Në thelb | Personat e pagjetur

Ujë dhe qirinj

Nga - 27.04.2024

Familjet e të zhdukurve/ave të Kosovës ende në pritje

Në vitin 2022, xhiruam një dokumentar për personat e zhdukur gjatë dhe si rezultat i luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Kërkuam nga Bekimi dhe Jasmina që edhe një herë t’i rrëfejnë historitë e tyre, si dhe historitë e të afërmve që u janë marrë.

Ky dokumentar ka të bëjë me mungesën. Mungesën e njerëzve, mungesën e së vërtetës, mungesën e epilogut. Por ka të bëjë edhe me mungesën e vullnetit dhe kapacitetit institucional për t’i gjetur personat e zhdukur të Kosovës — 1,617 persona në vitin 2022, ndërsa sot 1,597 persona.

Bëhet fjalë për mungesën e shumë familjarëve/eve të njerëzve të zhdukur që refuzuan t’i ndajnë historitë e tyre, të rraskapitur nga dalja publike dhe përjetimi i serishëm i humbjes së tyre, duke e ditur se trauma e tyre nuk po mjafton t’i detyrojë ata/o që kanë pushtet të punojnë e t’i kthejnë të dashurit e tyre në shtëpi.

Bekimi dhe Jasmina na ofrojnë shkurtimisht pamje të asaj se çka ndodh me ata/o që mbesin prapa dhe se si jeta zhvillohet, përreth dhe kundër humbjes që nuk mund të shkundet, kujtohet apo ndalet.

Ky dokumentar është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian si pjesë e projektit “Mobilizimi i mediave dhe OSHC për të mbështetur informatat e duhura për personat e zhdukur”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e partnerëve zbatues, Kosovo 2.0 dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.