Kosova dhe Serbia nisën procesin e dialogut formal të ndërmjetësuar nga BE në vitin 2011, me synimin që të arrijnë marëdhënie të mira fqinjësore. Për më tepër, ky ishte gjithashtu kusht i BE-së për integrimin e të dy vendeve në familjen evropiane.
Por, ajo që nisi si bisedime për normalizimin dhe integrimin e komuniteteve të të dy vendeve përtej linjave etnike, tani është shndërruar në bisedime për shkëmbim të territoreve, thelbësisht përgjatë linjave etnike – pra një kthim në fazën zero.
Gjatë këtyre shtatë viteve, liderët e të dy vendeve kanë nënshkruar 20 marrëveshje specifike për çështje teknike dhe politike. Në këto marrëveshje janë përfshirë njohja e diplomave universitare dhe e targave të veturave, marrëveshjet rreth energjisë dhe drejtësisë, e madje edhe ndërtimi i vendkalimeve të përhershme kufitare. Dy vendet e nënshkruan edhe një marrëveshje mbi çështjen kontraverse për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Disa ngjarje shqetësuese në të dy anët e kufirit, shpeshherë të sponsoruara nga liderët më të shquar të dialogut, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandar Vučić i Serbisë, në shumë raste i kanë kontradiktuar dhe dëmtuar marrëveshjet që u nënshkruan dhe u debatuan në Bruksel.
Përkundër qëllimeve të deklaruara si të mira dhe ndërmjetësimit të BE-së, zbatimi i marrëveshjeve të tilla është larg të qenit i dëshirueshëm. Qytetarët e kanë manifestuar pakënaqësinë dhe mosbesimin e tyre ndaj një procesi të tillë dialogues, për shkak se nuk kanë parë ndikime të mëdha në jetët e tyre.
Pra, K2.0 shtron pyetjen: A po kontribuon ky dialog në ‘normalizimin’ apo ‘de-normalizimin’ e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Hulumtues: Fitim Salihu
Redaktoret të tekstit: Cristina Marí, Besa Luci
Redaktori i gjuhës: Leurina Mehmeti
Narratore: Aulonë Kadriu
Dizajni dhe animacioni: Kokrra
Muzika: Liburn Jupolli
Zërimi: Studio 11 Prishtinë
Edituar nga Matthieu Jouffre