Në thelb | Të drejtat e punëtorëve

Vështërësitë e të qenit nënë e punësuar në Kosovë

Nga - 08.06.2016

Pavarësisht legjislacionit, shumë gra ende janë të pambrojtura nga praktikat diskriminuese.

Në një anë, mbështesin shërimin e plotë të nënës pas lindjes së fëmijës, ndërsa gjithashtu ndihmojnë krijimin e një lidhjeje të fuqishme nënë-fëmijë. Në anën tjetër, ato sigurojnë masa mbrojtëse për pjesëmarrjen e grave në ekonomi duke krijuar mjedis që promovon dhe ruan qasjen e grave në punë si dhe siguri të vendit të punës.

Politikat që kanë të bëjnë me praktikat e pushimit të lehonisë dhe me të qenit prind dallojnë prej vendit në vend përgjatë botës. Suedia dhe Norvegjia shpeshherë vlerësohen si vendet me politikat më progresive të pushimit prindëror – më shumë se një vit pushim të paguar, që mund të ndahet në mes të nënës dhe babait. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Papua Guinea e Re dhe Omani janë vendet më të kritikuara sa i përket politikave të pushimit të lehonisë, SHBA duke qenë i vetmi vend i zhvilluar pa pushim të paguar të garantuar për nëna që punojnë. Në këtë situatë, Kosova duket e përparuar; të paktën në shkrim, në ligje.

Neni 49 i Ligjit aktual të Punës përcakton 12 muaj pushim të lehonisë për gra. Punëdhënësit janë të obliguar të paguajnë 70 përqind të rrogës gjatë gjashtë muajve të parë të pushimit; qeveria paguan tre muajt e ardhshëm, në sasi prej 50 përqind të rrogës mesatare; tre muajt e fundit mund të merren pa pagesë. Por në zbatimin e ligjit ka shumë diskriminim.

Një raport i vitit 2011 nga OJQ-ja e bazuar në Prishtinë, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (KGSC), tregon që edhe pse Kosova rradhitet në mesin e vendeve që sigurojnë pushimin më të gjatë të lehonisë në rajon, kur merret parasysh kompensimi financiar i përgjithshëm që ofrohet, Kosova është në fund të listës. Sipas interpretimit të fjalëpërfjalshëm të ligjit, të gjitha vendet tjera (përveç Bosnjes dhe Hercegovinës) japin kompensim më të lartë për nënat gjatë periudhës pas shtatzënisë. Kosova dallon me vendet tjera të rajonit edhe sa i përket metodës së financimit të pushimit të lehonisë. Në të gjitha vendet tjera ligji siguron pagesën e të drejtës për pushim të lehonisë krejtësisht prej fondeve publike.

Në Kosovë duket se gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë (periudha kur përgjegjës për pagesë është punëdhënësi) kanë qenë më problematik. Kjo është veçanërisht e vërtetë brenda sektorit privat dhe sektorit të OJQ-ve. Ky i fundit ka lulëzuar në aspektin e punësimit gjatë 16 viteve të kaluara të zhvillimit demokratik të Kosovës, por edhe ka përjetuar lëkundshmëri afatshkurtër financiare.

Sipas statistikave zyrtare rreth 40 përqind të grave që klasifikohen si ‘aktive’ në tregun e punës në Kosovë janë të papuna. Megjithatë, më shumë se 75 përqind të grave klasifikohen si ekonomikisht ‘pasive’, që do të thotë se as nuk janë duke kërkuar punë. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës në Kosovë vlerësohet të jetë më e ulëta në Evropë; në total, vetëm rreth 13 përqind të grave në Kosovë janë të punësuara. Janë disa faktorë që i kontribuojnë kësaj perspektive të zymtë ekonomike për gra, prej nivelit më të ulët të arsimit në krahasim me burra, te më pak mundësitë që i kanë për t’u shkolluar, te diskriminimi në trashëgimi të pronave e deri te nivelet e ulëta të pronësisë së pasurive të patundshme.

Këmbëngulja e patundshme e roleve tradicionale gjinore për gra është veçanërisht e vërtetë kur flasim për rritje të fëmijëve. Sipas ligjit aktual, gratë kanë të drejtë t’ia transferojnë gjashtë muajt e fundit të pushimit të lehonisë babait të fëmijëve të tyre. Megjithatë, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), deri sot nuk ka pasur asnjë kërkesë të vetme për këtë nga asnjë çift në Kosovë.

Diskriminim i Vazhdueshëm në Sektorin Privat

Shukrije Rexhepi, zyrtare ligjore në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se mungesa e dallueshme e mundësive për vende pune në një vend me perspektiva kaq të dobëta ekonomike për gra e bënë shumë të vështirë që ato t’i kërkojnë të drejtat e tyre prej punëdhënësve. “Shpresojnë se do t’i marrin përsëri në punë”, tha Rexhepi, duke theksuar se edhe kur gratë ngrisin zërin e tyre kundër padrejtësisë në punë, vendosin ta bëjnë në mënyrë anonime.

Sipas Leonora Ahmetaj, kryetare e divizionit për hartim dhe harmonizim të legjislacionit në MPMS, nuk ekzistojnë statistika të besueshme mbi mbarimin e kontratave të grave. Ndërkohë, sektori privat ka anuar kah ofrimi i kontratave afatshkurtra për gra. Kjo është veçanërisht e vërtetë për gra që perceptohen të jenë të moshës për martesë ose lindje.

“Që në start bizneset duan t’i  rrasin duart në planifikim familjar”, tha Luljeta Demolli, hulumtuese kryesore në KGSC. “A jeni të martuar?” dhe “A planifikoni të bëni fëmijë së shpejti?” janë disa nga pyetjet më të zakonshme me të cilat përballen gratë kosovare gjatë intervistave të punës; shkelje e qartë e Ligjit Kundër Diskriminimit.

maternity_001

Ndërkohë, gratë që punojnë dhe që përdorin të drejtën e tyre për pushim të lehonisë janë nën presion të vazhdueshëm të humbjes së punës së tyre. Saranda, nënë e re në Prishtinë, aktualisht është në pushim të lehonisë. Ajo do të kthehet në punë para periudhës së parë gjashtë-mujore të pushimit të saj, pasi që kontrata e saj do të skadojë dhe ajo ka frikë se e rrezikon ripërtritjen e kontratës nëse qëndron më gjatë. Edhe një punëtore e sektorit privat, Samirja, lindi para katër muajve. Ajo ka punuar në kompaninë e saj në tre vitet e kaluara, por nuk ka marrë pagesë për pushim të lehonisë nga punëdhënësi i saj deri sot.

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtare e Grupit të Grave Deputete, i tha Kosovo 2.0 se institucionet qeveritare duhet t’i sanksionojnë bizneset që dështojnë në zbatimin e ligjit. “Kjo mbetet problem sepse nëse nuk i vëmë në shprehje të gjithë mekanizmat për tëzbatuar ligjin e punës atëherë bizneset private janë komode nëmosrespektimin e këtij ligji”, tha ajo.

OJQ-të Nuk Janë të Imunizuara

Nuk janë vetëm bizneset private që duket se po e shpërfillin Ligjin e Punës. Është fenomen i zakonshëm edhe për OJQ-të.

Në tetor 2012, MM – punëtore e një OJQ-je që jep ndihmë ligjore për grupe dhe individë të margjinalizuarë të shoqërisë – shkoi në zyrë duke menduar se do të jetë si çdo ditë e zakonshme pune. Por atë ditë, në muajin e shtatë të shtatëzënisë së saj, ajo pati lindje të parakohshme. Për shkak të karakterit të organizatës në të cilën punonte, ajo nuk e kishte pritur që koordinatori i projektit në atë OJQ t’i thoshte se donatori i tyre “nuk mund të kuptonte se si mund ta paguajnë dikë që nuk është në zyrë”. (Koordinatori i OJQ-së konfirmoi për Kosovo 2.0 se e kishte thënë këtë, por sipas MM donatori e kishte mohuar këtë kur u pyet direkt nga ajo).

Kontrata e fundit e MM me atë OJQ ishte e vlefshme për vetëm dy muaj e gjysmë, edhe pse ajo thotë se ajo OJQ po priste fonde të reja dhe i kishte bindur punëtorët, duke përfshirë vet atë, se kur t’i marrin fondet e reja, kontratat e tyre do të ripërtëriheshin. Tre muaj më vonë, MM morri email ku shkruante se kontrata e saj nuk do të ripërtërihej, përkundër faktit se donatori i dha fondet që i prisnin më parë.

MM bëri hap të rrallë, në këto rrethana, dhe ngriti zërin. Ajo bëri ankesë në Inspektoratin e Punës të MPMS, i cili konkludoi se OJQ-ja kishte kryer shkelje duke mos i dhënë pushim të lehonisë dhe i urdhëroi ata që të paguajnë pushimin e saj te lehonisë. Ajo OJQ u gjet se nuk kishte kryer obligimet ligjore si punëdhënës, sepse është dashur të deklarojë pushimin e lehonisë të MM te MPMS. Në fund, MM u pagua për vetëm dy muaj të pushimit të lehonisë (fakt që u konfirmua nga koordinatori i projektit të OJQ-së). MM e çoi rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës para më shumë se dy viteve, por ajo është një prej mijëra rasteve që ende po presin në një sistem të drejtësisë me mijëra raste të pazgjedhura.

Sipas koordinatorit të projektit ku MM punoi, OJQ-të janë raste speciale dhe përjashtohen nga mënyra se si aplikohen politikat e pushimit të lehonisë për gra që punojnë në sektorin privat dhe publik. “Ne nuk paguam më shumë se dy muaj [pushim të lehonisë] sepse ligji duhet të saktësojë se i adresohet sektorit publik dhe privat, si dhe OJQ-ve”, tha për Kosovo 2.0.

"Ne nuk paguam më shumë se dy muaj [pushim të lehonisë] sepse ligji duhet të saktësojë se i adresohet sektorit publik dhe privat, si dhe OJQ-ve."

MM

maternity_002

Ligji aktual sigurisht se i ka paqartësitë e veta. Basri Ibrahimi, kryetar i Inspektoratit të Punës për Kosovë, thotë se një prej të metave kryesore me nenin aktual për amësi është se nuk specifikon se kontrata e një gruaje duhet të vazhdohet pas pushimit të saj. Ai thotë se pasoja ligjore është se punëdhënësi ka të drejtë të mos ua ripërtrijë kontratën.

KGSC ishte një prej OJQ-ve më të zëshme gjatë hartimit të ligjit ekzistues, dhe kanë qenë përkrahës të qëndrueshëm të zbatimit jodiskriminues të tij. Hulumtuesja kryesore Demolli pranon se OJQ-të janë veçanërisht të sfiduara sa i përket pushimit të lehonisë, jo vetëm për shkak të varësisë së veçantë të sektorit ndaj financimit me donatorë; fondet janë zakonisht në dispozicion për aktivitete, e pak burime mbesin për të financuar rrogat e punëtorëve ose për të krijuar fonde rezervë për përfitime të amësisë. Megjithatë, ajo thekson se ligji nuk duhet të jetë selektiv në implementim.

Duke i parashikuar situatat e mundshme, gjatë hartimit të ligjit aktual, KGSC loboi që qeveria të mbulojë deri në 80 përqind të rrogave të pushimit të lehonisë së grave që punojnë në sektorin e OJQ; ky sugjerim nuk u përfill nga institucionet.

Propozime të Reja: Kush Do Të Përfitojë?

Duke synuar rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, në vitin 2013, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) hartoi amendamentet për Ligjin e Punës. Ndryshimet e propozuara ishin pjesërisht të ndikuara nga një raport i vitit 2012 nga Oda Amerikane në Kosovë, që tha se neni për ligjin e lehonisë është barrë për bizneset kosovare, dhe kështu shkakton diskriminim drejt grave kur aplikojnë për punë të reja.

Këtë vit, Banka Botërore mbështeti MPMS për të bërë një studim gjithëpërfshirës për zbatimin e Ligjit të Punës deri sot. Ky studim pritet të publikohet brenda disa javëve, dhe pritet të theksojë ndikimin negativ të Nenit 49 në punësimin e grave. Sipas Ahmetaj të MPMS, rezultatet e studimit, si dhe diskutimet publike do të mirren parasysh kur të finalizohen amendamentet e ligjit. Ndërkohë, nevojitet një analizë më e thellë e dështimeve të ligjit dhe problemeve potenciale që mund të dalin nga propozimi i ri.

Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe amendamentet e Nenit 49 mbi pushimin e lehonisë, ku në draftin e ri është zvogëluar e drejta prej 12 në nëntë muaj, duke u përpjekur që të zvogëlojnë ngurrimin ekonomik të punëdhënësve për të punësuar gra. Nën këto propozime, tre muajt e parë (zvogëluar prej gjashtë muajve) do të paguhen nga punëdhënësi me 70 përqind të rrogës normale; dhe tre muajt e ardhshëm do të paguhen nga qeveria me 60 përqind të rrogës mesatare kosovare (rritje prej 10 përqindëve); ndërsa tre muajt e fundit do mund të merren në bazë opsionale nga punëtori, pa pagesë. MPMS thotë se duke zvogëluar pushimin e lehonisë gratë do të mbrohen  në tregun e punës.

maternity_003

Por për shumë OJQ të të drejtave të grave, dispozitat e reja që janë hartuar duket se favorizojnë bizneset para nënave potenciale. Organizatat si KGSC argumentojnë se qeveria duhet të merr pjesën më të madhe të barrës duke gjetur mënyra dhe zgjidhje që kanë konsideratë për interesat e bizneseve, por që në fund të fundit janë masa mbrojtëse për të drejtat e grave.

“Ata po flasin për ndryshimin e nenit nën idenë se ky nen po i dëmton gratë, se gratë nuk po shkojnë në punë, për t’i mbrojtur gratë në sektorin privat, në mënyrë shumë të praptë”, thotë Demolli. “Jo duke krijuar politika për t’i punësuar gratë dhe për t’i mbrojtur në sektorin privat, por duke thënë që në emër të pushimit të lehonisë po ia bajnë gajle grave të papuna”.

Mangësitë për Kujdesin e Fëmijëve

Ndonëse amendamentet e propozuara mund të ndihmojnë të luftojnë diskriminimin kundër punësimit të grave në sektorin privat, gratë do të përballen me problem të ri. Deri sot, shumica nuk i kanë marrë tre muajt e fundit të lehonisë pa pagesë brenda skemës 12 mujore; me skemën e propozuar nëntë mujore, kujdesi ndaj fëmijëve do të bëhet dilemë serioze për prindërit.

Edhe nëse gratë papritmas do të fillonin t’i merrnin tre muajt opsional në fund të pushimit të tyre, do të kishte mungesë të kujdesit ndaj fëmijëve pasi që çerdhet nuk pranojnë fëmijë nën moshën 1 vjeçare. Çerdhet private pranojnë foshnje prej moshës gjashtë mujore, por deri në 170 euro në muaj (në krahasim me 50 euro në muaj për çerdhet publike në zonat urbane), dhe kështu ka më shumë kuptim ekonomikisht që një grua me rrogë mesatare kosovare që punon në sektorin privat të lë punën në mënyrë që të qëndrojë në shtëpi me fëmijën e saj të ri.

Nicole Farnsworth nga Rrjeti i Gravë të Kosovës thotë se nëse ka ndryshime në pushimin e lehonisë, do të jetë e nevojshme që të shoqërohen me veprim afirmativ (diskriminim pozitiv) që të adresohet kjo çështje. “KWN ka argumentuar për një kohë të gjatë se themelimi i më shumë parashkolloreve dhe çerdheve do t’u mundësonte grave që të kthehen në punë më herët dhe kështu do të krijonte më shumë pune, veçanërisht për gra”, tha Farnsworth për Kosovo 2.0.

Kosova gjithashtu është shumë mbrapa me numrin e objekteve të kujdesit të fëmijëve që duhet t’i ketë sipas ‘Objektivave të Barcelonës’ të Këshillit Evropian për zhvillimin e objekteve për kujdesin e fëmijëve. “Qeveria duhet urgjent të themelojë më shumë objekte për kujdes të fëmijëve dhe parashkollore, ose nëpërmjet partneriteteve publiko-private, ose duke mbështetur nisjen e bizneseve të reja për të krijuar vende të reja pune, dhe/ose nëpërmjet programeve publike”, tha Farnsworth.

Demolli thotë se planet e qeverisë për reduktim të pushimit të lehonisë do t’u shtojnë më shumë shqetësime grave që duan të ndërtojnë familje dhe mund t’i bëjë gratë që të mendojnë se duhet të zgjedhin në mes të një kariere dhe të qenit nënë. Demolli (KGSC), Rexhepi (BSPK) dhe Haxhiu (më herët e Grupit të Grave Deputete) të gjitha thanë se organizatat dhe grupet e tyre përkatëse do të kundërshtonin fuqimisht Ligjin e ndryshuar të Punës, nëse ndryshimet e propozuara nuk ofrojnë zgjidhje të duhura për nënat.

maternity_004

“Një grua duhet të mendojë çka të bëjë me fëmijën e saj kur i mbush gjashtë muaj dhe të mendojë edhe një milion gjëra tjera e edhe se si ta ruajë vendin e punës”, tha Demolli. “Gratë ende do të vazhdojnë të jenë stresuara për shkak se punëdhënësit sepse ai përsëri do t’i thëras më herët në punë, edhe me pushim më të shkurtër të lehonisë. Krejt çka po don qeveria është t’u jep grave minimumin e minimumit të drejtave të grave sepse nuk guxon me ligj të shkelë konventat e parapara në kushtetutë”.

Demolli mendon se Kosova e humb argumentin duke diskutuar ndryshimet e politikës së pushimit të lehonisë. Ajo thotë se para se të mbahet diskutim mbi ligjin, së pari duhet të kuptojmë se gratë janë aktualisht të papuna për shkak që qeveria nuk po bënë asgjë që t’i punësojë.K

Shënimi i Redaksisë: Emrat e MM, punëdhënësit e saj dhe gra tjera që i kemi intervistuar i kemi mbajtur anonim me kërkesë të tyre, në mënyrë që t’i shmangen mundimit dhe praktikave diskriminuese të mëtejme.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO