Blogbox | Aktivizmi

Zëra solidariteti për Palestinën nga Prishtina

Nga - 15.03.2024

Ne e dimë mirë se çka vjen prej heshtjes dhe nuk i bashkohemi asaj.

Ishte një ditë në mes të tetorit. Po e shijoja ditën e parë të pushimit javor, teksa gjatë gjithë kohës kisha ndërmend një rrjedhë idesh për t’i hulumtuar si tema gjatë ditëve të punës si gazetare. Rrjedhë idesh për çështje që njëkohshëm ma krijonin dhe ma shuanin ankthin. Gjë e rëndomtë, domethënë. 

Rrjedha e rëndomtë e ditës do të prishej e shprishej nga lajmi: lufta kishe filluar në Gazë. 

Ishte e frikshme. Sa herë përmendet lufta, është diçka e frikshme, pa marrë parasysh se ku ndodh ajo, në cilën anë të botës, në Lindje të Mesme a në kufijtë e shtetit tënd. Lufta diku, kudo në botë, bëhet më e frikshme sidomos në kontekste si ky i yni, ku rritja jonë është shënuar prej rrëfimeve për përjetimet në luftë e ndoshta edhe prej pamundësisë për t’u ballafaquar mirëfilli me atë që ka ndodhur.

Në atë ditë të zakontë, që nuk mbeti më e tillë, më i frikshëm u bë mendimi që zihej në mendjen time për atë që mund të ndodhte në vazhdim. E merrja me mend se si, si në çdo luftë, të parët e më së rëndi do ta pësonin ata që e pësojnë rëndom: civilët e pafajshëm. 

Ditët kalonin. Ndodhi bash ashtu siç më thoshin mendimet. Në fakt, s’duhej fort tjerrje mendimi. Mjaftonte të dihej vetëm pak historia shumë-dekadëshe e shtypjes, vrasjeve, shpërnguljeve të dhunshme, dhunës brutale, përndjekjes, segregimit e aparteidit të shtetit të Izraelit ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Mjafton të dihet se Gaza, tash e gati 20 vjet cilësohet si një “burg në ajër të hapur”, ku shteti i Izraelit mban të bllokuar dy milionë njerëz në një vend prej 365 kilometrash katrorë. Sa për ta vendosur në kontekst, Kosova e vogël, që po ashtu ka rreth dy milionë banorë, është gjithsej 10,887 kilometra katrorë. 

Ndoshta shumë njerëzve, këtë nuk ua kapë dot as imagjinata.  

Ditët ecnin, tetori po mbaronte e paralelisht me çnjerëzinë në rritje që po përjetonte populli palestinez, bota vazhdonte në të veten. Vazhdonte edhe rrjedha e ideve të mia për ngjarjet në Kosovë që duhet t’i hulumtoja në punë si gazetare e për çështjet për të cilat do angazhohesha edhe si aktiviste. Temave, të cilave u përkushtohesha me zell ishin, qofshin ato për banorët e një fshati në Kamenicë që vuanin nga gurëthyesit; qoftë për realitetin e padrejtë socio-ekonomik që e jetojnë qytetarët romë, ashkali dhe egjiptianë; qoftë për gratë në Kosovë që janë përditë përballë rrezikut të femicidit; qoftë për një grua të moshuar, e cila për të mbijetuar, e ulur në një copë karrigeje të thyer, në të ftohtë, shet punime dore në Tregun e Gjelbër dhe përditë thithë erën e rëndë e bjeshkës së mbeturinave që e rrethojnë vendin e saj të punës. 

Një person përballë një bjeshke mbeturinash, mund t’i shtyjë ato me gjoks, por nuk mund të shtyjë për gjatë nëse duar të tjera nuk janë duke ia mbajtur shpinën. Të vetëm nuk mund të përballemi me bjeshkët që na dalin përpara.  

Duhen shumë duar për të shtyrë një bjeshkë problemesh. Duhen shumë duar për të shtyrë tutje dhimbjen e tjetrit. Duke njohur dhimbjen e njëri-tjetrit, ne arrijmë të solidarizohemi. 

Midis gjithë kësaj, kur po lexoja në “The Gaza Monologues” (Monologjet e Gazës), në një nga mbledhitë në mbështetje të Palestinës, se si gratë palestineze përgjatë viteve të shtypjes, vishnin rrobat më të mira, që vdekja t’i gjente të veshura mirë, ishte e zorshme që të ruaja terezinë. Po flas për atë terezinë mendore, për baraspeshën midis ankthit e pasionit për t’u marrë me aktivizëm si çdoherë. Për baraspeshën që të duhet kur dhimbjet vendosen në një peshore e krahasohen me njëra-tjetrën, gjë që në thelb, mund të tingëllojë mizore.

Një e moshuar, që shet mallra me fytyrë në mbeturina meriton t’i dëgjohet ankesa e saj, por në kokën time, megjithatë, ajo që po ndodhte me civilët në Palestinë mbipeshoi gjithçka tjetër me të cilën po merresha këtu në Kosovë. 

Kjo më shtyu të mendoja për pozitën time në botë. E më pas, në një mënyrë më pak abstrakte, për pozitën time, jo veç si gazetare, por sidomos si aktiviste në një shtet të vogël si Kosova, ku pesha e dhimbjeve të të tjerëve përgjithësisht është e vogël në peshoret e atyre që janë të thirrur për të gjetur zgjidhje.

Mendova, normalisht edhe për atë që mund të kishte ndodhur këtu. Ishte me gjasë frika, që shtyu ndërhyrje ushtarake në vitin 1999 në Kosovë — ndërhyrje që po ashtu ndodhi pas masakrave që veç ndodhnin e kishin ndodhur. Një frikë, që ishte përligjur prej asaj që veç kishte ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995. Në Kosovë ndërhyrja ndodhi për shkak të një shembulli, një precedenti, për shkak të një “Never Again” (Kurrë më) që erdhi vetëm pas vrasjes së mijëra civilëve në Srebrenicë, në sytë e botës

Në këto rrethana, mendova se si, derisa në botë mund të jetë zbehur jehona e “Never Again”, kjo s’e përligj heshtjen tonë. Në fakt, kjo duhet ta bëjë zërin tonë edhe më të lartë dhe më të vendosur. Solidarizimi mban gjallë shpresën. E shpresa për liri u duhet sot më shumë se kurrë njerëzve në Palestinë. Deri tash, në mars 2024, shteti izraelit ka vrarë më shumë se 30,000 njerëz, duke pakësuar shpresën përditë. 

Më mirë pak zë sesa heshtje

Në përpjekje për t’u mos rreshtuar me shtypjen, më 27 tetor 2023, disa ditë pas fillimit të luftës në Gazë, një grup aktivistësh e aktivistesh u mblodhëm në hapësirat e qendrës sociale Termokiss në Prishtinë, për t’u përgatitur për marshin e parë në solidaritet me popullin palestinez.

Atmosfera ishte e zymtë. Secili e secila ndante informacione se çfarë kishte parë në rrjete sociale. “5,000 njerëz të vrarë, gjysma fëmijë”, thotë një aktivist. “A i patë fotografitë e një nëne duke mbajtur copat e trupave të fëmijëve të saj në një qese?”, pyet një tjetër. Teksa ngjyrosnim edhe një pankartë tjetër, kuptohej se ndoshta ne nuk mund ta bëjmë ndryshimin, por, megjithatë, solidarizimi ynë nuk mungonte. 

E mendonim me vete, por edhe me njëri-tjetrin, se si na dukej që po e bënim veç hajt, e se si s’do të mund të ndryshonim asgjë. Por, në anën tjetër, na dukej se edhe të bënim diçka ishte kthyer në detyrueshmëri. Për shumë prej nesh, ndërlidhja e asaj që po ndodh në Palestinë me kujtimet e luftës në 1998-99 në Kosovë, qofshin ato të drejtpërdrejta a të rrëfyera prej tjerëve, e bënte këtë ndjenjë të detyrës edhe më të fortë. 

Kështu, më 28 tetor 2023, marshi i parë u bë. Njerëz dolën në rrugë. U bënë thirrje për lirinë e popullit palestinez. Teksa disa mezi mbanin lotët, të tjerë tashmë kishin filluar të qanin.

Marshi mbaroi. Konotacioni që iu dha nga disa nëpër rrjete sociale ishte se një grup ekstremistësh fetarë protestonin për Palestinën, që nuk e ka njohur Kosovën. U tentua që solidariteti për jetët e pafajshme që po shuheshin të delegjitimohej, duke u përmbyllur në korniza të gjeopolitikës apo duke u etiketuar si një “grup ekstremistësh”. 

Por marshi, ashtu si solidariteti ynë, ishte i qëllimtë. Aty kishte njerëz që qëndronin kundër shtypjes — edhe gjinore, edhe në bazë të orientimit seksual, etnisë, racës e çfarëdo shënjuesi tjetër të identitetit. Ishte përpjekje për t’u rreshtuar kundër shtypjes kudo, njëlloj si po qëndrojnë kundër saj qytetarët/et e vendeve të tjera të botës, të cilët/at, shpeshherë ndodhen përballë strukturave shtetërore që ende bëjnë matematikë nëse u bie më mirë të heshtin a të flasin. 

Pas marshit të parë, teksa Gaza vazhdonte të mos jetë e lirë, ne vazhduam që të mblidheshim. 

Përkundër zymtësisë së situatës, përballjes me numër jo të madh të marshuesve e komenteve që përpiqeshin ta zvogëlonin rëndësinë e përpjekjes sonë, këto organizime sollën momente krenarie. Vendosja e flamurit të Palestinës në Hotelin “Grand”, në qendër të Prishtinës, përbri atij të Ukrainës, që tash e dy vjet po përjeton pushtimin rus në shkallë të gjerë — ishte një prej këtyre momenteve. 

Flamuri i qepur prej aktivistëve/eve, ku shkruhej “Free Palestine” (Liri Palestinës) u valvit dy javë pas marshit të parë, më 12 nëntor 2023, kur ekipi futbollistik i burrave i Kosovës do të zhvillonte lojë me Izraelin në Prishtinë, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024. 

Atë ditë, masat e rrepta të sigurisë dhe sensi i kontrollit ndihej gjithandej nëpër kryeqytet.

Flamuri i Ukrainës mbeti prapë i vetëm, sepse Policia e Kosovës nxitimthi e hoqi atë të Palestinës, përbrenda kësaj rreptësie që u përpoqën ta vendosnin atë ditë. Ata sikur s’donin që askush ta dinte se kishte qenë aty në radhë të parë. Megjithatë, flamuri qëndroi i varur mjaftueshëm për të ndezur shpresë brenda meje — ky flamur, të cilin po përpiqen ta mohojnë, po valvitej në Prishtinë, në qendrën e një shteti, krejt larg gjeografikisht, por me njerëz që po përpiqeshin të ishin afër popullit palestinez.

Zhdukja e flamurit nuk e zhduku vendosmërinë tonë. 

Pasuan kënge e poezi palestineze e u ndezën qirinj për të kujtuar më shumë se 13,000 viktimat palestineze, deri më 6 nëntor 2023. 

Isha mes dhjetë a pesëmbëdhjetë njerëzve tjerë. Rreth dy milionë të tjerë, shumë prej të cilëve e kanë përjetuar në lëkurë rrezikun që vjen prej heshtjes ndaj luftës, nuk dolën.

Pastaj, më 16 nëntor pasoi marshi tjetër në sheshet kryesore të Prishtinës. Më pas, më datën 21, u shfaq filmi “Gaza Fights for Freedom” (Gaza lufton për liri), i regjisores Abby Martin, që sjell pamje nga demonstratat e Marshit të Madh të Kthimit, ku palestinezët po protestonin duke kërkuar kthimin e miliona refugjatëve në fshatrat dhe qytetet e tyre, aty ku tash është Izraeli dhe po kërkonin fundin e bllokadës nga Izraeli. Në ato demonstrata rreth 200 protestues palestinezë u vranë dhe mijëra u plagosën. Për shfaqjen e filmit, aktivistët e aktivistet përkthyen titrat në shqip. 

15 shkurt 2024, dola sërish në rrugë për t’u solidarizuar me Palestinën. Ishte hera e tretë a katërt. Isha mes dhjetë a pesëmbëdhjetë njerëzve tjerë. Rreth dy milionë të tjerë, shumë prej të cilëve e kanë përjetuar në lëkurë rrezikun që vjen prej heshtjes ndaj luftës, nuk dolën. 

Ngjarjet solidarizuese vazhduan, teksa grupi zvogëlohej e bashkë me zvogëlimin e grupit të aktivistëve, zvogëloheshin edhe njerëzit që bashkëngjiteshin rrugës për të marshuar. Në mendjet tona sërish sillej mendimi se s’do të mund të ndryshonim asgjë. Prapë, s’ndaleshim.

Shumësia e njerëzve nuk e përcakton rëndësinë e kauzës — për ashtu, do mbaronin protestat kundër femicidit, kundër racizmit, kundër homofobisë. 

Çka është më brengosëse është sjellja e shtetit tim — që me ose pa dashje relativizon aktivizmin tim, duke hequr flamurin me nxitim ashtu që askush mos ta shohë; duke instaluar masa pazakonshëm të rrepta sigurie për ndeshjen e futbollit; duke qenë tepër i qetë, në mos krejt i heshtur, përballë asaj që po ndodh sot në Gazë.  

Kapaciteti i njeriut për të ndier empati është i kufizuar. Është e pamundur, qoftë edhe fizikisht, të ndiesh për secilin person që ndien dhimbje në univers. Ndoshta shumë njerëzve, zëri u duket i padëgjueshëm prej këtu në Gaza. Ndoshta për disa, në peshoren e tyre të problemeve, Gaza nuk zë vend. Ndoshta, disa janë thjesht indiferentë. 

Por, ka një fije shprese se disa do dalin kur i shohin të tjerët duke dalë në rrugë. Ka një fije shprese se ky zë, që në botën e madhe e të pushtetshme mund të duket i pavlerë, do të arrijë diku, do t’i bëhet burim shprese dikuj. Këtu qëndron puna e aktivizmit. Ndonjëherë të bësh aktivizëm politik të kërkon që të qëndrosh për të drejtën edhe në vetmi, ose nën shoqërinë e pak njerëzve. Kërkon të flasësh edhe nëse jehona e zërit të kthehet prapa. 

Ai zë mund të dëgjohet diku. Ai zë do të dëgjohet diku.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla me fotografi të Anita Nikaj / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.