Në thelb | Kulturë

Zhvillimi i subkulturës së stripit

Nga - 11.09.2019

Historiku i stripit dhe novelave grafike në Kosovë

Edhe para Luftës së Dytë Botërore, Mbretëria e Jugosllavisë i kishte siguruar vetes vendin si një lidhje e rëndësishme e zhanrit komik në Evropë. Të ndikuara nga kultura në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, u prezentuan një numër i revistave dhe i shtojcave që përmbanin humor dhe stripa.  

Këta stripa shpesh ishin ribotime të veprave të perëndimit, por ky momentum gjithashtu ua mundësoi artistëve vendorë t’i publikonin veprat origjinale dhe ta vinin veten në skenë. Vitet e ‘30-ta konsiderohen si periudha e artë e kulturës së stripave në Jugosllavi, dhe stripat e një numri të artistëve jugosllavë u botuan në Evropën Perëndimore, më së shpeshti në Francë.

Lufta e Dytë Botërore e ndërpreu këtë periudhë të artë dhe periudha e ashpër komuniste që erdhi pas krijimit të Jugosllavisë socialiste i ndaloi stripat. Megjithatë, pas ndarjes nga Stalinizmi dhe krijimit të një rruge të pavarur nga BRSS-ja, Jugosllavia pati një periudhë në të cilën ligjet që e drejtonin prodhimin kulturor ishin më të relaksuara. Nga fundi i viteve 1950, u hap një numër i revistave të reja dhe zhanri i librave komikë u bë i rëndësishëm, edhe përkundër censurës.

Ndonëse larg prej qendrave kulturore kosmopolitane të Beogradit dhe të Sarajevës, as Kosova nuk ishte imune ndaj këtyre trendeve.

Subkultura e stripit në Kosovë, ndonëse e zbehtë, filloi të zhvillohej në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, nën ndikimin e subkulturës jugosllave të stripit. Panelet në kuadër të gazetave ditore, të botuara në republikat e tjera dhe më pas edhe stripat e botuar më vete – kryesisht në republikat e tjera – e influencuan subkulturën e stripit tek një brez në Kosovë.

Agim Qena ishte njëri prej pionierëve të stripit kosovar, së bashku me Ramadan Zaplluzhën, Gani Jakupin etj. “Therrë Murrizi” i Ramadan Zaplluzhës dhe “Tafë Kusuri” i Agim Qenës vazhdojnë të jenë dy personazhe që akoma kujtohen nga brezat që mbajnë mend botimin e tyre në vitet e shkuara.

Fragment nga “Artani” i Hamdi Terziqit.

Zhanri i karikaturës gjithashtu lulëzoi gjatë kësaj kohe. Në fakt, Zaplluzha dhe Qena do të mbaheshin mend edhe për karikaturat e tyre të veçanta, së bashku me një plejadë pionierësh kosovarë të karikaturës si Nexhat Krasniqi, Veli Blakçori, Selami Taraku, Musa Kalaveshi, etj., por edhe me gjeneratën e mëvonshme të karikaturistëve si Jeton Mikullovci, Visa Ulaj, Murat Ahmeti, Shpenda Kada, etj.

Shumica e karikaturistëve i publikuan stripat në gazetën e vetme të përditshme që botohej asokohe në gjuhën shqipe në Kosovë, “Rilindja”. Megjithatë, pasi Rilindja i mbylli dyert e saj, ata kërkuan për mundësi të tjera për ta shprehur kreativitetin.

Vite më vonë, kur “Rilindja” nuk ekzistonte më, nisi botimi i revistës “Strip Arti” – e para në gjuhën shqipe dedikuar krejtësisht stripave. Në vitet ’90 doli edhe një revistë tjetër ku mund të lexoheshin stripat e quajtur “Hapi alternativ” e cila redaktohej nga Petrit Selimi, asokohe një djalë i ri i apasionuar pas stripit që vite më vonë do ta hapte kafeterinë “Strip Depot” në Prishtinë, një hapësirë alternative ku po ashtu mund të lexoje dhe blije stripa.

Në vitet e para pas luftës, Ibrahim Kadriu do ta botonte revistën “Hareja”, kurse e përditshmja “Koha Ditore” në vitet e para pas luftës do ta botonte një herë në javë një shtojcë për fëmijë të quajtur “Vizatori”. Këto dy revista, njëjtë sikur “Hapi alternativ”, ndër të tjera, ofronin për lexim edhe stripa.

Tafë Kusuri

Një personazh i cili shumë shpejt mori dhenë dhe u bë tejet i famshëm në Kosovë për 30 vjet ishte Tafa i Agim Qenës, një mesoburrë shqiptar, naiv, që hutohej lehtë, të cilin Qena e përdori për të kritikuar gjendjen e shoqërisë dhe të politikës.

Agim Qena vazhdoi botimin e “Tafë Kusurit” edhe më vonë në “Kohën Ditore”, derisa vdiq në korrik 2005. Por, edhe për pesë vite të tjera “jetoi” Tafa, personazhi i krijuar nga ai vetë. “Tafë Kusurin” vazhdoi ta botonte, sërish në “Kohën Ditore”, për disa vite pas vdekjes së babait, i biri Rron Qena.

“Rrugëtimi i Agimit ka qenë i vështirë,” e fillon Rroni rrëfimin për babain. “Shumë i ri ka filluar të merret me karikaturë, një profesion që për të qenë i aftë ta bësh, të duhet edhe të lexosh shumë,” thotë ai, duke shpjeguar tutje se si Agimi 20-vjeçar e ka shpikur karakterin e “Tafë Kusurit”.

“Ka qenë një punë prej të cilës edhe mund të krijohej, por edhe ta merrje një rrogë. Ai krijoi emër për vete me stripin e tij dhe ishte në gjendje të përcillte mesazhet e kohës me pak fjalë në mënyrë satirike,” thotë Rroni, duke shtuar se Agimi e kishte në qejf pikturën, por nuk kish si të mbijetonte me pikturë. 

Tutje, Rroni tregon se si edhe ai vetë u fut në botën e stripit dhe e vazhdoi krijesën e babait. “Pas vdekjes së Agimit, mbasi unë isha si trashëgimtari i tij, e për shkak se isha edhe nxënës i tij gjatë studimeve të vizatimit dhe pikturës, tentova ta vazhdoja “Tafë Kusurin” në “Kohë Ditore” dhe punova për pesë vjet duke dashur t’i qëndroj sa më besnik vijës së Agimit,” thotë ai, duke treguar se si më pas nuk kishte dëshirë të vazhdonte më tej.

Fragment nga “Tafë Kusuri” i Agim Qenës.

“Më pengonte fakti se duhet t’i lexoja gazetat edhe t’i dëgjoja për çdo ditë budallakitë që i flasin politikanët. Kjo disi më rëndonte shpirtërisht. Në krahasim me pikturën, stripi më dukej punë e vështirë,” rrëfen Rroni, duke i kujtuar fjalët që Agimi ia thoshte kur ky ish akoma i vogël.

“Më thoshte puno në pikturë. Më thoshte se është ‘bukë e hidhur’ por se ke shumë talent. Më thoshte me karikaturë mos u merr,” kujton sot Rroni, duke shtuar se babai i tij e dinte që është një barrë e rëndë që të krijosh për çdo ditë diçka aktuale.

Kur flet për kulturën e të lexuarit të stripit në Kosovë, Rron Qena thotë se shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur kulturë të stripit. “Për fat e kemi pasur Agim Qenën që ka krijuar strip të shkurtër, por jo dikë që ka tentuar të krijojë diçka më të gjatë. Në vitet ‘90 kemi filluar të lexojmë stripa nga e gjithë bota, për shkak të serbëve që i përkthenin dhe atëherë së paku qytetarët e qyteteve kanë lexuar stripa.”

“Një imazh vlen më shumë se një mijë fjalë”

Gani Jakupi është një tjetër pionier i stripave në gjuhën shqipe. Jakupi thotë se faqen e parë të stripit e ka realizuar kur ishte tetë vjeç. E si trembëdhjetëvjeçar e ka vizatuar një storje trifaqëshe që ishte botuar në revistën për fëmijë, “Pionieri”.

Jakupi thotë se frymëzimi i tij ka filluar që para se të ballafaqohej me stripa.

“Kam lindur në një katund të Gollakut dhe zbulimi i vetë imazhit ka qenë detonues i interesit tim për art në përgjithësi. Ende para se të hyja në shkollë fillore, kam mësuar të lexoja si autodidakt, përmes stripit. Njëkohësisht e kam mësuar serbo-kroatishten, në të cilën asokohe gjindeshin të vetmet botime të këtij zhanri,” thotë ai, duke thënë se para tij ka pas ekzistuar vetëm një vizatues stripi, Ramadan Zaplluzha, por se botimet e tij ishin “të rralla dhe amatoreske”.

Fragment nga “Lirimi” i Ramadan Zaplluzhës.

Duke folur për rëndësinë e stripit, Jakupi thotë se gjashtëqind vjet para epokës sonë, Confucius ka thënë se “një imazh vlen më shumë se një mijë fjalë” dhe se, sipas tij, ky ka qenë pohim arbitrar.

“Me siguri e ka pasur parasysh se diskursi verbal duhet të dekodifikohet para se të bëhet i kuptueshëm – fjala mund të shprehë nocione kundërthënëse varësisht nga konteksti, por edhe nga kultura,” thotë Jakupi.

“Vizualja komunikon drejtpërdrejt me trurin tonë, duke e furnizuar me një mori të pafundme informatash. Ka proza që janë kuptimisht po aq ose më të pasura sesa veprat vizuale. Poezia mund ta ngjallë imagjinatën edhe më shumë se grafizmi,” thotë ai, por shton se arti pamor e kërkon një sforcim interpretues të konsiderueshëm nga lexuesi, ndërsa imazhi komunikon në mënyrë të menjëhershme me çdo person.

Gjatë adoleshencës, Jakupi ka botuar stripa pothuajse në të gjitha mediat që kanë ekzistuar asokohe në Kosovë, kurse më vonë edhe nëpër republikat e ndryshme jugosllave.

Rrëfimi me imazh mund të shërbejë si armë propagandistike, si mjet edukativ ose si mjet dëfryes, thotë Jakupi. Ai shpjegon se historia e artit perëndimor e ka burimin në nevojën e kristianizmit për t’ia bërë të kuptueshëm mesazhin religjioz turmave të pakultivuara.

 “Sovjetikët e kanë potencuar industrinë filmike si industri të propagandës, kurse Hollywood-i ia ka shitur The American Way of Life popullatës së vet e pastaj edhe krejt botës,” shton ai.

Kur flet specifikisht për stripin, Jakupi thotë se stripi e gjen vendin në këtë konfiguracion si zhanër më dinamik sesa piktura dhe ekonomikisht është më i kapshëm sesa filmi. “Për dallim nga regjimet e tjera komuniste, të cilat i janë frikësuar stripit si bartës eventual i vlerave demokratike ose perëndimore, Kina e Mao-s e ka potencuar këtë art me të njëjtat qëllime si kisha mesjetare: për t’ia imponuar ideologjinë e vet masave gjysmë të shkolluara,” thotë Jakupi.

Gani Jakupi që nga fundi i viteve ‘70 ka filluar të vizitojë vendet perëndimore dhe qëndrimet e tij jashtë vendit bëheshin gradualisht më të gjata. “Ndër vite kam udhëtuar nëpër Evropë, kryesisht me autostop, derisa jam vendosur në mënyrë më stabile në Paris. Pas një periudhe të gjatë jam zhvendosur në qytetin jugor, Toulouse, e më vonë kam kaluar në Barcelonë, ku jetoj edhe tash.”

Gjatë adoleshencës, Jakupi ka botuar stripa pothuajse në të gjitha mediat që kanë ekzistuar asokohe në Kosovë, kurse më vonë edhe nëpër republikat e ndryshme jugosllave. Në Francë iu desh t’ia niste prapë nga niveli amator.

“Kam botuar ilustrime, disa storje të shkurtra nëpër fanzine, derisa ia dola ta plasoja serinë “Matador” (Glénat 1991-1994) me tri vëllime, ku pos meje si skenarist ishte edhe vizatuesi francez, Hugues Labiano,” thotë ai.

Fatkeqsisht, përkundër suksesit para publikut dhe kritikës, ai ra në konflikt me editorin, i cili pohonte se stili i tij ishte më afër letërsisë së mirëfilltë sesa asaj thjesht dëfryese.

“Në njëfarë mënyre isha tepër para kohës; qasja ime i përgjigjej më tepër zhanrit graphic novel”, thotë ai. “Mbas disa kontakteve me botues të tjerë që e çmonin punën time, ku projektet dështuan për arsye rrethanore, vendosa t’i dedikohesah lëmive të tjera: ilustrimit, dizajnit, fotografisë, përkthimit, gazetarisë.” 

Kur Jakupi iu kthye tregut franko-belg të stripit, zhanri i romanit grafik tashmë e kishte pushtuar publikun dhe aty e gjeti plotësisht veten.

“Që nga 2009-shi punoj për shtëpitë botuese më prestigjoze, gjë që më jep mundësinë të realizoj projekte të cilat s’kisha guxuar as t’i ëndërroja më parë,” thotë ai dhe shton se vepra e tij, “El Comandante Yankee”, është shembull i mirë sepse, siç thotë ai, askush nuk do të mund t’i qasej një projekti aq voluminoz, përpos shtëpisë “Dupuis”, e cila është pjesë e grupit botues më të madh evropian, “Média-Participations”.

Jakupi punon gjatë në projekte. Më shumë kohë kalon në mbledhjen e dokumentacionit dhe në konceptim sesa në vetë realizimin përfundimtar.

“Kohëve të fundit metoda ime e punës implikon edhe intervista e hulumtime personale, kështu që kjo e zgjat edhe më shumë procesin” thotë Jakupi. “Nuk është ilustrative, sepse është rast sui generis, jo vetëm në karrierën time, por edhe në historinë e zhanrit. Ia vlen të theksohet se realizimi i romanit grafik ‘El Comandante Yankee’ ka zgjatë mbi dymbëdhjetë vjet,”

 Hulumtimet e Jakupit janë botuar në një libër të posaçëm, “Enquête sur el Comandante Yankee” (La Table Ronde, 2019).

Fragment nga “Toni” i Gani Jakupit

Ndonëse jashtë vendit, Gani Jakupi nuk e ka ndaluar angazhimin për subkulturën e stripit edhe në Kosovë.

 Në maj 2019, në bashkëpunim me Jeton Nezirajn dhe Agron Bajramin, Jakupi e organizoi festivalin e parë ndërkombëtar të romanit grafik, ‘GRAN Fest’. “Kemi sjellë tetë autorë nga vendet e ndryshme të botës, e kemi organizuar ekspozitën e një seleksioni të punimeve të tyre dhe e kemi përkthyer e botuar veprën e mysafirit amerikan, Tom Kaczynski,” thotë ai.

Jakupi shpjegon se kjo ka qenë një mënyrë për t’ia prezentuar publikut kosovar një spektër sa më të gjerë të stileve të ndryshme bashkëkohore.

Pas përfundimit të festivalit, Jakupi u kthye në Barcelonë ku e priste promovimi i librave të tij. Ai thotë se ai nuk mund ta gjykojë ndikimin e “GRAN Fest”-it tek publiku kosovar, por thotë se reagimet e para kanë qenë shumë inkurajuese.

“Besoj se me vazhdimin eventual të festivalit, me botimin e më shumë realizimeve autoktone dhe me përkthimin e veprave cilësore nga autorët ndërkombëtarë, as interesimi nuk do të mungojë,” thotë ai në fund, duke shtuar se kjo kërkon angazhim e punë, si dhe mbështetje nga institucionet vendore.

The Pimpsons

Fisnik Ismaili, pos që njihet si veteran lufte, biznesmen, dizajner e politikan, njihet edhe si autor e si adhurues i stripit.

Ai kujton se qysh shumë i vogël ka filluar të ketë interesim për stripat.

“E kam ditur serbokroatishten, kështu që kur na binte në dorë ndonjë strip, s’e linim pa e lexuar,” thotë Ismaili. “Ka pasur edhe pjesë të gazetave, por edhe botime të veçanta. Mbase kanë qenë nja 15-16 botime të veçanta. Kanë qenë të Beogradit, Zagrebit dhe të Sarajevës. Në gjuhën shqipe s’ka pasur,” thotë dhe kujton se edhe stripa në gjuhë të huaja ka pasur pak, “kryesisht kanë qenë të ‘Panini’-t dhe ka qenë një botues tjetër.”

Teksa kthehet në fëmijëri, Ismaili e kujton se ka qenë një revistë, “Politikin Zabavnik”, që ka qenë suplement gjatë të premteve i ditores beogradase “Politika”. “Zabavnik”, që në shqip do të thotë “Argëtuesi”, ishte revistë për fëmijë, por Ismaili kujton se në fakt ka pasur lloj-lloj tregimesh dhe stripash.

“Në mes e ke pasur një sci-fi story. Aty ka qenë hera e parë ku jam njohur me fantashkencën. P.sh. aty kam mësuar për Arthur Clarke-un. Pastaj i ke pasur zbulimet më të reja shkencore, kuriozitetet në faqen e dytë, pyetjet të cilave u përgjigjeshin shkencëtarët dhe – nëse nuk gaboj – në faqen e tretë e ka pasur një strip 2-3 faqësh i cili, sa e mbaj në mend, ka qenë ‘Mickey Mouse’. Në fund e ka pasur ‘Hägar the Horrible’, ‘Donald Duck’ dhe ‘Dennis the Menace’,” thotë Ismaili duke e kujtuar se si aty ka nisur të lexonte stripa.

“Më kujtohet se gjyshi im në Mitrovicë i mblidhte ‘Zabavnik’-at. Aty ke pasur tekste edhe për më të rritur edhe për fëmijë. Ka qenë kombinim perfekt. Ka pasur edhe këtu te ne ndonjë tentim që të bëhet diçka si ‘Zabavnik’-u, por nuk ka mundur askush. Me të vërtetë, prej ‘Zabavnik’-ave kam mësuar shumë. Kur shkoja unë në Mitrovicë, kënaqesha sepse ai [gjyshi] e ka pasur një koleksion të tyre. Ka pasur numra të vjetër. Ndoshta e ka pasur ndonjë numër të viteve pa lindur unë. Unë i pata lexuar krejt me rend,” kujton Ismaili.

“Pastaj kam kaluar edhe në disa stripa të tjerë që botoheshin më vete. P.sh. ‘Zagor’-in e kam pasur të preferuar.  Po ashtu e kam lexuar ‘Captain Miki’-n, ‘Comandante Mark’-un, ‘Mister No’-në, ‘Modesty Blaise’-in, ‘Mandrake’-un, disa stripa western, etj.,” thotë Ismaili dhe e bart rrëfimin më vonë, kur motra e tij u dashurua me një fqinj dhe shok të tyrin.

“Ai e ka pasur një koleksion me katër paketa të mëdha me nja 2000 stripa. Kur nisi të kalonte me motrën time, ai m’i fali krejt ato. Ato i kam mbajtur në bodrum,” rrëfen Ismaili.

Pastaj, në vitin 1991 Ismaili u detyrua ta lëshonte Kosovën, shkoi në Angli dhe më pas nuk lexoi stripa si më parë. “Po ashtu, ka qenë ajo periudhë kur teknologjia – me daljen e internetit ose ‘Play Station’-it – e mbyti stripin. Edhe këtu pastaj u zhduk gati krejt kultura e stripit,” thotë ai dhe shton se me sa e mban në mend, më nuk shiteshin stripa as në gjuhën serbo-kroate në Kosovë.

Ismaili është dizajner dhe thotë se vizatimin gjithmonë e ka pasur pasion.

“Nuk është që e kam parë stripin si diçka që dua ta praktikoj vetë. Ndoshta si skenarist i stripit do të kisha qenë më i mirë. S’kam qenë vizatues i mirë, edhe pse jam dizajner, por kam qenë shkrues i mirë,” thotë ai.

Stripi ka qenë në fakt arsyeja pse ai ishte kthyer prej Anglisë.

“Bashkë me Shkumbin Brestovcin e patëm themeluar Shtëpinë Botuese ‘Rrota’ dhe i patëm blerë të drejtat prej ‘Marvel Comics’. Ne i blemë të drejtat për botimin në gjuhën shqipe të ‘Spiderman’-it, ‘X-Men’-it dhe ‘Alan Ford’-in. Po ashtu, prej një tjetër botuesi italian i patëm blerë të drejtat për ‘Martin Mystère’-in, ndonëse nuk arritëm ta bëjmë asnjë botim të këtij të fundit,” thotë ai dhe shpjegon se në periudhën 2003-04 i kanë nxjerrë shtatë botime: dy “Alan Ford”, dy “X-Men” dhe tre “Spiderman”.

Por, kjo punë nuk vajti lehtë.

“Ne nuk e hulumtuam tregun aq mirë. Thjesht e kemi bërë prej dashnie e prej zemre. Madje e kam bërë tatuazh në këmbë logon e ‘Spiderman’-it kur u pata kthyer në Kosovë [Qesh].

Këto botimet e ‘Marvel’-it i botonim si 32 faqëshe me ngjyra. Ne e blenim edhe art work-un e kjo të kushtonte ‘një dreq e gjysmë’ – 500 euro një numër kushtonte me ble,” kujton Ismaili dhe thotë se botimet i shitnin 2 euro copën dhe i printonin 4 mijë copë.

“Pra, duhej t’i shisnim dy mijë copë për t’i mbuluar shpenzimet tona. Distribuimin e bënte ‘Rilindja’. Por, për shkak të vendosjes së dobët dhe dëmtimit nëpër kiosqe, por edhe mungesës së interesimit, ne nuk ia dilnim t’i shisnim as nga dy mijë copë.”

Por, kjo nuk ishte tentativa e fundit e Ismailit për të bërë stripa. Në fakt, e radhës do të ishte me një formë tjetër stripi – atij online, ku Ismaili bëri bujë me serinë e tij grafike, “The Pimpsons”.

Më vinin më vonë edhe informata nga burime të besueshme për afera, skandale, mangupllëqe, etj. E, kur e vlerësoja se ka interes për publikun, unë e botoja.

Fisnik Ismaili

“Më 2011, pasi u kyça në politikë, e sulmonim qeverinë, korrupsionin, etj. Unë u pata inspiruar në ditën kur u zgjodh presidente Atifete Jahjaga. Duke i shikuar lajmet, doli në televizion një set-up që mua m’u duk tepër absurd. Ishte aty Christopher Dell, ambasadori i atëhershëm amerikan, që e kishte ‘nxjerrë prej zarfi’ Atifeten. Por edhe Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli… i kish bo bashkë krejt. Ajo fotografi më ngeli në kokë. Dell-i më dukej si personazh i ‘The Simpsons’. Pastaj me personazhin Mr Burns të atij seriali gjithmonë është bërë hajgare se duket sikur Isa Mustafa,” kujton ai, duke e vazhduar rrëfimin se si lindën “The Pimpsons”.

“Shkoj unë në shpi dhe filloj e rregulloj Isën [Mustafën], Dell-in… Pastaj e gjeta një personazh episodik që duket si Schwarzenegger-i. Një farë ‘zhville’. E gjeta në uniformë, dukej si Hashim Thaçi”.

Ai pastaj gjeti shumë personazhe të ‘Simpsons’ që dukeshin si politikanët tonë.

“Disa, si p.sh. Albin Kurtin, i kam vizatuar krejt vetë,” kujton ai sot dhe thotë se e postoi vetëm një episodë sa për shaka. Pastaj, kjo u prit mirë. Njerëzve u pëlqente. Kërkonin të dilte edhe episodi i dytë.

“E, kështu doli edhe i dyti, i treti, i katërti… Çdo ditë e nxirrja nga një, ku secila ish më thumbuese se tjetra. Më vinin më vonë edhe informata nga burime të besueshme për afera, skandale, mangupllëqe, etj. E, kur e vlerësoja se ka interes për publikun, unë e botoja,” tregon ai.

Për këtë fenomen “Al Jazeera” e pati intervistuar Ismailin. Po ashtu, ai kujton edhe se si “MPR pati thënë – po e parafrazoj – se ky është versioni i vizatuar i ‘The Daily Show’-it të John Stewart-it.”

“Kjo vazhdoi një vit ose pak më shumë. U bë shumë e popullarizuar. I morëm nja 20 mijë likes në Facebook. 20 mijë likes edhe sot janë shumë, se mos të flasim për 2010-n.”

Ai shpjegon se si më vonë është munduar ta ringrejë projektin, por kishte dështuar për shkak të mungesës së kohës dhe sepse nuk i sillte asnjë përfitim.  

“Pastaj u munduam ta ngritim ‘Banalisti’-n, i cili ka qenë po ashtu një strip, të cilin e vizatonim me Vigan Kadën, një ilustrues. Ne mendonim edhe ta shisnim. E hapëm faqen në Facebook. E inkuadruam edhe një lloj loje si flash ku ti vetë mund ta gjeneroje stripin tënd. Por, nuk ‘dhezi’ dhe na merrte shumë kohë e resurse, ndërkohë që nuk kishim të ardhura prej saj,” kujton sot Ismaili.

Novelat grafike me subjekt historike

Pos revistave, shtojcave ose rubrikave nëpër gazeta, stripi është botuar edhe përmes librave të veçantë. Në vitin 2003 Shtëpia Botuese “Rrota” nxori disa botime, kurse në vitet 2006-2007 Shtëpia Botuese “Rrokullia” në bashkëpunim me gazetën “Express” nxori një seri prej dhjetë librash biografikë, historikë, sociologjikë e filozofikë në formë stripi dhe në dialektin gegë.

Në mars të këtij viti u botua një roman grafik, “Dimri i gjatë i vitit 1945: Tivari”, shkruar nga Anna Di Lellio dhe ilustruar nga Dardan Luta, i cili si strumbullar ka Masakrën e Tivarit të vitit 1945, ku qindra partizanë kosovarë u vranë nga eprorët e tyre jugosllavë.

Luta tha se deri më tani ka pasur interesim mjaft të madh. “Vëmendje e madhe iu kushtua edhe nga mediat vendore; jo për arsyen që është novela e parë grafike në këtë format, por për tematikën e shtjelluar të ngjarjes, e cila ka qenë e heshtur për një kohë kaq të gjatë,” thotë Luta.

Ai thotë se angazhimi i tij si ilustrator për këtë novelë grafike ka filluar me konceptin të cilin e ka pasur Di Lellio para dy viteve.

“Koncepti fillestar i saj ka përfshirë disa ngjarje të asaj kohe dhe njëra ndër to ka qenë rekrutimi i dhunshëm i shqiptarëve dhe marshuta e tyre përmes bjeshkëve të Shqipërisë deri në Tivar, ku dhe ka ndodhur masakra,” thotë Luta, duke cekur se, pas një periudhe të hulumtimit, ata vendosën që e gjithë storja t’i kushtohet kësaj ngjarjeje dhe mos të tejkalohet sipërfaqësisht, siç kishte ndodhur gjer më sot. “Sot e kemi një rrëfim edhe në versionin vizuel që shërben edhe për grupmoshat e tjera që interesohen për këtë ngjarje.”

Fragment nga “Dimri i gjatë i vitit 1945: Tivari” i Anna Di Lellios & Dardan Lutës.

Kur flet për dallimin mes narracionit vizual dhe atij letrar, ai thotë se kemi lexues që e preferojnë vetëm narrativin sepse kjo u lejon që me imagjinatën e tyre ta pikturojnë rrëfimin, ndërsa “të tjerët preferojnë stripin sepse vë në pah emocionet e personazheve, ambientin, kostumet, etj., pra e servon tregimin ashtu siç është, duke mos lënë hapësirë për dyshime të tjera përveç asaj që autori ka vendosur të paraqesë.”

Sa i përket perspektivës së këtij zhanri, Luta është optimist.

“Novela grafike e ka një të ardhme të mirë botërisht pasi që shihet se ka pasur një rikthim kohëve të fundit. Gjithashtu shpresoj që edhe ne ta ndjekim këtë trend duke marrë parasysh se kemi shumë gjëra për t’i thënë e shumë tregime për t’i rrëfyer,” thotë Luta, duke shtuar se gjeneratat e ardhshme do ta kenë një pasqyrë më të qartë të të kaluarës, duke e lexuar atë në mënyrë vizuele, si në këtë rast përmes stripit.

Në fillim të këtij viti, gjegjësisht në shkurt, u botua edhe një tjetër novelë grafike me subjekt ngjarjet historike. Por, kësaj radhe një ngjarje nga historia më e re e Kosovës – lufta e Adem Jasharit dhe familjes së tij kundër policisë serbe në mars 1998.

Bujar Qeriqi, autor i novelës grafike “Legjenda”, tha se duke parë që gjenerata e re kishte interesim që jo vetëm përmes leximit, por edhe përmes ilustrimeve ta njohë më mirë historinë tonë të re dhe duke parë që kinomatografia jonë ende nuk e ka realizuar një film për Adem Jasharin, ai e pa të nevojshme që në mënyrë vizuele ta realizonte një novelë grafike, për të cilin ai thotë se ishte i pari i këtij zhanri në Kosovë.

“‘Legjenda’ i dedikohet kryesisht nxënësve por edhe të rriturve”, thotë ai.

Fragment nga “Legjenda” e Bujar Qeriqit.

Qeriqi thotë se nuk beson që interesimi për librin e tij vjen për shkak të zhanrit, por për shkak të temës. “Ka mungesë të traditës për këta libra dhe sigurisht të jesh pionier në këtë fushë është e vështirë,” thotë ai dhe përmend edhe vështirësitë e të shkruarit në këtë zhanër, me ç’gjë ai mundohet t’i gjejë arsyet për numrin e vogël të autorëve të stripave dhe novelave grafike.

“Të jesh autor stripi nuk është e lehtë. Sepse stripi ka shumë specifika që duhet të kompozohen mes vete dhe më e rëndësishmja është që stripi të jetë unik dhe origjinal.”

Interesimi për këtë zhanër

Libraria më e madhe në Prishtinë “Dukagjini” pohon se interesimi për stripa dhe manga është i madh dhe se ky zhanër preferohet nga mosha të ndryshme.

“Kërkohen animat ose comic books nga “Marvel”-i që janë për fëmijët e moshës 10 vjeçare, por edhe të rriturit kanë një interesim shumë të madh”, tha një nga të punësuarit aty.

Në këtë librari thanë se pasi që vetëm kohën e fundit kemi pasur disa lloje të ndryshme të stripave në gjuhën shqipe, lexuesit ende janë duke u njoftuar me autorët dhe me stilin e tyre të shkruarit në këtë formë në gjuhën shqipe.

Edon Zeneli nga libraria “Buzuku” thotë se para më shumë se një dekade më parë (ri)filluan të ofronin stripa në librari, sidomos llojin e stripave japonezë – manga.

 “Për çudinë tonë, ka një komunitet të mbi një mijë të rinjve në Kosovë që janë të interesuar për këtë kategori të librave. Nëse e shprehim në përqindje, pesë përqind e realizimit të shitjeve bëhet nga kjo natyrë e librave. Konsiderojmë që do të vazhdojë të rritet interesimi dhe shitja,” thotë ai, duke gjetur arsyet sidomos tek ekranizimet e kompanisë “Marvel”, e cila ka ndikuar edhe në shitjen e stripave.

 “Në Francë ta zëmë, kategoria e librave të tillë vjen menjëherë pas letërsisë. Në Amerikë është biznes miliardësh. Te ne, kuptohet, është ende në hapat e parë,” thotë Zeneli.

Zeneli thotë se ka pak interesim për këta libra në librarinë e tij dhe ato që kërkohen, shumica janë në gjuhën angleze. Sipas tij, shpjegimi qëndron te fakti që ky lloj i librit nuk ka traditë botimi në gjuhën shqipe dhe rrjedhimisht edhe interesimi për të është ende i vogël.

“Shto faktin që autorët shqiptarë kërkohen mjaft pak, krahasuar me autorët e huaj dhe kështu e kuptojmë pse në fakt nuk shiten sa do të duhej,” thotë ai, duke sugjeruar se, në mënyrë që këta libra të shiten më shumë, do të duhej të mbaheshin enkas promovime, të promovoheshin në panaire ose të ekspozoheshin në ngjarje kulturore si “Dokufest”.

Vetë Zeneli thekson rëndësinë e këtij zhanri.

“Një nga librat më të dashur për mua, “Persepolis”, është libër që ka pasur sukses të madh në tregun botëror dhe është i shkruar në formë të stripit. Çfarë do të doja të përmendja këtu është rëndësia që kanë këta libra te leximi si kulturë tek të rinjtë dhe zhvillimi i inteligjencës te fëmijët që i lexojnë,” tha ai.

Foto kryesore: Agim Qena, “Tafë Kusuri.”

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 13 Sep 2019 - 19:58 Abedini:

    Berja e nje shkrimi per ”historikun”e te shkruarit te “Stripit” ,qe si zhaner i shkrimit autorial nuk eshte edhe aq i popullarizuar tek ne , shume pak eshte i njohur per publikun e gjere. Autori ,Fitimi,duhet pershendetur dhe inkurajuar per t’vazhduar per shkrime te tilla te te njejtes natyre.Suksese!

KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.