Në thelb | Politika

Popujt që flasin gjuhë të ndryshme e kuptojnë njëri-tjetrin më së miri

Nga - 21.04.2017

Deklarata për gjuhën e përbaskhët ka shkaktuar reagime të ashpra.

“Përgjigja për pyetjen se a flitet e njëjta gjuhë në Bosnje e Hercegovinë, Malin e Zi, Kroaci dhe Serbi  — është pozitive”. Pikërisht kjo fjali, më shumë se gjithçka tjetër në një Deklaratë të shkurtë për gjuhën e përbashkët, e botuar në fund të marsit, shkaktoi një valë të madhe reagimesh në shumë shtete të ish-Jugosllavisë .

Deklarata u bë publike gjatë një serie konferencash të mbajtura si pjesë e projektit  “Gjuhët dhe nacionalizmat”, të drejtuara dhe të financuara nga organizatori i ngjarjeve kultore dhe letrare,  Shoqata Krokodil, dhe nga dega ballkanike e OJQ-së gjermane Forum ZDF, e cila sponsorizon projekte të paqes dhe të pajtimit në mbarë rajonin.

Ata të cilët e mbrojnë Deklaratën dhe vetë idenë e saj besojnë se ajo paraqet përpjekjen e parë serioze drejt mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve që kanë dalur nga shpërbërja e Jugosllavisë .

Shumë shpejtë pasi u bë publike, Deklarata mori mbështetjen e mbi 8,000 njerëzve nga të katër vendet në pyetje; kryesisht akademikë, studijues, gazetarë e punëtorë të kulturës. Ata të cilët e mbrojnë Deklaratën dhe vetë idenë e saj besojnë se ajo paraqet përpjekjen e parë serioze drejt mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve që kanë dalur nga shpërbërja e Jugosllavisë .

Megjithatë, ajo nuk ka marrë mbështetjen e mediave më të mëdha apo të politikanëve të rajonit dhe ka prodhuar reagime nacionaliste tek ata të cilët pretendojnë se Deklarata e vë në pyetje të drejtën e njerëzve të atyre shteteve për ta pasur gjuhën e vet.

Që nga viti 1954 e këtej, gjuha e përdorur anembanë Jugosllavisë njihej si serbokroatishte apo kroatoserbishte. Pas shpërbërjes së Federatës socialiste, koncepti i gjuhës u bë vegël politike dhe ashtu ka mbetur edhe për shumë vjet.

Nacionalistët këmbëngulin se njerëzit në shtetet e pasjugosllavisë flasin gjuhë të ndryshme, dhe se madje kanë nevojë edhe për interpretë, së paku në komunikim zyrtar; në të kaluarën janë bërë disa përpjekje që të përkthehen librat e filmat. Në disa raste, interpretët, detyra primare e të cilëve është të interpretojnë nga një gjuhë në tjetrën, janë angazhuar madje në institucionet publike. Kjo është sidomos e pranishme në Bosnje e Hercegovinë  — shteti më multietnik i ish-Jugosllavisë  — ku institucionet zyrtare janë të detyruara të përkthejnë gjithçka në boshnjakisht, serbisht e kroatisht.

Deklarata për gjuhën e përbashkët u bë në kuadër të një serie konferencash “Gjuhët dhe nacionalizmat” të organizuara në rajon. Foto nga: jezicinacionalizmi.com.

Duke folur në konferencën “Gjuhët dhe nacionalizmat” në Podgoricë, profesoresha e Universitetit të Sarajevës, Hanka Vajzovic, dha një pasqyrë përshkruese të dallimeve ndërmjet këtyre gjuhëve, që, sipas saj, shpesh përkthehen në mënyrë absurde dhe shfrytëzohen sinonimet e panevojshme kur secili e kupton gjuhën shumë mirë: “Për shembull, falë njohjes së këtyre tri varianteve, apo gjuhëve, versioni serb i një teksti të Gazetës Zyrtare përdor fjalën ‘ekzekutim’, fjala kroate e cila përdoret është ‘zbatim’ dhe për të pasur një fjalë të tretë, boshnjake, e cila duhet të dallojë nga dy të tjerat, përdoret fjala e bukur dhe autoktone boshnjake  — ‘implementim’”.

Pasi u bë publike deklarata, një përkthyes nga Bosnja dhe Hercegovina shkroi në profilin e tij në Facebook: “Jam shumë i lumtur kur puna ime është të përkthej në boshnjakisht, serbisht dhe kroatisht, duke fituar trefishin e parave për një punë gati të njëjtë”.   

Politika e gjuhës

Kur reaguan politikanët rajonalë, ata ishin shumë të zëshëm për ta dënuar Deklratën, sidomos në Kroaci e cila po bën çmos për të dëshmuar se ajo fare nuk i takon rajonit. Presidentja e vendit, Kolinda Grabar-Kitarovic, e kundërshtoi debatin mbi gjuhët, duke pretenduar se kjo “është një gjë krejt margjinale e cila as që duhet të diskutohet”. “Njëfarë gjuhe e përbashkët ishte projekt politik i cili vdiq së bashku me ish-Jugosllavinë, dhe ai nuk do të përsëritet kurrë më”, tha presidentja Grabar-Kitarovic.

Në Serbi, politikanët nuk reaguan por pati një sërë komentesh në mediat e mëdha të cilat në masë të madhe kontrollohen nga partitë në pushtet.

Një grup i cili reagoi ishte Komisioni për Gjuhën Serbe, pjesë e Kooperativës Letrare Serbe  (SKZ) — shoqatë që merret me promovimin dhe ruajtjen e kulturës serbe. Ata vendosën të mos e mbështesin Deklaratën, për shkak se, siç thonë ata “qëllimi i saj është të kundërshtohen shkencërisht themelet historike dhe statusi aktual i gjuhës serbe”.

Deklarata thekson se dallimet ndërmjet gjuhëve ekzistuese standarde po krijohen në aspekte kryekëput ideologjike, dhe ajo kërkon liberalizim të rregullave ortografike.

Profesori Enver Kazaz

Reagimet ndaj kësaj Deklarate të përbashkët nga gjuhëtarët e rajonit kanë qenë të llojllojshme, nga kundërshtimi i plotë e deri te mbështetja e madhe. Dr. Milos Kovacevic, profesor në Fakultetin e Filologjisë në Beograd dhe anëtar i Komisionit të Gjuhës Shqipe i SKZ-së, i quajti ata të cilët morën pjesë në përpilimin e kësaj Deklarate si jokompetentë, dhe si të tillë rekomandimet e tyre, tha ai, gjuhëtarët duhet t’i shpërfillin .

Në një deklaratë për media, Kovacevic me plot qortim i akuzonte autorët e Deklaratës se “po e zbulonin ujin e nxehtë” në çështjet për të cilat, sipas tij, pajtohet çdokush. Komisioni pajtohet se të gjithë njerëzit në rajon e flasin të njëjtën gjuhë, duke sugjeruar se “historikisht dhe shkencërisht” gjuha e serbëve quhet serbisht, derisa gjuha letrare e kroatëve, boshnjakëv dhe malazezëve duhet të quhet kroatoserbisht, boshnjakoserbisht, apo malazezoserbisht. “Meqë vetëm serbishtja ka themele gjuhësisht të arsyetueshme, variantet e saj janë gjuhë politike”. shpjegoi Kovacevic.

Profesori Enver Kazaz, nga Fakulteti i Filologjisë në Sarajevë është njëri prej autorëve dhe nënshkruesve të Deklaratës. Ai thekson se ndryshe nga shqetësimet e Kovacevic-it dhe të SKZ-së, autorët e Deklaratës nuk kishin për qëllim ta cënonin vlerën simbolike të gjuhës standarde, por mu të kundërtën: “Deklarata thekson se dallimet ndërmjet gjuhëve ekzistuese standarde po krijohen në aspekte kryekëput ideologjike, dhe ajo kërkon liberalizim të rregullave ortografike”, i tha ai K2.0.

“Kjo do të thotë se çdo mundësi e iluzioneve hegjemoniste të gjuhës serbokroate eliminohet, apo ato iluzione të cilat dëshirojnë të dominojnë karshi standardit tjetër. Variantet e standardit në një gjuhë të përbashkët, policentrike e standarde me të drejtën që ato të quhen në pajtim me vlerat e folësve të tyre, nuk duhen shërbyer si kufi të rreptë ideologjik ndërmjet identieteve kolektive”.

Megjithatë, Dzevad Jahic, profesor i gjuhës boshnjake pranë Fakultetit të Filozofisë në Sarajevë, e hedh poshtë idenë e një gjuhe të përbashkët, duke potencuar se një gjuhë e dallueshme boshnjake ka ekzistuar gjatë gjithë historisë. Pas luftës së fundit, kur gjuha boshnjake zyrtarisht u fut në Bosnje dhe Hercegovinë, ai e përpiloi fjalorin e parë të kësaj gjuhe, një libër të cilin gjuhëtarët dhe një pjesë e publikut e konsiderojnë shumë kundërthënës, duke thënë se ai futi një numër fjalësh arkaike vetëm për t’i argumentuar bindjet e tij.

Jahic e quan Deklaratën për gjuhën e përbashkët një eksperiment i cili, sipas tij, mund të ndodhë vetëm në Bosnje e Hercegovinë. “Kjo [pajtueshmëri se ekziston vetëm një gjuhë] edhe njëherë mund të bëhet në dëm të hapësirës boshnjake — shtetësisë boshnjake; në dëm të çdo gjëje që është autentike në këtë mjedis”, thotë Jahic, duke aluduar në të kaluarën e shekullit të kaluar kur gjuha zyrtare quhej serbokroatisht. Nëse ekziston populli, ai domosdoshmërisht e ka edhe gjuhën e vet, atë nuk e kanë huazuar prej askujt. Rëndom, gjuhët tona kuptohen ndërmjet veti, por e drejta nuk mund t’i merret një populli”.

Ndryshe, gjuhëtari i njohur botëror, Ranko Bugarski — i cili ka lindur në Sarajevë por jeton në Beograd  — konsideron se Deklarata nuk e kërcënon asnjë grup nacional apo gjuhë. Në një intervistë për gazetën beogradase Vreme, ai sugjeron se njerëzit e vetëm të cilët potencialisht janë të rrezikuar nga kjo deklaratë janë “ato qarqe politike dhe individë të cilët e kanë krijuar fuqinë, ndikimin, dhe nganjëherë edhe karrierat politike mbi këto dallime”, dha prandaj kanë qenë të parët që e kanë ngritur zërin.K

Foto kryesore: Majljinda Hodža / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO