Kur u përurua ndërtesa e Akademisë së Arteve dhe Shkencës në vitin 2010, në një pllakëz ngjyrë ari para hyrjes u gdhend një citat i Kryeministrit të atëhershëm dhe Presidentit të tanishëm, Hashim Thaçit: “Tempujt e diturisë dhe shkencës janë rreze të dritës për kombin dhe njerëzimin”.
Nuk kaloi shumë kohë, publiku protestoi dhe pllakëza u largua. Kritikët theksuan – mes tjerash – absurditetin e përdorimit të citatit të një personi i cili ka shumë pak kredenciale akademike. Kur i marrim parasysh skandalet që ndodhën më pas në sektorin e arsimit – lajmi që doli për rektorin me kredenciale të dyshimta, rezultatet e testit PISA të cilat i renditën nxënësit kosovarë në mesin e nxënësve më së paku të shkolluar në botë – në retrospektivë ajo pllakëz ironikisht mund të kishte qenë simbol i përkryer i një sistemi të çrregulluar arsimor.
Të mërkurën (27 shtator), në Galerinë Kombëtare në Prishtinë, K2.0 organizoi një Bisedë të Shkurtër me fokus në temën e kompetencës dhe profesionalizmit të mësuesve dhe profesorëve. Titulli i saj ishte “Kush po u jep mësim studentëve tanë?” dhe në të morën pjesë dhjetëra studentë dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Biseda u moderua nga përfaqësuesja e Këshillit Rinor Kosovar (Kosovar Youth Council), Agnesa Qerimi, e cila shpjegoi se ky diskutim po mbahej në moment kritik për arsimin në Kosovë.
Qerimi tha se arsimi është “një prej shtyllave themelore në vendin tonë”, dhe se më në fund atij po i jepet vëmendja e domosdoshme për ta përmirësuar. Por ajo shprehu edhe shqetësimin e saj për atë se “çfarë gjenerata po prodhon kjo mësimdhënie” dhe se a do të kenë mundësi studentët t’i zhvillojnë aftësitë të cilat i kanë mësuar, apo edhe të konkurrojnë në tregun e punës.
Trajnimi i mësuesve
Për ta nisur diskutimin u ftuan disa panelistë. E para foli Besa Luzha, profesoreshë në Departamentin e Muzikës në Fakultetin e Arteve. Luzha filloi duke theksuar atë që ajo e cilësoi si gjënë më të rëndësishme për një mësues, qoftë në shkollë fillore, të mesme apo universitet. Ajo tha se përveç trajnimit profesional, mësuesit duhet të kenë edhe përgatitje metodike, didaktike dhe pedagogjike.
“Në mësimdhënie përfshihet aftësia për të dalluar modele të ndryshme të mësimnxënies së studentëve – sepse nuk mësojnë të gjithë njëlloj – aftësia për të qenë pedagog, që do të thotë ta kuptosh studentin në situata të ndryshme, t’i kuptosh interesat dhe problemet me të cilat mund të përballen ata gjatë procesit të mësimnxënies”, tha ajo.
Sipas Luzhës, për t’i pasur këto aftësi nevojitet “përkushtim, njohuri dhe përgatitje”, por sidoqoftë, ato priten nga secili mësues. Megjithatë, ajo thotë se në Kosovë elementi metodik-pedagogjik mungon në shumë degë të fakulteteve dhe programe studimore, mbase edhe gjithkund.
Në të gjitha shkollat europiane dhe rajonale “mësuesit janë të përgatitur edhe në aspektin pedagogjik, didaktik dhe metodik, dhe të gjithë e kanë atë diplomë që i bën mësues”, tha ajo.
Luzha shpjegoi se si në vitin 2001 në Kosovë u bënë përpjekje për ta përvetësuar modelin kanadez të kualifikimit të mësuesve, model ky që ka një proces të ngjashëm për çdo mësues. “Për shembull, një historian që e përfundon Fakultetin e Historisë dhe dëshiron të bëhet mësues i historisë duhet të kalojë më pas në Fakultetin e Arsimit në vitin e katërt, e pastaj ta kryejë magjistraturën”, shpjegoi Luzha, duke thënë më pas se ky model u refuzua nga secili fakultet.
Ajo theksoi gjithashtu problemin që pjesa më e madhe e mësuesve në Kosovë nuk kanë mundësi ta freskojnë njohurinë profesionale duke marrë pjesë në trajnime dhe programe të tjera studimore. Duke marrë pjesë në këto trajnime dhe programe, mësuesit të cilët filluan mësimdhënien në vitin 2000 do të ishin ende të aftë për t’u dhënë si duhet mësim studentëve edhe në vitin 2017.
Për ta ilustruar çështjen e klasave të stërmbushura, Luzha dha një shembull që i bëri pjesëmarrësit të qeshin. “Kur isha në fakultetin e arsimit, gjatë një semestri u angazhova për ta mbajtur një klasë për edukatorët [e studentëve]. Kisha 1,000 studentë”, tha Luzha, duke shtuar se atë klasë e mbante me mikrofon në një amfiteatër shumë të madh.
“Sigurisht se ishte e pamundur, sepse tema të cilën po e zhvilloja kishte një pjesë në të cilën secili student duhej ose të këndonte një këngë, ose të organizonte një shfaqje muzikore. As me 90 studentë nuk do të kisha pasur mundësi të punoja në mënyrë efikase brenda atyre 90 minutave”. Ajo vazhdoi duke thënë se, edhe pse i ndau në pesë grupe me nga 200, “prapëseprapë ishin tepër shumë”.
Profesion i politizuar
Ndonëse Luzha u fokusua më shumë në shkolla fillore, të mesme dhe universitete, panelisti i radhës, Kushtrim Bajrami nga Qendra për Arsim e Kosovës, e trajtoi një aspekt tjetër të sektorit të arsimit. “Vetëm 15 për qind e fëmijëve të moshave 0 deri në 6 shkojnë në çerdhe”, tha ai, duke shtuar se “në gjithë botën është verifikuar se sa më e lartë për qindja e vijimit të mësimit nga fëmijët në çerdhe, aq më të mira rezultatet në shkollë, dhe pastaj në universitet”.
Ai shtoi gjithashtu se në vitet e fundit, shumë fonde publike janë investuar në ndërtimin e infrastrukturës shkollore. Ai beson se arsyeja për këtë lidhet me tenderët e parave publike të cilat shfrytëzohen në ekonomi private, e kjo më pas përkthehet në përfitime për parti politike dhe grupe tjera të interesit.
Bajrami argumentoi se me këto investime nuk është zgjidhur as problemi i hapësirës, sepse ndonëse shumë shkolla në disa fshatra dhe qytete më të vogla janë të zbrazta, në Prishtinë ka klasa me nga 40 studentë.
Ai shtoi se rrogat e arsimtarëve – të cilat ai tha se janë prej 1,000 deri në 2,000 euro, varësisht nga pozita – nuk janë në përputhje me kualitetin e mësimdhënies, por argumentoi se arsyeja pse marrin paga kaq të larta është sepse janë cak i favorizuar nga politikanët. “Qeveria i ka ata [arsimtarët] si votuesit më të mirë, dhe prandaj i kanë gjithonë në objektiv”, tha Bajrami. “I sheh [arsimtarët] në darka e dreka [me politikanë] gjatë kohës së zgjedhjeve”.
Portretizimi i arsimtarëve tanë nuk është domosdoshmërisht një portretizim tipik i individëve “heroikë” të cilët kryejnë “punë të shenjtë”. Ata mund të mos jenë të sinqertë si cilido person tjetër.
Bajrami beson se sindikatat e mësimdhënësve janë në gjendje edhe më të keqe: “Ata [drejtuesit e sindikatave] kanë qenë në fuqi poaq gjatë sa Tito. Kurrë nuk ndërrohen, kurrë! A i keni dëgjuar ndonjëherë duke folur për atë se pse nuk po trajnohen mësuesit?”, pyeti ai në mënyrë retorike. “Ata flasin vetëm për paga e rroga, se veç për këto dinë”.
Sistem i plagosur
Panelisti i fundit, Rron Gjinovci, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), deklaroi se “Millosheviqi më së shumti na ka bërë keq gjatë viteve të ‘90-a me sistemin paralel të cilin na detyroi ta krijojmë”.
Sipas tij, Universiteti i Prishtinës i gëzoi vitet e arta prej viteve të ‘70-ave, kur sollën staf të ri nga Beogradi, deri në vitin ’91, kur mësimdhënësit shqiptarë të Kosovës u shkarkuan masivisht nga vendet e tyre të punës.
“Mund ta gjeni edhe në revista shkencore [prej viteve të ‘70-a dhe ‘80-a] si ‘Acta Biolog’ nga Prishtina, i cili gjindet në arkivën e bibliotekës së Cambridge”, tha Gjinovci, duke theksuar faktin se punimet shkencore nga Kosova në të kaluarën konsideroheshin si të vlershme dhe të respektuara nga akademikët ndërkombëtarë.
Gjinovci tha se ndonëse ekziston një përshtypje e përgjithshme se nëpërmjet sistemit paralel shqiptarët e Kosovës e konsoliduan rezistencën e tyre ndaj Millosheviqit, “kjo ka vetëm fuqi simbolike të cilën e admiroi presidenti i atëhershëm, Rugova, kur i marrim parasysh pikëpamjet politike të tij”. Edhe pse kjo mund t’i ketë shkaktuar kokëçarje Millosheviqit, Gjinovci beson se ajo ishte koha kur “Universiteti i Prishtinës dhe arsimi në Kosovë pësuan rrënim”.
Ai vazhdoi duke thënë: “nëse e analizojmë numrin e viktimave dhe dëmin e shkaktuar dhe [e marrim parasysh] sa ka fituar Kosova politikisht prej saj [shtypjes së regjimit të Millosheviqit], kemi një mospërputhje të madhe. Por nëse e analizojmë dëmin e shkaktuar gjatë viteve të ‘90-a me sistemin paralel, të cilin u detyruam ta krijojmë, është dëm shumë i madh”, tha ai, duke shpjeguar se pjesa më e madhe e profesorëve të cilët japin mësim aktualisht në Universitetin e Prishtinës dhe ndërmarrje tjera arsimore u arsimuan në kushte nën standard, në sistemin paralel, e “gjeneratat e arta” që ishin para tyre kanë ndërruar jetë.
Ai tha se duhet ta marrim parasysh edhe integritetin akademik të sistemit arsimor në Kosovë. “Me këtë e kuptojmë kompetencën e profesorëve për të dhënë mësim, për të mbajtur ligjerata, apo për ta bërë punën e tyre në bazë të rregulalve ekzistuese”, tha ai.
Duke ilustruar integritetin akademik, ai tha se profesorët asistentë duhet ta kenë të paktën një punim shkencor të botuar në një revistë ndërkombëtare, ndërsa profesorët e rregullt të cilët kanë kontrata permanente duhet të kenë të paktën pesë punime shkencore të botuara ndërkombëtarisht.