Blogbox | Migrimi

Idea e paqartë e ‘platformës së zbarkimit’ të BE-së nxitë reagim të ashpër në Shqipëri

Nga - 09.07.2018

Reagim i ftohtë ndaj idesë për ta themeluar vendin për procesim të personave që kërkojnë azil në BE.

Muajin e kaluar, disa ditë para publikimit të vendimit të BE-së në lidhje me të ardhmen e rrugëtimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë drejt anëtarësimit në Bashkim, doli lajmi se Shqipëria mund të bëhet platformë rajonale e zbarkimit’ për procesim të azilkërkuesve jashtë BE-së. Artikujt shkruanin se për shkak se Shqipëria do të pranonte shumë azilkërkues, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të përshpejtohej.

Në ditët para ratifikimit të vendimit për të hapur negociata zyrtare për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin, një zëdhënës i qeverisë austriake, Peter Launsky-Tieffenthal, tha për DW se bisedimet për pranim të personave që kërkojnë azil në BE veç se i kishin nisur me Shqipërinë dhe shtete të tjera.

Megjithatë, Këshilli i BE ka mohuar ekzistencën apo diskutimin e planeve specifike për themelimin e kampeve të tilla në Shqipëri – apo në ndonjë shtet tjetër të caktuar – dhe Tirana vazhdimisht ka mohuar se kanë mbajtur bisedime të tilla.

“Ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim”, ishte reagimi zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë. “Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk ka ofruar një gjë të tillë”.

Por, meqë kufijtë e BE-së po mbyllen gjithnjë më shumë, dhe liderët e bllokut arritën marrëveshje në Samitin e Brukselit – që u mbajt më 28 qershor dhe kishte në fokus migrimin – për “ta eksploruar me shpejtësi konceptin e platformave rajonale të zbarkimit” në bashkëpunim të afërt me shtete të treta relevante si dhe Agjencinë e Refugjatëve të OKB-së (UNHCR) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (ONM), mundësitë e themelimit të këtyre ‘platformave’ në rajon po shtohen.

Një tjetër marrëveshje e jashtme?

Hollësitë në lidhje me konceptin ende nuk janë të qarta. Në konkluzionet e samitit të fundit në Bruksel thuhet “për ta thyer definitivisht modelin e biznesit të kontrabandistëve, dhe kështu për ta parandaluar humbjen tragjike të jetëve, është e domosdoshme të eliminohen stimujt për ndërmarrje të udhëtimeve të rrezikshme”.

Në to thuhet gjithashtu se bashkëpunimi me partnerët në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja e tyre “është kyçe për shkëmbimin e informatave për flukset e migrimit, për parandalimin e migrimit të jashtëligjshëm, për rritjen e kapaciteteve për mbrojtje të kufijve dhe përmirësimin e procedurave për kthim dhe ripranim, dhe se ata janë të vendosur për “ta parandaluar kthimin e flukseve të pakontrolluara të vitit 2015 dhe për ta frenuar më tej migrimin e jashtëligjshëm në të gjitha rrugët ekzistuese dhe të reja”.

Prej fillimit të vitit 2018, mbi 57,000 njerëz kanë arritur në Evropë nëpër rrugët e trafikantëve.

Sa i përket migrimit në Ballkan, deri më sot BE i ka ndihmuar Serbisë, ku një numër i madh i azilkërkuesve ishin të përqendruar për një periudhë. Por nga fillimi i këti viti, rruga e migrimit ka ndryshuar dhe gjithnjë më shumë njerëz kanë ardhur nëpërmjet Greqisë, duke kaluar më pas në Shqipëri dhe Mal të Zi, drejt Bosnjes e Hercegovinës e deri te Kroacia, shteti i parë anëtar i BE-së në këtë pjesë të rrugës.

Sipas të dhënave të ONM-së, prej fillimit të vitit 2018, mbi 57,000 njerëz kanë arritur në Evropë. Njëkohësisht, rruga e ashtuquajtur e Ballkanit përsëri ka qenë shumë e frekuentuar. Në maj erdhën 7,900 njerëz në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke bërë përpjekje të vazhdojnë drejt BE-së. Ani pse numri i përgjithshëm i emigrantëve që hynë në Evropë ka rënë në krahasim me të njejtën periudhë para dy viteve, një kombinim i faktorëve – një prej faktorëve më të rëndësishëm ishin politikat e brendshme të shteteve përkatëse – i kanë nxitur qeveritë e disa shteteve anëtare që t’i intensifikojnë kontrollet në kufij.

Gjermania së fundmi e lajmëroi themelimin e qendrave të ankorimit’ në kufi me Austrinë, në përpjekje për t’i parandaluar njerëzit që të mos hynë në Gjermani nga shtetet e tjera të BE-së. Masa të ngjashme janë lajmëruar nga Austria. Kancelari Sebastian Kurz tha se “qeveria austriake është e gatshme për të vepruar, veçanërisht për ta mbrojtur kufirin tonë jugor”.

Ndonëse këto masa – dhe ato si vendimi i Hungarisë për ta ngritur një mur rrethues 4 metra të lartë rreth kufirit të saj – po merren nga shtetet individuale anëtare, idea ende e paqartë e ‘platformave rajonale të zbarkimit’ është përpjekja e fundit e bllokut si tërësi për t’i shtrënguar kufijtë e tij.

Masat e marra në të kaluarën, si marrëveshja e nënshkruar me Turqinë në mars të vitit 2016, janë kritikuar ashpër.

Për shkak se për një kohë të gjatë ka patur aspirata për t’u bërë anëtare e BE-së, Turqia u pajtua për t’i pranuar përsëri njerëzit të cilët kanë arritur në Evropë pas 20 marsit të atij viti dhe aplikimet e të cilëve për azil janë refuzuar. Si shkëmbim, BE i premtoi 6 milion euro ndihmë financiare për projekte për refugjatë sirianë, si dhe përshpejtimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në Bashkim. Aktualisht, Turqia ka numrin më të madh të refugjatëve në botë. Vlerësohet se janë 3.9 milionë njerëz, kryesisht nga Siria.

Një marrëveshje e ngjashme u bë në shkurt të vitit 2017 ndërmjet BE-së dhe Libisë. Blloku u pajtua t’i jepë 200 milionë euro për qeverinë libiane, për t’i ndihmuar me përpjekjet e tyre për t’i ndalur anijet e migrantëve që po përpiqeshin ta kalonin Mesdheun. Kjo marrëveshje gjithashtu përfshiu mbështetje nga BE për themelimin e kampeve të refugjatëve, si dhe trajnimin e rojëve bregdetarë të Libisë dhe furnizim e tyre me pajisje.

Marrëveshja u etiketua si çnjerëzore nga kreu i degës së OKB për të Drejtat e Njeriut, për shkak se në ato objekte strehoheshin “mijëra burra, gra dhe fëmijë të dobësuar dhe traumatizuar, të bërë duq afër njëri tjetrit, të mbyllur në depo pa qasje në gjëra thelbësore, të zhveshur nga dinjiteti njerëzor i tyre”.

Të dy marrëveshjet u kritikuan shumë nga grupet e ndryshme që punojnë me të drejtat e njeriut, të cilët pretendojnë se marrëvsehjet u përdorën nga qeveritë për t’i mbyllur rrugët e migrimit. Në një deklaratë të publikuar, Human Rights Watch tha se marrëveshja BE-Turqi ka vendosur një precedent të rrezikshëm “duke rrezikuar vet parimin e të drejtës për të kërkuar shpëtim”.

Po të negociohet në të ardhmen një marrëveshje për pranimin e azilkërkuesve në Shqipëri, me gjasë do të jetë e diskutueshme, veçanërisht për shkak se – si në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor – BE vet e ka pranuar se Shqipëria ka probleme të vazhdueshme me sundimin e ligjit.

Të dhënat e Frontex i rendisin qytetarët shqiptarë si kundërvajtësit e dytë më të mëdhenj sa i përket krimeve që lidhen me lehtësimin e kalimit të jashtëligjshëm të kufijve në BE, ndërsa në vitet e fundit policia e Shqipërisë ka raportuar shumë raste në të cilat shqiptarët janë arrestuar për trafikim të personave në mënyrë të fshehtë nëpër kufijtë e saj.

Ish-drejtori i përgjithshëm i Departamentit për Kufij dhe Migrim të Shqipërisë, Pëllumb Nako, së fundmi tha në një intervistë se rritja e numrit të emigrantëve në Shqipëri me paramendim paraqet rrezik. “Po të vijnë refugjatët, ata do të mund të lëvizin lirshëm”, tha ai, duke shtuar se dihet mirë oferta kriminale për trafikim në Shqipëri dhe se kjo mund të paraqesë rrezik për Shqipërinë dhe BE-në. “Prandaj nuk mendoj se ka shumë gjasa që të themelohet një kamp këtu me kërkesë të BE-së”.

Ide jo e mirëpritur

Pas spekulimeve fillestare në media, Kryeministri Edi Rama tha se qeveria e tij nuk do ta pranojë kurrë idenë e themelimit të kampeve të refugjatëve të BE-së në Shqipëri.

“Asnjë shtet nuk është i aftë ta menaxhojë vet krizën aktuale të refugjatëve. Të kthesh Shqipërinë në një barrierë të Evropës për refugjatë të Evropës, do të ishte një zgjidhje e rrezikshme”, tha Rama për gazetën gjermane BILD.

Kjo ide u prit me reagim të ashpër të publikut në rrjete sociale. Me sa dukej, opinioni ishte jashtëzakonisht kundër idesë. Shumëkush ka frikë se shteti nuk ka mundësi t’i absorbojë mijëra refugjatë, sa i përket aspektit kulturor dhe ekonomik.

“Është praktikisht e pamundur t’i integrosh një mijë njerëz në shoqëri kur ata jetojnë të izoluar në grupe”, tha gazetarja 23 vjeçare Genta Dobra për K2.0.

“Mendoj se do t’u duheshin disa vite për ta mësuar gjuhën tonë dhe për t’u përfshirë në kulturë dhe në fuqinë punëtore. Nëse funksionon në shtete më të mëdha, është për shkak se në ato shtete veç se ka grupe të themeluara të një kombësie të huaj që i ndihmojnë njerëzit e porsaardhur në mënyrë që ata të kenë një tranzicion më të mirë në shoqërinë e re të tyre. Në Shqipëri, ata do të duhej të ja nisin nga fillimi. Nuk mendoj se i kemi burimet e nevojshme për të pritur aq gjatë”.

“I kam përjetuar kushtet e mundimshme të kampeve të refugjatëve në shtete që janë shumë më të përparuara se Shqipëria.”

Naldi Hyseni

Altin Hoxha, ekspert i marrëdhënieve të komuniteteve islamike dhe të Lindjes së Mesme, beson se pranimi i refugjatëve nga shtetet e Lindjes së Mesme mund të shndërrohet në “importim të konflikteve të brendshme të tyre”.

“Lufta civile [në Siri] ka krijuar armiqësi të shumta në mesin e sirianëve gjatë konfliktit të armatosur që ka zgjatur shtatë vite”, tha Hoxha për K2.0. “Nuk janë vetëm familjet që po përpiqen të mbijetojnë brenda vendit të cilët po ikin tani, por që të gjithë janë në arrati. Gjithashtu, konflikti është i ndërlikuar nga divizionet e ndryshme të luftëtarëve laikë dhe religjiozë, dhe nga grupet e ndryshme etnike”.

Ai beson se pranimi i mundshëm i numrave të mëdhenj të migrantëve në Shqipëri paraqet rrezik të lartë. “Nëse vijnë këtu, do ta sjellin një pjesë të konfliktit me vete”, tha ai.

Dikush tjetër ka arsye të tjera për të qenë skeptik, duke theksuar problemin që e ka Shqipëria me riintegrimin e qytetarëve të saj, disa prej të cilëve kanë ikur në rrugën e Ballkanit, duke u munduar të arrijnë në BE.

Një prej tyre është Naldi Hyseni, i cili e la Shqipërinë dhe jetoi për dy muaj në një kamp në Gjermani si azilkërkues. “I kam përjetuar kushtet e mundimshme të kampeve të refugjatëve në shtete që janë shumë më të përparuara se Shqipëria”, tha Hyseni për K2.0.

“I kemi parë fotot nga kampet e stërmbushura në Greqi dhe Itali. Unë besoj se në Shqipëri do të jetonin edhe më keq. Nëse vendosim t’i ndihmojmë refugjatët, duhet t’i ndihmojmë refugjatët tonë që janë jashtë vendit, në mënyrë që ata të kthehen dhe ne të u japim mundësi për të gjetur punë dhe për t’u arsimuar”.

Por jo të gjithë qytetarët e Shqipërisë janë kundër idesë për të pranuar azilkërkuesë. Majlinda Qato, 34 vjeçarja nga Durrësi, tha për K2.0 se Shqipëria duhet të jetë më e hapur për azilkërkuesit dhe se ky shtet ka shumë për të ofruar.

“Edhe nëse vijnë [refugjatët], çfarë problemi ka? Tirana është rritur dhe tani i ka 1 milion njerëz, ndërsa zonat rurale janë zbrazur”, tha ajo. “Le të shkojnë në fshatra dhe t’i shpëtojnë vdekjes. Le ta kapin jetën. Pretendimet se ‘do të shkatërrohet shteti’ janë të pakuptimta”.

Foto kryesore: Nidzara Ahmetasevic / K2.0 (foto e bërë në Bosnje dhe Hercegovinë).