Në këtë atmosferë, që për grupin ishte jo frymëzuese dhe jo mbështetëse, një nga vendet e pakta ku mund të eksploronin dhe zhvilloheshin ishte një klasë e veçantë në Akademi. Aty mblidheshin pas ligjëratave, kalonin netë të tëra — nganjëherë edhe flinin aty — duke luajtur me materiale, forma dhe ide të ndryshme konceptuale.
Për Arbnor Karalitin, koha që e kaluan duke eksperimentuar në atë klasë ishte vendimtare për stilet e tyre të ardhshme. “Edhe pse ishim në programin e pikturës, në atë klasë mund t’i gjeje materialet nga më të ndryshmet: hekur, gips, katran”, tha ai. “E kemi parë që secili e ka shumë seriozisht. Çdo ditë, gjithë ditën e kemi kaluar aty dhe ai përkushtim na mban ende të bashkuar”.
Atmosfera e ngrohtë e bisedave dhe diskutimeve të tyre në orët e vona të natës duke pirë kafe, paraqitet në pikturat e Karalitit, shumica e të cilave janë portrete të shokëve e shoqeve të tij. “E kam shijuar aq shumë dashurinë e njerëzve përreth meje gjatë ndejave, sa që gradualisht e kam gjetë veten duke iu pikturuar portrete, të vendosura në mjedise të përditshme”, tha ai.
Në njërën nga ndejat e tyre të rregullta, grupi u njoh me një brez më të vjetër artistësh alternativë, shumica e të cilëve ishin të diplomuar të Akademisë së Artit nga fillimi i viteve 2000 dhe kishin qenë njësoj sfidues. Në mesin e atij grupi ishin Jakup Ferri (përfaqësues i Kosovës në Bienalen e Venecias këtë vit), Vigan Nimani, Lulzim Zeqiri, Fitore Isufi – Koja, Alban Muja dhe Driton Hajredini, të cilët sollën një qasje bashkëkohore në praktikat artistike në Kosovën e pasluftës.
Karaliti tha se qasja e gjeneratës së vjetër ndaj artit bashkëkohor shërbeu si udhërrëfyes për grupin e ri. “Më kujtohen diskutimet që kam pasur me Valin [Valdrin Thaqin] për Jakup Ferrin, Alban Nuhiun, Jeton Gusinë. Është interesant sepse nuk jemi njohur me punën e tyre përmes Akademisë, por vetëm përmes bisedave mes shokësh”, tha ai, duke kujtuar se si njëri nga profesorët e tyre, Mehmet Behluli, kishte vërejtur ngjashmëri mes dy gjeneratave.
“Ai thoshte se që nga gjenerata e Jakup Ferrit, rreth 15 apo 20 vjet më parë, jemi ne ata që tani e kemi të njëjtën frymë eksperimentale”, tha Karaliti.
Liria e grupit për të eksperimentuar ishte njëra nga arsyet kryesore që e shtyu Mimoza Sahitin t’u bashkohet dhe që përfundimisht ta linte Gjermaninë për Kosovën. Ndonëse e diplomuar për ekonomi, ajo gjithmonë ka pikturuar. Kur erdhi në Kosovë në mes të pandemisë, gjatë një periudhe hutuese për të personalisht, ajo vendosi se donte të merrej vetëm me art. “Kur i pashë për herë të parë veprat e tyre, ishte diçka krejtësisht ndryshe nga ajo që isha mësuar ta shihja në Gjermani dhe mu duk se e gjeta një grup njerëzish ku mund të përkisja”, tha ajo. “Liria këtu më ka dhënë një energji të jashtëzakonshme për të pikturuar; është periudha në të cilën po pikturoj më së shumti ”.
Deri më tani secili prej artistëve ka paraqitur veprat e tyre në disa ekspozita kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Në fund të marsit, Blerta Hashani hapi ekspozitën personale në “LambdaLambdaLambda”, një galeri ndërkombëtare për artin bashkëkohor, në Prishtinë dhe Bruksel. Ekspozita, “Ambient“, (në shq. Mjedis), paraqiti 27 piktura, që portretizojnë marrëdhëniet intime të artistes me peizazhet rurale, shtëpinë dhe kujtesën. Të vogla në përmasa dhe të kornizuara nga copa të ashpra thesi, pikturat, siç shkruhet në tekstin kuratorial, “ngjallin ndjesi të një natyre jo specifike që duket e njohur pa qenë e identifikueshme”.
Në të njëjtën kohë, ekspozita personale e Lumturie Krasniqit “0220” ishte e hapur në “Hanin e Dy Robertëve”, një galeri arti e njohur për rolin e saj në mbajtjen gjallë të skenës kulturore të Prishtinës gjatë viteve të ’90-ta, kur pjesa më e madhe e jetës publike të vendit u zhvendos në hapësira private për t’iu shpëtuar politikave të Milošević-it në Kosovë, që ngjasonin në aparteid. Krasniqi tha se ndonëse këtë cikël të pikturave kishte filluar ta punonte para pandemisë, izolimi e detyroi t’i rishikonte motivet e saja krijuese dhe t’i shndërrojë ato në reflektim mbi karakterin distopik të realitetit post-pandemik.