Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021: Çfarë na është përvjedhur?

Nga , - 23.01.2021

Përmbledhja jonë javore e zhvillimeve kryesore — të gjitha në një vend.

Ndjekja e përditshme e lajmeve mund të jetë e lodhshme edhe në situatat më të mira, edhe kur nuk ka ndonjë pandemi që është duke tronditur jetët tona.

Prandaj, në paraprirje të rundit të radhës të zgjedhjeve, nuk ju fajësojmë nëse doni t’i hiqni qafe të gjitha njoftimet në telefon, ta mbyllni llaptopin dhe t’iu shmangeni të gjithë titujve e lajmeve 24/7 sikur ndonjë murtaje…

Por përderisa ndjekja e vazhdueshme e premtimeve të përsëritura, debateve dhe skandaleve mund të jetë e tepërt, kjo s’do të thotë që nuk është mirë të mbetemi të informuar.

Prandaj do t’jua sjellim “pikat kryesore” (dhe ato të ulëta) të shtatë ditëve të fundit për çdo jave deri në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt.

Meqenëse kjo është e para, ka shumë gjëra për të përmbledhur…

Surprizë, surprizë…?

Problemi i moslejimit të kandidatëve për të garuar në zgjedhje si pasojë e të kaluarave kriminale mori vëmendje të konsiderueshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka sjellë këto zgjedhje në vendin e parë. Prandaj nuk është shumë befasuese që pikërisht kjo çështje do të mbizotëronte titujt — dhe polemikat — këtë javë.

E gjithë kjo ka kulmuar mbrëmjen e së premtes (më 22 janar) përderisa afrohej afati i fundit i Komisionit Qendror për Zgjedhje (KQZ) për certifikimin e subjekteve politike dhe listave të tyre me kandidatë.

Në fund të fundit, Komisioni votoi për të mos të mos certifikuar Vetëvedosjen (VV) — partia e cila fitoi zgjedhjet e vitit 2019 dhe që është favoritja për të fituar sërish në shkurt — duke e mbështjellë tërë procesin zgjedhor me paqartësi.

Nisma gjithashtu nuk ka arritur të certifikohet, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është certifikuar si subjekt por lista e saj e kandidatëve është refuzuar pasi është kërkuar që të dy çështjet të votohen veçmas.

Tash duket se ditët dhe javët në vazhdim do të shndërrohen në një vorbull apelesh dhe sfidash ligjore, ndërsa klima politike nxehet dhe të gjithë përpiqen të kuptojnë implikimet e plota të zhvillimeve të fundit. Partitë dhe kandidatët mund t’i apelojnë vendimet e KQZ-së brenda 24 orësh përmes Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas mund t’i dërgojnë apelet në Gjykatën Supreme; çështjet ligjore mund të shqyrtohen edhe përmes Gjykatës Kushtetuese. 

Për të kuptuar si kemi ardhur deri këtu, le të kthehemi pak prapa.

Kurti ishte ndër 47 kandidatët e gjykuar se janë në mospajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në dhjetor, Gjykata Kushtetuese ka miratuar një ankesë nga një grup i deputetëve të VV-së që qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte antikushtetuese. Gjykata vendosi që duhet të mbahen zgjedhje të reja pasi formimi i qeverisë është varur nga vota e një deputeti që kishte marrë ulësen në mënyrë të paligjshme për shkak të një dënimi të vonshëm. 

Vendimi i gjykatës veçanërisht ka theksuar Nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili thotë: “Cilido person emri i të cilit paraqitet në Listën e Votuesve është i aftë për certifikim si kandidat përveç nëse ai apo ajo është i(/e) shpallur fajtor(/fajtore) për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”.

Spekulimet menjëhere u përqendruan rreth mundësisë që udhëheqësit të Vetëvendosjes Albin Kurti të mos i lejohet të kandidojë. Në janar të vitit 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar Kurtin dhe figura të tjera të larta të VV-së me burgim me kusht pasi janë shpallur fajtorë për përdorimin e armëve sulmuese si rrjedhojë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2015. Vendimi është bërë final pasi është mbështetur nga Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2018.

Përkundër dënimit, kur VV-ja paraqititi në KQZ listën e propozuar të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, ajo prapëseprapë nominoi Kurtin si kandidat për kryeministër.

Të mërkurën (më 20 janar), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) lajmëroi që ka pranuar rezultatet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), të cilit u kanë kërkuar të ndihmojnë në procesin e verifikimit të kandidatëve. Kurti ishte ndër 47 kandidatët — të shpërndarë në 15 subjekte të ndryshme politike të regjistruara — të gjykuar se janë në mospajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. 

Kur është pyetur se çfarë nënkupton kjo për të dhe listën që ka planifikuar ta udhëheqë, Kurti nuk ka dhënë përgjigje të qartë. “Ne e kemi paraqitur listën siç është kërkuar, dhe ajo është lista jonë”, ka thënë ai. “Unë jam bartësi i listës i cili respekton në mënyrë strikte dhe i përmbahet kushtetutës dhe ligjeve të cilat mbrojnë të drejtat e secilit prej nesh”.

Duke ndjekur njoftimin e kandidatëve të listët të cilët janë në rrezik të moscertifikimit nga KQZ-ja, udhëheqësja e saj Valdete Daka ka mbajtur një konferencë për media ku ka dënuar kërcënimet nga partitë politike ndaj Komisionit dhe ndaj saj personalisht. Anëtarët e VV-së Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu — e cila është dënuar në të njëjtin rast si Kurti — kanë akuzuar KQZ-në për përpjekje që ta eliminojnë Kurtin nga lista.

Megjithatë, deri në takimin e së premtës të KQZ-së, punët u paqartsuan më tej.

“Kërcënimet publike kundër meje dhe shqetësimi që është duke përjetuar familja ime janë të pa precendentë dhe të rrezikshme”, ka thënë ajo. “Të gjithë kandidatët të cilët dje kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona të cilët nuk përputhen me kriteret për t’u certifikuar si kandidatë për deputetë, do t’ju them shkurt, shqip dhe qartë: është ligji dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e bëjnë të pamundur kandidaturën tuaj, jo unë”.

Megjithatë, deri në takimin e së premtës të KQZ-së, punët u paqartësuan më tej pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim e Komisionit (ZRPPC) ka rekomanduar që të gjitha partitë dhe kandidatët të certifikohen. Duke sqaruar arsyen për rekomandim, drejtori ekzekutiv i ZRPPC-së Yll Buleshkaj ka thënë që ka paqartësi në Nenin 29.1(q) të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme — dhe që nuk ka marrë udhëzime kuptimplota mbi këtë çështje nga disa institucione të cilat i ka kontaktuar për ndihmë.

Orë të tëra të diskutimeve të ndezura kanë vazhduar në KQZ, përderisa 11 anëtarët e Komisionit kanë debatuar votimin e certifikimit të secilit subjekt dhe listë të kandidatëve veçmas, apo të ndjekin rekomandimin e ZRPPC-dë dhe të votojnë të gjithë brenda të njejtës pako. Tekembramja, një shumicë e antarëve kanë votuar për konsiderimin individual të aplikimeve.

Anëtartët e Komisionit si pasojë miratuan listat e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) — të cilat kanë zëvendësuar kandidatët që kanë pasur dënime gjatë viteve të fundit në listën e tyre — si dhe listën e Listës Serbe dhe subjekteve të tjera politike të cilat përfaqësojnë komunitetet minoritare.

Edhe VV, edhe Nisma janë zotuar të bëjnë apel për refuzimin e listave të tyre, ndërsa VV-ja e ka përshkruar vendimin e KQZ-së si “skandaloz” dhe udhëheqësi i Nismës Fatmir Limaj ka thënë që ishte një “sulm pa precendent kundër partisë sonë dhe të gjithë procesit demokratik”. 

*** 

Një tjetër çështje që ka që ka qenë pakëz e befasishme ishte mospërputhja mes fjalëve dhe veprimeve të partive politike kur vjen puna te barazia gjinore.

Ndër partitë më të mëdha, LDK dhe PDK kanë plotësuar pikërisht pragun e kërkuar me ligj me 30% gra në listat e tyre origjinale të dorëzuara në KQZ. AAK-ja ka arritur pak më mirë me vetëm 31% të listës së tyre të propozuar të kandidateve gra, përderisa gratë kanë përbërë 37% të listës së propozuar të VV-së.

Duke reaguar ndaj lajmit, Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë thënë: “Kjo përqindje e ulët e grave në lista zgjedhore e cila do të reflektojë edhe në përbërjen e legjislaturës, përveç që e mirëmban mendësinë dhe praktikat përjashtuese ndaj grave në politikë, ka ndikim negativ edhe në procesin e politikëbërjes duke qenë se nuk garanton gjithpërfshirjen e të interesave të të gjitha grupeve identitare dhe ekonomike, ndër- dhe brendagjinore”.

***

Përderisa vazhdojnë surprizat, pozita e pakundërshtuar e Listës Serbe mes partive minoritare serbe nuk është një ndër to. Nenad Rašić, udhëheqës i Partisë Demokratike Progresive e cila nuk do të garojë në këto zgjedhje ka thënë për Prishtina Insight që as këtë here nuk ka shancë për zgjedhje të lira dhe të drejta për serbët në Kosovë.

Rašić ka aluduar për kërcënim ndaj kandidatëve dhe votuesve, gjë e cila është dokumentuar gjerësisht gjatë fushatës së 2019-tës, nga e cila Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi me shumicë dërrmuese ka siguruar të gjitha 10 ulëset e rezervuara në Kuvend për pakicën serbe në Kosovë.

Analisti polik nga OJQ Aktiv Ognjen Gogić ka thënë për Radion Evropa e Lirë që Lista Serbe ka një “monopol” në komunitetin serb. “Në një farë mase, është politikë e Beogradit zyrtar për të vendosur të gjithë serbët nën një ombrellë, e të cilët përfaqësohen nga Lista Serbe,” ka thënë ai. “Të gjitha partitë e tjera politike janë shembur sistematikisht, janë portretizuar si të pabesa e kështu me radhë.”

Programet politike

Partia e parë e cila ka publikuar programin e vet zgjedhor për fushatën e shkurtit është AAK-ja, programi me 68 faqe i së cilës është bazuar në katër shtylla kryesore: ekonomia, siguria dhe sundimi i ligjit, mirëqenia dhe politikat e jashtme.

Slogani i fushatës së partisë është “Forca e Kosovës” por AAK-ja në të njëjtën kohë është duke e shtyrë mesazhin “Ramushi për President 2021,” pasi paraprakisht kanë njoftuar që lideri Ramush Haradinaj dëshiron të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës. Pozita e presidentit nuk është në fletëvotim, edhe pse antarët e rinj të Kuvendit do të zgjedhin presidentin e ardshëm me mandat pesëvjeçar më vonë gjatë këtij viti.

Mbase premtimet e AAK-së të cilat tërheqin më së shumti vëmendjen janë ato të ekonomisë, meqë premtojnë të “realizojnë rritje ekonomike në shkallën 8% deri në fund të mandatit” (para pandemisë rritja ekonomike ka qenë rreth 4%) dhe “Paketë të Rindërtimit” prej një miliardë eurosh për rimbëkëmbjen nga COVID-19 përmes ndihmës financiare ndaj bizneseve dhe qytetarëve. 

Megjithatë, pasi PDK-ja ka zbuluar një premtim të ngjashëm të një fondi prej një miliardë eurosh në programin e tyre të hënën, Lulëzim Blaka i AAK-së ka thënë që PDK-ja “ka kopjuar” idenë e tyre.

Programi i PDK-së ka fokus më të ngushtë, duke u përqëndruar posaçërisht në rimëkëmbje ekonomike përmes mbështetjes së bizneseve private, rritjes së shumave të parave për 40% në skemat e asistencës sociale, për 30-40% në pensionet e moshës dhe 30% për ato të veteranëve të luftës. Çështja e pensioneve të veteranëve të luftës është kontraverse pasi dhjetëra miliona euro nga buxheti i shtetit rezervohen për më shumë se 35,000 përfitues çdo vit, ndërsa 19,000 prej tyre dyshohen të kenë falsifikuar statusin e tyre si veteranë.

Hoti gjithashtu ka përmendur mundësinë e vënies së masave reciproke të tregtisë ndaj Serbisë, një temë kontraverse që LDK-ja nuk e ka mbështetur në të kaluarën.

PDK-ja gjithashtu premton ta rrisë pagën minimale në 300 euro, të rrisë rrogat e sektorit publik “mesatarisht për 30%.” Mesatarja e rrogave në sektorin publik tashmë është 40-50% më e lartë së ajo në sektorin privat, i cili sipas raportit të 2020 nga Instituti Riinvest, “ka një efekt çrregullues në tregun e punës dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë së Kosovës.”

Lista e përbashkët e LDK-AKR ende nuk ka publikuar program të shkruar por kanë zbuluar sloganin “Mbesim në lidhje.” Në tubimet para fushatës dhe vizitave në terren, kryeministri në detyrë i LDK-së Avdullah Hoti — i cili është duke garuar të bëhet prapë kryeministër — është duke paraqitur një vizion “properëndimor”. 

Hoti gjithashtu ka përmendur mundësinë e vënies së masave tregtare reciproke ndaj Serbisë, gjë që një temë kontraverse të cilën LDK-ja nuk e ka mbështetur në të kaluarën dhe që përfundimisht ishte një ndër arsyet për prishjen e koalicionit qeveritar të LDK-VV në fillim të 2020.

Pas rritjes së trysnisë nga ShBA-ja dhe BE-ja, një ndër gjërat e para që ka bërë Hoti si kryeministër në qershor ka qenë anulimi i vendimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për të zbatuar reciproritet të tillë. Megjithatë, në një takim me shqiptarët e Preshevës, ai ka thënë: “Të gjitha pa përjashtim, të gjitha masat që Serbia i drejton nga ne, ne kemi të drejtë dhe do t’i drejtojmë nga Serbia.”

Edhe VV-ja ende nuk ka publikuar program të shkruar edhe pse ka publikuar marrëveshjen e partisë për të bashkuar forcat me një listë të përbashkët me iniciativën civile “Guxo” të ish-kandidates për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmani.

Marrëveshja ka 10 zotime, duke filluar me “Rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë me vetingun si pjesë integrale të këtij procesi, si dhe vendosmëri të plotë drejtë luftimit të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.” Ndër të tjera ata gjithashtu zotohen të bëjnë prioritet rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, emërimet meritore në qeveri, rishikimin e përfaqësimit dhe organizimit të shërbimit diplomatik dhe “synim të arritjes” së përfaqësimit të barabartë gjinor në qeveri dhe në institucionet e tjera. 

Shumë e mirë për të qenë e vërtetë?

Pjesë e çmenduërisë para fushatës për çfarëdo zgjedhje është antarësimi i personave me prapavija të laramishme në partitë politike. Aktivistë, profesorë, profesionistë nga Kosova dhe diaspora, persona të famshëm nga industria e argëtimit, familjarë të ish-deputetëve dhe të udhëheqësve të shtetit — mes të tjerësh.

Zakonisht një grumbull analistësh politikë na udhëheqin nëpër zhvillime të tilla, të cilët shfaqen pothuajse çdo natë në emisione televizive.

Megjithatë, kushdo që llogarit në pavarësi dhe objektivitet nga këta analistë politikë të cilët kanë luajtur një rol aktiv në formimin e opinionit publik kohëve të fundit, mund të habiten.

Ardian Kastrati — ligjërtues i shkencave politike, ish-rekator i televiziorit dhe analist i rregullt në debate televizive — i është bashkuar PDK-së. Ngjashëm ka vepruar edhe Faton Abdullahu, një tjetër analist politik i cili paraprakisht ka qenë këshilltar për kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafën e LDK-së. Armend Muja, dekan i një kolegji privat dhe analist i është bashkuar VV-së.

Në anën tjetër, antarësimet e figurave të tjera publike përfshijnë të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila i është bashkëngjitur VV-së dhe oligarku i biznesit dhe ish-deputeti Ramiz Kelmendi — i cili paraprakisht ka qenë pjesë e AAK-së, pastaj PDK-së, pastaj LDK-së — i është ribashkëngjitur PDK-së.

QYSH kanë thënë?

Deklaratat populliste që vijnë nga politikanët nuk janë të reja, sidomos para zgjedhjeve, por ka disa që të bëjnë të thuash: QYSH?

Postimi në Facebook i Haradinajt që i adresohet presidentit Aleksandar Vučić është një ndër to. “Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur,” thotë ai.

Pastaj është grindja mes kandidatit të PDK-së Enver Hoxhaj dhe Kurtit. Pasi Hoxhaj ka ftuar Kurtin të shkojnë në pesë debate televizive për çështje të caktuara, Kurti ka refuzuar duke thënë që partitë të tjera janë në “garë për vend të dytë” dhe që ai “nuk ka çka kërkon në atë garë”. 

Hoxhaj u është përgjigjur komenteve të Kurtit duke e quajtur lider autoritar — një akuzë e zakonshme nga kundërshtarët. Duke folur në një tubim në Podujevë gjatë javës së kaluar, Hoti i LDK-së gjithashtu ka bërë deklarata të ngjashme, duke u thënë mbështetësve: “Kurti ktheu Kosovën në Kore të Veriut, atij e Osmanit duhet t’ua tregojmë vendin.”

"Gjuha e tillë linçuese për AGK-në është tërësisht e papranueshme dhe përbën trysni ndaj kolegëve tanë gazetarë."

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)

Pasi transmetimit të një sondazhi të opinionit publik nga Kolegji Riinvest në TV Dukagjini më, i cili sugjeronte që VV-ja mund të jetë duke shkuar drejt një fitoreje të madhe, lufta me fjalë është intesifikuar.

LDK-ja ka ftuar qytetarët “të mos bien në kurthin propagandistik të TV Dukagjinit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”. Në një postim në Facebook, ata kanë akuzuar kanalin televiziv për servilizëm ndaj VV-së dhe kanë kritikuar metodologjinë e përdorur për sondazh, duke pretenduar që nuk mund të jetë profesional apo etik pasi Dekani i Kolegjit Riinvest është Armend Muja (i cili rishtas i është bashkar VV-së). Memli Krasniqi i PDK-së ka bërë një postim të ngjashëm në Facebook, duke thënë që Albin Kurti ka përdorur kanalin “për të promovuar lajme të rreme dhe sondazhe të trilluara,” dhe që “këto janë metoda që përdoren nga diktatorët autokratë.”

Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) si pasojë ka publikuar një reagim që dënon deklaratat e tilla si kërcënim ndaj lirisë së shprehjes së mediave. “Gjuha e tillë linçuese për AGK-në është tërësisht e papranueshme dhe përbën trysni ndaj kolegëve tanë gazetarë,” thotë reagimi. “AGK-ja vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik.”

Diaspora thërret

Diaspora e Kosovës ka luajtur një rol në rritje në zgjedhjet e viteve të fundit, me më shumë se 40,000 anëtarë që kanë tentuar të regjistrohen herën e fundit — një rekord i ri.

Këtë vit, numri pritet të tejkalohet. Duke ndjekur afatin e fundit për aplikim për votim nga jashtë të entjen, KQZ ka njoftuar të premten (më 22 janar) që kanë mbi 130,000 imejlle të pahapura që shpresojnë t’i procesojnë në ditët në vijim — me 200 persona në staf të cilët janë duke punuar për ta kapërcyer ngecjen. 

Këtë vit ka pasur fokus të veçantë në procesin për regjistrim të votuesve nga diaspora pasi KQZ ka prezantuar një proces të ri për verifikim të votuesit për ata që jetojnë jashtë Kosovës.

Fillimisht, KQZ ka njoftuar që aplikantët do të pranonin një telefonatë për të verifikuar aplikimin e tyre dhe nëse nuk përgjigjen në telefon, aplikimi i tyre do të refuzohet. Pas një kundërpërgjigje të fuqishme nga publiku dhe akuzimeve për heqjen e të drejtave të votuesve, KQZ ka publikuar një vendim pasues që paraqet një seri hapash që zyrtarët e tyre do t’i bëjnë për të kontaktuar aplikuesit përderisa verifikojnë aplikimet e tyre.

KQZ-ja ka thënë të premten që numrat e fundit tregojnë rreth 2,500 aplikues deri në atë ditë nuk janë përgjigjur në telefon.

Vëzhgimi i qeverisë

Qeveritë në largim kanë shprehinë e marrjes së shumë vendimeve në moment të fundit përderisa kushtojnë të gjitha forcat për të ushtruar pushtetin që u ka mbetur gjatë ditëve të tyre të fundit në detyrë. Qeveria e udhëhequr nga Hoti nuk ka bërë ndonjë ndryshim në këtë pikë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka nxjerrë një deklaratë më herët gjatë muajit duke shprehur shqetësimin që qeveria në largim është duke vazhduar të ngutet për caktimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, përkundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila e ndalon këtë. Vendimi i përkohshëm është pjesë e një padie civile kundër Ministrisë për Marrdhënie të Brendshme të inicuar nga ish drejtori i përgjithshëm Rashit Qalaj, i cili është shkarkuar nga roli i tij nga Hoti në tetor. Qalaj si pasojë i është bashkuar PDK-së pasi janë shpallur zgjedhjet.

Në ndërkohë, si pjesë e një sërë vendimesh nga qeveria në detyrë të publikuara të enjten (më 21 janar), katër ish-sekretarë të përgjithshëm të ministrive të Kosovës janë emëruar drejtorë ekzekutivë të agjensioneve të pavarura.

Dy nga të emëruarit — Arton Berisha, Hajriz Koci — janë shkarkuar nga rolet e tyre si sekretarë të përgjithshëm në shkurt të 2020 si pjesë e ristrukturimit të ministrive nga administrata e Kurtit; në 2019 Kocit i është kërkuar ta lëshojë pozitën nga Agjencia Kundër Korrupsionit për shkak të një konflikti të interesit pasi ai ka shërbyer si këshilltar politik i ministrit. Betim Reçica gjithashtu është shkarkuar nga administrata e Kurtit.

I emëruari i katërt, Kushtrim Cukaj është shkarkuar nga roli i tij si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë për Integrim Evropian në maj të 2020 për shkak të pretendimeve për abuzim të detyrës.

Vëzhgimi i pandemisë

Me një muaj të mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, qeveria ka vendosur të ndërrojë masat ndaluese të drejtuara ngadalësimit të shpërndarjes së COVID-19 për të lejuar mbledhjet për “aktivitete publike”.

Tubimet e më shumë se 5 personave janë ndaluar që nga mesi i korrikut kur Kosova ka filluar të përjetojë kulmin fillestar në infektime dhe ndalimi do të mbetet në fuqi për varrime dhe dasma. Megjithatë, sipas rregullave të reja, deri 30 persona tash lejohen të mbledhen në hapësira të mbyllura — ku përhapja e virusit është më e lartë — dhe deri 50 persona në “hapësira publike, parqe, vende publike, qendra për rekreacion të dimrit, etj.”

Lehtësimi i masave ndaluese vjen përkundër dëshmive që numri zyrtar i rasteve të raportuara me COVID-19 është përsëri në rritje që nga fillimi i janarit, pas një uljeje të qëndrueshme në dhjetor. Gjatë javës së kaluar, numri mesatar i rasteve të reja ditore të raportuara ka qenë mbi 300, i rritur nga rreth 200 në fund të vitit të kaluar.

Numri zyrtar i vdekjeve të ndërlidhura me COVID-19 ka mbetur relativisht i lartë me 112 raste zyrtarisht të raportuara në 2021 — një mesatare e 5 rasteve në ditë. Vetëm të premten (22 janar) janë shënuar 14 vdekje të ndërlidhura me COVID-19, numri më i lartë që nga mesi i dhjetorit.

Përkundër lehtësimit të masave, partitë politike kanë dëshuar të veprojnë në pajtim me ligjin ndërsa publikohen fotografi të mbledhjeve të paligjshme në rrjete sociale. Partitë e koalicionit të qeverisë në largim, LDK, AAK dhe Nisma të gjitha kanë marrë dënime të shumës 2,000 euro nga Komuna e Prishtinës për shkelje të rregullave gjatë javës, përderisa LDK është dënuar edhe me 2,000 euro më 11 janar për një shkelje paraprake.K

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.