kosovo-and-the-balkans
Pikëpamje | Protesta

KOSOVA DHE BALLKANI, TË PËRBASHKUAR NË PAKËNAQËSI

Nga - 31.08.2016

Nismat protestuese, qoftë në Kosovë apo edhe më gjerë, duhet të merren me çështjet thelbësore strukturore në shoqëri, konsideron Artan Sadiku.

Kosova është mbase vendi me të kaluarën më të bujshme protestuese në Ballkan. Si pasojë e pozitës gjatë dekadave të fundit në federatën jugosllave, si dhe pakënaqësive që pasuan në shtetin e sapothemeluar, populli i Kosovës shpesh i është rrekur rrugëve si vend i duhur për aksione politike. Protestat e fundit nën slloganin #protestoj, të mobilizuara pas qarkullimit të përgjimeve që dëshmojnë për praktika të korruptuara punësimi të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, mund të shihen si vazhdimësi e traditës së njëjtë politike popullore.

Megjithatë, ka një dallim të theksuar në strategjinë e protestave #protestoj, e ky është kundërshtimi i menjëhershëm liberal ndaj problemit të zbuluar të korrupsionit. Shumica e protestave dhe demonstratave historike që kishin ndodhur në Kosovë ishin të një konteksti të përgatitur mirë, me një kauzë që njihet lehtë, dhe atyre shpeshherë u paraprinin si dhe përcilleshin me shumë vite aktivitetesh të vazhdueshme politike. Fakti që këto protesta akoma nuk kanë arritur ta fitojnë mbështetjen e gjerë popullore vë në pah problemin e kufizimit të strategjive liberale. Shpresa që një fushatë e Facebook-ut dhe një zbulim medial i zyrtarëve të korruptuar do të mjaftojë që njerëzit të protestojnë në rrugë është një keqinterpretim politik i cili zakonisht ndodh brenda sektorit të gjerë të shoqërisë civile.

Pse nuk mjafton zbulimi i praktikave të korruptuara qeveritare? Po kjo pyetje u parashtrua në Maqedoni, ku bisedat e përgjuara zbuluan probleme edhe më të mëdha, nga marrëveshjet e korruptuara shumëmilonëshe, dënimet e kundërshtarëve politikë, burgosjet politike, e deri te manipulimi i rasteve të vrasjeve të ekzekutuara nga sigurimi shtetëror si dhe mashtrimet zgjedhore. Siç duket, në të dy kontekstet, veç zbulimi nuk mjafton.

Nëse dikush dëshiron të futet seriozisht në politikë në këto shtete, ky person duhet të përfshihet në analiza më të thella të shoqërive tona dhe të ndjekë një aktivitet të duhur politik. Marrëdhëniet e supozuara, të krijuara ndërmjet partive politike dhe elektorateve të tyre – duke i kërcënuar njerëzit me humbje të vendeve të punës, duke përdorur propagandë mediale dhe mjete të zakonshme të kërcënimit dhe frikësimit – çuan në korruptim të hatashëm të masave nga ana e partive politike. Këto kushte të vendosura, që në të vëretë krijojnë një grumbull të gjithëmbarshëm politik të një interesi të caktuar, nuk do të eliminohen si rezultat i një thirrjeje të papritur për protestë për shkak të një skandali të korrupsionit.

Macedonia’s ‘Colourful Revolution’ has helped to override strong ethnic divides, but it has also faced its own challenges.

“Revolucioni shumëngjyrësh” maqedonas ka ndihmuar për të zbutur ndarjet e forta etnike, por ai është ballafaquar edhe me sfidat e veta.

Pasoja më e keqe e nismave protestuese të cilat nuk merren me marrëdhëniet ekzistuese strukturore në një shoqëri është se ato bëhen pre e fajësimit të masave me pretendime se ata janë injorantë, të pavetëdijshëm e të pashpresë. Në këtë mënyrë, të shtyrë nga inercioni i pakënaqësisë, ata zënë pozitën elitiste brenda shoqërisë, e kjo i bën dëm vetë motivimit fillestar për një mobilizim popullor. Pa u futur thellë në analiza të shkaqeve sistemore të korrupsionit dhe pa punuar për ndërtimin e strukturave të qëndrueshme për një angazhim të vazhdueshëm politik, nisma #protestoj, ngjajshëm si #colorfulrevolution në Maqedoni, do të përfundojë në frustrime personale në njërën anë, ndërsa në anën tjetër shumë aktivistë do ta fitojnë ndjesinë e “rëndësisë shoqërore” në media sociale, rëndësi e cila në aspektin e njëmendtë politik është baraz me zero.

Në anën tjetër, fati të cilin e gëzojnë protestat e tanishme në Prishtinë është se asnjë parti politike deri më tani nuk ka provuar t’i bashkohet apo ta rrëmbejë kauzën e tyre. Protestat në Maqedoni kanë pasur një dinamikë krejt tjetër. Për dy vite me radhë ka pasur mobilizime të vazhdueshme antiqeveritare të udhëhequra nga organizata politike dhe aktivistë të krahut të majtë, si dhe mobilizim të madh shoqëror që ia ka dalur t’i tejkalojë ndarjet e theksuara politike dhe etnike në vend. Por që nga fillimi, atyre iu është dashur ta luftojnë një opozitë anemike – Unionin Socialdemokrat të Maqedonisë (SDSM) – e cila gjithmonë përpiqet të identifikohet me punën e këtyre strukturave dhe në rastin e fundit provon ta paraqesë veten si udhëheqëse e këtyre lëvizjeve. Për fat të keq, për shkak të madhësisë së strukturave të saj dhe aleancës me nje sektor liberar dhe me skenën joqeveritare në vend, kjo parti shpesh ia ka arritur qëllimit në këto përpjekje.

Në një përpjekje të ngjajshme, opozita në Shqipëri kishte provuar ta merrte përsipër kontrollin mbi çështjen e vendpunimeve vdekjeprurëse në vend. Derisa lëvizja majtiste Organizata Politike përmes aksioneve të saj këmbëngulëse e aktualizoi çështjen e vdekjes së një punëtori të mitur në një deponi jo larg Tiranës, Partia Demokratike (PD), që është në opozitë, nxitoi në organizimin e një ngjarjeje lidhur me po këtë çështje një ditë përpara protestës së paralajmëruar të Organizatës Politike.

Ne da(vi)mo Beograd has sought to protect historic areas of Serbia’s capital from unrestrained redevelopment.

Ne da(vi)mo Beograd ka organizuar protesta për t’i mbrojtur zonat historike të Serbisë nga rindërtimet të pakontrolluara.

Siç duket, protestat në Beograd të organizuara nën slloganin #NeDavimoBeograd janë në pozitë të ngjajshme me ato në Prishtinë. Beteja e tyre për ta ruajtur pjesën vitale të qytetit nga planet megalomane të qeverisë dhe zyrtarëve komunalë, mbetet në nivelin e një reagimi të kufizuar i cili nganjëherë mund të mobilizojë një numër të madh qytetarësh të interesuar, por sfida kyçe mbetet politizimi i këtyre masave pjesëmarrëse si dhe ndërtimi i strukturave të qëndrueshme. Planet e ndërtimit në Beograd kanë padyshim lidhje me interesat e korruptuar të atyre që janë në pushtet; ata ende nuk i kanë “faktet e pamposhtshme” siç i kemi ne në Maqedoni dhe aktivistët në Kosovë, por përvoja ka dëshmuar edhe njëherë se edhe dëshmitë nuk kryejnë punë.

Një ndryshim sistemor, i cili do ta eliminonte burimin e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtet në mesin e elitave ballkanike, do të marrë pak kohë. Ky ndryshim do të kërkojë më shumë punë në organizimin e komuniteteve dhe në ndërtimin e lidhjeve dhe besimit të palëkundur. Ky ndryshim do të ketë nevojë për një strukturë të rrjetëzuar e cila ofton një program të qëndrueshëm social, një program i cili nuk do të bëhet pre e shantazheve, kërcënimeve dhe e propagandës mediale. E gjithë kjo pashmangshëm do të çojë në rishpikjen e një vizioni të ri politik në Ballkan, në të cilin Kosova mund të japë kontribut thelbësor politik.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO