Gjatë rrethimit të Sarajevës, qindra e mijëra njerëz u bombarduan dhe u goditën me armë prej kodrave përreth, si dhe u lanë pa bukë, ujë dhe energji elektrike për pothuajse katër vite. Më shumë se 11,000 njerëz vdiqën, përfshirë këtu 1,100 fëmijë. Ky është rrethimi më i gjatë i ndonjë kryeqyteti në historinë e luftës bashkëkohore.
Si duhet kujtuar dhe përkujtuar një ngjarje e tillë? Një përpjekje lindi në vitet e para pas rrethimit, kur një rrëshirë e kuqe iu shtua gërmadhave të mbetura prej predhave të mortajave që kishin vrarë tre e më shumë persona, pasi që kishin shpërthyer në beton. Duke krijuar spërkatje të kuqërremta nëpër qytet, përkujtimet e atypëratyshme filluan të njihen si Trëndafilat e Sarajevës.
Në librin e saj “Trëndafilat e Sarajevës: Drejt politikave të kujtimit”, Azra Junuzović e identifikon ideatorin e përkujtimoreve si Nedžad Kurto, një profesor i arkitekturës pranë Universitetit të Sarajevës – ndonëse saktësisht ata që i sollën trëndafilat mbetën të mbuluar në mister. Junuzović e zbulon se Kurto dëshironte t’i përkujtonte ata që vdiqën dhe vuajtën pa personalizuar vende të veçanta.
Në vizitën që ia bëri qytetit më 2014, gazetari Peter Korchnak foli para aktivistëve të Iniciativës të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), të cilët e kishin marrë përgjegjësinë që t’i gjallëronin Trëndafilat duke i ngjyrosur sërish në të kuqe. Aktivistët e shfaqën një video para Korchnak, në të cilën një grua e moshës së mesme shprehte vlerësimin e saj për Trëndafilat, duke treguar se ajo e ndjen se ata “i lejojnë njerëzit që të jenë në vetmi me mendimet e tyre”.
Kjo ndjenjë jehon në një artikull të vitit 2013 me titull Memorialet e heshtura dhe ato retorike: Trëndafilat e Sarajevës dhe pllakat përkujtimore. Autorja e saj, Dr. Mirjana Ristić, i përshkruan Trëndafilat si “vende të heshtura të cilat ua lejojnë kalimtarëve të ndërtojnë versionet e tyre personale të kujtimit dhe rrëfime të shumta rreth historisë së qytetit”.
Si Korchnak ashtu edhe Ristić, i vënë Trëndafilat përballë pllakave përkujtimore që janë ngritur anembanë qytetit nga Komiteti për Shënimin e Njerëzve dhe Ngjarjeve Historike të Qytetit të Sarajevës. Korchnak e viziton një përkujtimore kushtuar masakrës së Markales, në të cilën shkruan: “Në këtë vend, më 05.02.1994, keqbërësit serbë vranë 67 banorë të Sarajevës”.
Korchnak e kritikon përkujtimoren sepse “u tregon njerëzve se çfarë të mendojnë për atë që kishte ndodhur”, gjersa Ristić e përshkruan tërë serinë e pllakave si “monumente konvencionale retorike të cilat e artikulojnë një version selektiv të historisë bazuar sipas një etniciteti të veçantë”.
Historitë selektive nëpër rajon
Kjo betejë rreth përkujtimit dhe përdorimit të një historie selektive është luftuar shpesh nëpër shtetet të dala nga Jugosllavia. Në maj të këtij viti, një organizatë holandeze e të drejtave të njeriut, “Impunity Match”, e publikoi një raport, i cili thekson se kërkimi për “të vërtetën” në Ballkan është sfiduar prej një diskursi publik të njëanshëm të mohimit.
I titulluar “Mbajta e premtimit: Adresimi i mosndëshkimit në Ballkanin Perëndimor”, ky raport tregon se shoqëria civile dhe media nuk kanë fuqi të sjellin ndryshim në shoqëri dhe rajoni vazhdon të jetë një fushëbetejë rrëfimesh historike, në të cilën secila palë pretendon të viktimizohet dhe t’i fajësojë të tjerët. “Historia [është] manipuluar për të treguar rrëfime nacionaliste që shkojnë përtej çfarëdo përpjekjeje serioze për t’u përballur me përgjegjësinë e së kaluarës”, shkruhet në raport.
Përkujtimi i ngjarjeve është bërë një pjesë kyçe e kësaj. Në qershor të këtij viti, Parlamenti i Serbisë adoptoi legjislacionin e ri për të rregulluar memorialet e luftës, sipas të cilit monumentet mund të largohen në qoftë se janë dedikuar për një ngjarje që është e papajtueshme me “luftërat çlirimtare” të Serbisë. Kritikët e ligjit kanë thënë se kjo mund të parandalojë përkujtimin e viktimave të luftës që vuajtën nga duart e shtetit serb dhe mund t’i karakterizojë luftërat e viteve ’90 si luftëra për “çlirim”.
Marko Milosavljević nga YIHR-ja në Beograd thotë se nëpërmjet këtij ligji, “rrëfimi shtetëror fuqizohet akoma më shumë”. Aktivisti argumenton se është e rëndësishme që shoqëria serbe t’i kundërshtojë këto masa jo vetëm për hir të ardhmes paqësore në rajon, por po ashtu të tregojë respekt për viktimat e konflikteve të së shkuarës.
Janë viktimat të cilat YIHR-ja shpesh është munduar t’u sigurojë një vend në rrëfimin rreth përkujtimit. Më herët gjatë këtij viti, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, zyra e YIHR-së në Beograd u kërkoi kandidatëve që të angazhohen në ndërtimin e një monumenti që do t’i përkujtonte civilët, trupat e të cilëve ishin fshehur për dy vite në Batajnicë, në periferi të Beogradit – një iniciativë e vazhdueshme e kësaj organizate.
Trupat ishin bartur prej Kosovës jugore në Batajnicë në orvatje për të mbuluar një sërë masakrash, krim ky, për të cilin ish-ministri i Brendshëm Vlastimir Ðorđević, u dënua nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi. Që nga viti 2001, më shumë se 700 trupa janë zhvarrosur prej këtij vendi, i cili aktualisht përdoret akoma si qendër trajnuese për Njësinë Speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër Terrorizmit.
Ndërkohë, në Kroaci, në gusht të vitit 2010, aktivistët e YIHR-së e vendosën një pllakatë përkujtimore për të gjithë civilët që ikën nga shtëpitë e tyre gjatë Operacionit “Stuhia”. Sipas degës kroate të Komitetit të Helsinkit, ky operacion ushtarak më 4 gusht 1995 la 677 civilë serbë të vrarë, ndërkohë që 200,000 të tjerë ikën nga Kroacia. Përkundër kësaj, përvjetori i Operacionit “Stuhia” shpeshherë festohet sikur një fitore, me paradat ushtarake që mbahen rregullisht.
Në pllakën e ngritur prej aktivistëve në 15 vjetorin e Operacionit “Stuhia”, shkruan: “nga qytetarët kroatë, të cilët u kërkojnë falje viktimave, në mungesë të një kërkim faljeje prej përgjegjësve”. Në korrik të këtij viti, aktivistët e kësaj organizate e përgatitën një udhërrëfyes për t’i ndihmuar politikanëve që të kërkojnë falje për krimet kundër civilëve serbë, duke u sugjeruar një kërkim falje publike në vendin ku krimet ndodhën, që do duhej të përfshinte edhe një dënim të rastit.
Nga ana e saj, YIHR-ja në Kosovë është munduar që të sigurojë se mbi 1,500 të zhdukurit gjatë dhe pas Luftës së Kosovës do të mbesin në kujtesën publike përmes aksioneve simbolike, posaçërisht më 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Në vitin 2016, kjo organizatë ia dërgoi kryeministrit Isa Mustafa një kuti me këpucë që simbolizonte të zhdukurit, së bashku me një letër ku thuhej se “shqetësohej për neglizhencën [zyrtare] në raport me personat e zhdukur”.
Marigona Shabiu, drejtore e Zyres së YIHR-së në Kosovë, tha për K2.0 se një prej qëllimeve kryesore të organizatës është krijimi i një “kujtese të duhur” për luftën në Kosovë. Për Shabiun kjo nënkupton “njohjen e të gjitha viktimave civile të të gjitha komuniteteve, ndëshkimin e shkaktarëve të krimeve dhe kërkimin e drejtësisë”.
Për ta lehtësuar një synim të tillë, organizata po ashtu është duke bërë përgatitje që ta lansojë Muzeun Virtual të Refugjatëve të luftës së fundit në Kosovë. I krijuar online, ky muze do të përmbajë tregime të shkruara dhe me audio, si dhe foto personale, dhe të gjitha do të tregojnë përvojat e ndryshme të qytetarëve kosovarë sa ishin refugjatë.
“Ky muze do të shfaqë udhëtimin dhe përvojat personale të qytetarëve si refugjatë, në mënyrë që të kontribuojë në krijimin e kujtesës kolektive dhe njohjen simbolike të vuajtjeve të civilëve nga të gjitha grupet etnike gjatë luftës në Kosovë”, tregon ajo. “ Dëbimi i njerëzve gjatë luftës së fundit në Kosovë, është pjesë thelbësore e të kaluarës dhe të tashmes tonë, duke pasur parasysh se rreth një milion njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre”.
Sipas Shabiut, kujtesa kolektive në Kosovë vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me rrëfimet zyrtare. “E dukshme është mungesa e njohjes së rezistencave të tjera, pos atyre që njihen si luftarake. Rezistenca, sikurse sistemi paralel i arsimit, shëndetësisë, grave dhe grupeve të tjera jombizotëruese në Kosovë, është akoma në margjina të kujtesës”, thotë ajo.
Linda Gusia, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndan të njëjtin opinion. “Kujtesa jonë kolektive mbizotërohet prej ushtarëve dhe për më tepër, prej ushtarëve burra”, thotë ajo për K2.0. “Kontributet tona nuk kujtohen e vlerësohen. Heronjtë janë me rëndësi, por viktimat dhe njerëzit që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme, sikurse edhe përvojat dhe rrëfimet e gjithsecilit nga çdo etnicitet janë po ashtu të rëndësishme”.
Përgjatë karrierës së saj akademike, Gusia ka hulumtuar rolet që kanë luajtur grupet e tjera gjatë viteve ’90 në Kosovë, sidomos protestat e prira prej grave dhe një ekspozitë bazuar në punën e saj u mbajt në fillim të këtij viti në Muzeun e Kosovës. Ekspozita u përqendrua në muajin mars të vitit 1998, muaj në të cilin u zhvilluan katër protesta të organizuara prej grave dhe u përpoq ta mbante gjallë këtë aspekt të historisë së viteve ’90 të Kosovës, nëpërmjet fotografisë dhe incizimeve të intervistave me ata që ishin të përfshirë.
Tregime personale
Përvojat dhe rrëfimet personale janë gurëthemeli i një tjetër organizate që punon në drejtim të përballjes me të kaluarën në një mënyrë më gjithpërfshirëse, Historia Gojore e Kosovës. Kjo platformë online mbledh tregime të njerëzve të moshave, entiteteve dhe profesioneve të ndryshme, të cilët ndajnë përvojat e tyre gjatë ngjarjeve e periudhave, përfshirë faljen e gjakut në fillim të viteve ’90, përvojat e luftës dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008.