Pikëpamje | Demokraci

Republika ka plot kundërshtarë, tani i duhen miq

Nga - 04.10.2016

Nuk ka mungesë të njerëzve që e dëmtojnë Kosovën, por mbrojtësit e saj duhet të ngrisin zërin.

Problemi është kështu.

Kosova, në secilin standard e matje të mundshme, në secilën provë e përgjim të dalur, është e kapur. Është e kapur në prokurori, në gjyqësi, në polici, borde, agjensione, komisione – shtet e pushtet dhe gjithçka që vjen me të. Po qe e ç’kapur një shkallë e gjykatës, është e kapur ajo tjetra. Po qe një polic i drejtë, janë dy eprorë të zhdrejtë. Po qe një zyrtarë i mbarë janë dy kryesues të mbrapshtë. Në kapje, mekanizmat e privilegjit për kryesit dhe drejtuesit e kapjes janë të shpeshtë.

Kapja vjen si rezultat i dy komponentëve të panatyrshëm – dhe të dëmshëm – që sot udhëheqin me Kosovën. Të parët, pjesë e PDK-së, janë të korruptuar; të dytët, pjesë e LDK-së, janë inkopetentë. Të parët s’duan të bëjnë mirë me Republikën – sepse janë të zënë me korrupsion; të dytët s’dinë të bëjnë mirë për Republikën – sepse janë inkopetentë. Në rastin më të keq, këta të dytët, janë në përpjekje dëshpëruese për të gjetur një vend pune për figurat e partisë të papunë (papunësia e tyre në vete thotë shumë për kualitetin e tyre) dhe për rehatime, kryesisht diplomatike, të bijve e bijave që janë sistemuar gjithandej.

Dhe kapja, në formën e deritanishme të shfaqur, përbën, natyrshëm rrezikun më të madh të ekzistencës së Republikës – por jo të vetëm. Në të vërtetë, të atakosh sot Republikën është bërë pjesë e zakonshme e diskursit publik; është bërë trend.

Kapësit dhe inkopetentët e korruptuar me një vend pune bëjnë pjesën e tyre të dëmit. Pjesa tjetër e dëmit vjen nga “Lëvizja Vetëvendosje” e cila nëpërmjet betejës partiake ka kaluar në betejë konceptuale me shtetësinë e Kosovës. Pra, nga mllefi i madh për konkurrentët politik, ka rënë në relacion urrejtje me vet Republikën. Prandaj sot të njëjtit atakojnë gjithçka që shtetësia e Kosovës përfaqëson (ani pse, në rrugë, mundohen ta shfaqin refuzimin paradoksalisht si përpjekje për forcimin e saj). Dhe nuk po flas këtu për atakim simbolesh e himnesh, që shpërfaqen rëndom në secilën paraqitje të tyre apo në secilën thyerje status-quo-je që Republika bën jashtë (sport, kulturë e art), por flas për konceptin e shtetësisë. Në këtë koncept ata paraqesin një Republikë të tretë, një rrugë filozofike që bastardon përpjekjen paqësore të gjithë Kosovës gjatë viteve 90-a; që përçmon gjithë projektin ndërkombëtar të paqërueajtjes gjatë të 2000-ve, e që refuzon vet aktin e pavarësisë në vitin 2008. Përgjatë kësaj përpjekjeje, të njëjtit, në nevojë urgjente pra për të bërë një argument kundër ekzistencës së Republikës, s’pritojnë të huazojnë edhe argumentet e kundërshtarëve tanë në Beograd e gjithandej. Pra, nisin nga paqëndrueshmëria ekonomike e Kosovës, e përfundojnë në domosdoshmërinë e shfaqjes së sovranitetit ndaj të vetmëve që sot sigurojnë këtë sovranitet – politikës zyrtare të SHBA-ve (politikë, ç’është e vërteta, e përdorur shpesh si ombrellë nga kapësit e inkopetentët).

Për të mos i mjaftuar Republikës dy refuzuesit e saj të brendshëm, kujdeset dhe “Lista Serbe” një hibrid i intervenimit të Beogradit dhe serbëve lokal në çrregullimin e shtetësisë. Problemi me këtë Listë është se ajo shfrytëzon mekanizmat e garantuar për t’i dhënë zë pakicës – brenda Republikës – mbi idenë e refuzimit e dëmtimit të vet Republikës. E drejta e garantuar, në rend të parë, nuk i ishte dhënë për qëllim të dëmtimit të Republikës; ishte dhënë për qëllim të forcimit të saj si kompenzim i njohjes së saj. Por, duke përdorur vendet e rezervuara, duke përdorur të drejtën e veto-s, duke përdorur privilegjet kushtetuese, Lista dëmton konsolidimin ndërkombatar të Republikës – herë duke ju referuar Qeverisë së Beogradit si qeveri e jona; herë duke refuzuar formimin e ushtrisë; e herë duke mosvotuar sa herë që i jepet mundësia për të bërë lëmsh e ngatërrim.

Pra Republika ka mjaft armiq. Ka kapës, hajna, inkopetentë, piromanë. Çfarë Republika s’ka është miq. Nuk ka heronj modern, qytetarë të rëndom, që e forcojnë atë. Që, për dallim nga diskurisi partiak i tanishëm, nuk e vjelin në njërën anë, por as se projektojnë si të vdekur në anën tjetër. E sot fare lehtë të përbuzet ajo. Shkon, në fund të ditës me gjithë rrjedhën e shumicës jokokëçarëse e axhamillëke këndej. Por ama, mbetet e vështire – dhe e domosdoshme – mbrojtja e saj. Si shtet; i pavarur. Sovran – i vetëm dhe i përjetëm.

Foto: Majlinda Hoxha.

KOMENTO