Blogbox | Zgjedhjet 2017 | Korrupsioni

Bëje votën tënde që të vlejë në luftën kundër korrupsionit

Nga - 07.06.2017

Ka ardhur koha për të kërkuar fundin e praktikave të korruptuara që mbajnë Kosovën mbrapa.

Debatet politike dhe diskutimet e nxehta janë duke ndodhur çdo ditë, derisa Kosova po mirëpret zgjedhjet e parakohshme parlamentare këtë vit. Përderisa partitë politike janë të angazhuara në shpërndarjen e premtimeve joreale në një anë, analistët politik në anën tjetër mundohen të zgjedhin më te përshtatshmen parti për pozitë, derisa janë votuesit ata të cilët mbesin me dilemën nëse votimi i tyre do të shkojë në favor të tyre.

Derisa unë përpiqem të kuptoj votuesin racional, ju nxis të mendoni në mënyrë kritike dhe të plotë për këtë kohë kritike në të cilën po jetojmë. Siç ka thënë edhe Franklin Pierce Adams, “zgjedhjet fitohen nga burrat dhe gratë kryesisht sepse shumica e njerëzve votojnë kundër dikujt e jo për dikë”. Ka ardhur koha që ju të jepni votën tuaj për dikë që vërtet e besoni, për ato politika dhe programe që ju përfaqësojnë juve si qytetarë të Kosovës dhe jo elitën politike të korruptuar .

Është gati natyrale të mendohet për korrupsionin kur mendojmë për zgjedhjet në Kosovë. Individë të caktuar me agjendat e tyre mund të shtrembërojnë votimin, ofrojnë donacione të mëdha për partitë politike apo në situatat më të rënda partitë apo kandidatët mund të blejnë vota në vend se t’i fitojnë ato. Në përgjithësi, pra ju mund ta shihni perspektivën e gjerë, interesin politik dhe qëndrimi në pushtet gjithmonë vije në vend të parë ndërsa interesi publik vie në vend të dytë.

Dhe për më shumë se 10 vite ende nuk kemi mësuar që ne, populli, kemi fuqinë për të ndryshuar këtë!

Megjithatë, politikanët mundohen të argumentojnë të kundertën dhe të manipulojnë publikun që të mendojë se nuk ka vend për liderë të korruptuar. Por le t’i shikojmë faktet.

Për 10 vite me radhë korrupsioni vazhdon të lulëzoj në sektorin publik dhe atë privat. Sistemi gjyqësor konsiderohet të jetë institucioni publik më i korruptuar në Kosovë.

Për 10 vite me radhë kompanitë ndeshen me korrupsion kur kanë të bëjnë me shërbimet publike dhe raportojnë se në disa raste kërkohet ryshfet kur pranojnë shërbime publike. Administrata e doganës paraqet një rrezik të lartë për korrupsion për kompanitë e huaja pavarësisht përpjekjeve për të minimizuar këtë dukuri.

Për 10 vite me radhë korrupsioni ka dëmtuar sektorin e shëndetësisë në Kosovë.

Për 10 vite me radhë korrupsioni ka ndodhur edhe në shkolla publike dhe universitete.

Dhe për më shumë se 10 vite ende nuk kemi mësuar që ne, populli,  kemi fuqinë për të ndryshuar këtë!

Sipas Raportit të Komisionit Europian 2015, Kosova ka një legjislacion të fortë kundër korrupsionit por autoritetet nuk kanë qenë të suksesshme në hetimin, ndjekjen dhe kapjen e individëve të korruptuar. Lidhjet sociale në mes të politikanëve dhe anëtarëve të partive në Kosovë janë gati të pathyeshme. Frika për të raportuar një kolegë është më e lartë se sa frika e kapjes në akt. Të gjitha këto dëmtojnë vullnetin politik për të implementuar legjislacionin kundër korrupsionit dhe në fund ndjekjen penale të politikanëve të korruptuar. Për më tepër, korrupsioni është bërë normë në institucionet tona publike. Këto norma diktojnë deri në çfarë niveli individët perfshihen dhe presin prej tjerëve perfshirje në korrupsion, nepotizëm apo akte tjera ilegale. Një fakt alarmues është që kjo lloj sjellje pothuajse është institucionalizuar ku interesi privat dominon ate publik dhe dikton politikat dhe politikën .

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme nga shoqëria civile për të ngritur vetëdijen në lidhje me korrupsionin, ende mbetet shumëçka me të cilën duhet përballur. Organizata të ndryshme joqeveritare shihen me shumë në përpjekje për te kapur fonde nga komuniteti ndërkombëtar derisa qeveria shpërfillë aktivitetet e tyre. Mungesa e bashkëpunimit në mes të qeverisë dhe shoqërisë civile, veçanërisht në përpjekjet anti-korrupsion e ka vështirësuar informimin dhe edukimin e mirëfilltë të qytetarëve për çështje të tilla. Megjithëse është bërë një punë e madhe nga organizatat e ndryshme në Kosovë për të adresuar çështjen e korrupsionit, ende ka mbetur shumë për tu bërë. Mirëpo, me votën e menduar mirë, organizatat mund të mbështeten në vullnetin e rëndësishëm politik jo vetëm që të flitet hapur për korrupsionin por edhe në inkurajimin e institucioneve publike për të hetuar dhe ndjekur rastet e korrupsionit.

Politikanët në Kosovë kanë pranuar se lufta kundër korrupsionit jo vetëm që është një kauzë fisnike por është edhe një kauzë që mund të shërbejë në zgjedhjen e tyre. Andaj është kyçe që ju të lexoni retorikën politike të kandidatëve, hulumtoni planet e tyre anti-korrupsion dhe të angazhoheni në diskutimet e tyre.

Duke qenë se korrupsioni është një proces shumë i komplikuar po aq i komplikuar është edhe procesi anti-korrupsion. Nuk mund thjeshtë të presim që një dorë e padukshme do të gjejë kuren për këte “kancer”. Madje edhe zgjedhja e kandidatëve të duhur për të ju përfaqësuar në këto zgjedhje mund të mos jetë zgjidhje e kësaj çështje duke pasur parasysh kompleksitetin e saj. Por, sidoqoftë mund të krijojë një vullnet të sinqertë politik që jo vetëm do të implementojë plotësisht legjislacionin kundër korrupsionit por të sjellë edhe mekanizma inovativ në parandalimin e saj.

Detyra jonë si qytetarë të Kosovës tani është të sfidojmë korrupsionin dhe të insistojmë për një qeveri të përgjegjshme dhe transparente. Siç ka thënë Joe Biden, “luftimi i korrupsionit nuk është vetëm qeverisje e mire, është edhe patriotizëm”. Më 11 Qershor ushtroni të drejtën tuaj për të votuar dhe mos harroni: korrupsioni dhe kronizmi na mbajnë mbrapa!

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO