Të shtunën më 6 tetor, Milazim Bajraktari nga Istogu, shkoi në vendin e tij të punës. Ai po punonte në ndërtimin e një ndërtese në lagjen Arbëria në Prishtinë, por atë ditë nuk arriti të përfundonte orarin e punës.
Rreth orës 10 paradite, në rrethana ende të pa sqaruara, Bajraktari ra nga lartësia, duke vdekur në vend. Vdekja e tij ishte rasti i 18, që një punëtor i industrisë së ndërtimit vdek në vendin e punës, në 10 muajt e fundit. Më i riu ishte një 17 vjeçar i cili kishte vdekur përderisa po punonte në një fabrikë për prodhimin e materialit ndërtimor, ndërsa më i vjetri ishte 71 vjeçari Ragip Syla i cili vdiq përderisa po pastronte mbetjet e materialit ndërtimor gjatë ndërtimit të një ndërtese.
Gjatë këtij viti janë shënuar gjithsesj 98 aksidente, ku veç 18 të vdekurve janë edhe 80 raste të lëndimeve në vendet e punës.
Për vdekjen e Bajraktarit, i menjëhershëm ishte reagimi i organizatës joqeveritare “Beyond the Wall’’, që paralajmëroi protestë me moton ‘‘Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona’’. Dje (9 tetor), në Sheshin Zahir Pajaziti, dolën rreth 100 protestues të cilët gjetën të renditura në rrugë rreth 93 helmeta të punës të verdha. Ato simbolizonin secilin punëtorë të vdekur në industrinë e ndërtimit gjatë pesë viteve të fundit, që nga pavarësia e Kosovës.
Të heshtur e në rresht një për një, protestuesit vendosën helmetat në kokë dhe u nisën në drejtim të ndërtesës së qeverisë. Pasi mbërritën, i vendosën ato në rrethojat e oborrit të qeverisë, në mënyrë që qeveritarëve ‘‘tu bie në sy numri jashtëzakonisht i madh’’ i punëtorëve që po vdesin në vende të punës.
Kushtrim Mehmeti një nga organizatorët e protestës, theksoi se ata duan që ‘‘të jenë së paku zëri i punëtorëve të vdekur’’. Ai paralajmëroi se nëse helmetat do largohen nga aty, kushdo që e bën këtë ‘‘do llogaritet bashkëfajtor për vdekjet në vendin e punës’’. Më tej, paralajmëroi se nëse vazhdojnë të vdesin punëtorë të tjerë, do vendoset një helmetë për secilin prej tyre.
Duke e komentuar gjendjen e punëtorëve të ndërtimit, Mehmeti e cilësoi atë si ‘‘gjendje lufte’’ dhe bëri thirrje që qeveria të ndërmarrë masa konkrete. Një tjetër kërkesë që u drejtua ndaj qeverisë ishte që të ‘‘sigurohet pension jetësor për familjet e punëtorëve të vdekur’’.
Edhe Krenare Hoti kishte dalë në protestë për të qenë zëri i punëtorëve të vdekur. Gjatë marshit për tek ndërtesa e qeverisë, për K2.0 ajo tha se punëtorët e ndërtimtarisë janë ‘‘klasa më e shtypur në Kosovë’’, e kjo për shkak se ‘‘as jeta e tyre nuk është prioritet… dhe këtë e dëshmojnë incidentet e vdekjet që po ndodhin’’.
Hoti ishte e dëshpëruar me pjesëmarrjen e pak protestuesve dhe insistoi se përveç ‘‘mosreagimit të institucioneve, shqetësues është edhe mosreagimi i shoqërisë’’. Ajo beson se duhet bërë presion tek institucionet dhe të vetëdijësohet shoqëria në nevojën për të ndërmarrë hapa në mënyrë që të sigurohen të drejtat bazike për siguri në punë.
Nazmie Sejdiu, me plot mllef e gati me lotë në sy, thotë ‘‘boll ma’’. Protestuesja nga Prishtina thotë se këta punëtorë ‘‘po vdesin për një kafshatë goje’’. Zhgënjimin e saj ajo e drejton kah tre drejtuesit e lartë të shtetit, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli. Sipas saj, është turp se si po vdesin punëtorët dhe kjo ndodh se ‘‘nuk ka shtet e nuk ka drejtësi’’.
Për deputetët e Kuvendit ajo ka një apel: ‘‘Ju lutem ngriteni zërin, ju lutem sigurojani jetën njerëzve’’. Mungesën e reagimit të institucioneve ajo e sheh si ‘neglizhencë për shkak të interesave të tyre personale’.
I vetmi zyrtar i shtetit që kishte dalë në protestë, ishte deputeti i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi. Për të, gjendja është e ‘‘papranueshme dhe e pakuptueshme’’. Ai pyet se edhe sa vdekje duhet të ndodhin që të fillohet të zbatohen ligjet e punës?
Se çka mund të bëjnë deputetët në këtë drejtim, Krasniqi thotë se duhet bërë presion dhe të ndërmerren nisma që të rritet numri i inspektorëve të punës e jo numri i zëvendës ministrave. Për të, ky ‘‘do duhej të ishte prioriteti kryesor i Qeverisë’’.
Në tri raportet e fundit të Progresit të Komisionit Evropian, është theksuar nevoja për të rritur numrin e inspektorëve të punës, ku të paktën kërkohen 65, ndërsa aktualisht janë të punësuar 42. Kryeinspektori Basri Ibrahimi i tha K2.0 më parë këtë vit, se Inspektorati i Punës kishte mungesë të kapaciteteve dhe se nevojiten më shumë inspektorë.
Më parë këtë vit, Koha Ditore raportoi se nga 81,000 biznese të regjistruara në industrinë e ndërtimit, vetëm rreth 8,000 ishin inspektuar në vitin 2017. Sipas të dhënave të marra nga K2.0, nga 128 gjobat e lëshuara nga Inspektorati në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, vetëm 6 u ekzekutuan.
Edhe pse ka dalë të përkrahë protestën, Rinor Mehmeti nuk beson se me veprime të tilla qeveria do ndërmarrë diçka. ‘‘Nëse do kishin dasht me ndërmarrë diçka, deri tash ishte bë diçka’’, thotë ai. Ku përveç neglizhencës, mungesës së profesionalizmit ai beson se edhe korrupcioni është një prej faktorëve që po ndikon.
Mehmeti thekson se, ‘‘ky vit ka qenë më i rëndi’’ sa i përket vdekjeve të punëtorëve. Duke tentuar ta analizojë situatën, ai thotë ‘‘se vet ideja se po protestohet kundër vdekjeve të punëtorëve tregon se në çfarë pike kemi arritë’’. Sipas tij, situata do të duhej të përmirësohej dhe jo e kundërta e kjo dëshmon mungesën e vullnetit të institucioneve. Ai beson se ata mund të bëjnë më shumë, duke bërë ‘‘ligje më strikte, jo kompromis me parregullsitë, inspektime më të shpeshta, shqiptime të dënimeve, si dhe rasteve të tilla tu jepet prioritet nëpër gjykata’’.
Por, ai është i bindur se institucionet nuk do të veprojnë.
Shpresa e vemte për të është reagimi i punëtorëve. ‘‘Punëtorët duhet me u organizu, me ndërmarrë veprime radikale; greva, bojkot të punës, dalje në rrugë’’, ka thënë ai. “Sepse kur e prek shefin e shtetin në xhep, ata i kthejnë sytë kah ti’’. Mehmeti beson se shumë shpejt punëtorët do të revoltohen, e atëherë do ketë përmirësime.
Përderisa ky vit ende nuk ka përfunduar, le të punohet që të mos ketë vdekje tjera të punëtorëve në vendet e tyre të punës dhe të mos shtohet numri i helmetave në rrethojat e ndërtesës së qeverisë.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0