Është mesnatë. Një 11 vjeçar po vëzhgon një mural të madh me një fytyrë gruaje. Drejt tij vrapon një grua e frikësuar dhe i ulet pranë. Në ulësen e nënkalimit të qetë, diku në Ferizaj, ata vëzhgojnë në heshjte njëri-tjetrin.
“A nuk ish dashtë tash ti me kanë në shpi t’u pa andrra të mira e jo t’u kqyrë a po i përngjaj kësaj grus në pikturë a jo?”, pyet gruaja.
Pjesët e nxira në fytyrën e Lenës (luajtur nga Gresa Pallasaka) dhe Gentit (luajtur nga Mal Noah Safqiu), e që përkojnë me thyerjet simetrike të muralit mbi kokat e tyre, vulosin situatën e pazakonshme të dy protagonistëve. Të dy janë kureshtarë të dinë se çka po bën tjetri në atë kohë, por asnjëri nuk e thotë të vërtetën, duke e lënë heshtjen të aludojë më shumë se sa fjalët.
Ata kanë më shumë të përbashkëta se vragat: çdo ditë, ata bëjnë të njëjtën rrugë në kërkim të parave nën urdhërat e një personi që për njërin është “burrë” e për tjetrin “baba”. Megjithëse nuk njihen, ata ndajnë fatin e njëjtë: të jetuarit në skllavëri moderne.
Trafikimi me qenie njerëzore është tema që trajtohet në filmin më të ri të regjisorit Besim Ugzmajli. “Rruga” erdhi si premierë kombëtare në edicionin e 18-të të DokuFest-it, Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, të mërkurën më 7 gusht, në DokuKino Plato, kurse repriza është shfaqur dje, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren. Ugzmajli po ashtu ka shkruar skenarin e filmit, ndërsa përveç Pallaskës dhe Safqiut, në film luajnë edhe Mevlan Saraçi, Milot Salihu dhe Sherif Bega.
Jo rastësisht ky film është pjesë e DokuFest-it, tema e së cilit sivjet është e vërteta. Nën moton “Të vërtetat, rrenat – këtu”, ky edicion i DokuFest-it (2-10 gusht) i është bashkuar diskutimit botëror për lajmet e rrejshme “mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve”. Ekipi i Dokufest-it kishte deklaruar që 282 filma janë përzgjedhur këtë vit, për t’u shfaqur gjatë nëntë ditëve të festivalit.
Filmi “Rruga”, në regji të Besim Ugzmajlit, u dha premierë më 7 gusht në DokuFest, në Prizren. Foto: Besart Bega dhe Kushtrim Ugzmajli.
Përmes Lenës dhe Gentit, filmi i shkurtër artistik 15 minutësh pasqyron përditshmërinë e zymtë të viktimave të trafikimit. Ugzmajli, në një intervistë për Kosovo 2.0, tha se në filmat e tij mundohet të paraqesë rastet e ndryshme të padrejtësisë sociale, e në veçanti kur viktimat janë gratë dhe fëmëjët, të drejtat e të cilëve shkelen në mënyrë sistematike. Megjithëse filmi nuk bazohet në një histori konkrete, regjisori ka dëgjuar vazhdimisht për raste të ngjashme, dhe për ta vetëdijësuar më shumë shoqërinë për këtë dukuri, ka vendosur ta përdorë artin.
“Trafikimi me qenie njerëzore apo që së fundmi njihet si një lloj skllavërie moderne, është shqetësim i mbarë shoqërisë, dhe sado që shoqëria dhe institucionet mundohen ta luftojnë si fenomen, ai varion për t’i ikur ligjit ose luftimit, dhe është bërë një fenomen në përhapje jashtëzakonisht të madhe”, thotë Ugzmajli. “Këto shqetësime që po i përmendi janë ndër arsyet pse kam vendosur t’i paraqes në mënyrë artistike, në këtë rast me një film”.
Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të jetë dukuri me të cilën përballen autoritetet e vendit; raportet e Policisë së Kosovës tregojnë se në vitet e fundit pjesa më e madhe e viktimave, gra dhe vajza kosovare, trafikohen për shfrytëzim seksual, njëlloj si “Lena” në filmin e Ugzmajlit. Formë tjetër e trafikimi është shfrytëzimi i fëmijëve për punë, zakonisht në formë të kërkimit të lëmoshës, që tek “Rruga” portretizohet përmes “Gentit”.
Pamje gjatë xhirimit të filmit “Rruga”. Foto: Besart Bega dhe Kushtrim Ugzmajli.
Drama e filmit zhvillohet vetëm në një skenë: Lena dhe Genti (apo Besa dhe Drini) takohen pas “ekskursionit” të tyre të përditshëm. Ata detyrohen të jetojnë me një identitet të dyfishtë. Besa, nën petkun e Lenës, paraqitet si një bashkëshorte e lumtur, që sapo është kthyer nga pushimet në Venedik. Kurse Genti, që prezentohet si Drini, që sapo është kthyer nga “eksursioni” me shokët, tregon se si “babai” i tij e do dhe gatuan për të.
“Në film shihen dy variacione interesante të dy personazheve. E para, që përmes atyre rrëfimeve të tyre, ata mbërrijnë t’i gënjejnë klientelën e tyre, dhe njëkohësisht rrëfimi i tyre është një jetë alternative që ata do të donin ta kishin”, shpjegon Ugzmajli.
Filmat e Ugzmajlit shquhen edhe për përfundimet pa epilog.
“Unë mendoj që filmi nuk është medium i dizajnuar për t’iu dhënë fund gjërave, mendoj se është vetëm një kapje e një fragmenti jetësor, i dramatizuar për arsye estetike dhe jo domosdoshmërisht duhet të ketë një fund ku merr përfundim storia”, thotë Ugzmajli. “Mendoj se duhet të ketë një fund të filmit, por jo një fund të ngjarjes dhe kërshërisë së shikuesit”.
Edhe te “Rruga” fundi i filmit lë të kuptojë se “të nesërmen” personazhet do të nisin “eksursionin” e radhës. Lena dhe Genti kuptojnë që janë viktima të të njëjtit trafikant, ia dorëzojnë paratë e mbledhura dhe në heshtje përbijnë talljet e tij
Ugzmajli mundohet ta paraqesë dramën që shkaktohet në jetën e njerëzve nga një ngjarje e caktuar, duke e lënë të lirë audiencën që ta gjykojë rastin
“Praktikisht unë nuk punoj shumë në një mesazh, ose nuk është investimi im kreativ që ta dërgoj një mesazh të caktuar, por ta dërgoj një numër të mesazheve, të cilat mesazhe jo domosdoshmërisht duhet t’i di unë”, thotë ai. “Ndoshta unë kam një qëllim kryesor, mirëpo, më shumë e kam qëllimin e ngjarjes së asociacioneve të ndryshme te shikuesit, që ata të kenë perspektiva të ndryshme”.
Besim Ugzmajli. Foto: Kushtrim Ugzmajli.
Ugzmajli shton se si në kohë imazhesh, filmi ka fuqinë të bëhet pikënisje, të ngjallë pikëpyetje, dhe të bëjë thirje për reagim institucional.
Regjisori 32 vjeçar, i cili thotë se filmat i ka realizuar me kursimet e tij pa përkrahje instiucionale, ka realizuar edhe filmat “Erë”, “Forgive me”, “The Eaters”, “Week in Kosova”, dhe “Përtej portave”. Pos DokuFest-it, filmi “Rruga” tashmë është përzgjedhur të jetë pjesë e Edmonton Film Festival në Kanadë, si dhe Rhode Island International Film Festival.
“Forgive Me” – dramë e një kosovari të ri që ju bashkohet grupeve terroriste në Siri – u nominua në CinEuphoria Awards 2019, në kategorinë e filmit të shkurtër më të mirë, ndërsa vetë Ugzmajli në kategorinë e regjisorit më të mirë. Kurse Agron Shala, i cili luan në këtë film, u shpërblye si aktori më i mirë.
Gjatë vitit 2018, Ugzmajli është nderuar me çmimin “Artisti i vitit”, në qytetin e tij të lindjes, në Ferizaj. Gjatë bisedës për Kosovo 2.0, ai ka bërë të ditur se tashmë është në përfundim të skenarit për një film të ri të quajtur “Ditë e kuqe”, që për temë ka gratë në art dhe do të xhirohet në fundvit.
Foto kryesore: Pamje nga filmi.