S`fundmi | Kulturë

Një projekt rajonal po promovon pajtimin nëpërmjet shkrimit

Nga - 03.03.2017

Tregime të shkurtëra prej autorëve të ish-Jugosllavisë që synojnë pajtimin e gjaqeve në mes të kombeve.

Për të falur duhet vetëm një, por për t’u pajtuar duhen dy. Fjalori i Cambridge e definon pajtimin si një situatë në të cilën dy persona, ose dy grupe personash bëhen përsëri miqësor pasi të jenë konfrontuar me argumente.

Kombet e ish-Jugosllavisë kanë bërë më shumë se argumentime. Në vitet e 90-ta, disa prej tyre morrën pjesë në luftërat më të përgjakshme në historinë e Evropës moderne. Tash e disa dekada më vonë, plagët janë ende të hapura e po mbledhin pas vetës urrejtje e armiqësi.

Center for Nonviolent Action – CNA (Qendra për Veprime jo të Dhunshme) është organizatë për ndërtim të paqës me zyre në Sarajevë dhe Beograd. Duke synuar që t’i inkurajojë njerëzit që ta shohin pajtimin si mënyrë për të hequr dorë nga urrejtja dhe si fillim për kërkimin e drejtësisë, CNA ka gjetur një formë arstistike për këtë qëllim: botimin e një volumi të tregimeve të shkurtëra të quajtur “Biber”.

Libri “Biber”, është rezultat i një thirrje të hapur për tregime të shkurtëra me temë të pajtimit, të shkruara prej autorëve të shteteve të ish-Jugosllavisë. Katarina Milicevic, një prej organizatorëve të nismës, shpjegoi se si autorët kishin të drejtë pjesëmarrjeje vetëm nëse “e kishin gjuhë amëtare njërën prej gjuhëve kroate, maqedone, shqipe, boshnjake, malazese dhe serbe”. Tregimet ishin të kufizuara me përdorimin deri të 9,000 fjalëve dhe duhej të ishin origjinale; pra të shkruara e të botuar për herë të parë.

316 tregime u dorëzuan pas publikimit të thirrjes së parë. Volumi i parë, që është botuar tani, është i përbërë prej 25 tregimeve më të mira që u zgjodhën nga një juri e cila përbëhej nga poeti dhe novelisti boshnjak Faruk Sehic, dramaturges kosovare Doruntina Basha dhe aktorit serb Bojan Krivokapic. Juria gjithashtu ndau çmime për tri tregimet e preferuara të tyre shkrimtarëve si: Vladimir Tabasevic, Nadia Garis dhe Sladjana Ljubicic.

Ky koleksion i librave është emëruar “Biber” sepse kjo fjalë është e njejtë në të gjitha gjuhët e ish-Jugosllavisë – koncept pa konotacione të paqarta. Edhe pse këto tregime për pajtim janë hapa të vegjël, janë hapa këmbëngulës, sidoqoftë. Organizatorët kanë lajmëruar një thirrje të re për tregime të shkurtëra për edicionin e ri të “Biber”. Afati i fundit për dorëzimin e tyre është me 14 qershor 2017.

Botimi i librave për t’i pajtuar serbët me kroatët, e kroatët me boshnjakët, e boshnjakët me serbët, e serbët me shqiptarët, e shqiptarët me maqedonët – mund të duket si mision i pamundur. Sigurisht njerëzit mund të argumentojnë që mediat dhe politika kanë efekt më shumë për arritjen e këti synimi. Por në një ngjarje për promovimin e edicionit të parë të “Biber” të mbajtur të mërkurën mbrëma në Dit’ e Nat’ (lokal në Prishtinës), e gjatë së cilit u lexuan fragmente të dy tregimeve të shkurtëra para se të mbahej një diskutim i shkurtër, kishte shumë zëra që po argumentonin se kultura mund t’i kapërcejë kufijtë që politika e mediat nuk munden.

Pjesë e panelit që diskutoi fuqinë e kulturës në procesin e pajtimit ishin mes tjerësh moderatorja Aulonë Kadriu (e fundit në të majtë, fituesja e çmimit Nadia Geras (e treta në të majtë) dhe dramaturgu kosovar Jeton Neziraj (i fundit në të djathtë). Foto: Cristina Mari / K2.0.

Një zë i tillë ishte ai i Milicevic, e cila punoi në media me vite, por thotë se aktivizmi plotëson atë shumë më mirë se gazetaria dhe sipas saj është edhe më efektiv.

“Shpeshherë ne gazetarët, pa marrë parasysh se a e pranojmë apo jo, mbesim të frustruar”, tha ajo për K2.0 pas diskutimit. “Sepse disa gjëra që i shohim si të rëndësishme dhe që duhet t’i thuhen publikut, nuk miratohen nga redaktorët. Edhe nëse redaktohen, kalohen disi sepse nuk janë tema ‘të nxehta’, temat ‘seksi’ e aktuale”.

Së fundmi, pajtimi është bërë diçka shumë temë “seksi” edhe për disa politikanë. Presidenti Hashim Thaçi ka lajmëruar themelimin e një Komisioni të ri të së Vërtetës dhe Pajtimit, që ka për synim inkurajimin e faljes së ndërsjellë mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Një komision i ngjashëm u themelua nga presidenti i ish-Jugosllavisë, Vojislav Kostunica, në vitin 2001, por pati sukses të kufizuar.

Argumenti i Milicevic thotë se politika dështon për shkak se është e momentit, ndërsa kultura është e qëndrueshme. Politika reagon ndaj të tashmës, thotë ajo, duke e mbështetur argumentin e saj duke aluduar që njerëzit shpeshherë nuk mund ta kujtojnë (ose të paktën menduar pak) se kush ishte president ose kryeministër para pesë viteve.

Organizatorja e nismës Biber, Katarina Milicevic (në të djathtë), beson se kultura mund të ketë një trashëgimi më të qëndrueshme se sa politika në procesin e pajtimit. Foto: Cristina Mari / K2.0.

“Kultura do të zgjas – këta libra do të lexohen pas njëqind viteve”, tha Milicevic. “Politikanët i kujtojnë vetëm ata që shkuan në luftë, dhe shpresoj që nuk do të kemi më liderë të tillë në këto vende”.

Jeton Neziraj është dramaturg i cili me punën e tij përpiqet që të kontribuojë në procesin e pajtimit, t’i zhduk paragjykimet dhe stereotipet dhe të promovojë diversitet. Ai ishte pjesëtar i diskutimit me panel në Dit’ e Nat’ dhe e theksoi mungesën e besimit në institucionet mediale, si dhe problemet e qasjes që shkaktohen nga barrierat gjuhësore.

“Shqiptarët në Kosovë e kanë më lehtë sepse një pjesë e madhe e tyre e kuptojnë serbo-kroatishtën”, tha ai për K2.0. “Ne mund ta lexojmë letërsinë e tyre, dhe të përcjellim më saktësisht se çfarë po ndodh në Serbi, ndërsa ata kanë më shumë paragjykime”.

Neziraj gjithashtu mendon se publiku në Serbi është krejtësisht i varur prej mediave sa i përket informimit për ndodhitë në Kosovë. “Fatkeqësisht një pjesë e madhe [e mediave në Serbi] manipulohet ose kontrollohet nga qeveria me agjendë të caktuar politike”, tha ai.

Qerim Ondozi punoi me përkthimin e tregimeve për librin dhe ishte gjithashtu pjesëtar i panelit në mbrëmjën e së mërkurës. Ondozi flet me admirim për nismën, duke theksuar se i ka nxitur 316 njerëz që të shkruajnë për pajtimin, e ndoshta 3,600 tjerë për t’i konsideruar këto koncepte. “Individët janë ata që pajtohen”, tha ai për K2.0. “Masa ka tendencë që të kontrollohet si kope”.

Përkthyesi dhe panelisti Qerim Ondozi (në të majtë) beson se projekti i ka frymëzuar mijëra njerëz për t’u angazhuar në procesin e pajtimit në Ballkan në nivel individual. Foto: Cristina Mari / K2.0.

Jeton Neziraj gjithashtu beson se koncepti i pajtimit është, parimisht, veprim individual. Roli i autorëve, artistëve dhe krijuesve, thotë ai, është që të ndërtojnë ura të komunikimit në mes të njerëzve: “Kur krijohen mundësitë për komunikim të lirshëm të ideve të artistëve, pa kufij, vetëm atëherë do të krijohen kushtet për të menduar njerëzit tjerë për pajtim’.

Ishte temë e përbashkët e gjithë evenimentit, idea që pajtimi duhet të ndodh në bazë individuale, e të ndihmohet prej artistëve, të cilët mund të kenë ndikim në kulturë me punimet e tyre. Synimi është që të njerëzojmë, të tregojmë që një shqiptar, ose një serb, ose një kroat, është po aq njeri sa të tjerët – dikush që qeshë, qanë, është i/e lumtur ose i/e pikëlluar, dashuron e lihet dhe ka momente të krenarisë e momente të turpit.

Edhe pse Neziraj e pranon që nuk ka legjitimitet për të kërkuar pajtimin e njerëzve, ai prapë se prapë beson se “këto nisma krijojnë klima të besimit të mirë në mes të njerëzve dhe hapin mundësi për ta parë anën tjetër”. Ai gjithashtu tha se këto evenimente ndihmojnë luftimin e paragjykimit, që pashmangshëm lidhet me të panjohurën.

Fotografija: Kristina Mari / K2.0.
Fotografija: Kristina Mari / K2.0.
Fotografija: Kristina Mari / K2.0.
Fotografija: Kristina Mari / K2.0.
Fotografija: Kristina Mari / K2.0.
Fotografija: Kristina Mari / K2.0.

Ndonëse fuqia e kulturës për ta ndihmuar procesin e pajtimit në Kosovë gjeti mbështetje dërrmuese në Dit’ e Nat’, përceptimet e gjendjes së procesit shpeshherë nuk ishin edhe aq të shndritshme. Ondozi argumentoi se në Kosovë pajtimi shpeshherë shihet me përçmim, meqë përpjekjet e nxituara i kanë lodhur e dekurajuar njerëzit.

Megjithatë, zëri i Aulonë Kadriut, e cila e moderoi diskutimin, ofroi shpresë që në të ardhmën pajtimi mund të shihet me pikëpamje më të mirë. “Ne, të rinjtë, nuk jemi përgjegjës për atë që ka ndodhur”, tha ajo në fillim të natës. “Por ne jemi përgjegjës për pajtim dhe falje. Pajtimi duhet të jetë kërkesë për drejtësi, dhe kërkesë për rehati, rehati organike”. Rehati që mund të ndihmohet nga një libër i mirë.K

Foto kryesore: Cristina Mari / K2.0.