me ndërtu jetë normale. Kam bashkëshorten që m’ka mbështetë krejt jetën dhe fëmijët e mi që janë drita e syve”, e filloi Nishori rrëfimin. “Dua që njerëzit të më shohin si dikush që kam kalu shumë, e nuk jam thy kurrë. Nuk dua të më shohin me keqardhje, por me respekt. Si një njeri që është rrëzuar dhe u ngritë në këmbë”.

“Jam këtu jo me harru çka kam kalu, por të mos mbetem rob i të kaluarës”, shtoi ai.

Një nga sulmet e shumta të forcave serbe në fshatrat e Drenicës ishte ai i javës së fundit të shtatorit 1998, cilësuar nga Human Rights Watch si “Java e Terrorit në Drenicë”. Gjatë kësaj periudhe, Nishori kishte gjetur strehim në fshatin Negroc, së bashku me familjarë dhe të afërm, ndërsa sulmi kishte detyruar qindra banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

“Kjo që të ka ndodhë, nuk guxon kurrë m’i tregu kujt”, i kishin thënë më vonë policët serbë.

Pas hyrjes së forcave serbe në fshat, ushtarët ndanë burrat nga gratë, ashtu siç ndodhte shpesh gjatë gjithë kohës së luftës. Nishorin, bashkë me disa burra të tjerë, i dërguan në stacionin policor në Drenas.

Natën e 26 shtatorit, ndërsa priste të merrej në pyetje, dy policë e tërhoqën zvarrë dhe e çuan në tualet. Pasi njëri nga policët e dhunoi seksualisht, Nishori rrëfeu se edhe tjetri po përgatitej ta bënte të njëjtën gjë. Por, në atë moment, një shqiptar, i cili punonte atëkohë në stacion, i alarmuar nga britmat e tij, kishte ndërhyrë dhe e kishte nxjerrë jashtë. Atë natë, Nishori nuk u mor fare në pyetje.

“Kjo që të ka ndodhë, nuk guxon kurrë m’i tregu kujt”, i kishin thënë më vonë policët serbë.

Ashtu si shumë të burgosur politikë të asaj kohe, Nishori fillimisht u dërgua në burgun e Prishtinës, më pas në atë të Lipjanit dhe, në fund, në burgun famëkeq të Dubravës, ku më vonë përjetoi dhe i mbijetoi masakrës, që ndodhi atje midis 19 dhe 24 majit 1999.

Nishori u martua shpejt pas lirimit nga burgu, në vitin 2001. Jetonte me prindërit dhe vëllezërit në fshat, por përvojën traumatike e mbante brenda vetes, pa qenë në gjendje ta ndante me askënd.

“Kur u martova, i thashë vetes: po e lë të kaluarën mbrapa dhe po filloj një jetë të re”, tha ai. “Por kjo ishte e pamundur. Jetojsha me frikën se mos e merr vesh dikush [çfarë kishte ndodhur]”.

Duke jetuar në Drenas, pranë vendit ku kishte ndodhur krimi, nga frika se dikush mund ta zbulonte të vërtetën, ai mori gruan dhe u shpërngulën në Fushë Kosovë.

“U ndieva më i lirë, por përsëri i mbyllur, [si me pasë] burgun brenda vetes. Mundojsha me ia shpjegu vetes që ka qenë luftë, por prapë ishte e pamundur”, tha ai.

Kur psikologia Izeti e pyeti nëse e kishte ndier ndonjëherë nevojën të ndajë rrëfimin me dikë, ai u përgjigj:

“Nuk kisha nevojë me e tregu, se i thosha vetes: unë jam burrë dhe nuk duhet me ditë kush. [Mendojsha që nëse tregoj], do të më përçmojnë, do të më bullizojnë”, tha ai. “Ikja natën prej shpisë, qajsha dhe u çfrysha, dhe u kthejsha në shpi. Se turpi ma i madh se dhimbja”. 

Në kërkim të qetësisë dhe mbështetjes 

Për më shumë se 20 vjet, Nishori jetoi në heshtje, i përndjekur nga trauma, ndjenja të fajit dhe mendime vetëurryese. Shëndeti mendor i ishte rënduar dhe nuk arrinte të fliste për atë që kishte përjetuar. 

Ndonëse kishte dëgjuar për gra, të cilat ishin shënjestruar nga forcat serbe gjatë luftës, ai nuk e dinte se dhuna seksuale ishte përdorur edhe ndaj burrave, teksa heshtja që e rrethonte këtë temë vetëm sa e thellonte ndjenjën e tij të izolimit. Njëra nga arsyet pse dhuna seksuale ndaj burrave dhe djemve nuk u raportua për kaq shumë kohë, është se shumë nga organizatat që punojnë me të mbijetuarat/it e dhunës seksuale u krijuan qartazi si organizata për të drejtat e grave, të përqendruara në të mbijetuarat gra. Prej organizatave në Kosovë, vetëm QKRMT kishte ekspertizë për të punuar me burra dhe përvojat e tyre traumatike për shkak të torturës.

Në vitin 2005, pas dhjetëra përpjekjesh ndër vite, Nishori u afrua për herë të parë te QKRMT, por nuk pati guximin të hynte brenda. Vendosi të largohej nga Kosova dhe emigroi me familjen në Mal të Zi. As atje nuk gjeti qetësi.

Një kthesë ndodhi më 16 tetor 2018, kur pa Vasfije Krasniqi-Goodman duke dhënë një intervistë në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Krasniqi-Goodman ishte gruaja e parë që foli publikisht për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës.

“I merrsha lakmi”, tha ai. “Thojsha kjo po flet dhe po çfryhet”.

Nishori e kishte nisur menjëherë komunikimin me të dhe i kishte treguar se kishte shkuar shpesh te organizatat që ofronin ndihmë, por nuk kishte arritur kurrë të hynte brenda.

“Të nesërmen kam shku dhe nuk jam largu më kurrë”, tha ai.

Fillimi i seancave të tij psikologjike në QKRMT, në vitin 2018, përkon me fillimin e njohjes zyrtare nga Qeveria e Kosovës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke u mundësuar atyre të aplikojnë për statusin e viktimës dhe të përfitojnë pension mujor përmes Komisionit Shtetëror për Verifikim. Po atë vit, organizata si QKRMT filluan të marrin më shumë rrëfime edhe nga burra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Mundësia për njohje zyrtare dhe mbështetje financiare nga shteti inkurajoi dhjetëra burra që të kërkonin ndihmë dhe të tregonin për përjetimet e tyre.

Edhe numri i grave, të cilat iu drejtuan organizatave mbështetëse u rrit ndjeshëm. Gjatë kësaj periudhe Nishori po ashtu, për herë të parë, kuptoi se nuk ishte i burri i vetëm të kishte përjetuar dhunë seksuale. 

Mbështetja e familjes ishte vendimtare për të ndërtuar një ndjenjë të re për veten.

Gjatë ngjarjes në Kino Armata, Nishori tregoi për fillimin e procesit të shërimit të tij përmes seancave terapeutike në QKRMT — nga dita e parë, kur me kokën ulur nisi të rrëfente historinë e tij, e deri te ditët që filluan të bëheshin më të lehta, sidomos kur kalonte kohë në terapi në grup me burra të tjerë që kishin përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Kur gjendja e tij nisi të përmirësohej, ai kishte vendosur t’i tregonte edhe bashkëshortes së tij.

“Ajo tha: ‘Luftë ka qenë. Çdonjanit ka mujtë me i ndodhë. Deri sot e ke pasë përkrahjen tem, prej sot ke me pasë shumë ma shumë’”, tha ai. “Nuk kisha nevojë ma me ikë prej shpisë”.

Më pas kishte vendosur t’i tregonte edhe vajzës, të cilën e e kishte ftuar në një nga daljet e tyre të zakonshme për kafe. Meqë nuk kishte arritur ta artikulonte me fjalë, thjesht ia kishte treguar vendimin e Komisionit për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale, meqenëse tashmë e kishte marrë statusin e viktimës.

“Më përqafoi, dhe tha ‘çdo herë kam me qenë në krah tandin’”, tha Nishori. “Jam ndi i çlirum, si me i hjekë 500 kile prej vetes”.

Tani, shqetësimi i tij i vetëm ishte si t’ua tregonte këtë të vërtetë dy djemve — një barrë që vajza e mori përsipër me vullnet për ta ndihmuar.

Ai theksoi se mbështetja e familjes ishte vendimtare për të ndërtuar një ndjenjë të re për veten, përfshirë edhe rolin e tij si baba.

“Pas shumë vitesh e ndieva veten si babë”, tha ai. “Si babë i vërtetë. Se për familjen time kurrë nuk kam mujtë me qenë babë e me u kujdes për ta”.

Në fund të rrëfimit, Nishori iu drejtua atyre që mund të kenë kaluar përvoja të ngjashme, duke i inkurajuar të mos heshtin, si dhe familjarëve të të mbijetuarve, që të qëndrojnë pranë dhe t’i mbështesin ata në rrugëtimin e tyre.

“Dhe ju them atyne që turpi nuk është i joni. Turpi është i atyne [dorasve]”, tha ai.

Burrat, nën hijen e harresës, traumës dhe heshtjes

Deri më tani, QKRMT ka trajtuar rreth 700 të mbijetuar/a të dhunës seksuale të lidhur me luftën. Rreth 10% e tyre janë burra.

Gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë, vlerësohet se deri në 20,000 persona u dhunuan seksualisht. Në periudhën menjëherë pas luftës, organizata si Human Rights Watch dokumentuan natyrën sistematike të krimeve, duke i lidhur ato me strategjinë e regjimit të Slobodan Miloševićit për spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Lufta në Bosnjë e Hercegovinë shënoi një moment historik në drejtësinë ndërkombëtare, duke e kategorizuar përdhunimin zyrtarisht si një krim kundër njerëzimit dhe armë lufte. Jo vetëm që e solli dhunën seksuale ndaj grave dhe burrave në vëmendjen e gjykatave dhe organizatave ndërkombëtare — çka çoi në hetimin e parë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për dhunën seksuale ndaj burrave dhe djemve gjatë luftës — por gjithashtu theksoi faktin se dhuna seksuale ndodh shpesh edhe në qendrat e paraburgimit dhe në burgje.

Përmasa e vërtetë e dhunës seksuale të ushtruar ndaj burrave dhe djemve gjatë luftës në Kosovë mbetet ende e paqartë.

Tani, rrëfimi i Nishorit mund të nxisë një diskutim më të gjerë, që përfshin edhe përvojat e burrave të mbetur për shumë kohë në hije, shpesh të anashkaluar dhe të pakuptuar. Organizata si QKRMT kanë punuar me burra, të cilët, njësoj si gratë, janë abuzuar seksualisht në rrethana të ndryshme: në shtëpitë e tyre, gjatë ikjes si refugjatë apo edhe në rrugë. Por një numër i konsiderueshëm rastesh kanë ndodhur në qendrat e ndalimit, veçanërisht ndaj të burgosurve politikë.

Profesionistë/e të shëndetit mendor në Kosovë, që punojnë me të mbijetuar/a të dhunës seksuale, në një hulumtim të mëhershëm, i kanë thënë K2.0 se më shumë se gjysma e burrave të mbijetuar që ata trajtojnë, raportojnë se janë abuzuar seksualisht gjatë ndalimeve — qoftë në burgje, stacione policie apo objekte të improvizuara. Madje, disa dëshmi sugjerojnë se dhuna seksuale nga policia jugosllave ndaj burrave dhe djemve shqiptarë në Kosovë kishte filluar që në vitet ’80 dhe fillimin e viteve ’90, gjatë periudhave të trazirave politike. Një raport i Amnesty International, nga viti 1993, përmend një certifikatë mjekësore nga Prizreni, që dokumenton rastin e një burri, i cili ishte shtrirë në spital pasi ishte ndaluar nga policia. Certifikata thotë se ai kishte pësuar një çarje në testikullin e majtë për shkak të goditjeve me shkop gome. 

Përmasa e vërtetë e dhunës seksuale të ushtruar ndaj burrave dhe djemve gjatë luftës në Kosovë mbetet ende e paqartë. Afati për aplikim për njohjen e statusit si viktimë e dhunës seksuale pritet të përfundojë në maj të vitit 2025. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, dëshmitë e mbledhura nga Komisioni për Verifikim dhe organizatat joqeveritare pritet të ndihmojnë në ofrimin e një kuptimi më të plotë, sado të pjesshëm, për përmasat dhe natyrën e kësaj dhune.

 

Imazhi i ballinës: Pamje nga transmetimi i drejtpërdrejtë i Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.