majlinda-hoxha-witness-protection-2
Në thelb | Drejtësi

Nën hijen e “X-it”

Nga - 08.11.2016

Kush do t'i mbrojë dëshmitarët për krime lufte në Kosovë?

I shtrin duart përpara, dhe pastaj i kthen në gjoks, me sytë e mbushur me lot dhe me zërin e një gruaje të rraskapitur afër të gjashtëdhjetave. “S’mundem”, thotë ajo, duke lëvizur kokën. Mohimi është e vetmja gjë që ka Ganimete Zogaj kur i kërkohet të flasë për përvojën e saj gjatë kohës kur ajo dhe familja e saj gjashtëanëtarëshe ishin pjesë e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve.

E veja e Agim Zogajt — që njihet më mirë si Dëshmitari X — nuk ka asnjë fije shpresë se rrëfimi i saj do të ketë ndonjë dobi, apo se do të sjellë drejtësinë të cilën po e kërkon tash e pesë vjet, duke mos u pajtuar asnjëherë me të gjeturat zyrtare se bashkëshorti i saj kishte bërë vetëvrasje.

“Kanë kaluar shumë vite dhe askush nuk mund të bëjë asgjë”, thotë ajo duke i ngritur duart dhe duke u larguar nga ballkoni, dhe përsëri ia kris vajit.

Ajo që nuk mund të shmanget kur bisedoni me anatërët e familjes së Agim Zogajt janë shikimet e fqinjëve nga ballkonët e tyre.

“A i keni kushirinj?” pyet një grua bjonde teksa po largohemi. “Po ju pyes sepse një herë erdhi dikush, kështu sikur ju, dhe thanë që janë nga Prishtina dhe po e kërkojnë Agimin, dhe sapo arritën në oborr, atë e qëlluan me armë.” Ajo kujton ditën e 21 qershorit të vitit 2009 kur Agimi, ish-komandant i UÇK-së, u qëllua me armë dhe u plagos në oborrin e tij në periferi të Prizrenit.

E gjithë kjo ndodhi pasi që Agim Zogaj dëshmoi kundër Fatmir Limajt dhe nëntë pjesëtarëve tjerë të UÇK-së të dyshuar për krime të kryera në pjesën e parë të vitit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi të përdorur nga UÇK-ja në fshatin Kleçkë. Në gusht të vitit 2011, duke u bazuar kryesisht në dëshminë e Dëshmitarit X, ndaj tyre fillimisht u ngrit aktakuza për krime kundër popullsisë civile dhe krime kundër të burgosurve të luftës, që njihet si rasti “Kleçka”.

Limaj dy herë u lirua nga akuza nga Gjykata Themelore, dhe pastaj u rigjykua. Procesi gjyqësor zgjati pesë vjet dhe verdikti përfundimtar u mor sivjet kur Gjykata e Apelit e mbështeti vendimin e Gjykatës Themelore, megjithëse Limaj tani përsëri ballafaqohet me akuza të reja për krime në një rast të ndarë; më 28 tetor, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë në lidhje me vrasjen e dy civilëve shqiptarë në Malishevë në vitin 1998.

Në kohën kur gjykimi i parë i Limajt dhe të tjerëve në kuadër të rastit “Kleçka” ishtë në zhvillim e sipër, Agim Zogaj tashmë kishte vdekur. Në shtator të vitit 2011 trupi i tij u gjet në një park në Gjermani, ku ishte dërgar pasi u bë pjesë e programit të mbrojtjes së viktimave për herë të dytë me radhë.

Zogaj dhe familja e tij u bënë pjesë e këtij programi për herë të parë në vitin 2009. Por tmerret nëpër të cilat kishin kaluar pasi ai ishte zbuluar — së pari duke u fshehur për tri javë në Maqedoni për shkak të kërëcnimeve serioze që i ishin bërë, dhe pastaj në izolim në një depo në Ulpianë — e kishin shtyrë Zogajn të tërhiqej nga programi; megjithatë, kur kërcënimet vazhduan, Agimi u kthye në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, por kësaj radhe pa familjen e tij për t’i kursyer më të dashurit e tij nga vuajtja e efekteve të izolimit si rezultat i njohurive që ai i kishte.

extract-from-witness-x-diary

Dëshmia e Agim Zogajt ishte kyçe për prokurorinë në rastin e Limajt dhe nëntë të tjerëve, ndërsa në fund të gjithë u shpallën të pafajshëm.

Disa muaj pasi iu kthye këtij programi, në qershor të vitit 2011 Agimi u gjet pa shenja jete, derisa familja e tij insiston se pyetjet duhet t’i drejtohen rolit të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) pasi që ata dështuan të mbronin atë dhe identitetin e tij; ata janë të bindur se ai u detyrua të bënte vetëvrasje për ta heshtur. “EULEX-i dëshironte që unë të shkoj në botën tjetër edhe para se të fillonte gjykimi, që ata dhe shërbëtorët e tyre të mund të bëjnë ç’të duan”, kishte shkruar Agimi në një letër e cila u bë publike nga familja e tij pas vdekjes së tij, e cila kishte datën 15 shtator 2011 — vetëm 13 ditë para vdekjes së tij.

Kosova dhe misionet ndërkombëtare nuk ia dolën t’i mbronin dëshmitarët

Rasti i Dëshmitarit X njihet si njëri prej rasteve më serioze të dëshmitarëve të mbrojtur për krime të luftës në Kosovë, identiteti i të cilit u zbulua, dhe si dështim i misioneve ndërkombëtare të cilat i kishin këto kompetenca deri në vitin 2011.

Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Kosova vazhdimisht ka dështuar të oftojë mbrojtje dhe siguri për dëshmitarët potencialë dhe për anëtarët e tyre të familjes, edhe në ato pak raste kur dëshmitarët shprehnin interesimin dhe gatishmërinë të dëshmonin në lidhje me krimet e rënda. “Pjesa e madhe e dështimit në këto raste padyshim bie mbi misionet ndërkombëtare në Kosovë siç është UNMIK-u dhe EULEX-i të cilat deri vonë kishin ushtruar kompetenca ekskluzive deri vonë”, said Miftari.

Dështimet e tilla, sipas Miftarit, u panë qartë në rastin e Dëshmitarit X dhe të tjerëve, të cilët e paguan këtë dështim me jetët e tyre. Në vitin 2003 dëshmitari Tahir Zemaj u vra në Pejë, pas dëshmisë së tij në gjykatë kundër një zyrtari të lartë të UÇK-së. Dy dëshmitarët e tjerë në po këtë gjykim, Sadik Musaj dhe Ilir Selmanaj, u vranë gjithashtu. Në vitin 2002 në veturën e një dëshmitari të mbrojtur u gjet një bombë, megjithëse ajo u zbulua para se të shpërthente. Shqetësimet dhe reagimet në lidhje me mungesën e mbrojtjes adekuate për dëshmitarët e mbrojtur në Kosovë janë raportuar vazhdimisht madje edhe nga Komisioni Europian në raportet e progresit.

Tek në vitin 2011 Kosova miratoi Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili parasheh masa të veçanta dhe të menjëhershme, metoda dhe procedura për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të gjykatave më Kosovë për krime të specifikuara.

Vendimi për përfshirjen e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve u bë kompetencë e Komisionit për Mbrojtjen e Viktimave, që përbëhet nga Kryeprokurori i Shtetit si kryetar i Komisionit, kryesuesi i Njësitit të Hetimit të Policisë së Kosovës dhe nga drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Viktimave. Komisioni është përgjegjës për vendime për përfshirjen e një personi të rrezikuar në këtë program, për zgjatjen e qëndrimit në program dhe për përfundimin e programin..

majlinda-hoxha-witnes-protection%ef%80%a2-ehat-miftari-leonora-aliu10-2016-bw-2

Ehat Miftari thotë se dështimet sa i përket masave për mbrojtjen e dëshmitarëve i kanë kushtuar Agim Zogajt (Dëshmitarit X) dhe të tjerëve me jetë.

Por përkundër faktit se Kosova e ka miratuar kornizën ligjore e cila është në përputhje me praktikat dhe standardet ndërkombëtare, zbatimi në praktikë mungon, sipas Miftarit. Në vitin 2015, Prokuroria e Shtetit krijoi Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës; 167 raste që përfshinë 456 persona — 69 prej të cilëve u bartën nga EULEX-i, ku përfshihen 218 persona — pritet të procesohen vetëm nga dy prokurorë specialë. Një prej tyre është prokurorja Drita Hajdari, e cila i tha K2.0 se deri më tani, autoritetet e Kosovës nuk janë marrë me asnjë rast të mbrojtjes së dëshmitarëve.

Frika dhe pasiguria

Problemi me mbrojtjen e dëshmitarëve në rastet e krimeve të luftës, sidomos atyre të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, shihen si një prej arsyeve kryesore për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do ta ketë selinë në Hagë. Në momentin që ajo bëhet plotësisht operacionale — që pritet të ndodhë në muajt në vazhdim — Zyra e Prokurorit Special në Hagë do të mund të marrë përsipër raste ngë Prokuroria e Shtetit e Kosovës që kanë të bëjnë me krime të luftës që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Gjykatësit dhe prokurorët të përfshirë në këto raste kryesisht do të jenë të huaj, por si bazë do ta zbatojnë legjislacionin e Kosovës, meqë krimet e supozuara në fjalë pretendohet të jenë kryer në Kosovë.

Prokurorja Drita Hajdari thotë se në rastet që janë në komptencë të Gjykatës Speciale, mbrojtja e viktimave duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve ndërkombëtare. “Me fjalë të tjera, përgjegjësi e institucioneve të cilat i udhëheqin këto hetime”, tha ajo.

"Dëshmitarët ishin aq të frikësuar dhe të kërcënuar saqë refuzonin të flisnin edhe në lidhje me praninë e UÇK-së në zonat e caktuara."

Carla Del Ponte, 2009

Legjislacioni i cili e rregullon veprimtarinë e Gjykatës Speciale thotë se mbrojtja e dëshmitarëve do të jetë kompetencë e gjykatës dhe e mekanizmave të saj të brendshëm. Sipas Miftarit, kjo do të thotë se institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë nuk do të kenë qasje në informacione apo ndonjë kompetencë tjetër që ja të bëjë me dëshmitarët potencialë të kësaj gjykate.

Megjithatë, Policia e Kosovës thotë se është e gatshme të ndërmarrë veprime sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve të krimeve të luftës të cilat do të procesohen nga Gjykata Speciale, nëse kërkohet një gjë e tillë. “Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e kësaj natyre, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të duhura dhe të nevojshme, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe ligjeve të tjera të zbatueshme në Kosovë”, tha Zyra për Komunikim e Policisë së Kosovës.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që një gjykatë me seli jashtë Kosovës zhvillon gjykime për krime lufte që supozohet se janë kryer në Kosovë. Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY) — i mbështetur nga OKB-ja dhe poashtu me seli në Hagë — ka inicuar një numër rastesh edhe kundër serbëve edhe kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Megjthatë, sipas ish-prokurores Carla Del Ponte, “hetimi i luftëtarëve të UÇK-së dukej të ishte më frustrues nga të gjtha hetimet e zhvilluara nga ky tribunal”.

Del Ponte ishte personi i parë që foli publikisht për frikësimet në raste ku ajo ishte e përfshirë. Në librin e saj “Lady Prosecutor” të vitit 2009 ajo shkruan: “dëshmitarët ishin aq të frikësuar dhe të kërcënuar saqë refuzonin të flisnin edhe në lidhje me praninë e UÇK-së në zonat e caktuara, e lëre më të flisnin për krimet e luftës… Ata të cilët ishin të gatshëm të dëshmonin duhej të transferoheshin bashkë me familjet e tyre në vendet tjera, dhe disa [vende] nuk dëshironin t’i pranonin”. Ajo gjithashtu e kritikoi KFOR-in dhe UNMIK-un që nuk ia dolën të oftonin siguri dhe t’i ndiqnin udhëheqësit kyçë për shkak të frikës, sipas saj, për sigurinë e vetë zyrtarëve të tyre

Në memoaret e saj, por edhe në shumë raporte tjera që janë adresuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Del Ponte e theksonte bindjen e saj të fuqishme se ishte pikërisht frika dhe kërcënimi i dëshmitarëve faktori që seriozisht i dëmtuan verdiktet e Hagës në rastet kundër zyrtarëve të lartë të UÇK-së, siç ishte rasti i Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, të cilët u shpallën të pafajshëm. Sipas saj, shumë dëshmitarë i ndryshuan dëshmitë e tyre gjatë gjykimit, derisa të tjerët ose u zhdukën mistershëm ose u vranë.

Pesë vjet pas vdekjes së Agim Zogajt në park në Gjermani, familja e tij ende s’mund të marrë frymë si duhet nga tragjedia. “Nuk do të shihemi më”, kujton e veja e tij fjalët e fundit që Agimi i kishte thënë para se të kthehej në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Por rasti i Dëshmitarit X është poashtu simbolik, me një numër të pafund dëshmitarësh potencialë të krimeve të luftës të cilët jetojnë nën hijen e tij. Që gjykimet e Gjykatës Speciale dhe ato që do të zhvillohen brenda Kosovës të funksionojnë në mënyrë efikase, mbrojtja adekuate e dëshmitarëve të ndjeshëm nuk duhet të vihet në pyetje.

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO