“Për këtë po luftojmë në shekullin 21?” ishte një prej shumë mesazheve që u përdorën prej disa qindra nxënësve të shkollave të mesme në Bosnjë e Hercegovinë (BiH) gjatë protestave që u mbajtën këtë javë kundër sistemit të ndarë të shkollimit.
Protestat u nisën fillimisht prej nxënësve të Shkollës së Mesme Profesionale në Jajce para një viti, ndërsa moshatarët e tyre prej qyteteve tjera iu bashkuan veprimit të martën (20 qershor), para zyreve të qeverisë së nivelit kantonal në Travnik.
Të gjithë ata që morrën pjesë në protestë, janë nxënës nga shkolla në të cilat fëmijët ndahen në bazë të etnisë. Pas disa orëve me protesta, ministrja e arsimit në këtë kanton, Katica Cerkez, foli me nxënësit duke u thënë se kërkesat e tyre do të përmbusheshin, por ajo i refuzoi të pranojë protestën e nxënësve dhe ativizmin e tyre, duke deklaruar se ata janë “instrumente të komunitetit ndërkombëtar”.
“Kërkuat që të mos jenë dy shkolla, dhe nuk do të jeni. A jeni të kënaqur?” ishte pyetja ironike që Cerkez ua tha nxënësve.
“Për këtë po luftojmë në shekullin 21?” i pyetën nxënësit politikanët gjatë protestave në Travnik këtë javë. Fotografia: Forum ZFD, BiH.
Megjithatë, ajo nuk arriti që t’i dekurajojë fëmijët. Pas takimit dhe protestës, ata e publikuan një deklaratë. Në një pjesë të saj thuhej: “Kemi nisur betejën kundër dikujt që është shumë më i fuqishëm e më i pasur se ne. Por prapë se prapë kemi lajme pozitive. Beteja, përpjekjet dhe aktivizmi ynë nuk ishin të kota. Vendimi për ta themeluar një shkollë tjetër u shfuqizua, dhe është parandaluar edhe një përpjekje tjetër për ndarje. Nëse kemi gjetur zgjidhje në këtë situatë, [kjo zgjidhje] mund të transferohet në shkolla tjera. Kjo është mundësi për ndryshime gjithëpërfshirëse”.
Kështu një grup i fëmijëve që u rritën në Bosnjën e Hercegovinën e pasluftës arritën sukses – ose të paktën kështu po duket deri më tani – duke mposhtur një sistem të “betonuar” për më shumë se një dekadë.
Kundër ligjit dhe dëshirës së popullit
Për më shumë se një dekadë në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës, është përjetësuar një fenomen i quajtur “dy shkolla nën një kulm”, prej një prej dy entiteteve të formuara brenda këtij shteti pas luftës,
Në afro 50 shkolla fillore e të mesme, nxënësit përdorin kate dhe pjesë të ndryshme të ndërtesave, të ndarë në bazë të etnisë. Boshnjakët në një pjesë, e kroatët në tjetrën. Shkollat janë të ndara kështu në mënyrë që fëmijët të mos kenë mundësi që të takohen fizikisht mes vete. Mësuesit në këto shkolla gjithashtu janë të ndarë fizikisht meqë përdorin zyre të ndryshme.
Me vite të tëra njerëz kanë protestuar kundër kësaj çështjeje. Protestues ishin kryesisht njerëz të komunitetit akademik. Megjithatë, vitin e kaluar ishte hera e parë që nxënësit nga Jajce e kundërshtuan këtë çështje, duke arritur madje sukses, meqë e krijuan një valë të tërë të pakënaqësisë. Në fillim politikanët vendas i injoruan ata, por pasi nxënësit dhe mbështetësit e tyre ushtruan presion, në fund politikanët filluan që t’i justifikojnë veprimet e tyre duke insistuar që ky sistem ekziston për shkak se prindërit dhe fëmijët e mbështesin atë.
Për ta testuar këtë, fëmijët në Jajce e formuan një këshill të nxënësve, nëpërmjet së cilit e formuan një pyetësor për mësues, prindër e nxënës, për të kuptuar se a e mbështesin ata me të vërtetë ndarjen në arsim. Pjesa më e madhe – 59 përqind e prindërve, 51 përqind e nxënësve dhe 77 përqind e mësuesve – thanë se ishin në favor për të pasur një kurrikulë të unifikuar.
Para dy viteve, OJQ Vasa Prava (Të drejtat e juaja), që ofron ndihmë ligjore pa pagesë, bëri një padi nëpërmjet së cilës u përpoqën që të dëshmojnë se ekzistenca e një sistemi të tillë ishte jokushtetuese. Gjykata Supreme e Federatës së BiH e shpalli këtë praktikë si të paligjshme, duke rënë në përfundim se “fenomeni i dy shkollave nën një kulm” përfaqëson “ndarje etnike të nxënësve”, dhe se “një praktikë e tillë duhet të shfuqizohet”.
Ky vendim iu referua shkollës fillore në Stolac dhe asaj në Capljina, në të cilat kurrikulat ishin hartuar në bazë të etnive të nxënësve. Megjithatë, duke marrë parasysh se një praktikë e tillë ekziston edhe në pjesë tjera të Federatës, u pranua gjerësisht se i njëjti vendim duhet të aplikohet çdokund. Gjykata gjithashtu ra në përfundim se organizimi i shkollave në baza etnike, dhe ndarja fizike e nxënësve, ishte “shembull i qartë i diskriminimit”.
Ndjenjë e papërshkrueshme
Azra Crnalic është nxënëse e vitit të dytë të shkollës së mesme në Jajce dhe kryetare e këshillit të nxënësve. Ajo dikur vijonte mësimin në një shkollë fillore në të cilën asnjëherë nuk pati mundësi që të miqësohej me fëmijë të etnive tjera.
“Nëpërmjet shkollimit të tillë unë gjithmonë isha e ndarë prej disa nxënësve, dhe nuk kisha mundësi që të njoftohesha me tjerë”, tha ajo për K2.0 gjatë vizitës së ekipit tonë në Jajce. “Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën kur fillova të vijoj mësimin në shkollë të mesme, ku nuk ishim të ndarë. Më në fund mund të ulesha e të flisja me dikë me të cilin apo cilën më ishte ndaluar kontakti gjatë tetë viteve të shkollimit”.
Shkolla për rebelë, në Jajce. Nxënësit nisën një lëvizje kundër ndarjes etnike në shkolla që është zbatuar për më shumë se një dekadë. Fotografia: Nidzara Ahmetasevic.
Në po atë vit, autoritetrt vendosën që fëmijët nuk do të kishin më mundësi që të mësojnë së bashku në nivelin e shkollës së mesme. Ata vendosën që madje t’i ndajnë edhe në ndërtesa krejtësisht të ndryshme. “Atëherë të gjithë e kuptuam që nuk duam të jetë kështu”, Azra tha për K2.0. “Nuk duam të jemi të ndarë, e nëse ne nuk duam, atëherë nuk po e kuptojmë pse duhet të na ndajnë!’
Kristina I.* ishte gjithashtu pjesë e grupit të nxënësve që e udhëheqën këtë revoltë. Pas një konference të organizuar në mes të prillit nga një grup i OJQ-ve që erdhën në Jajce për ta mbështetur kauzën e nxënësve, ajo i shtroi disa pyetje për zyrtarin vendas Edin Hozan, dhe kërkoi ndihmë nga K2.0. “Inçizojeni krejt që të mos mundet me më thënë jo”, na udhëzoi ajo. Plani i funksionoi.
Duke ju dridhur pak zëri, Kristina i vuri në dyshim vendimet e njerëzve që janë në pushtet në lidhje me politikën e dy shkollave nën një kulm, por edhe për jetën në Jajce. Gjatë konferencës, Hozan – anëtar i partisë më të madhe boshnjake, Partia e Veprimit Demokratik (SDA), e cila u përpoq që të themelonte një shkollë vetëm për boshnjakë – tha se do t’i mbështesin plotësisht nxënësit, por Kristina nuk u bind.
“Pse gjithmonë thuani publikisht që i mbështesni nxënësit e shkollave të mesme kur asnjëherë nuk jeni me ne?”, e pyeti ajo atë.
“Paj nuk kam menduar se duhet të eci rrugëve me fëmijë. Dhe nuk do të thoja që nuk kam qenë me juve, sepse kam folur me fëmijët në zyrën time”, iu përgjigj ai.
Kur Kristina e pyeti se a ishte ai kundër ndarjes dhe se a ishte munduar që të bënte diçka në lidhje me këtë çështje, Hozan reagoi duke thënë se e gjithë kjo ishte “rezultat i luftës”.
Ndarje pa rezultate të dëshiruara
Për Kristinën, e cila u lind pas luftës, këto reagime nuk ishin të kënaqshme, por sidoqoftë e inkurajuan atë që ta vazhdojë aktivizmin e saj. Pas një viti me protesta që tërhoqën shumë vëmendjen e publikut, këtë javë nxënësit arritën sukses kur u lajmërua se nuk do të hapej shkolla vetëm për boshnjakë, dhe se të gjithë fëmijët do të ishin të bashkuar.
Por ky vendim nuk ishte i mjaftueshëm për nxënësit, të cilët u grumbulluan për të demonstruar se duan më shumë – që të shfuqizohej sistemi i ndarjes në të gjitha shkollat në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Para protestave, ata e dërguan një letër të hapur për zyrtarët, në të cilën deklaruan se ndarjet nuk arrijnë rezultate dhe se janë veçanërisht regresive kur merret parasysh numri gjithnjë në rënie i nxënësve në sistemin e arsimit. “Nuk ka kurrëfarë kuptimi që në secilën klasë t’i kemi vetëm nga pesë nxënës në të njejtat departamente, vetëm me kurrikule të ndryshme”, u tha në letrën e hapur. “Në tërë Kantonin e Bosnjes Qendrore kemi dalluar rënie në vlerë 24 përqind të numrit të nxënësve që janë regjistruar në vit të parë të shkollës së mesme në pesë vitet e fundit”.
Nxënësit gjithashtu theksuan shumë probleme që për ta dukeshin të qarta: “Qeveria po planifikon që t’i shpenzojë më shumë se 1 milion marka të këmbyeshme (gjysmë milion euro) në furnizim të shkollave të reja dhe financim të stafit të ri të mësimdhënësve të cilët do të punojnë në këto shkolla, që do të thotë se po e dyfishojmë pa nevojë administratën. Nevojë thelbësore e nxënësve të shkollave të mesme është vijimi i mësimit në shkolla moderne dhe të pajisura, me mënyra të përmirësuara të zbatimit të kurrikulës. Është e nevojshme që ta bëjmë një kurrikulë që prodhon rezultate, nëpërmjet së cilit nxënësve u ofrohet dituri kualitative, në mënyrë që ata ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre në arsim, ose të kërkojnë punë, e të jenë kompetent për t’i përmbushur kërkesat e tregut të punës”.
“Vdekje Politikës – Liri Arsimit”, ishte mesazhi që e dhanë nxënësit gjatë protestave në Travnik. Fotografia: Milica Pralica.
Në maj, një grup jo formal civil, Nasa Skola (Shkolla jonë), në të cilin u përfshinë shumë mësues, kërkoi që shkolla në Jajce të shpallet si eksperimentale, me kurrikulë gjithëpërfshirëse. Idea është që të transferohet ky model përgjatë tërë BiH. Deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë reagim prej autoriteteve.
Idea e themelimit të “dy shkollave nën një kulm”, rrjedhi para më shumë se 10 viteve nëpërmjet organizatave ndërkombëtare në BiH, të cilat ende kanë fuqi të mëdha të vendimmarrjes dhe zbatimit të ligjeve në këtë shtet.
Pati për qëllim stimulimin e ndjenjës së sigurisë për ata që ikën nga lufta dhe stimulimin e refugjatëve e personave të zhvendosur brenda vendit, në mënyrë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës sa më parë, duke u ofruar fëmijëve mundësi që të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre dhe me kurrikulën e tyre. Megjithatë, kritikët theksojnë se këto kurrikule janë në fakt të diktuara nga partitë politike kombëtare, dhe se ky parim është keqpërdorur me vite të tëra nga autoritetet, duke shërbyer si mënyrë e ruajtjes së kësaj ndarjeje me bazë etnike.
Idea origjinale ishte që këto shkolla të ekzistojnë vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, por ato nuk janë zëvendësuar kurrë. Ata që e kundërshtojnë sistemin “dy shkolla nën një kulm” i akuzojnë politikanët që sipas tyre po mundohen që ta ruajnë këtë sistem të ndarjes në bazë të etnisë duke shpresuar që t’i mbajnë të ndara gjeneratat. Por gjenerata e re ka treguar se mund ta arrijë efektin e kundërt, dhe se të rinjtë duan që të jetojnë së bashku më shumë se kurrë më parë.
*Mbiemri i Kristinës nuk është publikuar për shkak të kërkesës së saj, meqë nuk iu dha leja nga prindërit.K
Foto kryesore: Nidzara Ahmetasevic / K2.0.